top of page

Afera më e fundit e burrit tim!


Valbona Ismaili Luta

Afera më e fundit e burrit tim!

Valbona Ismaili Luta

Po e shkruaja këtë ditar - të cilin si zakonisht jam vonë ta dorëzoj në redaksi - kur në dysheme pranë tavolinës sime filluan të binin pika uji - si prej qielli! Tik, tik, tik, binin mbi dërrasa... ngrita kokën lart me shpejtësi për ta parë para syve bashkëshortin tim. I bërë qull, prej majës së kokës e deri në fund të këmbëve, thuajse i kishin hedhë një kovë me ujë. Kishte filluar të binte shi e ai megjithatë kishte vazhduar të punonte në bahçe.

Këtë vit ky ishte plani - ta rregullonim oborrin prapa shtëpisë, por askujt nuk i kishte shkuar mendja se Ragipi do ta marrë aq seriozisht sa ta kemi vështirë ta bindim të hynte brenda. Siç e përmenda edhe më lartë, edhe pse kishte filluar shiu te binte si rrëke ai kishte vazhuar të punonte jashtë. Jo vetëm që shumicën e kohës e kalonte duke punuar në të por filloi të interesohet për historinë e kopshteve angleze, të studiojë barin e llojet e tij, si të kultivohen trëndafilat derisa një pjesë e rafteve të librave u mbush me ato për kopshte.

Mendova se mund të jenë shenjat e para të një (krize) moshe të pjekur, por pasi ishte prezent në shtëpi nuk m'u duk edhe aq i keq ky ndryshim i tij, për fillim... E pastroi oborrin, e hoqi barin dhe lulet që ishin aty-këtu, rrënjë pemësh që kushedi sa vite kanë qenë aty etj, etj. Pastaj dheun e bartte prej një ane në anën tjetër për t'u siguruar se nuk ka lënë as gur e gjë në të. Tërë këtë hapësirë e shndërroj si në arë, të gatshme si ato ku mbjellin grurë.

Derisa atij i shtohej pasioni për bahçe - që ishte risi - unë fillova të dyshoj në mos ky entuziazëm i tij është pasojë e ndonjë gjëje tjetër. Kështu kaluan disa javë... Ai duke punuar dhe unë duke i ushqyer dyshimet e mia çdo ditë ndryshe. Pas tërë këtyre viteve bashkë, mendova, e paska gjetur një mënyrë 'të sjellshme' si shteg për t'i ikur shoqërisë sime! Kjo më shtyri edhe ta kufizoj imagjinatën time dhe të vendosi ta lë njeriun rehat. Në fund të fundit nuk duhet gjithmonë dhe gjithsesi ta gjejmë shkakun pse ndryshojmë apo jo?!! I thashë vetes Valbonë, durim.

Durimin nuk e kemi karakteristikë të fortë ne gratë... pritja çdo ditë ndonjë gjë të re derisa një mëngjes herët shkoi për të blerë gazetën, në një dyçan që është jo më larg se pesë minuta prej shtëpisë sonë. Për t'u kthyer, iu desht gati një orë. Fundin nuk e dija, por fijen e kësaj afere mendova se e gjeta. Pa hyrë mirë brenda, e pyeta çka u vonove kaq shumë, pashë Zotin?!, provova me zë të butë por më duket se tingëllova si police.

"Mbeta duke biseduar me Marinë dhe burrin e saj," më tha.

"Marinë dhe burrin e saj?!!!"

"Po," tha.

Maria dhe burri i saj janë nga Italia, një çift napolitan, diku në mes të shtatëdhjetave të cilët tërë ditën e lume ia kushtojnë bahçes. Nuk ka njeri që kalon andej pari e që nuk ndalet për t'u kënaqur me kopshtin e tyre i cili deri në hollësi është i përkryer. Me ndërrimin e stinëve edhe bahçja e tyre merr ngjyra tjera. Edhe unë ndalem dhe bisedoj me ta por burri im si duket qenka influencuar rrezikshëm prej tyre. Pra, faji ishte i italianëve për ndryshimin e tij!

Më mungonte shoqëria e tij, kafet nuk më pëlqenin t'i pija vet por në anën tjetër nuk doja ai ta kuptonte se jam duke e përcjellë çdo hap të tij, s'paku derisa e zbulova "aferen" e tij. Tani kur gjërat kanë filluar t'i kthehen normales dhe oborri po duket çdo ditë e më bukur unë kam filluar ta shoqëroj në këtë aventurë me plot pasion... nuk thonë kot nëse nuk mund ta mundësh atëherë bashkangjitju!


21 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page