Adnan Mehmeti: Luljeta Lleshanaku shpallet “Anëtare Nderi" e Shoqatës së Shkrimtarërve Shqiptaro-Amerikanë
- 9 minutes ago
- 4 min read

Adnan Mehmeti: Luljeta Lleshanaku shpallet “Anëtare Nderi" e Shoqatës së Shkrimtarërve Shqiptaro-Amerikanë
Adnan Mehmeti
New York, 4 mars 2026
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është një institucion kulturor që mishëron përkushtimin ndaj fjalës së shkruar dhe vlerave të larta të letërsisë shqipe. Ajo bashkon krijues nga mbarë Shtetet e Bashkuara, duke ndërtuar një bashkësi të denjë që ruan, kultivon dhe lartëson identitetin tonë letrar në diasporë.
Me një vizion të qartë dhe mision fisnik, Shoqata shërben si lidhje shpirtërore dhe kulturore midis traditës shqiptare dhe realitetit amerikan. Ajo ofron hapësira dinjitoze bashkëpunimi, shkëmbimi përvojash dhe promovimi artistik, duke kontribuar në afirmimin e letërsisë shqipe në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar.
Përmes veprimtarisë së saj, Shoqata forcon lidhjet mes autorëve, frymëzon brezat e rinj dhe përfaqëson me krenari zërin krijues shqiptar në skenën kulturore amerikane duke mbledhur krijuesit rreth një qëllimi të përbashkët e fisnik, e duke u shndërruar në një ndër institucionet më të rëndësishme të kulturës shqiptare në diasporë.
Përgjatë këtyre viteve, me përkushtim dhe dinjitet, ka promovuar librin shqip përmes veprimtarive letrare, organizimit të panaireve të librit dhe ngjarjeve kulturore me jehonë, duke forcuar lidhjet mes krijuesve dhe duke mbajtur gjallë frymën e letërsisë shqipe larg atdheut.
Mes krijuesve që jetojnë dhe veprojnë në SHBA është edhe poetja e mirënjohur Luljeta Lleshanaku. Në vlerësim të kontributit të saj të spikatur në letërsinë bashkëkohore shqipe dhe të përfaqësimit dinjitoz në arenën ndërkombëtare, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë do ta nderojë me titullin “Anëtare Nderi”.
Takimi me autoren dhe ceremonia e shpalljes do të zhvillohet më 12 prill, në orën 12.00, në Maestro Caterers, Bronx. Ky event pritet të jetë një moment i veçantë festimi dhe njohjeje për veprën e saj dhe për mbarë komunitetin krijues shqiptar në SHBA.
Shënime biografike për Luljeta Lleshanaku
Luljeta Lleshanaku është “Poetja Laureate e Shqipërisë, 2023-2025”. Ajo ka lindur nё vitin 1968, në Elbasan. Është diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës (1997) dhe më vonë Master në Artet e Bukura (MFA) nga Kolegji Warren Wilson, SHBA (2012). Ajo ka ndjekur edhe "Programin Ndërkombëtar të Shkrimtarëve" në Universitetin e Iowa-s, SHBA (1999), dhe është nderuar me një bursë si shkrimtare nga Black Mountain Institute në Universitetin e Nevadës, Las Vegas (2008-2009).
Është autore e nëntë vëllimeve me poezi në gjuhën shqipe, si: Poezi të zgjedhura (Onufri, 2020), Homo Antarcticus (Ombra, 2015), Pothuajse dje (Ombra, 2012), Femijёt e Natyrёs (Ombra, 2006), Palca e Verdhë (Buzuku, Kosovë 2000), Antipastorale (Eurorilindja, 1999), Gjysëm-kubizëm (Eurorilindja, 1997), Këmbanat e së djelës (LSHA, Shqipëri 1995) dhe Sytë e somnambulës (Artemida,1994).
Librat e saj janё pёrkthyer dhe botuar gjёrёsisht nё gjuhё tё tjera, si: Negative Space (New Directions, SHBA, 2018 ); Negative Space (Bloodaxe Books, Mbretëria e Bashkuar, 2018), Haywire; New and Selected Poems (Bloodaxe Books, Mbretëria e Bashkuar, 2011), Child of nature (New Directions, SHBA, 2010); Fresco (New Directions, SHBA, 2002), Die Stadt der Äpfel (Carl Hanser Verlag GmbH, Gjermani, 2021), Kinder der Natur (Edition Korrespondenzen, Austri, 2010); Woda i wegiel, (Kultury Miejskiej, Poloni, 2022), Dzieci natury (Stowo/ Terytoria Obraz, Poloni, 2011); Poemès (Le printemps des poètes, France 2019); Les enfants dela morale (Hochroth, Francë, 2018); Antipastorale (LietoColle, Itali 2006); Ponedjeljak u sedam dana (Versopolis edicija, Kroaci, 2015); Lunes en Siete Días (Olifante, Spanje, 2017); Pondelok v siedmich dӣoch (Občianske združenie VLNA, Slovaki, 2017); Речиси вчера (ArtConnect, Maqedoni, 2019).
Lleshanaku është fituese e disa çmimeve letrare kombёtare, si: çmimi kombëtar për letërsinë “Penda e argjendtë 2000"; çmimi "Autori i Vitit 2013" nga Panairi i Librit të Tiranës; çmimi "Kult 2013" nga akademia KULT; çmimi i Autorit te Vitit në poezi nga Panairi i Librit të Prishtinës, 2013; çmimi “PEN Albania 2016”.
Botimet e saj në gjuhë të tjera kanë marrë gjithashtu vlerësime. Autorja ёshtё fituese e çmimi evropian “European Poet of Freedom 2022” në Gdansk, Poloni dhe finaliste për të njejtin çmim në vitin 2012 dhe fituese e çmimit ndërkombëtar "Crystal Vilenice 2009" në Slloveni. Libri Negative space (2018) i botuar në Angli dhe SHBA, është shpallur finalist për çmimin ndërkombëtar “GRIFFIN 2019”, finalist për çmimet “PEN America 2019” dhe “BTBA 2019” dhe ka qenë fitues i çmimit “English PEN” në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa libri Child of nature (2010) është shpallur finalist për çmimin "The Corneliu M Popescu Prize 2013" në Mbretërinë e Bashkuar, dhe për çmimin BTBA 2011, në SHBA. Libri i fundit ne gjermanisht, Die Stadt der Äpfel (2021) ishte një nga librat e rekomanduar nga Deutsche Akademie für Sprache und Dichtung, në vitin 2022.
Ajo është edhe përkthyese e disa librave nga anglishtja në shqip, si: Poezi të zgjedhura nga Thomas Kinsella (Albas 2020); Zhurma e Bardhë nga Don DeLillo (Albas, 2018), Qeni nga Joseph O'Neil (Albas, 2016), Bija e Varrmihësit nga Joyce Carol Oates (Albas, 2016), Shpirti Flet nga Helen Vendler (Ombra GVG, 2008). Përkthimi i romanit Bija e Varrmihësit, është përzgjedhur finalist për Çmimin Kombëtar për Përkthimin 2017, akorduar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.
Gjatё jetёs sё saj, autorja ka punuar si gazetare, autore progamesh televizive, lektore dhe studjuese. Ka shërbyer gjithashtu dhe si drejtuese e disa projekteve kombёtare dhe ndёrkombёtare letrare dhe multimedia, dhe e projektit "SABBAT- seri workshopesh në shkrimin krijues" (2014-1019), projekt i cili që mbështetet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Aktualisht ajo jeton në New York.









Comments