top of page

Abdurahim Ashiku: Bisedë në Athinë...



 

BESA E MARGARITARIT TË SKENËS SHQIPTARE

 

- Bisedë në Athinë me Artisten e Popullit Margarita Xhepa -

 

E kisha parë shpesh herë ditëve të marsit në Athinë, në një takim me emigrantët ku ajo kishte nxjerrë nga shpirti i saj margaritarët e vlerës për nënën dhe për shqipen, në dy poezi të Din Mehmetit dhe Dritëro Agollit.

E takova në hollin e hotel Parnon në një bisedë që për mua niste gati një gjysmë shekulli më parë, atëherë kur ajo pikonte margaritarët e parë mbi skenën shqiptare në rolin e Kleas në “Dhelpra dhe rrushtë”...

Udhëtuam në kohë e hapsirë...

Margaritë e ka emrin. Nuk e di në se prindërit dhe të dashurit e saj në Myzeqe panë tek filizi i jetës që po rritej në sytë e tyre Margaritarin e skenës dhe të filmit shqiptar.

Unë nuk e pyeta.

Është ende e re. Në Athinë mbushi 75 vjeç. Është në periudhën e lulëzimit dhe shpërthimit të margaritarëve.

Do ta pyes kur të mbushë tetëdhjetë vjeç...

Do ta pyes kur të mbushë nëntëdhjetë vjeç...

Do ta pyes kur të mbushë shekullin...

Margarita Xhepa është “Margaritar i skenës dhe ekranit shqiptar i dy shekujve bashkë”

Në vitet gjashtëdhjetë unë ju kam ndjekur  për herë të parë në skenë. Ju kam parë në një rol që asokohe, në partneritet me Kadri Roshin luanit tek “Dhelpra dhe rrushtë”- Ezopi, rolin e Kleas. Do të desha të di si arriti Margarita Xhepa, vajzë Myzeqeje në atë skenë brilante të Teatrit Popullor?

Është një nga rolet e mia të dashura, të paharruara. Regjisori i madh Mihallaq Luarasi, Artist i Popullit, më bëri pjesë, më besoi atë rol, rolin e Kleas që unë e kam falënderuar dhe prapë e falënderoj. Ishte një rol tepër i vështirë për mua në atë kohë kur kisha më pak përvojë se sa tani dhe paksa u tremba. Mirëpo regjisorët e mëdhenj dinë të komunikojnë dhe të qetësojnë artistët për punën që do të bëjnë.

Dhe si u qetësoi?

“Shumë mirë që ke frikë, më tha, do të punosh shumë dhe do t’ia arrish”

Ky besim që më dha regjisori më bëri me krahë. Sigurisht më ndihmuan shumë edhe kolegët. Jo vetëm artisti i paharruar, Artisti i Popullit Kadri Roshi, por të gjithë, të pesë aktorët që luanin në këtë pjesë si Lazër Filipi, Esma Agolli, Avni Resuli, Mario Ashiku...

Si vazhdoi ngjitja juaj në shkallët e skenës?

Mbas atij roli mua më erdhën role të tjera. Kam pasur fatin të luaj në teatër në një periudhë të artë, kur u vunë në teatër pjesë të fuqishme nga dramaturgjia e huaj, Çehov, Gogol, Gorkij, etj. Unë kam pasur fatin të jem pjesë e tyre, të luaj në role kryesore.  

Autorë të mëdhenj, aktorë të mëdhenj, regjisorë të mëdhenj...

Mbi të gjithë unë falënderoj regjisorët, që nga i paharruari Pandi Stillu, “Artist i Popullit” dhe pastaj të gjithë regjisorët e tjerë si Kujtim Spahivogli e Mihallaq Luarasi. Pastaj me radhë të tjerë si Pirro Mani, Dhimitraq Pecani, Fatos Haxhiraj, Drita Agolli, e të tjerë.  Ishte një punë e madhe, punë që më ndihmoi  për të përballuar në vitet e ardhshme role të tjerë akoma më të vështirë.

Me masën e kohës, si vajzë që shkëputet nga Myzeqeja dhe ngjitet shkallëve të artit. E kam fjalën kur them “me masën e kohës” lidhur me besëtytnitë, me praninë e femrën në jetën shoqërore dhe në art e kulturë. Si i kapërceu Margarita Xhepa këto “kodra” të kohës, “kodra” që brezi i ri sot nuk i koncepton dot?

Dihet kjo punë. Jo unë, por  do të flisja në emër të gjithë brezit tim. Kemi çarë në emër të pasionit me një dashuri të jashtëzakonshme për teatrin. Është punuar me seriozitetin më të madh, me impenjimin më të madh, me përkushtimin më të madh dhe nuk e kemi parë fare anën materiale. Puna të zbardh faqen. Puna është ajo që të bën të krijosh gjithmonë gjëra të reja, të mos ndalesh për asnjë çast.

Kemi çarë me injorancën, nëpërkëmbjen, me thashethemnajën. Dashuria për artin më fisnikëroi shpirtin, fisnikëruam spektatorin mbi të gjitha me mesazhet e ndryshme që kemi dhënë në rolet tona, me pjesët e bukura duke rritur autoritetin e teatrit. Spektatori çmoi guximin dhe bukurinë e profesionit tonë. Dhe me këtë rrugë do të kujtohen edhe ata që nuk janë midis nesh, sepse rolet e tyre të paharruara  kanë mbetur në kujtesën e njerëzve. Unë them se fjalët janë të pakta për të folur për punën madhore të aktorëve dhe të regjisorëve në Teatrin tonë Kombëtar që nga Artistët e Popullit Sandër Prosi, Naim Frashëri, Mihal Popi...

Nga Klea e mitit të lashtë grek të Ezopit ...tek shfaqja e sotme - NËNA SHQIPTARE e ”Vëllai i vdekur” të legjendës ballkanike të besës...

Sot në Athinë jam e ftuar nga regjisori i madh grek Sotiris Akzaqis. Atë e ka ngacmuar legjenda e lashtë, Besa e Dhënë, siç është legjenda e Kostandinit dhe Doruntinës që autori ynë i madh Ismail Kadare e ka trajtuar. Ju e dini. Edhe ne e kemi dhënë në Tiranë para 22 vjetëve me regjisor Fatos Haxhiraj dhe është pritur mirë. Edhe regjisori i talentuar grek Haxhaqis e ka dhënë këtë pjesë por nuk është kënaqur me të. Duke kaluar disa vite duke menduar rreth kësaj legjende ajo vjen në skenë me një performancë të mrekullueshme.

Ku e merr legjendën regjisori Akzaqis?

Këtë legjendë ai e merr me atë hapësirë të mendjes dhe të shpirtit duke thënë se legjenda e Kostandinit, që vjen nga thellësia e shekujve, nuk është e imja, nuk është e jotja, është e JONA, është e Ballkanit, mbarë ballkanike.  Ai bën një shfaqje me pesë gjuhë të Ballkanit, i ngjit ato në skenë në emër të paqes dhe të respektit midis popujve... Luajnë aktorë grekë, shqiptarë, rumunë, bullgarë, serbë në një shfaqje tepër të veçantë emocionale...

Të veçantë?

Po, të veçantë, sepse ajo jo vetëm është një shfaqje e kohës moderne, një shfaqje alternativë, siç quhet tani në gjuhën e kohës, por ai pikon në shfaqje artin e pesë shteteve. Shohim vallen greke, shqiptare, bullgare... Kënga, mallkimi, vajtimi, urimi...shkrihen në pesë kultura ballkanike. Flitet në pesë gjuhë, këndohet, mallkohet e kërcehet në pesë gjuhë. Mjeshtërisht regjisori Akzaqis jep një ngjyrim të jashtëzakonshëm emocional. Me mjeshtërinë e regjisorit, muzikantit, aktorit ai demonstron gjatë provave si duhet të kërcehet bukur, si duhet të këndohet bukur, si duhet mallkuar me të veçantat e çdo vendi.

Si erdhi këtu?

Ai kishte bërë, do të thosha, një studim të gjatë dhe erdhi me një shfaqje shumë të freskët, me një mesazh që fjala e bukur BESA duhet të ekzistojë midis njerëzve. Mendoj se me të vërtetë është një fjalë e bukur. BESA! Besa e dhënë! Kjo besë e dhënë është midis njerëzve, midis shteteve sepse Kostandinin e ka mbarë Ballkani. Kështu ai solli një shfaqje që spektatori e duartrokiti me të drejtë dhe e quajti “Shfaqjen më të bukur të vitit në Athinë”, e quajti një “befasim artistik”.

Po flisni shumë për regjisorin kur unë desha të flisnit më shumë për vete...

Qesh. Unë mendoj që ky regjisor i meritoi shumë fjalë lavdëruese nga spektatori grek, nga artistët grekë, poetë, aktorë, skenaristë, regjisorë, artdashës. Unë mendoj që ky regjisor nuk kënaqet, siç duket, me pak. Ai vazhdon të kërkojë sepse ai di të kërkojë të fshehtat e artit. Arti ka shumë të fshehta. Kush din t’i kërkojë gjen mrekullira. Regjisori në këtë shfaqje ka gjetur, mendoj unë, çelësin e enigmës që pranon arti...

Mendje të ndritura, që e duan artin arrijnë të gjejnë gjëra të bukura dhe të sjellin me fantazinë e tyre mençurore një spektakël që me të vërtetë na kanë dhënë lavdërime të panumërta. Unë si Margaritë i falënderoj artdashësit grekë për fjalët e ngrohta për regjisorin, për të gjithë aktorët. Është diçka shumë e bukur kur lodhja e madhe që patëm u kthye në një çlodhje, në një kënaqësi që na dha spektatori me duartrokitjet dhe me lavdërimet e tyre nga më të bukurat.

Në skenë keni folur shqip...

Sigurisht. Tre shqiptarë kanë folur shqip: Nëna e Kostandinit, Kostandini, luajtur aq bukur nga aktori i talentuar Karafil Shena, Dhoqina luajtur shumë bukur nga aktorja e re  me perspektivë Kiti Selmani. Tre shqiptarë u kuptuan shumë bukur me interpretimin e tyre nga spektatori grek. Dhe me të vërtetë i merituan duartrokitjet.

Si e ndjetë jehonën e fjalës shqipe hedhur në skenë, pushtuar sallën dhe kthimin në veshët  tuaj?

Kënaqësi e jashtëzakonshme. Gjuha jonë është e bukur. Çuditërisht ka tingëlluar shumë bukur. Fjala kur thuhet bukur, thuhet gjerë, me atë theksin ideoemocional të saj, fjala jonë shqipe është e bukur. Gjuha jonë është e bukur. Spektatorët, pa e ditur fjalën shqip e kuptonin gjuhën e artit që komunikon me të gjithë. Prandaj ata e duartrokitën interpretimin shqip të shqiptarëve.

Më 8 mars në një takim që u bë me emigrantët me rastin e festave të 7 e 8 marsit ju recituat për nënën dhe për gjuhën shqipe, një poezi nga një poet kosovar dhe një tjetër nga Dritëro Agolli, mjeshtri i madh i fjalës së artë shqipe...

Unë recitova në radhë të parë poezi për nënën se ishte 8 marsi dhe mendoj se poezia e nënës kishte vendin e saj. Atë që bën nëna nuk e bën kush. Dashuria e nënës është e thellë, e gjerë sa deti dhe poetët gjithmonë janë ngacmuar dhe kanë hedhur vargje për nënën. Poezia e nënës e poetit të madh kosovar Din Mehmeti me të drejtë u duartrokit sepse janë fjalë të dala nga shpirti i njeriut për nënën. Pastaj edhe poezia e poçarit të poetit të madh Dritëro Agolli ishte domethënëse.

Dritëro Agolli theu një poçe dhe iu rrotullua Deti Marmara...

 

   Vazoja nga dora shkau e ra   Dhe m'u bë njëzet e pesë copë,   Më erdhi rrotull deti Marmara   Dhe m'u hap dyqani turk si gropë,      Pa më shau poçari keq turqisht,   Unë e shava shqip e mend i rashë;   Për çudi poçari nuk u ligsht,   Veç dy lot në sytë e kuq i pashë,   Mos u çmend ky turk, ky mysliman?   Unë e shaj, ai me duar në qafë!   Poçe tjetër mori në dyqan   Dhe më tha: "Më shaj, për besë, prapë!"   Psherëtiu si unë: "Jam shqiptar,   Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,   Fjala shqipe s'blihet në pazar,   Në dyqan ka vjet që s'e kam ndjerë,   

Mesazhi më i bukur në poezinë e Dritëro Agollit është sepse në një faqe poeti hedh mendimin dhe dëshirën madhe se ç’është të jesh shqiptar dhe ç’është gjuha shqipe. Rastësia, incidenti i thyerjes së poçes bëri që ai  të tregojë rëndësinë e madhe të gjuhës për të qenë shqiptar. Gjuha jote nuk duhet harruar kudo që të jesh. Ajo është gjuha e nënës që të ka rritur, gjuha shqipe që ne, siç thotë Naimi i madh:

 

Të shkruajm' gjuhën tënë, Kombinë ta ndritojmë, Gjithë ç'është e ç'ka qënë Ngadalëzë ta msojmë.

pa shihni ç'gjuh' e mirë! Sa shije ka e hije, ç'e bukur'edh'e lirë, Si gjuhë perëndie.

 

Ç‘farë mesazhi do tu përcillnit prindërve shqiptarë në Greqi që ata tu mësojnë fëmijëve të vet të shkruajnë, të lexojnë dhe të flasin shqip?

Kudo që të jemi, jo vetëm në Greqi por kudo që të jemi, shqiptari duhet të mbetet shqiptar dhe gjuhën e tij kurrë nuk duhet ta harrojë.

Fishta i madh thotë:

 

Pra, mallkue njai bir Shqyptari, qi këtë gjuhë të Perëndis', trashigim, që na la i Pari, trashigim s'ia len ai fmis; edhe atij iu thaftë, po, goja, që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja, flet e t'veten e lèn mbas dore.

 

Rrethanat, momentet vijnë në jetën njerëzore por ama qenia shqiptar,  identiteti, duhet ruajtur. Shqiptarizmi, gjuha jonë e bukur, dashuria për vendlindjen, Atdheun është mbi të gjitha. Kudo që të jemi të japim përshtypjet më të mira. Virtytet e bukura shqiptare kurrë nuk duhet t’i harrojmë. Përkundrazi, kudo që të jemi me këto virtyte ne duhet të përfaqësohemi.

Faleminderit!

Ju lutem!

 

Athinë, 4 prill 2009

 

Shënim: Më 5 prill, pasi ndoqa me emocion, midis njerëzve që mbushnin sallën e teatrit “Kapa”, në pushim  mes dy shfaqjeve të fundit në Greqi i bëra dy pyetje regjisorit grek Sotiris Akzakis:

Do të desha shkurt disa fjalë për Zonjën Margarita Xhepa. Si e gjetët dhe si arritët të krijoni këtë shfaqje të mrekullueshme me pjesëmarrjen e aktorëve të pesë kombeve ballkanikë?

Është gëzim i madh për ne dhe për Greqinë që Margarita është mes nesh. Margaritën e njohim të gjithë, i gjithë teatri botërorë. Është një artiste shumë e madhe. Është një artiste mbarëbotërore. Nuk është e njohur vetëm në Shqipëri por në shumë vende. Në Greqi ne e duam.

Në këtë punë  ka artistë nga Greqia, Shqipëria, Serbia, Bullgaria dhe Rumania. E quajta të domosdoshme që Margarita të vinte në Greqi të luaj rolin e nënës, të Nënës Shqiptare.

Si do të vazhdoni pas shfaqjes së sotme?

Do të bëjmë një turne në Shqipëri, Serbi, Bullgari dhe Rumani nga 21 prilli deri më 4 maj.

 Nga arkivi i gazetarit

5 prill 2009

106 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page