Mentor Serjani: Poezia e Hekuran Halili “U poq ulliri i avllisë sime”. Ulliri që qan histori.
- 8 hours ago
- 6 min read

Nga Mentor Serjani
Po e filloj shkrimin me një citat që i mvishet Federico García Lorca: “Ulliri është poezi e tokës, e shkruar me dritë dhe durim.”
Poezia “U poq ulliri i avllisë sime” e poetit dhe inxhinierit Hekuran Halili është një nga ato krijime ku kujtesa historike, drama kombëtare dhe simbolika e tokës bashkohen në një tekst me ngarkesë të fortë emocionale e identitare. Kjo poezi nuk mund të lexohet vetëm si një elegji për një ulli të vjetër; ajo është një metaforë e fatit të Çamërisë, e plagës së shpërnguljes, e padrejtësive historike dhe e mbijetesës shqiptare në brigjet e Jonit.
Hekuran Halili – inxhinieri që ndërtoi edhe me fjalë
“Ulliri që qan histori”
Si fillim, një përshkrim për autorin: Hekuran Halili është një nga zërat më përfaqësues të letërsisë joniane bashkëkohore, ku ndërthuren kujtesa historike, dhimbja çame, identiteti kombëtar dhe filozofia njerëzore e qëndresës. I lindur në Konispol më 30 korrik 1953, ai u formua si inxhinier ndërtimi, por paralelisht ndërtoi edhe një univers të pasur letrar, duke u bërë një nga poetët dhe prozatorët e vlerësuar në jug. Sot ai drejton “Klubin e Krijuesve Jonianë”, duke qenë një figurë e rëndësishme e jetës kulturore në Sarandë dhe në gjithë trevën joniane.
Krijimtaria e tij përfshin poezi, tregime, romane, mite, legjenda dhe përralla, ku spikasin librat: “Unë njeriu”, “Bukë me hënë”, “Enigma vijash”, “Ç’ti bëj shpirtit”, “Misioni”, “Babai”, “Rrënjë”, “Përrallat e Nazusë”, “Mite, Legjenda dhe Përralla nga Çamëria”.
Në të gjithë krijimtarinë e tij ndihet lidhja e fortë me Çamërinë, Jonin, fatin e njeriut të thjeshtë dhe dramën historike shqiptare. Poezia e Halilit ka gjuhë popullore, simbolikë të fuqishme, figuracion letrar të pasur si: metafora, alegoria, ironia dhe një ndjeshmëri të thellë njerëzore, ku toka, ulliri, deti dhe shtëpia kthehen në simbole të identitetit dhe kujtesës kombëtare.
Hekurani është “inxhinieri” i materies dhe poet i shpirtit, dhe kjo ndihet fuqishëm në poezinë e tij. Vargu është i strukturuar, por njëkohësisht i ngarkuar me emocion të papërmbajtur. Veprat e tij poetike dhe narrative tregojnë një autor të lidhur pazgjidhshmërisht me Çamërinë, me Jonin dhe me fatin historik të shqiptarëve të jugut.
Por le të kthehemi tek poezia dhe te vetë personazhi kryesor i saj: ulliri.
Për ne që jetojmë pranë brigjeve të Jonit, ulliri nuk ka qenë thjesht pemë. Ai ka qenë: ekonomi, trashëgimi, identitet, bekim familjar. Në Jugun shqiptar, sidomos në Çamëri, Labëri, Himarë, Konispol e Sarandë, ekonomia familjare tradicionalisht është mbështetur mbi tri shtylla: blegtoria, ulliri dhe kurbeti. Kjo treshe përfaqëson vetë historinë sociale të jugut shqiptar. Blegtoria ushqente familjen, ulliri siguronte dritë, vaj, tregti dhe vazhdimësi, ndërsa kurbeti mbante gjallë ekonominë kur toka nuk mjaftonte.
Ulliri në kulturën mesdhetare është pemë e pavdekësisë. Ai jeton me shekuj, duron thatësirën, plagët dhe prerjet, por ringjallet sërish. Pikërisht për këtë arsye poeti e përdor si metaforë të shqiptarëve të Çamërisë: të goditur, të shpërndarë, por jo të zhdukur.
Le të bëjmë edhe një hyrje të shkurtër, por të domosdoshme, për historinë dhe lashtësinë e kësaj peme, duke analizuar vargjet e poezisë.
Poeti shkruan:
“ulliri që priti Odisenë kur kthehej nga Troja”
Ai e lidh ullirin me mitologjinë homerike dhe me pretendimin e lashtësisë pellazgjike të Çamërisë. Kjo nuk është vetëm figurë poetike; është përpjekje për të vërtetuar vazhdimësinë historike të shqiptarëve në ato troje. Dodona, të cilën poeti e përmend me “bekimin Dodonian”, ishte një nga qendrat më të lashta shpirtërore të Epirit. Ulliri këtu bëhet dëshmitar i historisë, më i vjetër se kufijtë politikë dhe konfliktet moderne.
Ulliri në kohën e Gjergj Kastrioti Skënderbeu
Në traditën shqiptare, ulliri lidhet edhe me qëndresën kombëtare. Në epokën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, mbjellja e disa rrënjëve ulli ishte kusht kryesor për të lidhur martesë; ullishtat kishin rëndësi jetike ekonomike dhe strategjike. Vaji i ullirit përdorej për ushqim, ndriçim, mjekësi, rituale fetare etj. Në shumë treva shqiptare, prerja e ullirit konsiderohej mëkat. Ai ishte pemë e shenjtë, sepse simbolizonte jetën dhe vazhdimësinë e fisit.
Ulliri si simbol paqeje dhe religjioni
Që nga antikiteti greko-romak e deri te tradita biblike, ulliri është simbol universal i paqes. Degën e ullirit e mban pëllumbi i Noe pas përmbytjes, si shenjë pajtimi mes Zotit dhe njerëzimit. Ne e vendosim atë në shtëpitë tona ditën e parë të Vitit të Ri; me degën e ullirit kurorëzoheshin kampionët olimpikë etj.
Në krishterim: vaji i ullirit përdoret në pagëzim dhe bekime, llampat e kishave ndizeshin me vaj ulliri. Homeri e quante “ari i lëngshëm”; ulliri simbolizon dritën shpirtërore. Ndërsa në kulturën mesdhetare ai simbolizon: mençurinë, qëndrueshmërinë, lidhjen me tokën.
Në poezinë e Halilit, kjo simbolikë “përmbyset” tragjikisht: ulliri i paqes po rrihet me shufra. Pra, poeti tregon se edhe vetë paqja është dhunuar.
Shtëpitë – metafora e Çamërisë së braktisur, e shprehur kjo në vargjet hyrëse:
“Tri shtëpitë e mëdha të fisit tim…”
janë një tablo e dramës çame. Shtëpitë pa çati simbolizojnë: dëbimin, mungesën e trashëgimtarëve, boshatisjen etnike.
“Druri s’rron sa guri” është një filozofi popullore e fuqishme: materiali njerëzor kalbet, por kujtesa mbetet.
Ulliri nuk është vetëm pemë familjare; ai përfaqëson: tokën shqiptare, identitetin etnik, kujtesën historike. Kur mbi të hipin “tre grabitqarë pronarë”, poeti ndërton alegorinë e copëtimit dhe shfrytëzimit të trojeve shqiptare.
Figura e “vllahut”, “grekut” dhe “jevgut”
Këto figura nuk duhen lexuar thjesht etnikisht, por simbolikisht:
1. “vllahu nomad” përfaqëson ardhacakun;
2. “greku nga Izmiri” simbolizon pretendimet historike dhe konfliktet politike;
3. “jevgu egjyptian” përfaqëson degradimin social dhe humbjen e pronësisë.
Poeti përdor gjuhë të ashpër popullore për të shprehur revoltën e tij historike. Kjo është poezi proteste, jo poezi pajtuese.
Një nga kulmet e poezisë është ironia politike:
“udha e jonë për në Europë, duhet të ‘bekohet’ në Athinë”
Këtu Halili kritikon: varësinë politike, mungesën e dinjitetit kombëtar, klasën politike shqiptare. Gjithashtu trajton ndjenjën e braktisjes së shqiptarëve të Çamërisë.
“Ulliri pa zot” bëhet metaforë e shtetit shqiptar pa drejtim e pa mbrojtje kombëtare.
Poezia ka karakteristika të forta epiko-lirike:
1. gjuhë popullore;
2. metafora të fuqishme;
3. simbolikë historike etj.
Duke e mbyllur opinionin tim, arrij të kuptoj dhe të bindem se:
Poezia “U poq ulliri i avllisë sime” është një elegji kombëtare e shkruar me gjuhën e dhimbjes. Përmes figurës së ullirit, Hekuran Halili ndërton: historinë e Çamërisë, dramën e identitetit shqiptar, rezistencën shpirtërore të një populli dhe besimin se e vërteta historike nuk shuhet.
Ulliri i tij qan, por nuk vdes.
Kjo është edhe filozofia e gjithë poezisë: rrënjët shqiptare mund të plagosen, por nuk shkulen.
Bashkëlidhur poezia e autorit
—————————————
U poq ulliri i avllisë sime
Nga Hekuran Halili
Tri shtëpitë e mëdha të fisit tim,
në Çamërinë pellazgjike,
ende në këmbë qëndrojnë,
(pa çati natyrisht, se druri s’rron sa guri),
por në këmbë janë, si tri kala,
në vetminë e tyre trishtuese,
dhimbjen e pashoqe të braktisjes vajtojnë,
dhe presin shpresëmadhin, kthimin tonë…
Më poshtë shtëpisë, përkarshi detit,
një ulli i madh, i madh hata, i vjetër,
sa vitet të numëruar s’kanë,
i madh sa dyzet ullinj bashkë,
ulliri që priti Odisenë kur kthehej nga Troja
dhe e përcolli tek Penelopa,
me bekimin e tij Dodonian,
ulliri, që përditë e përditë krahët zgjat,
ç’ka është e tija, e jona dhe na e vjedhin,
në gjirin e hijen e tij do ta mbajë…
U poq ulliri i avllisë time lopsiote,
mbi të hipur tre grabitqarë “pronarë”,
pamëshirshëm me shufra ullirit i bien,
pa pyetur për dhimbjet e plagët që ka marrë,
ndaj çdo kokërr ulliri që në shesh bie,
nxjerr lotë e jo vaj…
Në degën e madhe që zgjatet nga veriu,
hipur një vllah nomad,
(me qera i jepnim kullotat që na tepronin,
të jetonte me të tijët evlat),
i bie ullirit tim me sa fuqi ka,
aq sa ullirit e shpirtit tim nga dhimbja,
lëkura i është nxirë dhe ka plasë…
Në degën tjetër, atë nga jugu,
një grek ardhur nga Izmiri hipur,
me inat greku, më fort se vllahu,
ullirit tim pellazgjik i bie,
sikur fajin për padrejtësitë historike,
ulliri im lopsiot i Vocajve e ka…
Degës së ullirit tim nga lindja,
ka hipur një jevg, egjyptian,
më i pamëshirshmi “pronar”,
ai që dikur e kishim hyzmeqar,
(di jevgu çdo të thotë dhëmbje ulliri..?!),
i mjeri ulli mbet’ pa zot,
mbi kurriz ç’mba…!
Poshtë ullirit, tre refugjatë shqiptarë,
mblidhnin kokrrat e shkundura,
nga këta tre “pronarë” grabitqarë,
që rrahin pa mëshirë ullirin tim,
secili për hesap të “efendikoit” të tij,
dhe vijnë e më thonë mua krekosur,
se kanë “efendikonj” të “mirë”, “bujar”,
siç më thotë edhe presidenti,
edhe kryeministri,
edhe parlamenti,
edhe politikani i vendit tim,
mbetur pa zot e qeverim,
(siç ulliri im pellazgo-elim’),
se udha e jonë për në Europë,
duhet të “bekohet” në Athinë…
U poq ulliri i avllisë time lopsiote,
por i mjeri ulli e di se ç’heq,
nga këta tre “pronarë” grabitqarë,
që e rrahin pa mëshirë me purteka,
në heshtje qan e rënkon i miri im,
por duron e s’vdes,
do jetojë sa jeta,
deri sa plagët e tij e të miat,
të na i shërojë e drejta, e vërteta…!
U poq ulliri i avllisë sime,
ulliri lopsiot,
por më shumë se vaj,
kokrrat nxjerrin lotë….








Comments