Kadri Tarelli: LUSHNJË KONKURS LETRAR
- 8 hours ago
- 3 min read

Një shkrimtar është më tepër se një Parti, ai është një Atdhe më vete. Ai flet në emër të këtij Atdheu. Një shkrimtar e rilind atdheun e vet, ai është ekuivalenti, zëdhënësi i vlerave të epokës së tij”.
Shpendi Topollaj
LUSHNJË. KONKURS LETRAR
“Ngjyra në Vargje”
Maj 2026
Para pak ditësh, më, 09, të Majit, 2026, “lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve Lushnjë”, organizoi konkursin e dytë poetik “Ngjyra në Vargje”, ku mes pjesëmarrësve të shumtë ishim edhe një grup poetësh nga Durrësi dhe nga Dardania, Prishtina dhe Peja.
Që në krye të fjalës, më duhet të përmend organizimin e përsosur nga ku secili mund të mësojë dhe të veprojë. Nuk e kam fjalën për mikpritjen e poetëve, pasi kështu ndodh kudo në Shqipëri e Dardani, më mirë duhet thënë në mbarë trojet Arbërore, ku organizohen veprimtari të tilla letrare, apo kuvende libri.
Së pari, një bashkëpunim e bashkëveprim, mes Bashkisë, Bibliotekës Publike të qytetit dhe “Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve. Lushnjë”. Të gjesh gjuhën e bashkëpunimit, shpesh është e vështirë, por jo e pamundur. Suksesi është i përbashkët dhe i nderon të gjithë.
Së dyti, Në konkurs u përfshinë edhe një numër të rinjsh, nxënës të shkollave të mesme të qytetit. Një përvojë që nuk e kam ndeshur në asnjë qytet, (Më thonë se Përmeti e pëlqen këtë ftesë, për të rinjtë).
Jam goxha i bredhur dhe i gjezdisur, sepse kam marrë pjesë në shumë konferenca, konkurse apo përurime librash, si këtu në Shqipëri ashtu edhe në Dardani, ku kam rrahur gati të gjitha qytetet dhe nuk e kam ndeshur një praktikë kaq të bukur dhe me vlera atdhetarie e shkrimtarie.

Së treti: Të gjitha poezitë konkurruese janë përmbledhur në një botim libri, me titull “Ngjyra në vargje”. Një praktikë e tillë ndiqet me përparësi në Prizren. Kështu i japim veprimtarive jetëgjatësi, ndërsa poetëve u sigurojmë përjetësi. Ndryshe ndodh që jo vetëm veprimtaria shuhet e nuk kujtohet, por humbasin e dhe vlerat letrare të krijuesve.
Së katërti: Në tavolinë, për secilin pjesëmarrës ishte edhe një revistë, “Magjia e fjalës”, e ilustruar mjaft bukur, botim i “Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, Lushnjë, ku janë përfshirë një numë e madh poetësh dhe krijuesish të Lushnjës, mes tyre edhe poetë të rinj në moshë.
Dikush mund të shtrojë pyetjen: Po financimi nga del.....?
Përvoja, besoj jo vetëm e imja, është: “Kur problemi shtrohet për zgjidhje, gjen zgjidhje”, mjafton të kesh ndershmëri, durim e seriozitet, dhe dyert hapen si me magji. Askush nuk i ka paratë e tepërta për t’i shpërdoruar vend pa vend. Duhet të jesh i besueshëm.
Nuk kam ndërmend të shkruaj reportazh, pasi më mirë e ka qëndisur znj. Emine Boriçi, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve. Lushnjë.
Kështu po përqendrohem në fjalën time.
Si fillim, para se të këndoj krijimin tim, mora shkas nga parafolësit që kur ishte fjala për Dardaninë, përdornin emërtimin Kosova. Nuk më erdhi mirë, ndaj u thash: E kam përmendur në shumë takime në Dardani, ku fjalën Kosovë e kam hequr nga fjalori im dhe përdor emrin e shenjtëruar “Dardani”. Mirë politikanët, mbase kështu u duhet se mos na mërzitet Evropi, po shkrimtarët, poetët dhe artistët, pse dhe nga kush kanë frikë......?! - Nuk mora përgjigje,.......!
Poezia ime:
ME DETIN NUK NGOPEM......!
Nuk ngopem me ngjyrat pa fund të detit tim,
Të kridhem në agime dhe perëndime, magji.
Mbi shkumën e bardhë të lundroj pa ndalim,
Dhe valët t’i bëj gjerdan e vargje në poezi.
Nuk ngopem me aromën që mbush mish e gjak,
Të shkel mbi breg, ku zëri i qyteti më thërret.
Të ndjehem i ri, dhe vitet e moshës tej t’i flak,
Gotën e verës, me fund ta pi: Gëzuar miq..... shëndet!
Nuk ngopem me kaltërsi dhe freski që përkëdhel,
E prek e më prek, i dehur po ndjehem vërtet,
Si fëmijë të ndjek gjurmët, ku mbi rërë shkel,
Dhe vetes t’i them, ngije zërin, këndo! - Ç’ pret.....?
Nuk ngopem me shtrëngatat dhe stuhitë që shkrepin rrufe,
As me valle valësh dhe këngën gjëmimtare, që jehon larg.
Pres me gaz furtunën që mbulon diellin e ngrihet mbi re.
Nuk lodhem të fluturoj mbi det, edhe për një varg.
Në fund, me çmime u vlerësuan gjashtë poetë, por të fituar ishim të gjithë, pasi aty secili derdhi shpirtin poetik, njëkohësisht u njohëm edhe me poetë dhe krijues të shumtë të asaj treve me pasuri letrare për t’u pasur zili.
Urime dhe suksese organizatorëve dhe poetëve.....!
Mirë u takofshim në veprimtari të tilla me kaq vlera letrare, artistike, që pasurojnë dhe i bëjnë jehonë letrave shqipe.
Kadri Tarelli
Maj 2026








Comments