A na duhet ndonjë ese me armë?


A na duhet ndonjë ese me armë?

A na duhet ndonjë ese me armë?


Dr Fatmir Terziu


Një ese me armë. Një ese si Bilanc lufte, nga realiteti shqiptar i vitit që lamë pas. Pra viti i kaluar u mbyll me 68 të vrarë. Nga vrasjet për drogën tek ringjallja e bandave. Dje u vra dhe një pronar televizioni lokal në Rrëshen. U vra me snajper. U vra pasi në aradhën e vrasjeve të atij qyteti thuhej se ishin vrarë dhe të tjerë… Pra është thjesht një ese me armë?! Pra, është thjesht një ese si “bilanc lufte”?! Le ta themi si të duam, por është një dhimbje njerëzore, është një dhimbje shqiptare. Është… një ese me armë. Distanca më e shkurtër midis dy pikave të parabolës së udhëtimit të materialit që synon marrjen e jetës së Tjetrit. Metoda më e shpejtë për të arritur një rezultat jetëmarrës. Përgjigja më e shpejtë për një rezolutë mes një mendjeje të zbrazur dhe një koke të zjarrtë. Ikja është e barabartë. E gjithë terminologjia do të thotë në thelb e njëjta gjë: sinteza e joekzistencës. Kjo është ajo që sistemi i sigurisë për qytetarët është menduar të bëjë. Kjo është pika e kontrolleve dhe ekuilibrave, që shteti i ka propaganduar, por i ka humbur. Një kontroll është një ndalesë. Një ekuilibër është një masë. Po ku është kuptimi i politikës së marrëdhënieve njerëzore? Kuptimi i politikës së marrëdhënieve njerëzore ... Evolucioni ka luajtur rolin e tij në psikologjinë e burrave dhe grave për zgjedhjet në lidhje me marrëdhëniet për shkak të prakticitetit mjedisor. Por a jemi ne të aftë të bëjmë zgjedhje të arsyeshme edhe në këtë pikë të zjarrtë e të dhimbshme?

Logjika jonë vetë gjenerohet nga lënda organike, një tru i ndikuar shumë nga fenomenet dhe arsyet, mentalitet i ushqyer në flakë të tmershme, hormone, testosterone feromone, dietë, dëshirë, ajrin që thithim me hundën tonë të madhe, një filxhan çaji mes zhurmës dhe mburrjes, të gjitha thithen nga trupi ynë, baganta kimike, një sistem jehonë që është vazhdimisht në kundërshtim me elementët e tjerë. Egoja jonë na thotë se ne e kemi çdo gjë nën kontroll dhe se bëjmë zgjedhjet tona. Pyesni veten: “Sa fëmijë i kanë parë lajmet televizive në aritmetikën e 68 të vrarëve? Sa të tjerë e kanë parë vrasjen e një Njeriu të medias?” Por vendosni duart tuaja mbi zemrat tuaja o njerëz dhe më thoni sa zgjedhje të arsyeshme kemi bërë!

Ne jemi individë që përpiqemi të fitojmë pasuri dhe t’i kemi në dispozicion, ndërsa ne eleminojmë veprimet tona, që na garantojnë jetën tonë, që janë për veten tonë. Le ta përdorim njëri-tjetrin me respekt dhe të përpiqemi të jemi më gjakftohtë, le të mendojmë më drejtë e më mirë! Fundja a nuk është dhe kjo politikë, o politikanë, madje politika më e mirë.? Mendoni dhe veproni kështu dhe ne do të Ju votojmë, pa ua parë ngjyrat, madje as fytyrat, por përkushtimin tuaj.

Të gjithë duhet të kujtojmë se këta vrasje, vijnë nga vrasës që planifikojnë sulmet e tyre. Kaq me një ese. Kaq me disa fjalë. Kaq me… Me çfarë?

Problemi u zgjidh...

                             ... dhe askush nuk prek një armë.


#terziu #fatmir

160 views

Shkrimet e fundit