GRUA, JE SHIU DHE DIELLI RREZEARTË... Grua, je më e liga e më e mira nga të gjitha, se kur gabimin kam pasur unë, e të drejtën ti, fajin e kemi ndarë përgjysmë, nga dëshira, të puthemi, sikur s’ka ndodhur gjë, me ne të dy. Britmat i kemi shuar, mes dhëmbëve të njëri-tjetrit, të dukemi në lagje, sikur bëjmë pëshpëritje lutjesh. Shtratin kemi pasur, varkën e vetme, në mes të detit, ku dallgët e jetës i kemi përzier, me furtuna puthjesh. Me ke vështruar shtrembër, pa folur një javë bashkë, kur ke pikasur, ndonjë buzagaz bukuroshesh të ëmbla. Të kam përgjuar dy javë, kur dikush të vinte përqark dhe prapë, si gjethe vjeshte, i kemi fshirë nga mendja. Kur s’ke dashur kurrsesi, të shtosh fëmijë të tjerë, kam përdorur padrejtësisht, egërsi në dashuri. Por ka ndodhur, pas lindjes, së ngjizur me sherr, beben kemi rritur bashkë, me shumë përkëdheli. Me ke mallkuar si burrë pa kujdes, në të shpenzuar por më ke lavdëruar më shumë, nga sa vlej si njeri. Të kam sharë farefisin, për huqet që ke trashëguar, dhe të kam ngritur lart, për kujdesin tënd me fëmi. Kemi nxituar dikur, të shkojmë, të bëjmë divorcin, dhe kemi grisur kërkesën, si të ishte letër ambalazh. Natën më ke kërkuar buzët, të kam kërkuar gjoksin, sikur pas kurorëzimit, jemi martuar rishtas bashkë. Grua, je më liga dhe më e mira, nga gjithë gratë, je për mua shi me breshër dhe diell rrezeartë!...
Jam për ty lumi, që shpërthej vërshimin me inat,
por jam dhe pishinë e vakët, ku ti noton përnatë...
Vullnet Mato
SUPERNOVAT E BINJAKËVE Nënat e shenjta, të shumimeve jetike, meritojnë vargje, me metafora kozmike; Supernovat, që krijojnë deri pesë fëmi, në mjegullnajë mitre, lindin yje të ri. Pas eklipsit, me diellin e tyre, burrëror, shpejtojnë ardhjen e ekuinoksit pranveror. Këto nëna sjellin, disa trupa në trajektore, t’i renditin, në vërtitjen e madhe jetësore. Gjoksi i tyre, prej dy planetësh bashkë, ushqen për disa vjet, satelitët përqark. Ato i mbushin plot, sisët qumështore, në “Udhën e Qumështit”, me dritë qiellore. Qumështi i bardhë i kulloshtrës yjore, bën të rriten shpejt, krijesat foshnjore; Bebet qiellor, shtojnë gravitetin familjar, me dashuri dritëdhënëse, si yjet kuazar. Një nënë e tillë, me shumë fat në jetë, përveçse shmang disa herë, maternitet, vetëm me një lindje, mbush shtëpinë, me një kope yjesh, që mjedisin ndrijnë. Në Shqipërinë e vogël, me pak popullim, dhe me largime të shumta, në emigrim, këto nëna supernova, superpjellore, janë heroina të jetës sonë njerëzore. Ato shtojnë vazhdimësinë kombëtare, si galaktikë, me shumë orbita shqiptare. Nuk besoj se ka, bukuri tjetër në mjedis, kur sheh nënën, me binjakët që pinë sisë... S’është çudi, nëse me shkencën e shpejtë, një nga binjakët e kësaj nëne të shtrenjtë, të shkojë dikur vizitor, në yllin Mars, të vendosi bustin prej bronzi, të mamasë...
Comments