28 Nëntor 2019, një përvjetor i hidhur!

Updated: Nov 29, 2019


Vilhelme Vranari Haxhiraj "Mjeshtër i Madh"

28 Nëntor 2019, një përvjetor i hidhur!


Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj

"Mjeshtër i Madh"


Një tragjedi e paralajmëruar

Një fatkeqësi me plot tragjedi shqiptare, e cila ka tronditur botën mbarë. Jam e bindur se nuk ka asnjë shqiptar të jetë i qetë pas tragjedisë së 26 nëntorit që ndodhi në Durrës e Thumanë. Mos më thoni se çfarë dhembje ka shkaktuar kjo katastrofë makabre që sa hap e mbyll sytë mori dhjetra jetë dhe lëndoi qindra të tjerë.. Dhembja dhe rënkimi i shpirtit janë të paspjegueshëm e të pashërueshëm. Ky 28 nëntor hapi një plagë të madhe për shqiptarët dhe dhjetëra plagë të pashërueshme për viktimat dhe famijet e prekura nga fatkeqësia e natyrës.

Falënderoj të gjithë ata shqiptarë apo të huaj që shprehin dhembjen dhe ngushëllimin e tyre dhe solidarizohen me humbjen trargjike të Durrësit dhe Thumanës, por kjo tragjedi s'ka ngushëllim. U jemi mirënjohës gjithë shteteve që dërguan njerëz të specializuar për të shpëtuar apo nxjerrë trupat nga gërmadhat, si dhe për ndihmat humane që po dërgojnë për ditë. Jo vetëm në vendin tonë por edhe shumë shtete shpallën ditë zie 27 nëntorin!

Kush do t'i qetësojë ato nëna dhe ata baballarë që ngelën me duar në gji? Kush do të bëhet kraharor i ngrohtë apo sup për t'u mbështetur djemtë dhe vajzat e Shqipërisë që ngelën jetimë, apo pa përkrahje pasi ngelën pa motër e pa vëlla? Kush do t'i hapë dyert që u mbyllën? Do të ndryshken drynët në dyertë që nuk do të hapen kurrë. Të gjithë jemi familjarë apo prindër , por më thoni se dua ta di, a ka dhembje më të madhe se kjo?

Milionerët apo deputetët që kanë paga të larta nuk i kanë hapur kasafortat, porse njerëzit e thjeshtë dhe bujarë kanë treguar një solidaritet të paparë, që i habiti grupet e huaja të shpëtimit. Në hotelet private të Vlorës hapën dyert, ku u strehuan 300 persona deri dje. Kjo ndodhi në të gjithë qytetet e vendit. Qytetarët e Vlorës po mbledhim ndihma ushqimore,veshje dhe mjete të tjera jetese për të lënduarit.

I lutemi Zotit që të mos bjerë një tërmet tjetër kaq i fuqishëm se përditë regjistrohen tërmete 3,9 ose 5,3 ballë.  Vlora është 120 km. larg Durrësit dhe tek ne gati sa s'u rrëzuan pallatet. Ishte një tmerr i vërtetë.

Urojmë të jetë me kaq. U qoftë e lehtë balta e tokës mëmë që do t'i mbajë në gjirin e saj ata trupa të lënduar.

Unë dhe familja ime shprehim ngushëllimet për vëllezërit dhe motrat tona të përbashkëta që nuk do ta shohin më dritën e diellit! Urojmë që të mbijetuarëve t’u japë Zoti guxim për ta kaluar këtë dhembje të patreguar dhe të papërshkrueshme

Ky 28 Nëntor, ishte përvjetor i hidhur i Pavarësisë...Sa keq! Kur shqiptarët prisnin të festonin ditën e Pavarësisë, flamujt u ngitën në gjysëm shtizë, se Shqipëria vajton fatkeqësinë për bijtë dhe bijat e saj të humbur! Ngushëllime është një fjalë goje. A ka ilaç për të mbyllur plagët e tyre? Ndoshta koha do t’i shërojë zemrat e lënduara.

Me dhembje dhe lotë në sy shprehim ngushëllimet tona të ngrohta dhe me shpirt jemi pranë të mbijetuarve!

#Vilhelme & familja #Haxhiraj

Vlorë,28 Nëntor, 20

27 views1 comment

Shkrimet e fundit