top of page

55 Vjetori


Vilhelme Vranari Haxhiraj

SHPENDI TOPOLLAJ


SHKRIMTARJA VILHELME VRANARI FESTON ME HARE 55 VJETORIN E

JETËS SË NDERSHME BASHKËSHORTORE


Fitim Haxhiraj

Sot duket pak si e pa besueshme, sidomos për brezin e ri, po t`u thuash se një çift e feston 55 vjetorin e martesës, mes poezive të zjarrta kushtuar dashurisë. Por ja që kështu ndodhi sot me shkrimtaren e nderuar Vilhelme Vranari dhe burrin e saj plot humor dhe energji, Fitim Haxhiraj. Na kishin ftuar së bashku me poeten Merita me të shoqin, pedagogun Alush Thartori, shkrimtarët Kadri Tarelli e Xhevahir Cirongu për një drekë në Vlorë. Dhe ne pa u menduar gjatë, u nisëm me dy makina nga Durrësi për te miqtë tanë edhe pse kjo koha e pandemisë na i ka kufizuar disi lëvizjet. Koha ishte e bukur dhe rrugëve u qe kthyer ajo gjallëria e mëparshme, gjë që na krijoi një gjendje të mirë shpirtërore.

Autostrada e përfunduar jo vetëm që e lehtësonte këtë udhëtim, por edhe më sillte ndërmend se sa hiqnim për të siguruar ndonjë biletë, kur ishim të vegjël dhe shkonim te gjyshja në atë qytet. Dhe në qoftë se kudo ka ndryshuar Shqipëria, kjo më së miri duket në qytetin e Flamurit. Pak, fare pak ka mbetur nga e shkuara. Pallate të sistemuara me arkitekturë moderne, hotele e restorante që nuk dallojnë nga ato që kemi parë nëpër Evropë dhe lokale lluksi për të pirë një kafe a diçka tjetër, para të cilave nuk gjeje vend për të parkuar makinën. Pa folur pastaj për atë lungomaren buzë detit që pafundësia e njerëzve që kishin dalë në plazh e bënin aq të këndshme. Gati nuk të besohej se kjo ka qenë Vlora e 97 – tës, që në atë marrinë kolektive, kishte lënë një shije aq të keqe në mendjet dhe shpirtrat tanë. Ishte Vlora e ngjarjeve të mëdha në historinë e popullit tonë, ishte Vlora e burrave të shquar atdhetarë, ishte Vlora e një populli trim e liridashës, ishte Vlora e traditave dhe krenarisë tonë kombëtare.



Pas bisedave të Kadriut me Fitimin në celular, vazhduam rrugën drejt Dukatit të vjetër, dhe asgjë, as mbipopullimi e as mizëria e makinave, nuk e pengonte Lushin për t`u orientuar. Madje edhe policët, një mashkull e një femër, që na ndaluan, plot mirësjellje dinin të bënin shaka dhe të na tregonin nga duhej të shkonim. Koka na mbeti nga ai gjiri i qetë, në fundin e të cilit ndër shekuj flinin kushedi sa anije të mbytura, nga ishulli i Sazanit, dhe si përherë premtuam se do të shkonim ndonjëherë për ta vizituar edhe atë, nga Karaburuni me atë pamjen pak të egër, nga Orikumi që kishte përjetuar përpjekjet dhe qëndresën e oficerëve dhe marinarëve tanë, sidomos gjatë viteve gjashtëdhjetë pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, i cili paskej kërkuar bashkekzistencë paqësore mes popujve e fuqive të mëdha, pa pyetur Enverin tonë.

Si u ngjitëm drejt Llogorasë, kthyem majtas dhe ndaluam te monumenti i Heroinës së Popullit Sado Koshena, m`u në mes të fshatit. Kjo grua që kishte rrojtur plot 100 vjet, ishte labja tipike, me gjithë virtytet e saj, që sikur të mos i mjaftonte pushka në sup, skulptori i kishte vënë edhe një goxha kobure në dorë, gati për ta shkrepur kundër armikut, njësoj si burrat. Edhe dhjetë ditë duheshin që të mbusheshin 165 vjet nga lindja e kësaj trimëreshe që kishte luftuar pushtuesit e çdo lloji që nga xhandarët turq në 1907, forcave greke në Himarë në 1912 së bashku me dy djemtë e saj, italianët e 1920 - ës me gratë e tjera, e deri nazistët gjermanë. Teksa bënim fotografi para bustit të saj, një tjetër heroinë, por tashmë e penës, u shfaq: ishte shkrimtarja e njohur dhe e nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, “Mjeshtrja e Madhe e Penës” Vilheme Vranari, që na uroi mirëseardhjen me buzën në gaz. E urtë, e thjeshtë, krejt e zakonshme në të parë, gati nuk të besohet se është pikërisht kjo grua trup vogël, ajo që si rrallëkush evidenton me krenari vlerat e mohuara të kombit, duke thënë se “S`është kombi që nderon njerëzit e shquar, po janë ATA që ia rrisin vlerat dhe e nderojnë KOMBIN”, që shpreh indinjatën e saj për devijimin nga ajo çka prisnim nga demokracia apo që godet pa mëshirë në të gjithë krijimtarinë e saj shumëplanëshe, bëmat e mizoritë e komunizmit dhe ngritjen e kokës nga pinjollët e saj.

Pasi u futëm në sallën ku do shtrohej dreka, dhe ku na prisnin jo më shumë se dhjetë vetë, fjalën e mori Fitimi, i cili na shoi kurreshtjen duke na thënë se sot u kam ftuar ju miqve të ngushtë, pasi me time shoqe Vilhelmen kemi një gëzim të madh; kemi 55 vjetorin e martesës. Do mblidhja shumë njerëz, tha, por kështu erdhën punët… Dhe nisi të deklamojë poezinë që i kishte kushtuar asaj. Ishin fjalë të ndjera që dilnin nga zemra e një bashkëshorti që jo vetëm dinte t`i qëndronte pranë gruas së tij në çdo rrethanë, pra edhe kur sistemi godiste këtë bijë të një familjeje të shquar kaniniote, që dinte të vlerësonte talentin dhe punën e saj në fushën e letrave, por edhe që ishte shndërruar në një menaxher të veprës së saj.

Kaq u desh dhe mes një hareje që e lezetonte zhdërvjellësia dhe batutat e nipit të tyre të vogël, dhe ushqimit bio, filluan dollitë, urimet e falenderimet, pa harruar për asnjë moment edhe deklamimet e mysafirëve poetë. Atmosfera e sinqertë që u krijua, më shumë të bënte të besoje se ishe pjesëtar i një dasme, pra, në mes të dy të porsamartuarve. Se Fitimi e shihte të shoqen me aq dëshirë e respekt, sa herë pas here i dilnin lot nga sytë. Kishin kaluar një jetë të tërë së bashku, ishin përballuar me shumë pengesa e vështirësi, kishin lindur e rritur fëmijë që i nderonin, kishin shijuar së fundmi sukeset e saj si shkrimtare dhe kishin fituar respektin e shumë e shumë miqve intelektualë anë e kënd vendit e më tej. Ndaj edhe sot asaj ju bë një vlerësim qysh nga India e largët. Veç poezive të pavdekshme të A. Pushkinit me shokë, Merita lexoi me pasion edhe nga ato të librit të porsa botuar të Kadri Tarellit me titull “Koha në vargje”, ku njëra, “Vivra je vullkan” i kushtohet pikërisht kësaj gruaje. Kjo poezi ku thuhet: “E vrarë rinia, e shkërmoqur jeta, / Ku ta dijë bota, si është e vërteta! / Si copa pasqyre, hedhur nëpër vite, / Janë thëngjij zjarri, janë vegime drite.”, u duartrokit gjatë. Më tej, sipas zakonit të shkrimtarëve, shkëmbyem librat e botuar së fundmi.

Dhe para se të largoheshim nga ky fshat me histori patriotike, ku legjendat thonë se te Mali i tij i Vetëtimës ka lindur vetë Zeusi, por që komunistët, nuk e patën shumë për zemër, shkuam për t`u përkulur dhe bërë fotografi tek ai rrapi i vjetër, në trungun e të cilit, janë gdhendur emrat dhe portretet e katër burrave që përfaqsojnë ndër vite, gjithçka të mirë ky fshat ka pasur. Ky fshat, ku gjejmë një tabelë me emrin Çezar mbi hyrjen e një restoranti, se këndej ka kaluar pas zbarkimit në janarin e vitit 48 para Krishtit, ai perandori i madh, në kërkim të Pompeut. Këndej kishte kaluar në njërin nga udhëtimet e viteve 1662 dhe 1670, edhe ai inspektori i oborrit të Sulltanit, Evlia Çelebiu, i cili pohon se rreth Dukatit përfshiheshin 100 fshatra. Natyrisht, tani banorët më së shumti janë larguar dhe Kulla e famshme e Dervish Aliut, udhëheqësit të lëvizjes fshatare kundër Tanzimatit nga mesi i shekullit të XIX - të, me gjithë vlerat e saj, është lënë pas dore, sido që është monument kulture. Por ne u larguam me mbresat më të mira dhe të mbushur me optimizëm, se gjithçka do të bëhej më mirë.

Do të bëhej më mirë, se në ato vende, me të cilat ne mburremi, ka njerëz të mrekullueshëm, si çifti që na mblodhi, dhe që me fjalën e tyre të mençur dhe shembullin e një jete të ndershme, do frymëzojnë dëshirën për ndryshim edhe në zonat më të thella, ashtu sikurse kishte ndodhur me vetë qytetin e Vlorës. Te harmonia e mirëkuptimi brenda familjes, nis edhe gëzimi i jetës dhe të kuptuarit se guri i rëndë peshon në vend të vet. U kthyem në Durrës me bindjen se nga festime të tilla, të gjithë kemi se ç`të mësojmë dhe sidomos disa politikanë dhe zengjinë të rinj që bëjnë sikur kanë shumë konsiderate për femrat dhe i ndërrojnë gratë si mbretërit dikur. Johan Wolfgang Von Goethe, dikur ishte shprehur se “Dashuria është ideali dhe martesa është realiteti. Ngatërresa ndërmjet idealit dhe realitetit nuk mbetet kurrë pa u ndëshkuar”. Ai ose bënte shaka, ose i mungonte përvoja e martesës. Se ja si ndodh, dhe gabojnë edhe gjenitë; shumica e njerëzve nuk i ngatërronkan kollaj idealin dhe realitetin edhe pas 55 vjetësh jete bashkëshortore. Ndaj dhe janë të lumtur njësoj si ditën e parë të martesës.

10 gusht 2020

52 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page