𝗗𝗶𝗻𝗼 𝗔𝗹𝗲𝗺𝗶 – 𝗴𝗷𝗶𝗺𝗻𝗮𝘇𝗶𝘀𝘁𝗶 𝗮𝗻𝘁𝗶𝗸𝗼𝗺𝘂𝗻𝗶𝘀𝘁 𝗶 𝘃𝗶𝘁𝗲𝘃𝗲 𝟱𝟬-𝘁𝗲
Alajdin Mehmet Alemi, fisniku vlonjat, nacionalisti i spikatur, antikomunisti i viteve 50-të e deri në fund të jetës së tij, u nda nga jeta më 22 korrik 2023, në emigracion në Itali, ku jetonte për një kohë të gjatë.
U largua nga kjo jetë, për dinjitetin dhe lirinë e së cilës kishte dhënë aq shumë që në moshë të njomë, duke lënë në pikëllim djalin, bashkëshorten të afërmit dhe të gjithë miqtë dhe shokët e tij. Trupi i tij do të vijë nesër ditën e mërkurë, datë 26 korrik 2023, në qytetin e Vlorës, nga Italia.
Në këtë ditë, nga ora 09.00-12.00 do të zhvillohen homazhet pranë Muzeut “Kosova”, Vlorë [Rruga Justin Godard, Lagjia Muradie].
Më tej, kortezhi do të niset për në Tragjas, ku në orën 13.00 do të zhvillohet ceremonia mortore.
xxx
Fisniku vlonjat, Alajdin Mehmet Alemi, i njohur nga shokët dhe miqtë e tij të shumtë si Dino Alemi, u lind më 20 qershor 1934 në Tragjas, Vlorë.
Ai i takon asaj shpure korifejsh dhe brezi të mrekullueshëm të gjimnazistëve antikomunistë vlonjatë të fillim viteve 50-të. Një brezi sa me vlerë për t’u kujtuar përjetë në historinë shqiptare dhe këngët tona, aq edhe fatkeq, të adoleshentëve shqiptarë, që përfunduan nga bangot e shkollës në burgjet e komunizmit, për vetëdijen e lartë të rezistencës kundër rregjimit që po instalohej dhe kurajon për të përballuar hetuesit e Sigurimit.
Në moshën 16 vjeçare, në vitin 1950, ndërsa ishte nxënës gjimnazi, Dino Alemi u përball me gjyqin e diktaturës dhe u dënua me burgim nga Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës, nën akuzën e formimit të grupit të të rinjve në Gjimnnazin “Ali Demi” në Vlorë, të shpërndarjes së trakteve kundër rregjimit komunist, etj.
Alajdini(Dinua) ynë ishte rrebel, i pabindur, ëndërrimtar dhe i vrullshëm, siç janë të gjithë gjimnazistët. Por ai dallonte për kurajon dhe vendosmërinë e tij. I ardhur nga një familje patriotike dhe me tradita në Vlorë, ai shpresonte të ndërtonte një të ardhme ndryshe nga propoganda e regjimit të sapovendosur. Një të ardhme demokratike dhe të lirë për veten, familjet dhe shokët e tij. Kjo shpresë e papërkulur dhe e pahumbur në vitet e gjatë të burgimit dhe izolimit, bëri që ai, pas daljes nga burgu, të meritonte përcaktimin si korife të demokracisë sonë.
Sipas kujtimeve të bashkëvuajtësit të tij Lavdosh Beqos, simboli i rezistencës së të rinjve anti-komunistë në ato vite, shok dhe mik i tij, nga viti 1946 deri në vitin 1950, në qytetin e Vlorës u krijuan disa grupe gjimnazistësh me simpati për lirinë dhe demokracinë e vërtetë, kundër rregjimit komunist që po profilizohej i plotë në Shqipëri. Fillimisht u krijua grupi i Engjëll Kokoshit, ku bënte pjesë Burim Kokoshi, Klito Lamaj e të tjerë, më pas grupi që drejtohej nga Zija Hoxha, ku bënin pjesë edhe Agim Bino, Veli Premti dhe Myrteza Baboçi. Ky i fundit ishte pjesëtar edhe në grupin që u krijua më vonë nga Reshat Kripa, Luan Llupa e Jorgo Besho. Po ashtu, të tre 16 vjeçarët Lavdosh Beqo, Alajdin Alemi dhe Besnik Kripa kishin krijuar një grup tjetër.
Edhe pse vetëm 15 apo 16 vjeç në vitet e errta 1949-1950, Dinua diti të ishte i kthjellët dhe i orientuar drejt në bindjet e tij anti-komunistë, sipas traditës familjare. gjeti mënyrën të kontribuonte individualisht, si dhe përms grupit ku bënte pjesë në shkollë, për të kundërshtuar izolimin e Shqipërisë nga pjesa tjetër e botës, izolimin më të egër dhe më stalinian në Evropë, të projektuar nga diktatura komuniste.
Dinon të mënçur dhe plot pasion të zjarrtë për të vërtetën, e dallonte zgjuarsia dhe karakteri i forte nacionalist, i fituar nga gjaku që i rridhte në deje. Gjyshi i tij Alem Mehmeti, Komandant i Çetave të Tragjasit dhe Dukatit në vitet 1909-1912, u emërua si Komandant i Parë i Xhandarmërisë(Policisë Shqiptare) në Qeverinë e Ismail Qemalit. Major Alem Mehmeti ishte drejtues i Luftës së Vlorës në vitin 1920, si një nga 12 anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, që drejtoi Luftën e Vlorës.
I ati, Mehmet Alemi, komandant i çetave nacionaliste në Vlorë(në zonën e Tragjasit) gjatë Luftës së Dytë Botërore, u dënua me vdekje(në mungesë) nga rregjimi komunist.
Alajdin Alemi ishte ndër gjimnazistët dhe adoleshentët shqiptarë në Vlorë, Shkodër, Tiranë dhe kudo, të cilët nuk e pranuan që në orët e para komunizmin, të keqen e madhe që po zaptonte vendin, fill pas çlirimit të vendit në vitin 1944. Dino Alemi kontribuoi fuqishëm, dhe pse për një periudhë të shkurtër në shkollë, në përhapjen e informacioneve ndërgjegjësuese në Vlorën e tij, rreth pasojave që do të sillte regjimi i egër komunist. Ai u dallua për guxim e rezistencë të veçantë për moshën e tij, gjatë presioneve të egra dhe keqtrajtimit në hetuesi dhe në sallën e gjyqit.
Regjimi i egër që po instalohej me shpejtësi nëpërmjet skenarëve kriminalë të persekutimit barbar të kundërshtarëve të politikë, nuk e kurseu Dinon dhe shokët e tij, gjimnazistët antikomunistë.
Dinua u dënua me 15 vite burg, nga të cilat kreu 12 vite. Gjatë vuajtjes së dënimit në burgun komunist, Dino Alemi është shquar për një qëndrim të paepur, me karakter shumë të fortë, duke u bërë shembull për shokët e tij bashkëvuajtës. Ende pa e filluar mirë jetën, pa provuar çastet e ëmbla të moshës, pa u ndarë nga prindërit e tij, Dino Alemi, ky gjimnazist antikomunist korife i demokracisë, u detyrua të shkëmbejë klasat e shkollës me qelitë e burgut, mësuesit e dashur me hetuesit e pashpirt, familjen me xhelatët e torturave.
E kam njohur Dinon dhe kam patur fatin ta kem mik familjar. Më është ndodhur shumë pranë në vitet 1990-2000 dhe i jam përjetë mirënjohës këtij mentori fisnik, shoku dhe miku të pashoq.
Pas vitit 1990, ai ishte themelues i Partisë Demokratike në Vlorë dhe nismëtar i krijimit të Shoqatës së Ish-Të Dënuarve dhe Persekutuarve Politikë të Shqipërisë, së bashku me Mandelën e Shqipërisë, Osman Kazazin, por dhe me nismëtarët e tjerë të Shoqatës në Vlorë, fisnikët, antikomunistët e nderuar si Hysni Alimerko(Kryetar i Shoqatës Vlorë), Burim Kokoshi(Nënkryetar), Reshat Kripa, Sefer Dauti, Bardhosh Gjonzeneli, Murat Gjonzeneli, Klito Lamaj, Petrit Velaj, Fahri Shaska, etj.
Fisniku Dino Alemi, përpos pasionit dhe përkushtimit për idealet e lirisë dhe demokracisë në qarkun Vlorë pas viteve 1990-të, u dallua në evokimin e figurave të shquara nacionaliste, me të cilat e lidhte jeta dhe veprimtaria patriotike e të parëve të tij, vuajtjet dhe qëndresat e tij dhe të shokëve të tij fisnikë të viteve 50-të.
I paharruar kujtimi i fisnikut Alajdin Mehmet Alemi!
Comments