top of page

"210 Ekstra Fabula" me autor PELLUMB VELO



Nga Lejla Gorishti. 210 fabulat e zgjedhura të fabulistit vlonjat Pëllumb Velo

Nuk është e para herë që më bien në dorë fabulat e fabulistit të njohur vlonjat, Pëllumb Velo. Edhe kohë më parë isha ndalur në krijimtarinë letrare të shkrimtarit, poetit dhe fabulistit të qytetit tonë. Po ajo që më bëri të ndalem te, "210 Ekstra Fabula", është fakti se te ato gjeta të pasqyruar e letrarizuar artistikisht problematikën e kohës. Pa dyshim që në trajtimin e tyre spikat origjinaliteti, gjuha e pastër dhe e pasur artistike i këtij fabulisti. Kryesisht fabulat kanë tematikë aktuale, ato i bëjnë jehonë e trajtojnë probleme që shqetësojnë e preokupojnë sot njerëzit dhe shoqërinë tonë. E veçanta e këtij fabulisti qëndron në faktin se sa ëmbël dhe me humor fshikullon apo godet, negativen, aq butë , me urtësi e mençuri lartëson të mirën, të bukurën, pozitiven. Personazhet e fabulave të Pëllumb Velos, nuk janë vetëm kafshët e egra e të buta si luani, tigri, ujku, dhelpra, lepuri, cjapi, ftuja dreri , dreri e skilja, qeni e macja, pela e sorrka..... por dhe objekte e fenomene të tjera si në fabulat: " Dërrasa dhe gozhda", " Libri dhe fyelli" apo " Shapka dhe fuga".....etj. Të konceptuara sipas mënyrës së tij origjinale , në këto fabula do të gjejmë të materializuara temat e dëshpërimit, trishtimit, demokratizimit, aludime politike për gjëndjen faktike të kohës në të cilën jetojmë.Poeti i këndon dëshirës për të jetuar, ai kritikon veçanërisht veset njerëzore, si përtacinë apo gënjeshtrën. Një nga vlerat e fabulave të Pëllumb Velos është edhe mjeshtëria e përdorimit të një sërë figurash letrare si ajo e metaforës, krahasimit, hiperbolës, epitetit, të cilat në gërshetim të përkryer me dialogun i shpirtëzojnë kafshët, kjo e bën me të ndjeshme dhe emocionale moralin e saj. Në të tilla kushte fabula zgjon te lexuesi një qerthull ndjenjash dhe percjellë dukshëm mesazhe mbresëlënëse.Fabulat e Pëllumb Velos, më se një herë janë modele të llojit. Ato kanë një gjuhë e stil të thjeshtë e të ngjeshur, figuracion shumë shprehës dhe emocional. Situatat krijohen krejt natyrshëm dhe me fare pak vargje pikëzohet portreti i personazheve. Pëllumb Velo ka një sens humori të spikatur në fabulat e tij edhe një dashuri të herëshme për të , me të cilën, siç thotë dhe vet, është lidhur me të që në fëmijërinë e tij të herëshme. Përmbledhja, " 210 Ekstra Fabula" përmban disa fabula satirike, me shumë mesazhe pozitive brenda, të cilat janë vendosur në gojët e personazheve, duke iu referuar roleve të njerëzve në jetën reale. Gjetja e figurave letrare, duket se vjen krejt natyrshëm për autorin gjë që flet për një rrjedhshmëri të pastër disavjeçare të punës së tij krijuese. Ai luan kaq bukur me personazhet kafshë, saqë të zgjon imagjinatën, e të jep një kënaqësi të jashtëzakonshme, plot ndjesi , tek godet veset dhe veprimet jo të mira njerëzore, pasi dihet se morali i fabulave, ka si qëllim, pikërisht luftën ndaj veseve të këqija humane, si: smira, zilia, xhelozia, egoizmi, mendjemadhësia, etj si këto. Autori i dënon edhe në fabul këto vese të këqija, sikurse i dënon në jetën reale, vertetesi qe e karakterizon atë në përditshmërinë e tij. Janë krijime poetike që lexohen me ëndje nga të vegjëlit dhe të rriturit. Poeti është treguar i përmbajtur në moralizime. Disa herë , as në fund të vjershave nuk gjëndet ndonjë predikim i hapur moral. Morali del prej vetiu nga shtjellimi i ngjarjes, gjë që shkon edhe në këtë gjini, ku, sipas traditës jepet zakonisht me pak fjalë një mësim moral në fund. Edhe në elemente të tjera të stilit të tij, në figurat stilistike, në ndërtimin e vargut, Velo ka qëndruar në pozita popullore. Nuk është çështja te huazimet nga folklori, po te vet natyra e pasqyrimeve poetike, te gjuha me tendencë nëndialektore dhe te sintaksa poetike, aq e vetvetishme. Karakteri popullor i fabulës së Pëllumb Velos,është i dukshëm edhe në shfrytëzimin e traditës së metrikës popullore, në llojet e vargjeve që përdor si dhe në skemat e tyre gërshetuar kjo me mjeshtëri me traditën botërore të përzierjes së vargjeve. Temperamenti i Velos spikat edhe në përdorimin e mjeteve shprehëse; pyetjet retorike, përsëritjet , anaforat, pasthirmat, etj,që u japin gjallëri fabulave, theksojnë dinamizmin e tyre dhe tendenciozitetin.

Urime dhe shume suksese Pëllumb Velo!

Lejla Gorishti



28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page