ZYBA HYSEN HYSA: FRAGMENT, SHKËPUTUR NGA LIBRI “GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU” KU BEHET FJALE PER BETEJEN E KOSOVËS 15 QERSHOR 1389
***
… Vitet e fundit edhe natyra ishte kthyer kundra tyre, kishte bërë thatësirë e madhe, tokat kishin ngritur plisat si gojë të etura dhe dukeshin sikur luteshin per një pikë shi, mullinjtë dhe destilat kishin ndërprerë punën e tokat pathuaj mbetur djerrë, ndaj disa princër kishin kohë që s’e paguanin dot haraçin. Ndryshonte gjendja në krahina tjerë me burime të sigurta fitimi siç ishin ato të kriporeve, apo të porteve për çdoganimin e mallrave që kalonin nëpërmjet tyre, ndaj synimet ishin përherë drejt bregdetit, që për fat të keq, ndesheshin me një “mik” të ulur këmbëkryq në qoshenë e të zotit të shtëpisë, Venedikun! Kushdo që tentonte këto zotërime, gjëja e parë që ndodhte, shpallej heretik dhe i pritej koka.
Në këto kushte aspak të favorshme ishin dhe mjaft princër në Dardani, njëri nga princërit e kësaj treve, Milosh Klopantiku (kopiliqi)pasi kontrolloi gjithë Klopatnikun, mbi të cilat sundonte prej kohësh, u kthye në kështjellën e tij i shqetësuar. Vukosava, e shoqja, kishte ditë që s’guxonte të fliste me të, ndaj vonesa e tij e shqetësoi dhe që nga dhoma e saj, përmes frengjisë që shihte nga oborri i kështjellës, kishte kohë që priste ardhjen e tij dhe sapo ndjeu trokun e kalit që kapërceu portën e jashtme, priti me padurin të hynte në derë, por ai u drejtua nga dhoma që e përdorte për të pritur mysafirë, apo për të biseduar për probleme që s’duhet t’i dinte familja, ndaj ajo doli dhe shkoi drejt e atje, ku asnjë s’guxonte ta ndalonte, bile edhe këshilltari, sapo ajo hyri, doli dhe mbylli derën.
- Erdhe im Zot!
- …………………..
- Babai dërgoi përsëri një letër për ty… pret të shkojmë në kështjellë.
- Përse të shkoj? Të pranoj tradhëtinë ndaj Besimit e të bëhem sundimtar i gjithë Dardanisë nën sovranitetin e sulltanit! Nuk e kuptoj babanë tënd, ha bukën tonë e bën duanë e sulltanit!
- Im Zot, po fitove Dardaninë, ke fituar Besimin tënd, toka është Besimi i Perëndisë, ajo mban gjallë njerëzit, pa njerëzit si do të mbrosh Besimin? Prano, edhe babai im, e ka pranuar një gjë të tillë, kështu më tha atë ditë që ju, im zot, ikët si i xhindosur nga fjalët e tij.
- Dardania është toka jonë, moj grua, nuk është, as e serbve, as e turqve…!
- Mos shko me këtë mendje, babai im ka kohë që ha me 2 duar, edhe nga Krishterizmi, edhe
nga Islamizmi, duke shfrytëzuar shqiptarët…
- Ai e bën lehtas, moj grua, se nuk i vjen keq për popullin, gjaku i tij ka më shumë gjak barbari sesa arbnori, mua më dhemb populli im! Vërtetë unë do të jem mbret i Dardanisë, por një mbret që do e shfrytëzoj popullin dyfish, apo trifish, do i çoj thikën në palcë e kur thika prek palcën e tij, unë ndjej dhimbje e s’mund ta gëzoj mbretërinë…
- Çfarë ke fituar që ke ngritur shpatat me sulltanin, edhe në Betejën e Maricës, forcat tuaja dhe të arbnorëve u prenë kokat, serbët dhe bullgarët u bashkuan me turqit… Të gjithë janë njerëz; edhe ju, edhe ne, edhe turqit, por do i nënshrohemi më të fortit që të mbetemi ende të fortë, ndryshe i forti do të shkatërrojë!
- Ashtu siç shkatërroni ju! Ne kemi futur gjarpërin në gji!
- Mirë që e kupton këtë, im Zot, në radhë të parë jam bija e Lazarit, apo më mirë të them, e Milicës, mbase kam ndonjë pikë gjak ilir, por dejeve rrjedh më shumë ai serb, më pas jam gruaja jote, por mund të jem edhe gruaja e ndonjë tjetri, po nuk u bindët urdhërit të babait tim! Më e fituar doli Mara që u martua me Vuk Brankoviçin!
- Jashtë! - Foli ai me zemërim të tejskajshëm, ngaqë atë emër i kishte thënë të mos e përmendte kurrë.
Sapo Vukosava doli jashtë, hyri këshilltari, i cili vetëm me praninë e së shoqes s’rrinte aty dhe kur dalloi shqetësimin e tij, foli:
- Të sjell një kafe?
- Po, kafe pa sheqer, helm të jetë, mbase më shuan helmin që kam!
Kafenë e piu me tri gllënjka, si të ishte sherbet me ujë të ftohtë! As nxehtësinë s’ia ndjeu, as idhëtirën, flakë kishte në tru dhe helm në shpirt.
- Të sjell ndonjë gjë tjetër? - Foli përsëri me zë lutës këshilltari.
- Edhe një kafe! - Tha dhe u ngrit, eci nëpër dhomë e përsëri u ul tek ishte më parë.
Piu njëra pas tjetrës tri kafe dhe në mend çoi betimin që kishte bërë para kuvendit “Urdhëri i Kalorësit Dragua” ngaqë ai kishte dalë vullnetar për të vrarë sulltanin në çdo rrethanë dhe me mend parashikonte lloj - lloj rrethanash e në të gjitha këto, përqëndrohej si do ta vriste.
- S’do të shkoj tek Lazari, - i tha këshilltarit, - se Sulltani më ka dërguar disa letra dhe për çudi të gjitha këto i kishte edhe Lazari, ndaj edhe ika rrëmbimthi atë ditë nga kështjella e tij, se më luteshin për tu bërë sundimtar i Dardanisë, nën mbikqyrjen edhe të serbëve, edhe të turqve…
- Ne i kemi diskutuar gjerë e gjatë këto, unë të thashë që edhe Dardaninë nuk do e marrësh, por kjo bëhet për të shuar rrezistencën ndaj osmanllinjve…
- Jemi në pritje të caktimit të datës së luftës, ajo që kam të sigurtë sot, është, se unë s’do të kthehem gjallë nga fushë - beteja, se të atillë e kam detyrën time, ndaj të lë amanet familjen, nënën dhe babën, si dhe vëllanë, sa për gruan, atë ka kush e mbron, por unë dua të mos e ndash nga tjerët. Një natë para betejës do të shpërnguleni matanë lumit do të shkoni tek kushërinjtë e mi… mbase nuk do u gjejnë atje, aqsa të qetësohet gjendja e pas luftës.
Ai foli gjatë, thua se do ikte në atë çast dhe s’do të kthehej më...
***
Vendosja e formacioneve luftarake në 2 krahët ndërluftuese, nëse do e shikoje nga larg, kishte një rregullsi të jashtëzakonëshme e të krijohej ideja se ishin përgatitur, ashtu si në një ceremoni dasme në kishë, ku më përpara janë bërë disa prova për vendin, se ku do të kalojë çifti, dasmorët, të afërmit deri në ritualin e kurorëzimit.
Një gjë dihej me siguri, vendin se ku do qëndronin dhe misionin që kishin; njëra palë kundër osmanëve, tjetra kundër vendeve të krishtera, por pjesmarrja në formacionet turke edhe të krishterëvet, i kalonte këto caqe dhe në një farë mënyere e shpërfillte motivin e saj…
Historikisht luftrat janë nxitur dhe zhvilluar nga barbarët për të sunduar padrejtësia, ndërsa planet e fitores së luftës janë shkruar në tavolina misterioze, ku zakonisht, as drejtuesit e luftës nuk i dinë, janë aktorë të tjerë që pregatiten të dalin në skenë, sigurisht nën maskën e përgjakjes dhe të tradhëtisë mbrenda formacioneve ndërluftuese…
Etja për pushtet e zhvesh njerinë nga virtytet e shndërron atë në një përbindësh, ku ha edhe pjellën e vet, apo anasjelltas, pjella ha prindërt. Kjo kategori njerzish eshtë përdorur për të ndryshuar historinë botërore në dëm të paqes dhe zhvillimit njerëzor, vetëm e vetëm për të kënaqur epshet e disa përbindëshave që kryejnë terrore e tmerre: “Me emër të Zotit”!
Planet e luftës, dallohen pasi mbaron lufta, fitorja e saj nuk varet aqsa koka luftëtarësh u prenë, por cili nga udhëheqësit vritet dhe cilët i pasojnë këta udhëheqës!
Më në fund çdo gjë ishte gati për të filluar shfaqjen e përgjakshme. Ballë për ballë 2 kampe të mëdha; në një krah të krishterët të vendosur në tre formacione: në qendër Lazari por me forcat vendase (kosovarë) bashkë me të birin, në anën e djathtë luftëtarët arbër me në krye Gjon Kastriotin dhe të gjithë pjestarët e “Urdhërit te Kalorësit Dragua” dhe në krahun e majtë rreshtuar forcat serbe të kryesuar nga Vuk Brankoviçi. Asnjë nga princërit tjerë serbë s’kishte pranuar të rreshtohej me formacionin e krishterë, përkundrazi, bashkë me forcat bullgare ishin bërë pjesë me krahun e sulltanit, sipas vasalitetit të tyre dhe në një farë mënyre, lufta bëhej mes atyre që mbronin besimin e Krishter, pa cënuar Shkrimin e Shenjtë, se edhe islamizmi, s’ishte gjë tjetër veçse, një këndvështrim tjetër i Krishterizmit, Kurani ishte thjesht një Bibël e modifikuar, për të përligjur pushtimet barbare përmes përhapjes së Islamizmit me forcën e shpatës, jo të fjalës siç u përhap Krishtërimi…
Si një mburojë e gjithë formacioneve, e cila do të shndërrohej pas disa çastesh përballë formacioneve tjera, në përleshje për jetë a vdekje, apo për të thënë më mire, si preha e parë e kuçedrës, qëndronin shigjetarët më të sprovuar të Arbërisë, të komanduar nga Gon Balsha. U fol që do vinin forca nga Hungaria, Bosnja, Kroacia, Rumania, por ende s’kishin ardhur, se organizimi dhe lajmërimi i tyre bëhej direkt nga Papa.
Në kampin tjetër të luftimit, kishte ardhur vetë sulltan Murati I, i cili udhëhiqte formacionin në qendër, përballë Lazarit, në të majtë qëndronte Bajaziti, përballë me Vuk Brankoviç, në krahun e djathtë në krye të formacionit ishte djali i dytë i sulltanit, Jakovi…
Momentet e pritjes, janë përherë të gjata dhe të rënda, sikur qofshin edhe sekonda, njerëzit në çastet e pritjes së fillimit të luftës ndizen nga një zjarr që djeg logjikën dhe ndjenjat, ata pushtohen nga instiktet kafshërore, të kafshëve më të egra, më gjaksore, ata s’janë më qënëje njerëzore, por bisha xhungle!
U ndje trumpeta e si një shkëndi që i hedhim benzinës, njëherësh u drejtuan re shigjetash mbi ushtrinë osmane! Arbërit e sprovuar historikisht me luftra nga më mizoret kundër barbarëve, tash në krah të atyre barbarëve, u duhej të bashkoheshin për të luftuar një barbar tjetër, por s’kaloi shumë dhe shigjetat kryqëzoheshin në ajër dhe përfundonin në trupin e luftëtarëve, ku kuajtë edhe me shigjeta në trup, apo dhe pa luftëtarët mbi shpinë, s'e ndalnin vrapin dhe dukeshin, sikur të ishin në një garë hipizmi.
Kuaj dhe njerëz ishin një, lufta ishte kthyer tashmë në një pistë garimi, aq të përgjakshëm, saqë s’ka njeri të përshkruajë "entusiazmin" e saj vrastar, as të thotë me saktësi, se ku e mban njeriu gjithë këtë egërsi mbrenda qënëjes njeri, këtu dallohej qartazi, sesa kafshë është njeriu!
Lufta, kjo pjellë e barbarëve, i shndërron edhe fisnikët në barbarë, këtu s'kishte më njerës, të gjithë shndërruar në kafshë, vetëm me një ndryshim, njëra palë përgjakej për mbrojtje, tjetra për t'i gllabëruar!
Në momentin e këtij shndërrimi, 2 formacionet janë të barabartë, por pas tyre është një grup njerzish vampirësh që kënaqen me gjakun e derdhur nga të 2 palët, për të vulosur marrëveshjet e shkruara në tavolinat e “kokave” që kurrë s’mund të jenë, as kafshë, ata janë dhe mbeten, përbindësha me fytyrë njeriu!
Para formacioneve tashmë shiheshin përpëlitje kuajsh e njerzish në gërhamat e fundit të jetës! Tek - tuk ndonjë shigjetar kaluar ose në këmbë qëllonte pa shenjë derisa rrëzohej mbi një tjetër e pikërisht në këtë moment duhej të hidhej në sulm krahu i djathtë i të krishterëve, i cili udhëhiqej nga Vuk Brankoviçi, por ai u tërhoq duke lënë fushën e betejës dhe arbërit mbetën në mëshirën e fatit…
Sulltani ndiqte luftën dhe aqsa koha shkonte, zjarri i luftës po i digjte durimin, por më i ndezur ishte i biri, Bajaziti, i cili bashkë me krahun e tij të luftëtarëve, ku për çudi, bashkë me ta ishte edhe djali i Lazarit, Stefani, u sul drejt qendrës dhe arriti pranë Lazarit, ku mbrojtësit e tij u larguan, si të hapnin rrugën një miku, ndaj pa shumë mund, e rrëmbeu mbi kalë dhe u kthye si një skifter ngadhnjimtar duke shpallur fitoren e tij dhe lufta u shndërrua si një lojë fëmijësh me hajdutë, të krishterët u sulën si bisha për ta shpëtuar, por ngado shpërthyen trumpetat e fitores, të cilat sollën mendjen në vend luftëtarëve për të tërhequr shpatat nga trupat e kundërshtarëve dhe futjen e tyre në myll.
Kudo ra heshtje, një heshtje që ngjante me çastet, kur njeriu jep shpirt e s'duhet të flasë askush, se i kthehet shpirti, se lajmi i kapjes rob të Lazarit, u përhap tek të gjithe dhe princërit e “Urdhërit Kalorës Dragua” u mblodhën dhe vendosën që këtë turp ta lanin me duel, ku më i forti, më i guximshmi, i cili kishte shprehur gadishmërinë dhe ishte betuar që ditën e kuvendit, Gjon Kopili, doli përpara dhe u gatit për të kërkuar duel për jetë a vdekje me sulltanin:
- Ai është duel i nderit, ndaj u premtoj, se nderin do ta vë në vend! - Tha princi Gjon Kopili (Blloshmi). - Ne jemi zotër të këtij vendi dhe na takon ne, të sjellim në vend nderin e kësaj toke të shenjtë, por edhe të Lazarit, i cili u betua para nesh se e kishte për nder të ishte prijës i arbnorëve në këtë betejë, në respekt të asaj pikë gjaku që i rrjedh në vena nga ky popull trim dhe si vjerri i 2 dhëndurrëve shqiptarë. Fundja, vetëm Lazari u rreshtua me ne në këtë betejë dhe duhet vënë nderi në vend!
- Janë fjalë me vend! - Tha Gjon Kastrioti.
- Unë do ta vë në vend nderin, më pas do merremi me nderin tonë, të shikojmë se cili tradhëtoi, duke lënë prijësin tonë në dorë të armiqve, pa mbaruar ende lufta!
- Bëhu gati, o trim, se po shkoj të çoj lajmin tek kampi tjetër… - Foli me zë të lartë Gjon Kastrioti, i cili hipi mbi kalin e tij të bardhë dhe rendi fushësh së përgjakur, ku i duhej të ecte edhe sipër kufomave, apo dhe luftëtarëve që përpëliteshin si kafshë të therura.
Kur u afrua pranë kampit, ku formacionet s’kishin më pamjen madhështore të fillimit, i dolën përpara 2 kalorës duke i vendosur shigjetat, njëri në një anë e tjetri në anën tjetër të gjoksit.
- Kam ardhur për të biseduar me sulltanin...
- Për çfarë do të bisedoni?
- Kërkojmë duel për lirimin e Lazarit! Merre këtë dhe dërgoja sulltanit! - Tha dhe i dorëzoi letrën.
- Rri këtu… - I tha ai shokut tij, ktheu kalin dhe iku erë.
Roja zhvendosi shigjetën nga ana e majtë dhe i vendosi me mes të kraharorit:
- Mos u shqetëso, - kam ardhur për bisedim, ndaj hiqe shigjetën, unë s'kam marrë asgjë me vete! - Tha duke nxjerrë krahët para, por ai nuk e lëvizi fare dorën.
Kalorësi shkoi pranë çadrës, ku rrinte sulltani dhe u tregoi rojeve se çfarë do të dërgonte dhe pasi rojat morën miratimin e sulltanit e lejuan.
- Të pafetë kërkojnë duel me më të fortin! - Tha pasi u përul dhe i dha letrën.
- Haaaa… - Qeshi me sarkazëm sulltani. - Kërkojnë duel!? Po… gati jam! Shkruaj! - U drejtua shoqëruesit të tij që kurrë nuk i largohej. - Pranoj! Duelin do ta bëj unë, sulltani nuk dorëzohet pasi ka fituar! Kur s'qenë të zotët ta mbronin, le të hanë kokat e tyre! - Tha i vendosur.
Luftëtari shkoi përsëri me shpejtësi ere, i dorëzoi letrën Gjergjit, ku shkruhej ora dhe vendi, pikërisht aty, ku u zu rob Lazari në prani të forcave të mbetura të ushtrisë.
Gjon Kopili ndruante nëse do dilte vetë sulltani, ndaj ai lajm e bëri më të dëshirueshëm duelin. Krenaria ndërtohet përmes bëmave dhe, s’ishin të pakta bëmat e arbërve në shekuj, por nëse do fitonte sot në këtë duel, i kapërcente caqet e krenarisë, ai do mbulohej me lavdi!
Vendi i takimit ishte në anën e të krishterëvet, ndaj u caktuan persona për pastrimin e fushës nga kufomat dhe krijuan gjysëmrrethin e tyre për të pritur sulltanin bashkë me forcat e tij, i cili po vinte i shoqëruar në të 2 anët me kalorësit më të zgjedhur dhe pas tyre në një formë gjysëmhëne afroheshin forcat tjera, aq shumë dukeshin, saqë mendoje se lufta tani do të fillonte.
Pas pak, nga të krishterët u shkëputën 2 rreshta kalorësish, të cilët shoqëronin trimin e Dardanisë, Gjon Kopilin, po kështu edhe nga krahu tjetër, ku në ecjen e sulltanit kishte siguri dhe vështrim krejt mospërfillës e pse princi arbëror ishte më shtatlartë, se ai dhe më krenar, arritën përballë njëri – tjetrit, të veshur sipas traditës së dueleve, thuaj se ishin mbështjellë me metal, sigurisht në pjesë të trupit që duhej të lejonin lëvizjen, kishte hapësira të lira, nga ku dukeshin rrobat e qëndisura me ar.
Njeriu që e quan veten Zot mbi tokë, kërkon të zotërojë botën, po bota s'është krijuar për një njeri, por për gjithë njerzit e nëse njeriu s’kupton kotësinë e kësaj ideje, nuk ndalon përpara asgjëje, etja për pushtim, është bërë frymëmarrje, pa menduar që është thjesht një frymor që sot është e nesër s’është!
U dëgjua sërish zëri i trumpetave, një zë që fliste ndryshe nga fillimi i betejës, ishte zë për të heshtur njerëzia përreth, përpara pjesës kryesore të spektaklit të përgjakur, ndaj asgjë s'pipëtinte, saqë edhe kuajt dukeshin si spektatorët, kur presin të ngrihet perdja e të fillojë shfaqja…
Heshtjen e prishi troku i kuajve të aktorëve të duelit, të cilët ecnin drejt njëri - tjetrit dhe kur ishin fare pranë, si me komandë, tërhoqën shpatat nga mulli duke nxjerrë një zë të mprehtë grishës, saqë të gjithë u drodhën, thua se të gjithë ndjenë zë – shpatën sikur i fshiku mbi trup, më pas shpatat kërkonin të thyenin kokat e njëra – tjetrës, se kur qëllonte njëri, tjetri e priste me shpatë, qëllonte tjetri, po më shpatë e priste kundërshtari e të jepej ideja që asgjë s'do të ndodhte, thjesht ishte një lojë fëmijësh, apo në një nga ato stërvitjet e zakonshme të fisnikëve.
Askush se dalloi momentin, kur sulltani gjatë pritjes së shpatës së radhës u mënjanua dhe ra nga kali e me shpejtësi rrufeje u ngrit e u ndesh me arbnorin përballë, i cili u hodh fill pas tij, ndaj ai nxori nxitimthi thikën dhe u sul me gjithë forcën kundër arbnorit qeleshebardhë, por shmangia e tij, bëri që sulltani të plaset mbi tokë dhe me shpejtësi u rrotullua të ngrihet, por shpata e kundërshtarit e ndaloi dhe duke ia vënë nën gushë foli:
- Le ta mbarojmë këtu, s’dua të vras, liroje despotin Lazar dhe merr ushtarët tuaj e zhduku nga trojet tona!
- Ç’thua!? Ai u dorëzua vetë! - Tradhëtoi luftën e krishterë, se u pendua që prishi vasalitetin me mua!
- Ti je një përbindësh që kërkon të përçash aleancën tonë të shenjtë!
- Ç'më thua për aleancë të shenjtë, harruat se edhe serbët, siç po veproj unë sot, dikur po kështu u nënshtruan, barbari me barbarin e gjejnë fjalën... Ku i ke forcat serbe, a s'erdhën me mua…?
- Ne kemi dhënë Besën njëri – tjetrit dhe Lazari është pjesë e gjakut tonë Ilir, ai e mban Besën…
- Hiqe atë shpatë dhe përulu para meje, se edhe po u vrava unë, ti i vrarë je, ne nuk e kemi në gjak Besën, për pushtet i nxorra sytë djalit, Kuntuz, ngaqë bashkëpunoi me djalin e Perandorit John të Konstadinopojës, Andronicus, kundër etërve tyre, pa m'u dridhur duart, më pas i preva kokën dhe të gjithë atyre që e mbështetën atë, urdhërova të vrisnin djemtë e tyre të gjithë oborrtarëve të mi dhe ata që nuk e zbatuan urdhërin tim, i vrava me gjithë familje. Edhe unë në venat e mia kam gjak krishter, por luftoj për tu bërë Zot i Botës në tokë, si një mysliman! Nëna ime është bija e Perandorit të Bizantit!
- Mos fol për Besimin Krishter, i pabesë!
- Unë luftoj kundër të pafeve, ju jeni të pafe, as Bizanti nuk u do, as Roma, as Venetiku, asnjë! Me të gjithë unë kam marrëdhënie të mira dhe kam nënshkruar marrëveshje, kur s’do mundem unë t'u bëj zap, do jenë miqtë tuaj krishterë që do u fusin thikën! Ju luteni tokës e diellit, zjarrit e qiellit, ju nuk i luteni Zotit, ju s’njihni prift e perandorë, u pëlqen të jeni secili perandor i vetes!
- Ne lutemi dhe mbrojmë dhuratat të Perëndisë e kur sakrifikojmë e lutemi për to, falënderojmë Perëndinë! Po ju, rrëmbeni dhuratën e tij me pa të drejtë, ju e vrisni Zotin, se doni të bëhi vetë Zot mbi Tokë!
- Të pafe! - Turfulloi sulltani, sikur të ishte në kolltukun e tij.
- Ngrihu i pabesë! Për një nder e për Besë, ndaj popullit dhe Besimit, do t'i derdh zorrët mbi këtë truall të shenjtë! - Tha duke u mënjanua pak, t'i linte hapësirë të ngrihej.
Ai s’besoi në fjalët e sulltanit, ai kurrë s’mund t'i besonte ato, ndaj në këto momente, arbnorit i lëvizi gjaku, u errën sytë nga poshtërsia e tij, se kurrë s’mund t’i besonte ato që thoshte ai, ndaj largoi shpatën dhe e ftoi sërish të vazhdonin duelin.
Sulltani u ngrit furishëm e pa lënë kohë kundërshtarit mori vrull me shpatë, por ajo u ndesh me shpatën e trimit që mbante me dorën e djathtë dhe me dorën e majtë, i nguli thikën në bark dhe ia rrotullonte pa ia ndarë sytë dhe pa ulur dorën që mbante shpatën e sulltanit mbi kokat e tyre, derisa shpata e sulltanit ra mbi tokë dhe pas saj u shemb edhe vetë sulltani duke u pasuar me thirrjet e gëzuara të arbnorëve.
Në një dorë shpatën ngritur drejt qiellit duke e shoqëruar me vështrim, arbnori u lut diellit:
- Faleminderit o Diell, që më ndriçove syrin, më ngrohe zemrën dhe më dhe fuqi për lavdi! Më pas uli shpatën me majë në tokë dhe përsëri bëri lutjen:
- Faleminderit o Tokë që më mban mbi shpinë dhe më ushqen me gjirin tënd, o dhurata më e çmuar e Perëndisë, unë, biri jot, do të mbroj me jetën time dhe në fund ngriti njëherësh duart lat, në të djathtën shpatën dhe në të majtën thikën që ende kullonte gjak e thirri:
- Rroftë Krishtërimi! - Që u pasua me brohoritjet e luftëtarëve arbër:
- Qoftë lëvduar Jezu Krishti!
Pasi u qetësuan brohoritjet, foli sërish me zë të lartë e krenar:
- Burra, sot këtë tokë arbnore e mbuluam me lavdi! Nderi u vu në vend! Të jemi të bashkuar për të pasur përherë nder e lavdi, si vëllezër të krishterë, si adhuruesit e Jezu Krishtit, me Besa - Besë!
- Besa - Besë! - U përgjigjën arbnorët aq fort, saqë malet u drodhëm, lumi ndali rrjedhën dhe flladi preu frymën!
- Tani prijësi ynë, dhespoti Lazar është i lirë dhe... - por fjala i mbeti pa thënë gjer në fund, se një shigjetë e çpoi tej për tej, nga shpatulla e majtë i doli në zemër dhe ra për tokë si lis i prerë.
Në këtë kohë forcat turke filluan të qëllonin pa mëshirë duke bërë kërdinë… Lufta u ndez më fort se fillimi, tani s'kishte rregull; shigjetarë, shpatarë, luftëtarë me hanxharë e thika, batërdi e madhe!
Forcat arbnore, të kapura në befasi nga sulmi, pas fitores së duelit, pak nga pak e morën veten dhe me thirrjen e “Kalorësve Dragoj” u sulën përpara si shqiponja duke prerë koka turku, vrisnin e prisnin derisa shpata binte para tyre dhe ata pas saj, ku jepej ideja, sikur përkuleshin ta rrëmbenin sërisht për të vazhduar luftën, gjer nata pushtoi vendin dhe forcat turke me urdhër të Bajazitit u tërhoqën duke e lënë Fushën e Betejës shndërruar në një moçalishte gjaku, vende - vende me pellgje të mëdha.
Nuk ishte parë në këto vise kaq gjak, kaq koka të presa, aqsa s’kishte vend të hidhje këmbën, lufta u bë mbi koka të prera, mbi kufoma!
Shumë u vranë të krishterë, apo më mirë themi, arbër, që si çdoherë u tradhëtuan nga të gjithë, se edhe pse lufta mbaroi, asnjë ushtar hungarez, slloven apo kroat nuk erdhi, lufta kaloi përmasat e një lufte, një kasaphanë!
Ajo ishte një kurth për të shfarosur arbnorët…
Comments