top of page

10 VJETE PA LLAZI SERBON


10 VJETE PA LLAZI SERBON (1945-2010)

Nga Miho Gjini

"Mjeshter i Madh"


Artisti aristokrat që e donte lavdinë dhe vdekjen si Bekim Fehmiu

“Gjithë parajsa nuk vlen sa loti i një fëmije”. DOSTOJEVSKI

Kur u ndava për herë të fundit me Llazi Serbon, ai merrej me Dostojevskin. Ishte dashuruar marrëzisht me shkrimtarin e zymtë rus. Me inskenimin e tregimit “Siriusi”, ai erdhi në Festivalin Kombëtar të Monodramës, që u zhvillua në Vlorë, në gushtin e vitit 2000. Kisha shumë vite pa e parë ish studentin tim. E njihja mirë karakterin e tij të mëvetshëm, talentin, bëmat, predispozitat e shpirtit, bile edhe anën depresive. Katër vite me të do të ishin të mjafta për ta përcaktuar udhën e tij krijuese. Dukej. Ishte një aktor i mirëfilltë, edhe pa u ulur në stolat e studios së Shkollës së Lartë të Aktrimit. Kishte ardhur nga Korça, bashkë me Minella Borovën, rrinin së toku, duheshin si shokë të mirë, por ja që ishin e kundërta e njëri-tjetrit. Minella qe një djalosh i lezetshëm “pe Korçe”, hokatar, që do të shquhej më pas si aktor i komedisë (diç më pak edhe i dramës), ndërsa Llazi ishte i prerë për role të dramës e të tragjedisë. Më pas do t’i përkushtohej ekranit, si një aktor i përkorë, i mençur, që familjarizohej natyrshëm me kamerën, në përshtatje me vlerat në rritje të kinemasë bashkëkohëse. Qysh në nisje, interpretimi i këtij aktori u duk krejt ndryshe, nga të gjithë studentët që pata unë, me Saimir Kumbaron e Kristaq Mitron, me Birçe Haskon e Gëzim Kamen, me Niko Kanxherin e Petrika Rizën, gjer tek të shumëkërkuarit e asaj kohe për aktrim në filmat shqiptarë, si me Timo Fllokon e Mevlan Shanajn. Po përse veçonte Llazi Serbo? Qysh student ai dukej si një aktor sedërtar, por me pamje rebele dhe e kishte të vështirë t’u bindej lehtë pedagogëve, ushtrimeve të thjeshta e mësimeve të përditshme. Qe një karakter i vështirë, që nuk i nënshtrohej lehtë pedagogut, por që gjithmonë donte e kërkonte të vetën. Llazi krijonte bindjet e pandehmat e veta, që askush nuk mundej t’ia ndryshonte dhe për të cilat hahej e çirrej me partnerët që i kishte shokë, bile edhe me pedagogët e vet, me një kryeneçësi të çuditshme! I përafërt në atë kohë edhe me Kumbaron, por në sjelljen e përgjithshme qe disi më i butë, më i afrueshëm. Por Llazi Serbo nuk qeshte kurrë! Se ç’kishte një nerv të sertë dhe një sedër të madhe, një vendosmëri të brendshme, pasionante, që i ngjante një meditacioni filozofik, i cili e afronte atë me kornizat e artistëve të mëdhenj. Ne pedagogët, sikur s’ishim asgjë para tij, pa e rrëfyer këtë së jashtmi. Nga kjo mëvetësi, - për të mos e quajtur mendjemadhësi, do të krijonte më vonë, kur doli në jetë, personalitetin e tij krijues, profilin e një “artisti aristokrat”, siç e ka përcaktuar atë saktë, miku im Roland Gjoza. Kisha shumë vite pa e takuar. Në Korçë, kur shkoja nëpër festivale të teatrove, apo që të ndiqja premierat e teatrit të tij, nuk më afrohej. Dhe e dija pse! Ai qe ndarë përfundimisht me stafin drejtues të teatrit të qytetit të vet dhe sidomos me ata që bënin festivale pa të! Që të dyja palët, nuk e kuptuan dhe nuk e afruan njëri-tjetrin dhe, për të, aktorët e vjetër qenë “të vjetër” dhe ekzistonin në “listën e të paaftëve”. Edhe Minellën e sapokthyer nga Argjentina, ndonëse e donte dhe e afronte si shokun e tij të kursit, nuk e “treste” tek vetja si më përpara. Ai e ndjente veten pranë aktorëve më në zë të kohës. Idhulli i tij qe Bekim Fehmiu, të cilit i pëlqente edhe pamjen, edhe veprën, edhe vdekjen! Më në afërsi do të mbante, së fundi, aktorin Andrea Pepi (edhe ai, njëri nga studentët e mi të mëvonshëm), aktori me mjekër, me të cilin shëtiste në bulevardin e rrugët e Korçës, gjer në orët e vona. Kishte interpretuar me aktorët e teatrit të vet, megjithatë, afro 30 role deri atëherë, duke spikatur kudo me seriozitetin e tij krijues, kurdoherë me një logjikë të mprehtë dhe saktësi kronometrike në ndërtimin e figurës së personazheve, në pamjet e jashtme perfekte, me lëvizjet, reagimet e me fare pak gjestikulime, duke krijuar portrete tërheqëse gjithandej. Çuditërisht edhe brenda një “sfere” të tijën, si të ishte i shkëputur prej të tjerëve, tip egocentrik edhe në skenë, edhe në film. Edhe jeta, edhe skena, kishin për të të njëjtën “balancë ekuilibri” që shkonte drejt niveleve e rezonancave ekzakte. Përtej së zakonshmes, që ngjante diku, edhe më afër caqeve të së pamundshmes e të absurditetit, por ama kurdoherë në natyrësinë e tij organike. Më kishte pëlqyer interpretimi i tij tek drama amerikane “Engjëjt e skëterrës” për një vizatim shumë të saktë të figurës artistike, po kështu, tek personazhi Major Stik në dramën e Minush Jeros “Të pamposhturit”, nën regjinë e Luarasit. Me të tillë personazhe ai dashurohej marrëzisht, sikundër do të ndodhte disa vite më vonë tek filmi “Nusja e shtetrrethimi”, me figurën e kapitenit gjerman Edgard, tek i cili kishte harmonizuar në mënyrë perfekte qetësinë e jashtme, me pulsimin e brendshëm të një shkalle superiore shpërthyese, pa bërë kurrfarë shpërthim! Qe një zotërues virtuoz i nënteksteve brenda vetëdijes, komanduar nga shpirti brenda e jashtë nga syri, po njëlloj, pa kurrfarë gjesti, sado të vogël, por kurdoherë me fjalën plumbë-goditëse. Nuk mund të harroja kurrsesi atë ç’ka më kishte thënë, regjisori i këtij filmi, Kristaq Mitro, pasi ishte kthyer nga Festivali i Filmit Vjenez, ku gjatë shfaqjes së këtij filmi, spektatorët austriakë kishin pëlqyer jashtë mase interpretimin e Llazi Serbos që kishte krijuar tipin e oficerit nazist të Gestapos Hitleriane në shëmbëlltyrën e një bishe që përgjon viktimën para shqyerjes së saj, duke e kundruar pa asnjë lëvizje, stoik, brenda një uniforme shik, të akullt dhe me shikimin brisk, zhbirues e sugjestionues njëherësh. A nuk ishte i këtij sugjestioni figura e atij “diversantit” të dërguar me mision, në filmin “Operacioni Zjarri” që pëlqehej aq shumë nga spektatori ynë, si model aktrimi në mishërimin e mëvetshëm të një portreti artistik krejtësisht origjinal e të pakrahasueshëm me figura të tjera të këtij karakteri?! Dhe ja ku u takuam në Vlorë. Unë dhe Llazi. Dhe Andrea me mjekër. Në mes Dostojevski. Përzgjedhja që kishte bërë nuk më habiti aspak. Vetëm ky autor afrohej me botën e tij të errët e të çoroditur. Isha në Jurinë e këtij festivali, bile me cilësinë e kryetarit dhe, ndryshe nga herët e tjera, Llazi u ul pranë, në njërën nga tryezat e hollit të hotelit, ku shërbenin edhe kafe. Porosita një kafe. Nuk pranoi. Por ndjeva kënaqësi që u ul pranë meje me një buzëqeshje të lehtë. Nuk e kishte më pamjen e qëndrimin e tij enigmatik të njeriut që i rëndohet vetja ngandonjëherë! Natyra ime prej kritiku të nëmur prishi krejt gjendjen e qetë. I thashë se, kur shkoja në Korçë dikur, për të parë shfaqjet e teatrit të tyre, sikur më fshihej, ndërsa tani po më rrëfente përzemërsi! U fye! U vrenjt në fytyrë. Qe gati të ngrihej nga tryeza, por nuk e bëri. Vetëm një tik nervozizmi sapo iu shfaq në fytyrën ekspresive që mezi e kishte duruar prishjen e ekuilibrit! Ndërsa unë u preva krejtësisht në fytyrë dhe mbylla sytë nga dhimbja e ndjerë befasisht. Më kuptoi. Kisha gabuar unë, profesori i tij! Atë çast i kërkova të falur. Nuk e bëri veten që të përgjigjej, veçse e humbi shikimin diku në turmën e njerëzve të skenës që po lëviznin në hollin e hotelit. Oh! Ajo që do të ndodhte disa orë më vonë, kur ne do të ishim para shfaqjes së tij, do të më vinte në pozicionin më të vështirë që kam ndjerë e parë në ato katër-pesë dekadat e fundit. Shfaqja e tij, e nxjerrë nga një tregim i Dostojevskit, nuk u kuptua fare! Ishte po aq e zymtë, sa edhe fytyra e Dostojevskit. E mbyllur, e errët, hermetike, sikur aty qe bërë rishtazi e zhbërë fizionomia e aktorit Serbo të viteve të fundit, bile edhe ajo e personazhit protagonist të aktorit Andrea Pepi! E gjitha i ngjante një mërmërime. Skena qe e zbrazët dhe gjysmë e errët, me ca njolla dritë-hijesh që lëviznin e rrezatonin zbehtë e frikshëm një muzhik rus me mjekër të madhe e të zezë, të ngjitur mbi një shkallë, në afërsi të një litari që tejshkonte hapësirën e padepërtueshme. Absurdi ndjehej edhe në lojë, edhe në regji, edhe në skenografi - NJERIU QE I ZHYTUR NË HUMBËTIRË! Edhe Llazi Serbo. Edhe Andrea Pepi. Po në ato muzgje të stepave ruse, ku kishte jetuar e shkruar Dostojevski! Pas shfaqjes nuk isha aspak mirë e mbeta i dyzuar për një kohë të gjatë. Ç’do t’i thoja ish studentit tim kur të më dilte rishtazi përpara syve?! Vetiu, sikur mbi fytyrën time u vendosën dy maska! Ajo e profesorit të dikurshëm dhe maska e kritikut, duke e lënë mënjanë, hë për hë, atë të Kryetarit të Jurisë. Llazi sikur e kuptoi gjendjen time të mjeruar dhe nuk m’u afrua fare, por vajta vetë përpara tij. Desha të shpjegohem, duke i flakur që të gjitha maskat, perdet e sentimentet! Por ai, Llazi Serbo, nuk doli më nga vetja, se ai ishte vetvetja! E kuptoi fare mirë që nuk më kishte pëlqyer shfaqja e tij dhe, me një qetësi e fisnikëri të shkëlqyer, nuk u përball me reagimin tim. Nuk e përfilli! Ndërkohë iu turr furishëm dy-tre personave që hodhën një batutë në adresë të tij e donin të talleshin me “dështimin” artistik. Përmes një sfide që atakonte fort bukur “marrëzinë” e tij, ai derdhi mbi ta një dallgë të fortë zemërimi, me një fjalor të përzgjedhur, por tepër të ashpër, gjithsesi të një intelektuali të mirëfilltë, herë të përmbajtur e herë shfarosëse. Llazi kishte hyrë befas në rol, në një nga rolet më të shkëlqyera, dhe përmes atij monologu të ndjerë, unë do të mësoja diçka që nuk e dija: në Peterburg, në një festival prestigjioz, vetëm me vepra të këtij Kollosi të letërsisë Ruse, mandej edhe të asaj botërore, në po ato rrethina ku ai kishte jetuar, në zemrën e Rusisë, kjo shfaqje kishte tingëlluar krejt ndryshe dhe ishte nderuar me “Çmimin e Madh”, për një konceptim, interpretim e mesazh më të lartë, se vetë shfaqja analoge ruse... Përse të ndodhte kështu, dreqi ta marrë?! Llazi ishte në fundin e vet më pranë Dostojevskit. Dhe do të kuptohej, vetëm pasi të vriste veten! Dhe e vrau veten me një çifte varur në mur, si ato armët e dramave të Çehovit që duhen shkrepur me domosdo, brenda kohës vepruese të aktorit. Dhe la vetëm një copë letër aty, ku shkruheshin vetëm këto dy fjalë: “E vrava veten si Bekim Fehmiu!”… Qe një vetëvrasje e njëjtë, sikundër edhe e donte, deri në përgjërim aktorin e madh që shkeli edhe Hollivudin, që solli këtu edhe një Odise krejt tjetër, njerëzor, tronditës në thjeshtësinë e madhështinë e tij. Një akt vetëflijimi tek të dy! Shkrimi është marrë nga Libri Album me titull “10+1 - Portrete Artistësh”, me personalitete të Artit skenik e Kinematografisë sonë, që mund ta gjeni në "Librari Art's” e Zonjës Arta Zeneli. Adresa: Bulevardi “Zogu i Parë”, ish stacioni i trenit

34 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page