1 KORRIKU ËSHTË DITA KOMBËTARE E KANADASË


Vangjush Ziko

FLAMURI ME GJETHE PANJE


Flamurët e Botës janë më se të çuditshëm. Janë të çuditshëm jo nga forma. Ata të gjithë janë drejtkëndorë. Nuk janë aq të veçantë as nga ngjyrat, se sa ndryshojnë simbolet që kanë zgjedhur për t'i dalluar. Dhe prapë e çuditshme. Këto simbole, në shumicën e tyre dërmuese, janë marrë nga hapësira e kaltër qiellore. . Kanë zgjedhur diellin, hënën, yjet ose kombinime të ndryshme nga ngjyrat e ylberit. Të tjerë skifterin apo shqiponjën; kanë marrë kryqin, që lartësohet mbi këmbanoret, si një element i qiellit. Të gjithë kanë synuar hapësirën mbitokësore si shenjë të lartësisë, madhështisë, hapësirës ku rruhen të fshehtat pa fund të universit dhe Perëndia e plotfuqishme. Të tërë sikur pohojnë se pushteti, fuqia dhe mbarësia qëndrojnë lart, sipër tokës, si një dëshirë dhe ëndërr, që mezi arrihet dhe nuk duhet të guxojë ta prekë askush këtë shenjtëri. Ka edhe një flamur, ky është flamuri kanadez, i cili ka zgjedhur për simbol të tij të shenjtë një gjethe të drurit të panjës.

A thua, kanadezët e zgjodhën këtë gjethe sepse, kur u formua Kanadaja si shtet, i kishin grabitur të tjerët simbolet e qiellit? Apo, thjesht, francezit apo anglezit të parë, që shkeli në këtë tokë, i bënë përshtypje pyjet e panjës që veshin këtë vend dhe e vunë në sfondin e bardhë të pëlhurës, që simbolizon dimrin e gjatë kanadez. Vunë një gjethe asnjëanëse, për të mos krijuar keqkuptime midis tyre, apo, më mirë le të themi, për t'u pajtuar midis tyre. Francezët dhe anglezët bënë zgjedhjen më të mençur. Ky vend nuk kishte histori dhe tradita si Europa. Ata vendosën që ta shkruajnë historinë e këtij shteti të ri të globit mbi këtë gjethe të virgjër të natyrës. Dhe nuk zgjodhën as gjethe të gjelbër pranverore, as gjethe të zverdhur, që e shkund era e vjeshtës. Ata zgjodhën gjethen flakëruese të panjës të kalitur nëpër ngricat e egra polare. Dhe kjo gjethe e kuqe u bë një gjethe profetike. Ajo ngjan me një pëllëmbë njeriu, një pëllëmbë fisnike që u zgjatet bijve hallexhinj të të gjithë kontinenteve dhe racave dhe i fton ata në prehrin e vet duke u premtuar të gjithëve punë, barazi dhe miqësi pa asnjë dallim ngjyre dhe feje. Flamurët e Botës janë të ndryshëm dhe jo që të gjitha simbolet e tyre i kuptojmë. Rëndësi ka që flamurët bëhen të dashur e të shenjtë për të gjithë ata njerëz, të cilët rreshtohen dhe betohen nën hijen e tyre.

(Nga vëllimi “THËRRMIMI I NIAGARËS”)

0 views

Shkrimet e fundit