Ëndërrat tona nën qershi…


Ëndërrat tona nën qershi…

Ëndërrat tona nën qershi…

Dr Fatmir Terziu


Përpara nesh gjithnjë është ngritur një mal. Një mal shkëmbor me të cilin kemi ngurtësuar veten. Me të cilin kemi ngrirë Tjetrin në tërë perceptimin tonë. Dhe gjithnjë është mes nesh bardhë e zi. Ashtu sikurse bardhë e zi e shohim ende rrugën tonë pos atij mali shkëmbor, pos atij muri. E kemi ëndërruar ndryshe që në fëmijëri, teksa kacavirreshim mes qershive për të rrokur mes tyre vetë bardhësinë që na falte natyra. Dhe ashtu sërrish nga ajo kacavirrje mes bardhësisë së pemëve syri na kapërcente përtej ëndërrave. Kërkonim ledhatimin e prindit, kërkonim atë që duhej ta kishim në kohën tonë të lirë, kërkonim lirinë e kohës së lirë. Në kohën tonë fëminore. E kërkonim ndërsa në moshën tonë të vogël lodrat shihnin ende bardhë e zi. Dhe ato ishin pjesë e ëndërrave të gjata.

Ëndërrat tona pasonin filmat, po aq bardhë e zi, sa dhe jeta dhe filmat që na nxirrnin gjithnjë fitimtarë, gjithnjë me një ose dy heronj të vrarë. Dhe ndërsa na mungonin ëndërrat për lodrat tona, zgjoheshim me ëndërrat e përlotura, të pakuptimta. Eh ishim fëmijë. Fëmijë të rritur ndryshe.

Hidhnim shtatin tonë ashtu nën qershiza të shpërthyera bardhë e zi dhe buzë lumit, liqenit, apo detit shihnim vetëm botën tonë. Botën tonë të msitershme, botën bardhë e zi. Bota tjetër ishte ëndërr… Vetëm ëndërr…

Shpeshherë kërkonim me sy hapësirës së kaltër qiellore. Dhe ndërsa shihnim lirinë e zogjve në kupën e kaltër mbeteshim në fluturimin e tyre të lirë… Habiteshim me fuqinë që u kishte dhënë Zoti dhe krenoheshim të paktën për zogjtë e hapësirës sonë, që kishin lumturinë, begatinë, harenë në kupë të qiellit. E jona ishte thjesht një kartolinë…

Ata vetë, zogjtë e qiellit, ndoshta na shihnin me sytë e tyre, na shihnin teksa shkruanim kartolinat, ndoshta ngjashëm me këta shpendë që pëshpëriteshin dhe përshpirteshin mes vetes në një rrugëtim pa krye…

Dhe kur vitet pasuan një kohë tjetër, kohën kur po shembeshin malet shkëmbore, murret që kishim ngritur për Tjetrin, një luftë mizore përgjaku një pjesë të trungut tonë. Dhe Trungu i një trupi përsëri mbeti në udhë të mbushura me ëndërra. Njëra ëndërr të shpinte larg, larg e larg…mes tokës e detit, duke kërkuar lirinë e munguar, një tjetër kërkonte aty në tokën e shkelur, të përgjakur lirinë e nëpërkëmbur.

Sot përsëri nën qershi. Ndoshta jo më bardhë e zi, por sërrish kemi në përshpirtjen tonë ngjyrime të tjera pafund… Ngjyrime nën qershi! Dhe kthjejmë sytë pas në rrugëtimin tonë dhe njëkohësisht në atë të Tjetrit që ka mbetur ende perceptim i atyre kohërave me aparatin fotografik nën qershi…, nën qershi të çelur. Dhe rëndësia e qershisë së çelur na kthen qindra vjet pas në kulturën e kallëzuar odave. Qershia e çelur përfaqëson brishtësinë dhe bukurinë e jetës. Kjo është një kujtesë se jeta është pothuajse jashtëzakonisht e bukur, por se ajo është edhe tragjikisht e shkurtër. Ashtu i shkundur nga ajo ëndërr e gjatë, u ngrita dhe hapa sytë në një bardhësi tjetër të kristaltë, të qashtër e të pastër…, jo thjesht si zgjim që na e kërkon koha, por për të kujtuar miq të nderuar në këtë ndërrim të viteve, ëndërrat tona nën qershi…, se përpara nesh gjithnjë është ngritur një mal, ndaj duhet që të zgjohemi nga të gjitha ëndërrat për të fiksuar atë letërsi që na mungon.


#terziu #fatmir

0 views

Shkrimet e fundit