Çmitizimi artistik i diktatorit


Prof Dr Eshref Ymeri

Prof.dr. Eshref Ymeri


(në penën e shkrimtares Mira Meksi)

Në Panairin e librit të nëntorit që kaloi, Shtëpia botuese “Onufri” nxori në qarkullim romanin e ri të shkrimtares së mirënjohur Mira Meksi, me titull “Diktatori në kryq”. Kjo është një vepër origjinale në llojin e vet në mbarë letërsinë shqipe pas zëvendësimit të sistemit komunist dhe vendosjes së pluralizmit.

Diktatori i një vendi është sundimtari i vetëm i tij, i cili gëzon një pushtet të pakufizuar dhe qëndron mbi ligjin. Ai është i vetmi njeri me imunitet. Të gjithë qytetarët e vendit, duke filluar që nga ata që diktatori ka rreth vetes dhe deri te më i thjeshti, ai i konsideron si materiale inerte, mes të cilave mund të zhdukë kë t’i dojë dhe kur t’ia dojë qejfi. Diktatori e ka të pamundur të sundojë pa ushtruar terror mbi njerëzit. Prandaj Çurçilli (Sir Winston Churchill - 1874-1965)thotë:

“Diktatorët ecin kaluar majë tigrave, duke pasur frikë të zbresin prej tyre”.

Pikërisht një diktator të tillë ka pasur në krye vendi ynë gjatë një periudhe më shumë se gjysmëshekullore. Por me vendosjen e sistemit pluralist, klasa politike shqiptare nuk bëri as përpjekjen më të vogël për t’i hyrë analizës së veprimtarisë kriminale të atij diktatori, duke thirrur në ndihmë historianë dhe specialistë nga fusha të ndryshme të dijes, si mjekë, psikologë, ekonomistë etj. Ajo nuk e ndërmori dhe nuk mund ta ndërmerrte një hap të tillë, sepse në dhjetor të vitit 1990 vërtet u vendos pluralizmi, por nuk u përmbys rendi veteranokomunist, ky thjesht u zëvendësua me një rend neokomunist. Kjo është arsyeja që klasa politike nuk e ka dënuar zyrtarisht dhe publikisht diktatorin, me qëllim çmitizimin e tij. Përkundrazi, ajo ka lejuar që ai edhe sot e kësaj dite të mbajë titullin e “Heroit të popullit”. Klasa politike shqiptare, të paktën, për të qetësuar shpirtrat e shtresës së të përndjekurve politikë, duhej të ishte frymëzuesja dhe nxitësja e specialistëve përkatës për çmitizimin e diktatorit. Për këtë qëllim ajo mund të merrte shembull nga Gjermania.

Në janar të vitit 2016, vepra e Hilerit me titull “Lufta ime”doli nga shtypi jo në gjendjen origjinale, por e shoqëruar me pothuajse 3700 komente ekspertësh, të përgatitur nga një grup shkencëtarësh të Institutit të historisë moderne të qytetit të Mynihut. Madje në punën e këtij kolektivi, nën drejtimin e Kristian Hartnanit, qenë përfshirë jo vetëm historianë, por edhe ekonomistë, japonologë, specialistë të fushës së judaizmit dhe matje gjenetistë dhe biologë.

Hartuesit e veprës në dy vëllime, me titull “Hitler. Lufta ime. Botim kritik”, i kishin vënë vetes si detyrë të çmitizonin figurën e diktatorit dhe të zbulonin natyrën kriminale të regjimit fashist. Në libër bëhet fjalë për kontekstin historik, për njerëzit që përmend Hitleri, për ngjarjet e asaj peiudhe nga këndvështrimi i ditëve të sotme. Aty jepen shpjegime dhe bëhen përgënjeshtrime të teorive të tij të përbindshme që kanë në qendër urrejtjen kundër njeriut, si edhe hidhen poshtë kryekëput parullat propagandistike.

Udhëheqësi i grupit të hartuesve të librit, dr. Kristian Hartman, dhe drejtori i Institutit të historisë moderne të qytetit të Mynihut Andreas Virshing, patën theksuar se libri ishte një vepër antihitleriane.

Megjithatë, punën që duhej ta bënte klasa politike shqiptare me historianë dhe me specialistë të organizuar për çmitizimin e figurës kriminale të diktatorit shqiptar, e ka përballuar një historian i vetëm, dr. Vasfi Baruti, në dy veprat e veta, të titulluara “Enver Hoxha në optikë të re” (Tiranë 2013) dhe “Enver Hoxha (Gjysma tjetër e Hënës)” (Tiranë 2018).

Në të dyja këto vepra, dr. Vasfi Baruti, me fakte tronditëse, ka arritur ta çmitizojë në një mënyrë të pamëshirshme figurën e diktatorit, duke e zhveshur lakuriq në sytë e opinionit publik, pra, duke i çvlerësuar përfundimisht mitet e rreme që kishin krijuar për të propaganda komuniste, historianët e indoktrinuar dhe krejt ngrehina e Akademisë së Shkencave.

Kësisoj, në dy veprat e lartpërmendura të dr. Vasfi Barutit, bëhet çmitizimi historik i diktatorit, mbi bazën e dokumenteve arkivore dhe të shumë dokumenteve të tjera.

Kur njihet me përmbajtjen e romanit të lartpërmendur, lexuesi i vëmendshëm krijon bindjen e plotë se Mira Meksi i është pëmbajtur gjithmonë idesë se shkrimtari ka për detyrë ta tregojë të keqen vetëm me gisht, ta pasqyrojë me nota të ndezura, ta bëjë sa më shumë bindëse për lexuesin dhe t’ia përcjellë në një mënyrë sa më shteruese.

Për krijimin e kësaj vepre, Mira Meksi, si një intelektuale e shquar me brumosje atdhetare, duhet përgëzuar për guximin e saj shembullor për çmitizimin artistik që i ka bërë diktatorit në një mënyrë shembullore. Ajo ka hyrë mjeshtërisht në botën e mistershme të diktatorit dhe ka zbuluar natyrën e tij kriminale. Kur e njeh lexuesin me serinë e krimeve të diktatorit, ajo, tërthorazi, e bën atë të përsiatë dhe të pyesë veten se cilat janë arsyet që disa njerëz, duke u ngritur në majat e pushtetit, vijnë e shndërrohen në diktator.

Nxënësi i dikurshëm i Liceut të Korçës, me rezultate në mësime poshtë mesatares, ishte bërë objekt talljesh nga ana e shokëve të vet. Profesori Vedat Kokona kujton:

“… Shokët i kishin vënë nofkën “gazhel”, fjalë që kishte pak a shumë ngjyrimin e cilësorit të veshgjatit” (Vedat Kokona. “endur në tisin e Kohës”. Botimet “Kokona”,2016, f. 59).

Por, çuditërisht, ky “gazheli” i Liceut të Korçës, një ditë të bukur përfundoi student në Universitetin e Monpeliesë (Montpellier) në Francë, ku nuk dha asnjë provim për be. Në Konferencën e Labinotit (mars 1943), Mustafa Kaçaçi deklaroi publikisht:

“Ti Enver ke qenë një hiç…” (Vasfi Baruti. “Enver Hoxha (Gjysma tjetër e Hënës)”. Tiranë 2018, f. 346).

Por pikërisht ky hiç njeri, në atë konferencë, me mbështetjen e fuqishme të serbosllavizmit, përfundon në krye të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe pas 28 nëntorit 1944 mori në dorë frenat e pushtetit absolut, të cilin e ushtroi në mënyrën më kriminale gjatë më shumë se një gjysmë shekulli, sidomos ndaj intelektualëve të shquar. Dhe Mira Meksi i përcjell lexuesit shpërthimet inatçore të diktatorit kundër tyre:

“… i thoshte shpesh vetes, - duheshin vrarë, duheshin zhdukur, sidomos intelektualët, ata të shkolluarit në Perëndimin e molepsur nga e liga”.

Kompleksi i inferioritetit është burimi i smirës ndaj njerëzve të aftë, e cila, me kalimin e kohës, vjen e shndërrohet në urrejtje, deri në tërbim, në qenien e diktatorit. Në një burim, të botuar në shtyp, për diktatorin thuhet se “... një ish-liceist i Liceut Francez të Korçës,.. u kaloi tangjent studimeve të tij për biologji në Motnpellier.Në arkivat Departamentale Herault të këtij qyteti, në fondin e arkivave të Fakultetit të Shkencave, ruhet gjithashtu edhe dosja universitare e diktatorit Hoxha në regjistrin me numrin: 15 ETP 20439. Në dosjen e tij nuk figuron asnjë notë dhe asnjë diplomë. A mos ishte vallë ky dështim shkaku i armiqësisë së thellë të tij me bashkëliceistët e Liceut të Korçës? Fati i atyre, që në vitet e liceut u kryqëzuan me diktatorin Hoxha, do të ishte tragjik. Ky pikëtakim dhe përplasja e tyre ideologjike, do t’u kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë mjaft prej liceistëve të Korçës. Sepse shumë prej tyre që e kishin njohur nga afër Hoxhën, miq dhe shokë, por edhe ata që e njohën në mënyrë të rastësishme, u bënë pjesë e një vargu të gjatë eliminimesh dhe ekzekutimesh. Të konsideruar si kundërshtarë politikë, edhe pse me një potencial intelektual të padiskutueshëm, ata përfunduan pafajësisht në gijotinë, u internuan, u burgosën, u torturuan, u vranë dhe u zhdukën, menjëherë pas vendosjes të diktaturës në Shqipëri”(Ermira Xhoamqi.“Liceu Francez, fati i paracaktuar i të rinjve, që donin dijen perëndimore”. Gazeta “Panorama”.08 shkurt 2018).

Pas analizës artistikisht të gjetur që shkrimtarja i bën figurës së diktatorit përmes bëmave të tij kriminale, ajo e çon lexuesin mjeshtërisht drejt një përfundimi logjik: njeriu, të cilin e mundon kompleksi i inferioritetit për shkak të paaftësive të tij, e ka të pamundur t’u dalë përballë njerëzve të talentuar me tjetër mënyrë, përveçse me forcën e pushtetit absolut, të cilin mundohet ta hedhë në dorë me çdo mënyrë.

Dhe diktatori e kishte të gatshëm modelin e pushtetit absolut. Mira Meksi i kujton lexuesit se ai ishte “biri ideologjik i Stalinitdhe gjithë bota e dinte. Biri që e mbrojti edhe kur gjithë bota e rrëzoi… Biri, që në emër të Atit kish krijuar dhe kish ushqyer kultin e individit të pavdekshëm…”.

Duke e shtruar problemin e kultit të individit të diktatorit në veprën e vet artistike, Mira Meksi i çel një dritare lexuesit, prej nga ai mund të vëzhgojë ecurinë e ngritjes drejt majave të pushtetit absolut pikërisht të individëve me aftësi të kufizuara, të cilët e kanë të pamundur vetafirmimin publik pa një pushtet të tillë. Prandaj, sapo arrijnë majat e pushtetit dhe e kthejnë këtë në absolut, individë të tillë bëjnë ç’është e mundur për konsolidimin e tij.

Diktatori, domosdo, Stalinin do ta kishte si yll karvani në ushtrimin e diktaturës së tij. Sepse edhe Stalini, po ashtu, vuante nga kompleksi i inferioritetit. Arsimimi i tij ishte nën nivelin e mesatares: kishte bërë gjith-gjithë pesë klasë shkollë. Por ai e vërtetoi në praktikë se, nëpërmjet terrorit, popullin mund ta çosh deri në atë shkallë, që ai ta himnizojë diktatorin, paçka se ky e shkel me këmbë.

Nuk mund të mos vuante nga kompleksi i inferioritetit edhe Hitleri, i cili arriti të merrte pushtetin në Gjermani në vitin 1933. Studiuesi gjerman Anton Noimair (Anton Neumayr - 1887-1954), në një punim me titull “Portreti i diktatorit”,punim që ia pati kushtuar figurës së Napoleonit, të Hitlerit dhe të Stalinit, ka theksuarseHitleri e pati përjetuar me një tronditje të rëndë shpirtërore dështimin që pësoi gjatë një përpjekjeje që bëri për të hyrë në Akademinë e Arteve Figurative të Vjenës në vitin 1907. Ai dështim solli si pasojë urrejtjen e tij të hapur ndaj njerëzve të talentuar, të integruar më së miri në radhët e shoqërisë, urrejtjen ndaj gjithçkaje që kishte lidhje me universitetet dhe me akademitë. Në përmbysjen e ëndrrave të jetës së tij për t’u bërë piktor ose arkitekt, ai bënte fajtor jo vetveten, por mendjemadhësinë dhe paaftësinë e profesorëve akademikë. Hitleri e ndiente veten të braktisur nga shoqëria, çka e nxiti të gjente strehë në një gjendje anonimati: në fillim në një vendstrehim për njerëzit pa banesë dhe më pas në një konvikt për meshkuj.

Ishte pikërisht kompleksi i inferioritetit ai që e bëri Hitlerin, pas hedhjes në dorë pushtetit, të synonte të arrinte lavdinë e Frederikut II (Friedrich II. der Große -1712-1786), përfaqësuesit të shquar të absolutizmit iluminist dhe themeluesit të organizimit shtetëror prusiano-gjerman,dhe t’ia kalonte edhe lavdisë së Napoleonit nëpërmjet një terrori të egër.

Në këtë roman, Mira Meksi ka zbuluar pa mëshirë natyrën kriminale të diktatorit.

“Askush nuk e dinte, përpos të vdekurve, se ai i kishte filmuar të gjitha ekzekutimet e rëndësishme minutë për minutë, çast pas çasti, gjer kur gropa e përbashkët mbulohej nga dheu i zi… Kish parë dhe stërparë vështrimin e syve kur toga e pushkatimit merrte komandën për zjarr…”.

Diktatori nuk mund të vepronte ndryshe. Ai ndiqte me besnikëri gjurmët e Hitlerit dhe të Stalinit në qëndrimin kriminal ndaj viktimave të veta.

Hitleri pati dhënë urdhër të filmoheshin skenat e torturave dhe të ekzekutimeve të gjeneralëve që patën marrë pjesë në komplotin kundër tij, pati urdhëruar që ai dokumentar të shfaqej disa herë në praninë e tij, në mënyrë që të kënaqej me pamjet e kufomave të varura në çengela, me pantallona të zhveshura. Fotografinë e asaj skene madje e mbante në tryezën e tij të punës.

Stalini krenohej që kishte qenë i pari, i cili, pas revolucionit bolshevik të vitit 1917, kishte dhënë urdhër të torturoheshin të burgosurit politikë. Ai e kishte për krenari që, gjatë periudhës së sundimit të tij, metodat e torturave që përdorte Komisariati i Punëve të Brendshme, ua kishin kaluar atyre që qenë përdorur deri asokohe. Herë-herë Stalini ndiente një kënaqësi të veçantë kur zgjidhte personalisht metodën e torturës së njërës ose tjetrës viktimë. Ai ndiente kënaqësi të madhe kur jepte urdhra për tortura shpirtërore, gjatë të cilave viktimat i mbante pezull në një gjendje dëshpërimi dhe frike mes shprehjeve të simpatisë së çiltër dhe shpalljes paskëtaj të dënimit me vdekje.

Mira Meksi ka hyrë në botën e përsiatjeve të diktatorit, i cili kërkon që kulti i tij të hyjnizohet në mendjet e njerëzve. Dhe këtu ajo zbulon me art se njëra nga veçoritë e ushtrimit të pushtetit të diktatorit shfaqet në aftësinë e tij për ta ushqyer mbarë shoqërinë me qenien e vetvetes. Prandaj ai mundohet të futet në indin e saj nëpërmjet pushtimit të çdo qoshke të vendit të tij. Kësisoj ai kërkon që në sytë e njerëzve të zërë vendin e Hyjnisë, me qëllim që t’i bindë se prej tij varet mirëqenia e tyre. Kështu që ata duhet të vendosin shenjën e barazisë mes diktatorit dhe shtetit, në kuptimin që nëse nuk ekziston diktatori, nuk ka më shtet. Sigurisht, kur diktatori synon të shndërrohet në Hyjni, në këtë mes ka diçka argëtuese, por duke krijuar kultin e individit, ai arrin disa pikësynime. Ai kërkon t’u futë frikën njerëzve, pra, t’i detyrojë kundërshtarët politikë të mendojnë mirë para se të ndërmarrin ndonjë hap kundër tij, duke ua bërë të qartë se ai është i pamposhtshëm. Veç kësaj, në psikologjinë e njerëzve diktatori kërkon të krijojë bindjen se ai gëzon statusin e Hyjnisë, çka i siguron një pushtet politik absolut. Dhe, të vësh në diskutim pushtetin e diktatorit, është njëlloj sikur ke vënë në diskutim ligjet e natyrës. Por pushteti absolut sjell pasoja të rënda. Historiani dhe politikani i njohur anglez, lordiXhonAkton (John Acton - 1834-1902), thotë: “Pushteti të degjeneron, pushteti absolut të degjeneron në mënyrë absolute”.

Nën presionin e furishëm të pushtetit absolut të diktatorit, edhe masat e gjera të popullit zënë e shushaten dhe, me kalimin e kohës, fillojnë të besojnë se ai ka tiparet e Hyjnisë.

Regjisori rus i filmave dokumentarë Vitali Manski (1963), thotë:

“Putini po jeton në një realitet krejt tjetër, në një realitet “hyjnor”.Dhe, për pasojë, - vazhdon regjisori, - “pjesa dërrmuese e popullsisë ruse e përfshin atë në radhën e shenjtorëve”(Citohet sipas: “Ç’ka në kokë një diktator?”.Faqja e internetit “Novaja gazjeta”. 29 qershor 2016).

Sigurisht që edhe Putini, si diktator i kohëve moderne, jeton në një realitet “hyjnor”, sepse edhe ai ka vuajtur dhe vuan nga kompleksi i inferioritetit. Shoku i klasës së Putinit në shkollën e sigurimit, Juri Shvec (1952), thotë:

“Në KGB Putinin e quanin “Bisht Cigareje”, më pas i vunë nofkën “Tenjë e Zbehtë”, kurse tani e quajnë “Botoks” (botox -ilaç për heqjen e rrudhave të fytyrës, prodhim i kompanisë amerikane “Allergan” - E.Y.)... Unë kam komunikuar me njerëz që e njihnin mirë Putinin shumë kohë para se ai të zgjidhej president. Të gjithë theksonin se, përveç aftësive të rëndomta intelektuale, ai binte në sy edhe për komplekse të jashtëzakonshme inferioriteti. Putinin e torturonte për vdekje trupi i tij i shkurtër, komleksi i inferioritetit i lexohej në gjithë figurën dhe fytyrën e tij” (Citohet sipas: Natalia Dvali. “Shoku i klasës së Putinit, ish-zbulues i KGB-së: Ju seriozisht e keni kur mendoni që Putini, i cili merret me heqjen e rrudhave të fytyrës, do të shpërthyeka ndonjë luftë bërthamore? Atij, nga frika, do të fillojë t’i rrjedhë botoksi”.Faqja e internetit “GORDON”. 28 prill 2015).

Shtrohet pyetja: mos vallë edhe populli ynë, në kushtet e neodiktaturës, është duke ecur në gjurmët e popullit rus?

Për të arritur deri te barazimi i vetvetes me Hyjninë, diktatorit i duhet ta largojë popullin nga feja. Prandaj Mira Meksi i përcjell lexuesit një monolog domethënës të diktatorit:

“… ajo që doja të arrija në direktivat e mia ishte veç brumosja e njeriut të ri me materializmin e Marksit. Feja është opium për popujt, ky mësim i madh duhet të drejtonte jetën e bashkëkombasve të mi, t’i edukonte ata”.

Dhe diktatori i turret fesë me tërbim. Mira Meksi thekson se vrerin kryesor ai e vjell kundër katolicizmit, kundërshtarit kryesor të diktaturës komuniste. Dhe “kishte të drejtë” ta urrente katolicizmin, si vatrën e nacionalizmit shqiptar, sepse përfaqësuesi i shquar i tij, Atë Gjergj Fishta, kishte qëndruar burrërisht në vijën e parë të luftës për demaskimin e shovinizmit serbosllav, të cilit diktatori i pati shërbyer me një zell të jashtëzakonshëm që prej 08 nëntorit të vitit 1941. Urrejtja e diktatorit ndaj katolicizmit të kujton të njëjtën urrejtje që pati ushqyer ndaj tij edhe Hitleri.

Në punimin e lartpërmendur, Anton Noimairi është ndalur edhe në qëndrimin e Fyrerit ndaj katolicizmit. Ai ka shkruar se pas përfundimit të një marrëveshjeje me Romën në vitin 1933,Hitleri pati planifikuar që t’i jepte një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje, sepse, sipas mendimit të tij, i duhej dhënë fund bashkekzistencës me katolicizmin, të cilin e vlerësonte si një dukuri të turpshme për kulturën.

Mira Meksi zbulon djallëzinë e diktatorit në organizimin e fushatës kundër fesë, të cilën ai e quante hidër që rrezikonte komunizmin. Prandaj, për ta bindur opinionin publik se nuk ishte ai që u ngrit kundër saj, ai vuri në lëvizje njërën nga levat e diktaturës, të yshtur prej tij me marifet: rininë.

“Ndeza veç një pishtar në trup të fesë, të cilin fëmijët e shkollës, rinia e Durrësit e para... dhe më tej tërë rinia e vendit dhe gjithë shqiptarët, ma rrëmbyen nga dora, i vunë në fillim zjarrin kishës së Shna Vlashit dhe më tej tërë vendit, përcëlluan dhe dogjën edhe vetë emrin e fesë”.

Marifete të tilla janë në natyrën e diktatorëve. Ata i përdorin këto lloje marifetesh për të maskuar krimet e veta, duke i thënë opinionit publik se ata thjesht po zbatojnë vullnetin e masave. Me fjalët e mësipërme të diktatorit, Mira Meksi më bën të sjell ndër mend përmbajtjen e një vepre të Leopold Sondit (Léopold Szondi - 1893-1986), psikolog, psikiatër dhe psikanalist hungarez dhe zviceran. Në monografinë e tij me titull “Kain, Gestalten des Bösen”(Kaini, figura e së keqes), Sondi thekson se mbretërit dhe perandorët, politikanët dhe fyrerët që vuajnë nga mania e madhështisë, kanë arritur që, në çfarëdo epoke, të tërheqin, të mobilizojnë masat shumëmilionshe të njerëzve për qëllimet e tyre të turpshme dhe t’i detyrojnë të kryejnë krime të përbindshme, me të vetmin qëllim që të krijohet bindja në opinionin e gjerë se një pjesë e të ashtuquajturit popull përbëhet prej kainësh të fshehtë, të cilët mezi presin atë moment, kur atyre, nën maskën e patriotëve”, do t’u lejohet t’i shpërthejnë lirshëm pasionet e tyre prej kriminelësh të pamëshirshëm. Kësisoj, Sondi arrin në përfundimin se masa e njerëzve është një maskë ideale, prapa së cilës mund të fshihen kainët e rinj, sepse ajo i çliron diktatorët nga përgjegjësia personale.

Me zhdukjen e fesë, diktatori i dha vetes tiparet e Hyjnisë. Prandaj Mira Meksi shkruan:

“U grisën dhe u dogjën librat fetarë dhe shkrimet e shenjta. U zëvendësuan më pastaj me veprat e Tij”.

Pra, shqiptarëve, deri asokohe, siç shkruan ajo në vazhdim, “askush nuk kish guxuar t’u merrte Zotin”.

Sigurisht, botimi i veprave të diktatorit ishte njëra nga mënyrat e rrënjosjes së kultit të individit në ndërgjegjen e njerëzve.

Pohimi i mësipërm i Mira Meksit të sjell në kujtesë një libër të gazetarit dhe të shkrimtarit norvegjez Mikal Hem, të titulluar “Të jesh diktator: udhëzim praktik”, përmbajtja e të cilit përshkohet nga ideja se kulti i individit krijohet saktësisht përmes portreteve dhe statujave në mbarë vendin, marrjes së titujve, krijimit të ideologjisë shtetërore me emërtim tingëllues, emërtimit të objekteve të ndryshme me emrin e diktatorit, vënies në shërbim të diktatorit të mjeteve të informimit masiv, sajimit të ligjeve të pazakonta, shkrimit të librave.

Mikal Hemi e vë theksin tek ideja se veprat e diktatorit duhet të jenë të llojit të veçantë, se ato duhet të përmbajnë profetizime dhe moralizime, të cilat do të shërbejnë si bazë për rrënjosjen e kultit të individit në vetëdijen e njerëzve. Koha e vërtetoi se cila ishte “vlera” e veprave të diktatorit.

Më lart u theksua se për çmitizimin e librit të Hitlerit, mes specialistëve të ndryshëm, qenë përfshirë edhe ekonomistë. Sikur klasa politike shqiptare të kishte marrë një vendim për çmitizimin e diktatorit, patjetër që do të ishte më se e domosdoshme që në grupin e specialistëve përkatës të përfshiheshin edhe ekonomistë. Sepse botimi i veprave të diktatorit në gjuhën shqipe dhe të jo pak prej tyre edhe në disa gjuhë të huaja, asokohe i ka kushtuar shumë shtrenjtë arkës së shtetit. Atëherë kanë qarkulluar mendime se kostoja e botimit të tyre i ka kushtuar shtetit miliona dollarë. Brezi i ri e ka të vështirë ta besojë, por brezi i dytë dhe brezi i tretë e kanë parë me sytë e tyre se si ekspozoheshin në mbarë vendin “veprat” e diktatorit, duke arritur deri te vëllimi 71, i cili reklamohej si “relike e çmuar” majë ndërtesave më të larta të qendrave të qyteteve në fundin e viteve ’80. Pra, diktatori, përveç krimeve të rënda që kreu kundër popullit shqiptar, duhej të çmitizohej edhe për grabitjen e vlerave monetare të vendit për botimin e “veprave” të tij që përfunduan në koshin e mbeturinave.

Shkrimtarja Mira Meksi, me elegancën e imagjinatës së vet, e zhvendos lexuesin në botën e përsiatjeve të diktatorit në vetminë e tij në kohën e pragvdekjes. Sigurisht që diktatori e ka të vështirë të ndahet nga pushteti absolut dhe, po të kishte mundësi, do të ngrinte krye edhe kundër Hyjnisë që ka shpikur vdekjen. Prandaj ai ëndërron për ringjalljen.

“U kthye me mendje sërish te vdekja e tij e afërt, sidomos te ringjallja. Vdekja i la në gojë amzën e hidhur të rrugëtimit vetmitar e të pambrojtur të trupit... Por edhe frikën e takimit, në atë rrugëtim të mbramë, me viktimat e tij”.

Pra, në fanitjen para syve të viktimave të diktatorit, Mira Meksi shikon arsyen e vetmisë së tij vrastare.

Psikiatri dhe psikologu amerikan me prejardhje çeke Stanislav Grof (1931), autor i librit me titull “Beyond the Brain” (Përtej caqeve të trurit), thotë:

“Diktatori përjeton jo forcën, por kompleksin torturues të inferioriteti, etjen e tmerrshme për t’u rrëfyer, vetminë e padurueshme dhe një mosbesim që e gërryen përbrenda. Gjatë terapisë së thelluar empirike, “kompleksi i diktatorit” zgjidhet me përmbylljen e procesit të vdekje-ringjalljes”.

Një dukuri interesante kjo: edhe një shkrimtare e talentuar, edhe një psikiatër dhe psikolog i shquar vijnë në të njëjtin përfundim: diktatori, i marrosur pas pushtetit absolut, kërkuaka të mos ndahet prej këtij të fundit, duke u rikthyer përmes ringjalljes. Vetvetiu të vjen ndër mend një aforizëm i bukur i Fitzxheraldit (Francis Scott Key Fitzgerald- 1896-1940), shkrimtar amerikan, përfaqësuesi më i shquar i të ashtuquajturit “brez i humbur”:

“Kurrfarë mrekullie e prekshme, reale, nuk mund të krahasohet me faktin se ç’mund të grumbullojë njeriu në humnerat e fantazisë së vet”.

Por jeta vërtetuaka se fantazia e Mira Meksit dhe e Stanislav Grofit për dëshirën e diktatorit që ëndërruaka ringjalljen, u mbështetka mbi një truall konkret. Le të flasim me gjuhën e fakteve:

Në një libër mjaft interesant, të botuar për herë të parë në Turqi në vitin 1991, me titull “Kendini arayan adam”(Njeriu që kërkon vetveten), me autor as.doc.dr.Halit Ertogrul, jepen të dhëna befasuese në lidhje me çastet e fundit të jetës së Josif Broz Titos. Në këtë libër, në faqen 105-106, autori jep rrëfimet e Sali Gokkaya, i cili kishte kaluar 50 vjet të jetës së tij në shërbim të ideologjisë komuniste. Ai kishte kryesuar delegacionin e komunistëve turq, me rastin e vizitës që i kishte bërë kryetarit dhe liderit komunist të Jugosllavisë, Titos. Ja rrëfimi i tij:

“Në vitin 1980 gjendeshim në Beograd me ftesën e presidentit të Jugosllavisë Mareshalit Tito. Përreth shtratit të liderit komunist, i cili kishte kaluar 70 vjet nga jeta e tij 88-vjeçare në shërbim të komunizmit dhe Jugosllavisë, shkonin e vinin shërbëtorë që plotësonin dëshirat e fundit të tij.Lideri i moshuar komunist nuk ishte më i zoti të fliste, ashtu siç kishte aftësi për të folur më parë kur u drejtohej miliona njerëzve, ngase tashmë funksioni i duarve dhe i këmbëve të tij ishte dobësuar shumë. Sytë e tij, sa herë që fliste, i mbusheshin me lot, buzët i dridheshin, ndërsa fytyra e tij tashmë kishte marrë një pamje krejtësisht tjetër, kishte një pamje që prezantonte dhembshuri. Me të kuptuar gjendjen e tij, unë desha t’i them diçka për ta ngushëlluar. Duke iu drejtuar me këto fjalë, i thashë:

“Zotëri, ju nuk duhet tëtrembeni nga vdekja, sepse ndoshta me trup do të largoheni nga kjo jetë, por shpirtërisht dhe me veprat tuaja do të jeni gjithmonë prezent në zemrat e njerëzve. Por me të dëgjuar fjalën vdekje,ai u prek thellë dhe pamë se si filloi të dridhet, sikur ta kishte zënë tërmeti. Fjalët e tij që i tha në ato momente, ende buçasin në veshët e mi”, - thotë Gokkaya, dhe vazhdon të transmetojë fjalët e Titos:

“Po. Unë po vdes. Por, edhe po t’jua shpjegoj juve që jeni të shëndetshëm, nuk do të mund të më kuptoni në këtë moshë. Ndarja nga  shokët, miqtë, nga posti dhe nga pozita, të bën të çmendesh. Juve, shokë, do t’jua tregoj diçka me zemër të hapur. Në qoftë se pasi të vdes, trupi im do të bëhet dhé, dhe në qoftë se nuk do të ketë ringjallje, shpërblim dhe ndëshkim, atëherë cila kishte me qenë vlera e përpjekjeve të jetës sime? Ju lutem, mëthoni! Në qoftë se unë do të ndëshkohem deri në pafundësi, atëherë çfarë vlere ka të jetoj në zemrat e të tjerëve dhe të duartrokitem. Pas vdekjes sime, a thua do të arrijë zhurma e duartrokitjeve që bëhen për mua, për të ndaluar gjarpërinjtë dhe krimbat, që të mos e hanë kufomën time?..”. (Citohet sipas: Shevki Sh. Voca. “Pendimi i Josip Broz Titos”.Faqja e internetit “Radio Islame”.15 nëntor 2008).

Duke pasur parasysh dëshirën e Titos për ringjallje, rezulton se në pohimin e Mira Meksit kemi të bëjmë me një trill artistik, kurse në pohimin e Stanislav Grofit kemi të bëjmë me një trill shkencor. Prandaj ka të drejtë skenaristi, shkrimtari dhe gazetari anglez Frederik Rafaeli(Frederic Raphael -1931) kur thotë:

“E vërteta është më mbresëlënëse se trilli, por trilli ama është më afër realitetit”.

Me botimin e këtij romani, Mira Meksi mund të radhitet denjësisht pranë atyre shkrimtarëve, të cilët në veprat e tyre kanë skalitur me mjeshtëri pasojat e sundimit diktatorial. Këtu po përmend disa prej tyre.

Shkrimtari gjerman Bertold Breht (Bertolt Brecht- 1898-1956) romanin-pamflet me titull “Punët e zotitJul Çezar”, e pati shkruar në vitet 1937-1938, kur hitlerizmi ndodhej në ngritje e sipër dhe as që parashikohej shembja e ardhshme e diktaturës. Por në vitin 1939, në novelën me titull “Çezari dhe legjioneri i tij”,po me të njëjtën analogji historike me Jul Çezarin, ai parashikoi përmbysjen e diktatorit.

Në vitet 1944-1947, shkrimtari francez Alber Kamy(Albert Camus - 1913-1960)shkroi pjesën “Kaligula”, në të cilën i përcjell lexuesit fjalët e diktatorit romak:

“Në mbarë perandorinë romake, i lirë jam vetëm unë”.

Duke shfrytëzuar mundësinë për të qenë i pandëshkueshëm, të cilën e pati shpallur si parullë politike të pushtetit të pakufizuar të diktatorit, mekanizmat e fshehta të politikës shtetërore Kaligula i shpallte haptas. Prandaj ai deklaronte:

“Të sundosh,do të thotë të vjedhësh... Për sa më përket mua, unë do të vjedh haptas”.

Në skalitjen e figurës së Kaligulës, Alber Kamy vjen dhe e shton motivin e tmerrshëm të vetmisë së diktatorit që u mbyll me fundin e tij tragjik.

Shkrimtari amerikan Torton Uailder(Thornton Niven Wilder - 1897-1975), ështëautor i romanit “The Ides Of March” (Idat marsiane -kështu quhej te romakët e lashtë dita në mes të marsit që i kushtohej Jupiterit. Në kuptimin figurativ, kjo shprehje do të thotë “dita e ngjarjeve fatale”, sepse më 15 mars të vitit 44 p.e.r qe vrarë Jul Çezari), të botuar në vitin 1948,në të cilin hero kryesor është diktatori Jul Çezari. Si një shkrimtar i vëmendshëm, që ka trajtuar proceset më të thella të aktualitetit, Uailderi hedh dritë mbi shkaqet politikosociale të shembjes së dikturave. Romani ishte rezultat i përsiatjeve të shkrimtarit për fatet e Evropës të kohës së Luftës së Dytë Botërore

Në roman ai u ofron lexuesve një letër të Çezarit për Kleopatrën:

“Domosdoshmëria për të tërhequr njerëzit pas vetes, e thellon vetminë e natyrshme të njeriut. Çdo urdhër që nxjerrim vjen dhe e shton vetminë tonë, çdo shenjë respekti që manifestohet ndaj nesh, na largon edhe më shumë nga njerëzit e tjerë”.

Dhe Kleopatra i përgjigjet:

“... ju me të vërtetë keni krijuar rreth vetes murin e vetmisë, një mur të tepruar madje edhe për sundimtarin e botës”.

Duke u njohur me jetë diktatorësh të zhytur në krime kundër popujve të tyre, lexuesit, vetvetiu, mund t’i lindë një pyetje e thjeshtë:

Po vallë a do të jetë e mundur ndonjëherë që ndokush nga diktatorët, i cili, në gjalljen e vet, t’i thërrasë mendjes për krimet e kryera dhe të marrë guximin për të dalë me një pendesë publike para popullit të tij?

Filozofi i shquar gjerman,Kanti (Immanuel Kant- 1724-1804), kësaj pyetjeje i ka dhënë një përgjigje shteruese:

“Sundimtari suprem duhet të jetë i drejtë me vetveten dhe me këtë rast të vazhdojë të mbetet njeri. Kjo është një detyrë nga më të vështirat, aq më tepër që kjo detyrë është e pazgjidhshme: njeriu është latuar prej një druri kaq të shtrembër, saqë asnjë marangoz nuk është në gjendje ta drejtojë. Natyra na ka ngarkuar përsipër vetëm detyrën për t’iu afruar këtij ideali”.

Kompozicioni i romanit të shkrimtares Mira Meksi e orienton lexuesin drejt idesë kryesore të veprës - idesë së marrëzisë së ekzistencës së tiranisë në shoqërinë njerëzore.

Romani mbyllet me fjalinë në vijim:

“Po e kryqëzonin edhe të vdekur dhe nuk kishte një mundësi të dytë në tokë”.

Pra, fundi i biografisë së diktatorëve zakonisht është tepër i mjerueshëm. Dhe sado të vërtitet njëri ose tjetri sundimtar për ta paraqitur veten si Hyjni para popullit të vet, njerëzit, herët ose vonë, do të arrijnë deri tek e vërteta dhe do ta nxjerrin lakuriq në sytë e botës.

Santa Barbara, Kaliforni

30 dhjetor 2019

#eshref #ymeri

39 views

Shkrimet e fundit