top of page

Vullnet Mato: PRANVERA KULMON NË MAJ

  • May 1
  • 1 min read

Vullnet Mato: PRANVERA KULMON NË MAJ

 

Kur vegjetimi shpërthen furishëm në maj,

pranvera arrin blerimin kulmor të saj.

Çdo pëmë e degë, në të gjitha viset,

plot gjethe e lule, në maj stoliset.

 

 Në maj pyjet, lënë zhveshur nga thëllimi,

me kostum të ri i vesh kudo blerimi.

Livadhet ndrijnë deri larg si pasqyra,

dhe petalet vetëtijnë në mijëra ngjyra.

 

 Pasi bora ka shkuar të  flej në det,

malet frymojnë, nën diell të nxehtë,

dhe me qumështin e gjirit shkëmbor,

ushqejnë bimësinë, në prehrin fushor.

 

 Në maj përrenjtë gurgullojnë me zhurmëri,

të arrijnë shpejt lumenjtë në largësi.

Ujëvarat shkumbojnë, prej lartësive,

të lindin ylberët, me ngjyrime drite.

 

 Në maj fusha merr pamje bujkeshe,

dhe shkëlqen nga vesa, në mëngjese.

kombajnat gatiten ofiçinave fushore,

teksa po piqet gruri i bukës verore.

 

 Me fustanët e rinj, që toka ka veshur,

në maj ngjan njësoj, si nuse e qeshur.

Zogjtë në kor i këndojnë pranverës,

apo luhatin krahët, mes flladit dhe erës.

 

 Në maj bilbilat ligjërojnë më të ëmblat melodi,

të ftojnë djem e vajza, në dashuri.

Teksa turtujt e papagajtë, urojnë pleqtë,

majin e blertë, të përcjellin për shumë vjet!...  

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page