Nexhbedin Basha: KUVENDI VII KOMBËTAR I LSHA-së
- May 20
- 4 min read

Nexhbedin Basha: KUVENDI VII KOMBËTAR I LSHA-së – NJË RISTART I SHUMËPRITUR I LETËRSISË DHE ARTIT SHQIPTAR
Më 19 maj 2026, në ambientet e Hotel Tirana Internacional, u zhvillua Kuvendi VII Kombëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, një ngjarje e rëndësishme kulturore që solli bashkë shkrimtarë, poetë, artistë e krijues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare.
Ky kuvend, i thirrur nga Kryetari i LSHA-së, z. Hysen Sinani, u zhvillua në një klimë të hapur debati dhe reflektimi për gjendjen e letërsisë dhe artit shqiptar, si dhe për nevojën e një reformimi të thellë të këtij institucioni të rëndësishëm kombëtar.
Në raportin e tij përmbledhës, kryetari në detyrë Hysen Sinani u ndal tek problematikat që ka kaluar ndër vite Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, veçanërisht pas heqjes së godinës së saj dhe mungesës së mbështetjes institucionale, çka solli dobësimin e funksionimit të saj për më shumë se dy dekada.
Diskutimet në kuvend qenë të shumta dhe të larmishme. Në thelb të tyre qëndronte domosdoshmëria e ristrukturimit të LSHA-së, krijimi i një fryme të re demokratike dhe rikthimi i saj në një tribunë të lirë të mendimit letrar e artistik.
Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Prof.Dr. Shyqyri Galica, vlerësoi nismën e nisur nga debati publik në median e shkruar dhe portalet kulturore, të iniciuar nga Dr. Mujo Bucpapaj në gazeta "Nacional", duke theksuar se kjo lëvizje gjeti mbështetje të gjerë në gjithë hapësirën shqiptare. Ai kërkoi rritjen e bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy lidhjeve dhe e cilësoi kuvendin si një vlerë kombëtare në shërbim të kulturës shqiptare.
Ndërsa shkrimtari Albert Zholi e quajti këtë kuvend “një udhëtim të ri”, duke ngritur tri çështje thelbësore: bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës, menaxhimin profesional të jurive për botime e përkthime dhe krijimin e një raporti të ri institucional me krijuesit.
Në moderimin e punimeve të Kuvendit VII të LSHA-së shërbeu znj. Nurie Maliqi Baduni, e cila njëkohësisht ishte edhe pjesë e sekretarisë së punimeve, duke kontribuar në organizimin dhe rrjedhën e rregullt të dokumentacionit të kuvendit. Me profesionalizëm dhe korrektësi, ajo siguroi një atmosferë të qetë dhe të disiplinuar gjatë gjithë zhvillimeve të aktivitetit. Në përbërje të sekretarisë dhe në dokumentimin vizual të punimeve kontribuoi gjithashtu fotografi Kristaq Janushi, i cili pasqyroi me imazhe momentet kryesore të këtij eventi të rëndësishëm kulturor.
Në diskutime morën pjesë edhe emra të njohur të letrave shqipe si Bashkim Hoxha, Shefki Hysi, Agim Xhaka, Hajro Limaj, Emi Krosi, Blerina Pëllumbi, Agim Bajrami, Mark Simoni, Kujtim Hajdari, Manushaqe Shalsi, Senada Demushi Delaj, Albert Abazaj dhe shumë krijues të tjerë, të cilët sollën ide, kritika dhe vizione për të ardhmen e LSHA-së. Në kuvend u dëgjua dhe u vlerësua mendimi ndryshe, si një sinjal pozitiv për të ardhmen.
Një detaj i veçantë dhe simbolik i këtij Kuvendi ishte edhe diskutimi i skulptorit mirditor Llesh Biba, i cili u ngjit në podium duke sjellë me vete një instalacion të punuar prej tij: një kuti druri, brenda së cilës ndodhej një zinxhir dhe një shkop i gdhendur me shqiponjën, realizuar me kujdes dhe mjeshtëri artistike. Përmes kësaj metafore të fuqishme vizuale, ai përcolli mesazhin se fjala e lirë mund të lidhet apo të kufizohet, por gjithsesi mbetet e aftë të çlirohet dhe të përhapet në gjithë hapësirën kombëtare. Në thelb të këtij interpretimi artistik qëndronte ideja e lirisë së shprehjes dhe e së drejtës së secilit krijues për të dhënë mendimin e tij në mënyrë të hapur, ide që u prit me vëmendje dhe u vlerësua në sallë si një ndër momentet më domethënëse të kuvendit.

Si delegat i këtij kuvendi, gazetar dhe krijues, pata mundësinë të ndjek nga afër frymën e jashtëzakonshme mbështetëse që shoqëroi këtë organizim. Në diskutimin tim theksova se një reformim i tillë ishte bërë domosdoshmëri për kohën dhe për vetë fatin e kulturës sonë kombëtare. Vlerësova gjithashtu iniciativën dhe kontributin e Dr. Mujë Buçpapajt për rikthimin e debatit kulturor dhe të frymës demokratike në jetën letrare shqiptare.
Si anëtar i komisionit të votimit për zgjedhjen e kryetarit dhe kandidatëve për Këshillin e LSHA-së, ku ishin dy kandidat Dr.Mujo Buçpapa dhe Pirro Pjetërnikaj, pashë qartë mbështetjen e gjerë që gëzoi kandidatura e Dr. Mujë Buçpapajt. Nga 139 delegatë pjesëmarrës, 134 vota shkuan për të, duke e zgjedhur Kryetar të ri të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ky rezultat ishte më shumë se një votim. Ishte një mesazh i qartë se shkrimtarët, poetët dhe artistët shqiptarë kërkojnë një letërsi dhe art të lirë, demokratik dhe larg ndikimeve burokratike apo politike.
Në kuvend u theksua gjithashtu se nuk bëhej fjalë për krijimin e një lidhjeje të re, siç ishte pretenduar nga disa zëra, por për riorganizimin dhe reformimin e një institucioni ekzistues, të regjistruar ligjërisht dhe me histori të njohur kulturore. Vetë fakti që kuvendi u thirr nga kryetari në detyrë, Hysen Sinani, i dha legjitimitet të plotë këtij procesi demokratik.
Dr.BUÇPAPAJ: "LSHA-ja DO TË RIKTHEHET TRIBUNË E MENDIMIT TË LIRË"
Në fjalën e tij përshëndetëse pas zgjedhjes, Dr. Mujë Buçpapaj falënderoi delegatët për votëbesimin plebishitar dhe premtoi se LSHA-ja do të rikthehet në një tribunë të mendimit të lirë, dialogut kulturor dhe mbrojtjes së dinjitetit të krijuesit shqiptar.
Kuvendi VII Kombëtar i LSHA-së mbetet një moment i rëndësishëm i ristartimit të jetës letrare dhe artistike shqiptare — një përpjekje serioze për ta kthyer këtë institucion në shtëpinë shpirtërore të krijuesve shqiptarë, brenda dhe jashtë atdheut.
KUSH ËSHTË DR. MUJË BUÇPAPAJ?
Mujë Buçpapaj është poet, studiues i letërsisë, pedagog universitar, publicist dhe një nga figurat më të njohura të kulturës bashkëkohore shqiptare. Sot ai është Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, i zgjedhur me shumicë absolute votash në Kuvendin VII të Riorganizimit të LSHA-së, zhvilluar më 19 maj 2026 në Hotel Tirana International.
Ai është themelues dhe botues i gazetës letrare e kulturore “Nacional”, nga ku nisi debati publik për reformimin dhe riorganizimin e LSHA-së, debat që gjeti mbështetje të gjerë nga krijues shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
Dr. Mujë Buçpapaj ka drejtuar Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”, Zyrën Shqiptare për të Drejtat e Autorit dhe Institutin e Studimeve Nacionale. Përmes krijimtarisë, studimeve dhe angazhimit të tij publik, ai është shquar si promovues i letërsisë shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe mbrojtës i interesave të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë.
Nexhbedin Basha
Delegat i Kuvendit VII të LSHA-së
Gazetar & Poet








Comments