Vullnet Mato: MË THËRRASIN HAPËSIRAT
- Mar 13
- 1 min read

Vullnet Mato: MË THËRRASIN HAPËSIRAT
Më thërret nga larg një puhizë e lehtë,
lulet me aromë, të freskojmë bashkë.
Më presin zogjtë, të ngremë foletë,
në degë pemësh, thurur me kashtë.
Një pishë e blertë, më fton në shkrep,
ta sodis, kur nxjerr qerpikët prej vajze.
Më fton një gurgullimë përroi e shpejtë,
të vaditim arat, gjatë fushës së madhe.
Më thotë fajkoi që rreh krahët përpjetë,
eja dhe ti, në lartësitë blu të flatrojmë!
Maja e një mali të lartë, më thërret,
hapësirat tej horizontit, të vëzhgojmë!
Vala e lumit më thotë eja të lundrojmë,
së bashku, në dallgët e detit Jugor,
ku tragetët turistik nga bota, kalojnë,
si ishuj lundrues, me mijëra vizitorë.
Një stuhi me disa rrufe, më troket,
të shuajmë zjarret në pyjet me erë.
Më kërkon, një shi udhëtar i qetë,
të vaditim kallinjtë e bukës, në verë.
Më thërret një djalë, që i rreh zemra
në takimin e parë, me vajzën në jetë,
T’i lexoj nja dy lirika poetike, të ëmbla,
t’i preket zemra , të dashurës së vet.
Më thërret nga shtëpia gruaja ime:
Kthehu shpejt, nga ato udhëtime,
të kënaqesh, mes fëmijëve të tu!
Oh, s’di ku të shkoj më përpara , ku?...








Comments