top of page

Vullnet Mato: LULEKAMBANAT E MUZGUT

  • Mar 10
  • 1 min read

LULEKAMBANAT E MUZGUT

 

Kur dita diellore arriti çastet purpurake të perëndimit,

ra kambana e kupës qiellore, me tone të drithëruar...

Atëherë ulën kryet, në ritualin bimor të nderimit,

edhe lulekambanat e muzgut, me petalet trishtuar.

 

Cili arkitekt, projektoi formën e tyre këmbanore?

Cili piktor përzgjodhi ngjyrën muzgore, blu-violet?

Cili metalurg shkriu në furrnaltë, bronzin e cipës lulore,

të këndojnë zogjtë halelujën, përpara gjumit të qetë ?...

 

 Ata ishin mjeshtrat e metalurgjisë së dritës, në diell,

që realizuan me përsosmëri të lartë, të tri mjeshtëritë,

të nderojnë lamtumirën madhështore të diellit në qiell,

me këto mrekulli natyre, mbi të gjitha mrekullitë...

 

 Në çastet solemne, të përsëritura nga cikli kohor,

kur horizontet bëjnë përnderimin e ditës që vdes,

lulekambanat i luten diellit, kur fik fenerin qiellor,

të rindezi dritën jetëdhënëse, në tjetrin mëngjes...

 

Oh, në muzgun tim, nuk dua rite lutjesh në minare,

as të ushtojnë kambanat vajtimtare, nëpër kisha,

por vetëm lulekambanat, të ulin kryet nëpër dritare,

të shkoj nga kjo botë, i lumtur, siç nuk isha!...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page