top of page

Thoma Goga: Diella “ndjell” zagarë dixhitalë...

  • Feb 23
  • 4 min read

- nga defteri Çeços -

Në stanin e vogël të Çeços vazhdon rregullisht ai i uruar “informacion politik”. Shefi i stanit jep e merr me kafsharët, po as ata nuk mbushin mirë...Këtë javë tema e ditës ishte “Qeveria dhe programi i saj”.

- Ja ku erdhi dita që ta gëzojmë edhe ne Shqipërinë europiane,- foli fytyrqeshur shefi i stanit.- Kam bërë një kartë për atë “të gjatin” atje lart. Të na e delegojë një copë ministër, po “pa kapistër”. Të na sqarojë këtu në “informacionin politik”.

- Të thamë o Çeço, jemi më mirë kështu si jemi,- foli ai kafshari që i lyen flokët me gjalpë dhie. - Le të hyjë kush të dojë në atë dreq BE, stani ynë jo.

- Ja një takëm si ju na kanë penguar të ecim përpara. Do të hyjmë në Europë, o qafira. Ju nuk e kuptoni, se menjëherë do na vijnë sa e sa të mira.

- E kujt i hyn në punë kjo punë?- ngriti zërin nipi i Pinxho Kapellës. - Ne na interesojnë të drejtat tona. Duam të na rriten rrogat, të bëjmë pushime javore, të vemi dhe ne në plazh.

- Të jetojmë si francezët, gjermanët...,- shtoi një tjetër kafshar.

- Pusho o nipi kulakut!- ndërhyri Çeçua.- Ti kauri i derrit je i ardhur në këtë fshat. Të na pyeç ne ç‘kemi hequr që e rindërtuam fshatin. A të kujtonet, kur e dogjët ju më atë “gjermënin” tuaj?!

- Ta marrim më shtruar,- u hodh një kafshar i gjatë.- E kemi ngritur zërin për disa probleme të stanit tonë dhe nuk kemi marrë përgjigje.

- Hë, se ma prure në shteg, - ja ktheu Çeçua.- Kam bërë një lutje në “stanin e madh” dhe sot do vijë këtu një ministre. Zëre së ka ardhur. E dërgon qeveria për të na dhënë xhevap.

Dhe pa mbaruar mirë fjalën Çeçua, te porta e stanit u shfaq një bukurane me kostum popullor. Shefi i stanit doli dhe e priti. Kafsharët lidhën qentë, që u bënë gati për sulm.

- Le të prezantohem,- tha bukurania.- Më quajnë Diella. Jam ministre e re. Vij me porosi të shefit të madh...Erdha të bisedojmë për hallet tuaja.

- Kurse unë jam Çeçua, shefi i stanit dhe “rektor” i akademisë. Mbase ma ke dëgjuar “ëmbrin”. Këta janë kafsharët e mi, ose “stafi” si i thoni ju zyrtarët. Po ulu zotrote,- dhe ktheu përmbys një kadishte. Kafsharët u ulën në barin e njomë.

- Jo, faleminderit. Unë jam si nuset e reja,- ja ktheu Diella.- Do i qendroj popullit në këmbë.

- Hë më rruaç! Do haç, a do piç?- ja bëri Çeçua dhe urdhëroi kafsharët të sillnin djathë, gjalpë, gjizë, qumësht, kos...

- Edhe ju do hani atë që ha unë...,- foli qeveritarja.

- Atë që ha ti, nuk e hamë dot ne...,- e ndërpreu nipi i Sherifesë, që e shikonte vetëm nga këmbët...

Qeshën të gjithë kafsharët. Më duket se qeshën dhe zagarët.

- Pusho malukat,- ndërhyri Çeçua.- E bija e botës ka ardhur nga gopi sëmës, kurse ti...Te ajo vrimë të rri mendja. Moj cucë, të njihemi ca më mirë. E martuar je zotrote, apo...?

- Po, jam e martuar me Integrimin Europian...

- Oho, e paska dhe burrin “të jashtëm”,- tha nipi i Sherifesë.

- Po ç’fëmijë ke, zotrote?

- Tani për tani kam 83 “kopila” në parlament. Po fëmijët e mi të vërtetë janë të gjithë shqiptarët, që duan të hyjnë në Europë.

- Kjo qenka e shkarë,- foli nipi i Pinxhos.- Nuk i ka çiçivetë në rregull. I duhen shtërnguar burgjitë...

- Po të rrinte një natë në stan, ja bëja unë këtë punë..,- shtoi “shuli” i gjatë.

- Unë jam ministre dixhit....

Për çudinë e të gjithëve Diella ngeci dhe heshti. E la llafin në mes dhe qendronte si statujë.

- Hë moj shoqe, shkoqe muhabetin...

Ajo prapë hiç.

- Bobo ç’na gjeti, - tha Çeçua dhe nxorri faqoren e rakisë. I hodhi ca pika nga faqet. Ajo prapë hiç.

- Më duket se i mbaroi karburanti, - foli nipi i Pinxhos.

- Ta mbushim me dhallë,- qeshi “shuli” dhe i ra pak lehtë në mes të kurrizit.

Për fat atë çast zëri erdhi dhe Diella lëvizi sytë.

- Si e bërë këtë, o nipçe?- u gëzua Çeçua.

- Paska një buton si ai i lavatriçes, këtu afër sumatriçes...

Dhe Diella vazhdoi fjalën atje ku e kishte lënë:

- Jam ministre dixhitale dhe kjo është hera e parë dhe e fundit që vij këtu te ju. Herë tjetër do komunikojmë me internet...

- Ç’thotë kjo, ‘re Pinxho, se ti e di këtë marifet?- pyeti Çeçua.

- E di, e di, - sqaroi Pinxho, - po ne s’kemi as korent e jo më internet.

- Ju të gjithë duhet të mësoni anglisht, se ndryshe nuk hyjmë dot në Europë,- tha Ajo.

- E gjete dhe ti. Eja ndër vete. Këta akoma nuk dinë shqip - ndërhyri Çeçua dhe iu drejtua kafsharëve.- Mbani mend ç’u kam thënë? Ja ku erdhi dita. Nashti ju as në vend të qenit s’keni vend, se edhe zagarët do na i sjellë Europa.

Pastaj iu drejtua Diellës.

- Po provoje djathin, gjizën, gjalpin e na thuaj zotrote, kush e ka më të mirë; ne apo Europa?

- Jo unë ha vetëm programe të integruara nga shefi im. Që tani e tutje do i themi “Stop korrupsionit. Stop hatërllëqeve. Stop hajdutërisë”.

- Ça thotë, o Pinxho?

- Kjo më duket ka ardhur për dema...

- Pusho, kulaku i derrit, - ngriti zërin Çeçua. - Ajo është e deleguara e qeverisë. Ka ardhur nga “stani madh”, kurse ti mendjen prapë te ajo vrimë...

Pastaj iu drejtua Diellës.

- Moj cucë, po si do merremi vesh herë tjetër?

- Ju do hapni një portal...

- Atë mos e ke merak,- tha Çeçua.- Porta e stani tonë hapur rri gjithmonë...

- Jo, jo. Unë do dërgoj kafsharë dhe zagarë “dixhitalë”. Këta do komunikojnë me mua për punët tuaja,- sqaroi Diella.- Tani për tani, deri sa të vijnë “zagarët” e mi, po ju lë adresën time:

...ngrohuni me diellin e diellës.stop

Dhe iku si hije, ashtu siç erdhi.

- E kuptuat, mo? Nashti të gjithë në punë e shtërngoni burgjitë tuaja,- urdhëroi Çeçua.- Më duket ne grijmë sallatë kot. “Informacioni politik” mbaroi edhe për sot...

Ju që më këndoni, ju paça me shëndet!

Çeço Çobani (dora vetë)

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page