Sakip Cami: Sali Kallaverja, trajneri dibran që stërvit futbollistët e së ardhmes
- Mar 31
- 2 min read

Ishte vetëm 14 vjeç në vitin 1980, kur filloi shkollën e mesme të fiskulturës në Durrës, dega futboll sëbashku me ëndrrën e tij për t’u bërë sportist dhe mësues i përgatitjes fizike. Ekipi “Shkëndija” i Durrësit, mbi bazën e kësaj shkolle ka nxjerrë futbollistë të shquar si Agim Canaj, Skënder Gega, Hysen Zmijani, Mikel Furxhiu etj. Edhe djaloshi nga Peshkopia Sali Kallaverja u bë pjesë e këtij ekipi dhe vazhdoi për katër vjet me rradhë deri në vitin 1984. Në Shtator 1984, pas mbarimit të shkollës, Saliu u bë pjesë e ekipit të futbollit “Korabi” me trajner Bexhet Shehun dhe Sabri Abdiun. Gjithashtu ai shërbeu si mësues me klasat sportive në Shkollën 8 vjeçare “Demir Gashi” të qytetit të Peshkopisë. Me ekipin e parë Saliut iu besua roli i Qendërmbrojtës stoper në skuadrën ku luanin futbollistë me përvojë si Shpëtim Toska, Hajri Kodra, Kujtim Prençi, Njazi Dani, Mentor Melani dhe bashkëmoshatarët Qemal Qoku, Mustafa Trepça, Moisi Lazimi etj Pas vitit 1991 shumë lojtarë u larguan nga qyteti dhe nga skuadra, shkak që çoi në riformatimin e ekipit me drejtor Naxhi Lazimi, trajnera Lutfi Shahu dhe Qemal Kuka. Te ekipi i të rinjve u caktuan trajnera Mustafa Trepça dhe Sali Kallaverja. Nga viti 1995-2010 Saliut iu besua detyra e trajnerit të ekipit të parë të “Korabit”. Ndonëse pa mbështetje financiare ekipi me trajnerin Kallaverja në krye qëndroi në kategorinë e parë dhe i përballoi sfidat e kohës. Ish lojtari i ekipit kombëtar Mahir Halili në një intervistë ka deklaruar se trajneri që më ka mësuar ABC-në e futbollit ka qenë Sali Kallaverja.
Edhe ekipi U 19 në vitet 2013-2015 i drejtuar nga Sali Kallaverja përgatiti lojtarë me cilësi të mira si Xhuljano Skuka, sot lojtar i Partizanit dhe i ekipit kombëtar. Tani Saliu është trajner i U 13 dhe U. 15 që ndodhen në vendin e tretë të renditjes. Ndihmës trajner është Merlin Sh Toska. Midis fëmijve që e duan dhe mësojnë futbollin ndihem shumë mirë, thotë Saliu. Sytë e tyre shprehin mirënjohje dhe dashuri njerëzore. Prindërit e fëmijve janë shumë të kënaqur, jo vetëm për përgatitjen e tyre, por edhe për faktin se janë të shëndetshëm dhe aktiv, larg telefonave dhe ndikimit negativ të disa rrjeteve sociale. Te ekipi U13 , që në fakt janë 11 vjeçarë dallohen Ajan Tomçini, Marli Manga, Ardian Dani, Daniel Shehu, Erdi Kallaverja Arcion Raza etj Te ekipi U15 që në fakt janë 13-14 vjeçarë dallohen Mario Xhediku, Enea Stërmilla, Lulzim Balliu, Erind Shehu, Enis Tomçini, Renis Shehu, Erind Kaloshi etj Ekipet zinxhirë të Akademisë “Korabi” janë baza e talenteve dhe e përgatitjes së futbollistëve të së ardhmes për Dibrën dhe për Shqipërinë. Rei Kallaverja tani luan me ekipin “Rinia” ekip që i ka shprehur mirënjohjen ekipit dhe Akademisë “Korabi” për përgatitjen e tij. Krahas punës si trajner Sali Kallaverja ka mbi 40 vjet që punon si mësues i edukimit fizik në Shkollat 8 dhe 9 vjeçare të qyteteve të Peshkopisë e Bulqizës, të fshatrave Vakuf e Tomin dhe kudo ka ngritur klasa sportive e ka zbuluar e përgatitur talente. Ekipi U 13 i Korabit, shumica 11 vjeçarë Ekipi U 15 i Korabit, shumica 13 vjeçarë
Intervistoi dhe përgatiti : Sakip Cami














Comments