Sakip Cami: Mos e zini trotuarin e kalimtarëve
- 8 hours ago
- 2 min read

Vëzhgim
Nga Sakip Cami
Ne pensionistët ecim në këmbë, aq sa mundemi, sa kemi fuqi.
Rrugëkalimi ynë është trotuari i kalimtarëve. Ecim me kujdes, ngadalë, duke parë majtas e djathtas për t’u ruajtur nga ndonjë aksident që për fat të keq të gjen edhe në trotuar.
Unë shëtis në rrugën “Dritan Hoxha”, një rrugë e plotë me të gjitha standartet. Ka tre korsi për automjetet, korsi për autoambulancat, taksitë dhe autobuzët, korsi për biçikletat dhe trotuar për kalimtarët.
Por mua më intereson trotuari se jam kalimtar i përditshëm.
Por çfarë ndodh ?
Trotuarët zihen nga motoçikletat, biçikletat dhe monopatinat e ngandonjëherë edhe nga makinat.
Mirë që i parkojnë në trotuar, por i vendosin kryqas, përpendikular me trotuarin dhe pengojnë kalimin.Kështu kalimtari duhet të kalojë në korsinë e biçikletave, ku çiklisti pengohet dhe mund të aksidentohemi të dy.
Pronari i motorçikletës pi cigare dhe kapardiset në trotuar dhe kur unë i them me urtësi: o djalë liroma rrugën, më këlthet: o xhaje a don sherr, mos e kruaj, se qenke edhe i vjetër.
Bashkëshortja ime që kam në krah më thotë: Mbylle, mor burrë se të hedhin si plënc në rrugë dhe nuk të sheh njeri me sy.
Ka edhe ndonjë pronar lokali që me leje apo pa leje (si mund të jepet leje në një metër trotuar) vendos një tavolinë dhe dy karrike, ku qëndrojnë sistematikisht disa pijanecë që nuk mbushin as kur pinë dhe as kur janë esëll.
Para më del semafori. Ndalem dhe pres deri sa të dalë ngjyra jeshile. Por me semafor jeshil për mua dhe të kuq për shoferin, një nga ata të fortët për pak më shkel dhe më ulëret: or qorr m… a nuk e sheh se po kaloj unë.
Syzet e mia fluturuan, por mirë që nuk u dëmtova fizikisht.
Kaloj në trotuar dhe dikush pështyn. Ruhem se mos e shkel se virozat janë përhapur kudo.
Një tjetër hedh mbeturiat në rrugë dhe në trotuar. Ka edhe nga ata që i hedhin nga makina. Më bën përshtypje se janë me targa të huaja, pra janë shqiptarët që kthehen në atdhe nga vendet perëndimore. A e bëjnë dot këtë veprim joqytetar në vendet ku punojnë dhe jetojnë?
Sigurisht që jo. Atëhere përse e bën në atdheun tënd? Përse e ndot vendin tënd?
Grupe të rinjsh e të rejash, nxënës e studentë bllokojnë trotuarin, pinë cigare dhe flasin me zë të lartë.
Vetëm një kërkesë kam. Mos e zini trotuarin e kalimtarëve.








Comments