top of page

Sakip Cami: 5 kufitarët dëshmorë dhe poema” Dhjetë sy” e Dritëro Agollit

  • Mar 8
  • 4 min read

5 kufitarët dëshmorë dhe poema” Dhjetë sy” e Dritëro Agollit

Nga Sakip Cami


Nga kronikat e kohës: Posta kufitare e Lumit të Gashit, 14 dhjetor 1958. Ndërsa binte shi i përzier me borë, në zyrën e oficerit të rojës bie telefoni i alarmit kufitar. Komandantit Gjokë Jakut i erdhi urdhëri luftarak për të zënë Qafën e Ali Celës ku pritej të kalonin shkelësit e kufirit. Qafa e Ali Çelës është 2260 metra mbi nivelin e detit dhe me terren të vështirë malor. Menjëherë komandanti mbledh efektivin e postës dhe bashkë me katër ushtarë nisen drejt detyrës. Në ballë të borës e suferinës i pari prin komandanti Gjokë Jaku, pas tij ushtarët: Ilmi Alimani nga Dibra, Gani Domi nga Tirana, Isuf Dervishi nga Elbasani dhe Hasan Qylafi nga Tirana. Nëntoger Gjok Jaku nga Gojani i Pukës pasi kishte mbaruar Shkollën e Policisë në degën e kufirit ishte emëruar komandant i postës kufitare të Lumit të Gashit, një ndër postat më të largëta të Tropojës. Ecin e ecin, veshtërsitë janë të mëdha, detyra duhej kryer me çdo kusht. Atdheu mbi çdo gjë tjetër, kufiri i paprekshëm. Nuk ndalen, marshojnë në lartësitë e bjeshkëve. Me shumë mundime arrijnë në Qafën e Doberdolit. Përballë u shfaqet Qafa e Ali Celës. Kufitarët janë lodhur e dermuar nga bora e rruga e gjatë. Kush e ka provuar e di mirë se dëbora të këput gjunjët, të jep dremitje, pa kuptuar të thith në gjirin e saj. Dritëro Agolli në poemën “Dhjetë sy” kushtuar pesë kufitarëve dëshmorë shkruan: “...Këtu dëborën/ Shtypnin dhjetë këmbë/ Këtu shikonin/ Bjeshkët dhjetë sy/ Këtu lundronin/ Pesë gjokse shkëmbi...” Në ecje e sipër bie kufitari i parë duke mos e përballuar më tej rrugën e vështirë mes borës e suferinës.Shokët e marrin mbi supe e vazhdojnë rrugën. Dy sy u mbyllën përgjithmonë. Tetë sy mprehin vështrimin,tetë këmbë çajnë borën.Dhe ecin, të dytit që mbante shokun mbi supe i errësohen sytë dhe bie. Bien me rradhë njëri pas tjetrit. Bora e trashë i mbuloi të pesë kufitarët. Ata ngrinë, u bënë akull, u bënë shkëmb, u bënë përmendore. U deshën shumë ditë për të gjetur trupat e kufitarëve në borë. Nga Geghyseni 30 djem të rinj morën rrugën për në bjeshkë në kërkim të trupave të ngrirë e të mbuluar nga dëbora e madhe. Qëndruan në bjeshkë derisa i gjetën. Sjellja e trupave në qytetin e Bajram Currit është pritur nga të gjithë banorët me lot në sy. Të mbledhur pranë shkollës u bë një ceremoni, ku foli komandanti i kufirit i asaj kohe, Ndreko Rino, Hero i Popullit. Nga këtu të vendosur në 5 makina ushtarake, të mbështjellë me flamuj kombëtarë u derguan në rrethet e tyre. Ata u shpallën dëshmorë të Atdheut. Për ta shkroi shtypi i kohës. Heroizmi i tyre u bë lajtmotiv i kohës. Artistja e Merituar tropojane Fatime Sokoli thuri një këngë për përjetësimin e 5 kufitarëve dëshmorë të Tropojës. 

Po citojmë disa vargje të kësaj kënge: “N’Doberdol ka mbrri furtuna / 

Seç na i mori këto pesë burra / 

S’ishin burra, por djem të ri / 

Nga njëzet (vjet) kurrnja përmbi / 

Nëntogeri njëzet e dy ….” 

Foto:  Qafa e Ali Çelës, 2260 m mbi nivelin e detit 

 

Poeti Dritëro Agolli, asokohe gazetar në gazetën “ Zëri i Popullit” shkroi poemën “Dhjetë sy” , ku e përshkruan me detaje reale dhe artistike rënien e tyre në krye të detyrës, gëlltitjen e tyre nga dëbora e madhe. 

Ja disa fragmente kryesore të poemës:

 …Mes mjegullës së dendur/ 

Pas njëri tjetrit / 

Pesë kufitarë/ …

Pesë gjokse shkëmbi /

 Përmes furtunës/ 

Erë e stuhi … …I 

pari ra /

 nga kosa e furtunës / 

Përmbi qerpik /

 u shkrinë flokë bore Shikoi/ 

Mes ëndrrës / 

Nënën pranë Bunës/ 

Borigat/ 

Edhe tokën prindërore./ 

Ç’të shihte tjetër ?

 S’kishte as të dashur,/ 

As motra,/ 

As vëllezër,/ 

As baba./ 

I erdhi keq/ 

Që nënën /

 buzëplasur,/ 

Të thinjur,/ 

Pranë lumit Bunë e la. …

Në bjeshkë/ 

Rrinin hapur/ 

Dhjetë sy;/ …

Dy sy u mbyllën si agim mbi lumë,/ 

Dy krahë / 

mbi dëborë ranë …/ 

 I dyti,/ 

Që mbi shpatull / 

mbante shokun / 

Filloi të shihte / 

Yje mes shtrëngatës / 

Shtrëngoi / 

Me njërën dorë ballin / 

Kokën / 

U vrenjt / 

Dhe ra / 

mes mjegullës së natës / 

Dhe ende mbante / 

Shokun përmbi shpinë./ …

Të tjerët ndoqën rrugën e përpjetë / 

Dhe fshesa-erë / 

Fshinte / 

Shenja …:/ 

Gjurmë…/ 

Dhe katër sy / 

U mbyllën vrik për jetë / 

Kur tatëpjetë / 

ortiqet bënin zhurmë / …

Edhe i katërti u shtri si tre të tjerët /

 E kush mund të mendonte /

Se një ditë / 

Një ditë në mëngjes të ftohtë / 

Herët,/ 

Një telegram i hidhur do të vinte : 

Dhe babës do t’i thoshte: S’ke më djalë 

/ Dhe mua do më thoshte / 

S’ke më shok / …

Dhe mbeti / 

Vetëm njëri / 

Nëpër bjeshkë / 

Të tjerët, si ndër përralla / 

Gur u bënë / 

 Dhe mbeti vetëm njëri/ 

Por s’u ndal ./ …

Te qafë e Ali Çelës erdh;/ 

Shtrëngoi automatikun / 

Dhe u ul / 

Si të ishte në llogore / 

U mbështet / 

 Plot llahtarë/ 

Era fryu : E mbushi gropa / 

Kallkan e bëri kufitarin /

 Dhe mbet si karakoll i tmershëm/ 

Me sy çelë / 

Eh, qafë e Ali Çelës / 

Ali Çelë ! / …

Te ky obelisk pishe / 

Mbi përrua / 

Këtu dëborë e maleve të lartë / 

E flakur nga tufani i tërbuar /

 I mbylli dhjetë sy/ 

Të zez, të kaltër :/ 

I mbylli dhjetë sy të dashuruar/. 


 E kush më mirë se Dritëroi ynë i Madh do ta përshkruante heroizmin e 5 heronjve të bardhësisë ?!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page