top of page

Robert Martiko: UDHËTIMI I TURISTIT NË KOHË – SI NDRIÇIM VETËDIJEJE

  • May 13
  • 2 min read

 

 

Udhëtimi i vërtetë nuk ndodh vetëm në hapësirë, por në një përmasë më të thellë – te vetë Koha. Në këtë rast, njeriu me ndjeshmëri, nuk kërkon thjesht të shohë, të shijojë apo të fotografojë; ai kërkon të kuptojë, të ndjejë dhe të kujtojë veten në një rrjedhë kohe më të gjerë sesa ajo e ditës. Ky lloj udhëtimi kërkon një prani të heshtur dhe të vëmendshme, sepse çfarëdo që shfaqet para syve nuk është thjesht një objekt, por një dëshmi – e asaj që ka qenë, e asaj që mbetet, dhe e asaj që nuk thuhet.

Në këtë mënyrë, çdo vend bëhet më shumë se sa thjesht një qëllim udhëtimi, por një udhëzues i heshtur i rrugës së brendshme. Një rrugicë e vjetër, një mur i çarë, një hije në një oborr të harruar – të gjitha mund të flasin, jo me fjalë, por me kohë. Dhe nëse njeriu është i hapur, ai e kupton që ato që i shfaqen para syve nuk janë thjesht pamje, por pasqyra të vetvetes. Ai nuk sheh thjesht një qytet të lashtë, por ndjen kalimin, rrjedhjen, erozionin dhe durimin – njëkohësisht të jashtëm dhe të brendshëm.

Në këtë përvojë nuk ka ngutje. Njeriu nuk e ndan kohën në “ditë pushimi” e “orare vizitash”. Ai ecën me frymëmarrjen e tokës nën këmbë. Nuk kërkon atraksionin më të famshëm, por atë që i flet më thellë në brendësi. Nuk i intereson të ketë “parë gjithçka”, por të ketë prekur një gjë me vërtetësi.

Kur udhëton në vende jo të zhvilluara, ai e di se njerëzit nuk kanë faj. Ata janë produkte të rrethanave të tyre. Mirëkuptimi nuk e zhbën dallimin; përkundrazi, e bën më të thellë. Krahasimi është i pashmangshëm, sepse çdo përjetim lind vetvetiu krahasime të heshtura me vende të tjera, me kujtime, me ëndrra. Por ky krahasim nuk është një gjykim i ftohtë: ai shërben për të dalluar nuancat që e bëjnë secilin vend të vetin, për të kuptuar se ndryshimi është një tjetër formë e së njëjtës kohë. Çdo vend ka një zë të pazëvendësueshëm në korin e kohës.

Ndërsa shqisat duan të shijojnë momentin, shpirti do ta shndërrojë atë në kuptim. Ky kërkon heshtje, ndalim, praninë e plotë të vetes – jo për të gjykuar, por për të dëgjuar. Në këtë gjendje, vendi ku ndodhet njeriu nuk është më i huaj; ai bëhet një pjesë e pandashme e kujtesës së një bote më të madhe, që e tejkalon individin, por e përfshin atë në mënyrë intime.

Kështu, udhëtimi bëhet një përvojë jo për të shpëtuar nga rutina, por për të kujtuar se çdo hap është i përkohshëm dhe njëkohësisht i përjetshëm. Sepse njeriu që udhëton në këtë mënyrë, e di: nuk po shkon diku tjetër, por po shkon më thellë në vetvete. Për ta zgjeruar këtë vetvete. – Kjo është çështja!

Çdo vend i ri është një faqe e mëtejshme në librin e një kohe që nuk matet me orë, por me ndriçime të vetëdijes.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page