top of page

Nexhbedin Basha: Elegji për Liqenin e Mjelmave

  • May 12
  • 1 min read

 

Sakaq u përlota…

Ndjeva mërzi kur pashë

se Liqeni i Mjelmave kish mbetur pa këngë,

pa flatra mjelmash,

pa muzikën e gjetheve mbi ujë.

 

Dhe heshtja,

si një violinë e thyer,

vallëzonte mbi pasqyrën e ngrirë të liqenit.

 

Freskia iku…

askush s’e di ku.

Ndoshta nën hijen e vinçave,

nën zhurmën e hekurit

e rrotat e betonit.

 

Dikur ngrita ura komunikimi me jetën,

ura të pastra si ajri i mëngjeseve,

por sot gradaçelat

i janë vërsulur liqenit

si bishat mbi një trup të lodhur.

 

Premtuan park kombëtar,

fole për nipër e mbesa,

për zogj e kujtime…

por fjala mbeti tym mbi qytet,

bukurinë ia vranë liqenit…

 

Liqeni u mërzit

atë ditë kur ia prenë pemët.

I dëgjova trungjet

si ushtarë të vrarë pa varr,

dhe zogjtë humbën udhën e kthimit,

ndërsa liqeni dridhej nga dhimbja.

 

Kur isha fëmijë

vrapoja pas mjelmave

dhe liqeni më dukej përrallë.

 

Sot,

vështrimet kryqëzohen mbi beton,

dhe  hëna

duket sikur turpërohet

të pasqyrohet në këtë ujë të ndotur.

 

Shëtita edhe një herë buzë liqenit…

por nuk e gjeta më aromën e dikurshme.

 

Dhe Liqeni i Mjelmave

rrinte aty, i heshtur,

duke parë qiellin

si një njeri që pret ende

dikë t’i mbajë fjalën.

 

…tash është vonë;

Liqeni i Mjelmave jeton veç në ëndrra…

Veç heshtja rrin ulur buzë ujit

si një plak i harruar.

 

Nexhbedin Basha

10 prill 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page