top of page

Nexhbedin Basha: DIBRA QË JETON NË  MUA...

  • Feb 26
  • 4 min read

Nexhbedin Basha: DIBRA QË JETON NË  MUA...

 

Dibra, nuk është vetëm vendi ku linda,

por fryma që më ndjek në çdo hap.

Ajo flet me zërin e gurëve, të maleve dhe të njerëzve që më mësuan

se fjala ka peshë, dhe kujtimi rrënjë.

 

Dibra nuk është thjesht një hartë ose një histori e shkruar; ajo është vendi ku kam lindur dhe jam rritur, ku çdo shteg, çdo kodër dhe çdo rrugicë ruan kujtime të paharrueshme. Aty kam përjetuar fëmijërinë dhe adoleshencën, kam kaluar stazhin në minierë dhe përvojën e parë si mësues. Atje nisi edhe rruga ime si gazetar; fillimisht si korrespondent vullnetar në gazetën “Ushtima e Maleve” e gazetën "Luftëtari", më vonë gazetar në Shtypin Ushtarak, Ministria e Mbrojtjes, gazeta "Ushtria", ku u bëra pjesë organike në vitin 1994.

Në Dibër ndjeva peshën e fjalës dhe fuqinë e saj për të ndryshuar jetën e njerëzve.

Në Dibër lindën poezitë e para: “Gjumi i trazuar”, “Këndojeni atë të më ndjeni”, “Violina e luleve”, “Mbulesa e bardhë njolla njolla”, “Shimçan, vendlindja ime”, “Mallë, më puth ato duar”, “Mësuesit”, “Gazetarit”, dhe shumë të tjera. Çdo fjali, çdo varg, çdo kujtim është mishërim i tokës, i maleve, i lumenjve dhe i njerëzve që kanë jetuar para nesh.

Në hyrje të librit tim “Violina e Luleve”, kam shkruar:

“Të hedhësh vargjet në letër, në prozë apo në poezi, është si të hedhësh farën e drithit në arë.. Kush e plugon mirë tokën, ia merr bollshëm prodhimin; kush e lë gjer, s’ia di vlerën.”

Fryma e Dibrës më ka mësuar se mençuria, trimëria dhe besa nuk janë thjesht histori; ato janë pjesë e çdo dite, e çdo vendimi dhe e çdo krijimi artistik. Dibra më dha mundësinë të kuptoj se arti dhe jeta nuk ndahen kurrë.

Aty mësova të dëgjoj, të shkruaj dhe të frymëzohem nga gjurmët e të parëve; nga luftërat e Skënderbeut, nga kuvendet e Pavarësisë, nga heronjtë e luftrave, nga veprat e artistëve dhe poetëve të vendit, nga bukuritë e natyrës, të bjeshkëve të Korabit, të liqejve të Lurës, të kanioneve të lumit Drin. Çdo hap mbi këtë tokë, çdo rrugicë që shkel, çdo gur që prek, më kujton se jam pjesë e një trashëgimie të madhe, një historie që vazhdon të jetojë në shpirtin e çdo dibrani.

 

Unë mund të largohem prej saj,

por ajo nuk largohet kurrë prej meje.

Sepse Dibra nuk është vetëm vend,

është gjak, është frymë, është amanet.

Dhe amaneti nuk harrohet.

Dhe sa të kem frymë, do ta mbaj Dibrën brenda meje.

 

Nexhbedin Basha

 25 shkurt 2026

 

 

ZEMRA NUK NJEH

KUFIJ...

 

Unë jam zëri i dheut,

jam gjaku i tharë në gurë,

jam loti i nënave që s’u shter kurrë.

 

Kjo poezi nuk ka autor,

se është shkruar me duart e brezave,

me gjakun e dëshmorëve,

me djersën e fshatarit,

me lotin e mërgimtarit ndër breza.

 

Në vargjet e saj s’ka bojë,

ka plagë që ende kullojnë,

ka amanete të pathëna,

ka thirrje që nuk shuhen e rëndojnë.

 

Kur t'mbarosh së lexuari

do ndjesh erën e barotit,

këngën e lahutës,

betimin e burrave në odë,

Fjalën e burrit që në male jehon.

 

Kur ta lexosh, mos më shih

mua,

shih veten, shih kombin që lëngon,

shih fëmijët që do të lindin,

Gjej rrënjët që streten dhe rrojnë.

 

- Analizë letrare, artistike dhe epike

 

Nëpërmjet këtyre vargjeve kam synuar të shpalos ndjeshmërinë dhe guximin për të kaluar çdo kufi, qoftë fizik, shpirtëror apo emocional, duke e lidhur këtë udhëtim me historinë e gjakut që na solli letra nga Anadolli, që pas gati një shekulli i larguar, kur dihej se kish nderuar jetë, djali i tij në fillimet e demokracisë, dërgon një letër, amanet lënë nga i jati, cituar: "Bir, mos harro të gjesh gjakun tënd. Jemi nga Kazaja e Peshkopisë, fshati Shilçan, Dibra e Epërme...".

Nëpërmjet këtyre vargjeve kam synuar të krijoj imazhe të gjalla artistike, ku secili varg është një fragment epik që e bën lexuesin të ndjejë fuqinë e brendshme të zemrës.

Metaforat dhe krahasimet nxjerrin në pah bukurinë vizuale dhe dramatikën e përjetimeve, duke i dhënë poezisë një ritëm që luhatet mes qetësisë reflektuese dhe tensionit emocional.

Nëpërmjet këtyre vargjeve kam synuar të ndërtoj një dimension epik: zemra që nuk njeh kufij bëhet simbol i guximit, sakrificës dhe vendosmërisë, sikurse historia e mijra emigrantëve që me trup janë në në shtetin ku ata punojnë, por me shpirt e zemër në vendlindje,  zemra se gjaku dhe lidhjet nuk harrohen.

Nëpërmjet këtyre vargjeve kam synuar gjithashtu të tregoj se ndjenjat dhe përpjekjet njerëzore nuk njohin kufij gjeografikë apo shoqërorë; ato janë universale dhe i bashkojnë lexuesit me përvojat e autorit dhe historitë familjare që e frymëzuan poezinë.

Nëpërmjet këtyre vargjeve kam synuar të jap një udhëtim shpirtëror dhe epik, ku lexuesi bëhet pjesëmarrës në çdo moment të kalimit përtej pengesave, duke e shndërruar përjetimin personal në një tregim universal dhe epik.

 

Shënim; Kjo është një copëz e marrë nga libri im "Kufijtë e zemrës", në proces botimi.

 

Nexhbedin Basha

 24 shkurt 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page