top of page

Myzafer Ramzoti: E BUKURA  DHE E SHËMTUARA NË LIBRIN E HILË  LUSHAKUT

  • 3 days ago
  • 7 min read

    

                “ Drejtësi në Xhungël – të vërteta të hidhura”

 

     Sapo e përfundova së lexuari këtë libër mendja më shkoi në një thënie të  filozofit të madh Frederik Niçe : “ Tri gjërat më të këqia në botë janë epshi, ambicja, egoizmi.” Apo Jon Irving kur shkruan : “ Në këtë botë të ndyrë duhet të jeshë gruaja e dikujt ose kurva e dikujt …, ose në rrugë e sipër për tu bërë njëra ose tjetra:”

     Jo më kot më erdhën në mend këto thënie.  Në jetë, në realitetin tonë jetësorë, krahas të bukurës, të madhërishmes , ka edhe fenomene të shëmtuara, të ulta, bile ndodh që ato të ndërrojnë vendet: e bukura të shndërrohet në të shëmtuar dhe e madhërishmje në të ultën.

     Në librin e Hilë LUSHKUT “ Drejtësi në xhungël – të vërteta të hidhura”  ashtu si dhe në jetën reale, dukuritë e të bukurës dhe të shëmtuarës, ndeshen në forma nga më të ndryshmet e më komplekset. Fenomenet e shëmtuara, janë  ato që nuk harmonizohen me  idealet social – estetike përparimtare të kohës kurse, të ulta janë ato fenomene që i kundërvihen këtyre normave social – estetike me forcë e egërsi kolosale në kundështim të hapur me të drejtat e njeriut e të shoqërisë.

     Një njeri mund të jetë i shëmtuar nga paraqitja , por jo i ulët. I ulët është njeriu me karater të rrezikshëm për të tjerët. Të gjitha këto mënyra veprimi e paraqitje  apo kategori i ndeshim në karakteret e personazheve të këtij libri sa interesant e, po aq të bukur në shëmtinë e rrezikshmërinë shoqërore të figurave njerëzore që trajton. Autori në këtë libër operon me njerëz që veprojnë jo me koshiencën por me subkoshiencën njerëzore. Personazhet flasin për paturpësitë, për karaktere të ulta të rrezikshme për shoqërinë sidomos për femrat e të miturit, qeniet më të brishta e më të pa mbrojtura të shoqërisë.

     Estetët theksojnë se vlera të vërteta estetike ka vetëm ai fenomen apo ajo vepër që arrinë të kënaqë njeriun a shoqërinë estetikisht pra, e bukura sepse , e shëmtuara, e ulta  duke mos qenë vlera pozitive estetike, nuk na shkatojnë kënaqësi estetike, por na revoltojnë e na mërzisin duke na nxitur urrejtje e pakënaqësi. Kjo e vërtetë gurgullon thuajse në të gjitha faqet e këtij libri të mrekullueshëm që akuzon, që dënon, që bën thirrje për të mbrojtur më të bukurën e jetës, femrën, gruan që lulëzon e gjallëron, që garanton vazhdimësinë e jetës; fëmijët, meshkuj e femra, që, të pa mbrojtur nga shoqëria, shteti e pushteti, bien pre e dhunës  të njerëzve  pa karater , kriminelë, maniakë  seksualë, njerëz pa logjikë e, madje më të egër se kafshët që veprojnë me instikte.

     Është një libër akuzues që guxon, guxon të evidentoje e të tregojë pa doreza egon poshtëruese, pangopsinë kriminale të maniakëve seksualë që kanë gjetur terren në shoqëri tonë.

     Nëpërmjet përballjes së të bukurës në paraqitje dhe të shëmtuarës e të ultës në shpirtin  e disa  prej personazheve . Autori përdor groteskun, ironinë që shoqëria të bëhet më shoqërore, të ngrej zërin e protestës, të dënojë ashpër me ligje e jo me marshime poshtërimin që u bëhet fëmijëve, nënave e motrave, pjesës më vitale e më njerëzore të shoqërisë. Ai guxon të vërë gishtin në plagë e të dënojë qëndrimin indiferent të disa elementëve indiferentë në organet policore e shtetërore që e kanë detyrë të mbrojnë shtresat më vulnerabël e më të prekshme të shoqërisë.

     Në libër një nga figurat kryesore është Zdravko , një personazh specifik negativ, i shëmtuar në pamje, në paraqitje dhe padyshim edhe në shpirtë  sidomos, në veprim. Ky njeri që nuk ngjet me njeriun është qenia më negative  gatuar deri në qelizë me etjen e tij të pangopur për të shfrytëzuar qeniet e brishta e të pambrojtura, me egon çnjerëzore për tu pasuruar e për të ngopur pangopsinë e tij seksuale.  Zdravko është personazhi i zhytur në llum e në shëmti që nga faqja e parë e librit, është ai që jeton në shëmti e që mbeti në shëmti deri në largimin nga jeta e tij e mbushur  me mëkate, jo nga Zoti, jo nga të tjerët, jo nga viktimat e tij, por nga shpirti i tij i lig!

     Një tjetër personazh, Xhoi, femër, e bukur si një frut molle e pjekur e erëkëndëshme, e arrirë që, nga e shfrytëzuar, viktimë që fëmijë,  bëhet vetë shfrytëzuese seksi deri në atë gradë sa mund ta quash pa gabuar “ makineri seksuale”. Pra, nga një vajzë e pafajshme e pa mbrojtje , e bukur dhe e pa njollosur kthehet në një qenie të shëmtuar, madje të  ulët dhe të urryer nga veprimet dhe egërsitë që  arrijnë deri në atë pikë sa të braktisë  pjellën e saj duke u mohuar mëmësinë.

     Xhoi  ashtu siç e nisi edhe më keq e bitisi duke u zhytur në rrugën e vesit e duke menaxhuar vesin.

     Ndoshta është e vërtetë ajo që thotë autori se: - Përjetimet e fëmijërisë gatuajnë atë çfarë jemi në jetë, çfar bëhemi dhe si sillemi. Prindërimi i mirë apo i keq, ndërton ose shkatërron personalitetin njerëzor…Femrat e seksit shiten apo përdoren si rrobat që jepen me qera.

     Ky libër denoncon, denoncon pushtetet e pavarura, prokurorinë që s’pranon denoncime , gjyqtarë e policë që kërkojnë favore seksuale, që ofendojnë viktimat me një fjalor të përtej rrugës. Disiplina shtetërore nuk funksionon apo çalon dhe ligjin e vë në lëvizje interesi i çdo natyre, material, emocional, seksual, keqtrajtimi, ofendimi, përbuzja , poshtërimi moral.

     Lushaku me mjeshtëri estetike përshkruan mjedisin, natyrën e mrekullueshme shqipëtare ku fatkeqësisht  shfrytëzohen  e përdhunohen femrat e të miturit. Kjo natyrë e bukur me ndërtime e infrastukturë moderne përdhoset nga shëmtia llangosëse e maskilistëve të pangopur që i bëjnë ato vënde e mjedise të shëmtuara të ulta, tronditëse, makabre e çnjerëzore.

     Ky libër e thyen ekujlibrin. Këtu e shëmtuara është në çdo fjalë, në çdo hap e tregim të Xhoit e, duke  përdorur atë gjuhë të ndyrë e të turpshme, kapërxen pragun e të shëmtuarës për tu bërë thuajse tragjike sepse dhe ngjarjet tragjike  nuk janë tjetërgjë  veçse pasojë e drejtëpërdrejtë e konflikteve midis fenomeneve të ulta e të shëmtuara të realitetit dhe të njerëzve  bartës të së  bukurës e të madhërishmes në jetë. Këtë përplasje në libër e bëjnë evidente kategoria e femrave si Xhoi, si Erina, Zdravko me shokë, mjeshtër të profesioneve të rrugës , në një anë dhe në anën tjetër Arlinda, Alisa, Kreshniku e agjentët që ndjekin e i japin rrugë të vërtetës.

     Forcat ndër luftuese veprojnë brenda konfliktit tragjik, të nxitur nga motive krejtësisht të kundërta e shkaqe të ndryshme. Konflikti tragjik është një luftë e ashpër, e pa pajtueshme, që zhvillohet për qëllime të mëdha, për probleme themelore të jetës e të zhvillimit shoqërorë.

      Emocionet estetike, nga përceptimi i të shëmtuarës, të ultës e të tragjikes janë të pa përceptueshme  e specifike. Në art dhe në jetë ato na ngjallin hidhërim, dhimbje të thellë, keqardhje e mëshirë për fatin e personazheve. Atëherë njeriu, shoqëria, opinioni, policia, shteti duhet të marrin masa e të bëjnë punën e tyre për të luftuar e zhdukur shkakun e shkaktarët e fenomeneve që bien ndesh me normat e traditat shoqërore duke u treguar eksigjent e të vendosur për të mënjanuar nga shoqëria ato shkaqe e elementë që janë shkaktarët e burim i fatkeqësive.

     Personazhet pozitive apo negative akuzojnë kështu, Xhoi, kur e pyesin: - Si është e mundur që , nga një e shfrytëzuar që ke hequr të zitë e ullirit dhe ke humbur rininë, të kthehesh në tutore që shfrytëzon të tjerat? – Ajo përgjigjet : - Ashtu si shumë të shfrytëzuara. Të tilla mund të gjesh dhe në zyrat e shtetit. Ato u spërdrodhën, morën  diploma duke shitur trupin, i verbuan dhe u punësuan në krah të tyre, madje kanë karrierë të admirueshme. – Besoj se më qartë kurrë nuk është folur e, sjellje më  të shëmtuar e më të ulët, më makabre e më tragjike për moralin e një vendi nuk mund të ketë.

     Mënyra e trajtimit të ngjarjeve në këtë libër është e ndryshme nga e zakonshmja në letërsin tone që  operon kryesisht me të bukurën e të madhërishmen. Ky libër operon  me të shëmtuarën e të ultën deri në tragjike. Është kjo një sprovë shumë e vështirë që është përdorur mrekullisht vetëm nga Migjeni te “ Poema e Mjerimit” apo “ Te historia e njërës nga ato”. Ky operacion apo përdorim i të ultës si bisturi në një vepër që lufton amoralen për të vënë në piedestal moralen mua më duket se është një rrugë e pa shtruar që mbart rrezikun të shkasësh në moralizim.

     Autori ka arritur ti shkojë personazhit në thelb të shpirtit duke nxjerrë nga aty të shëmtuarën, të ultën, mashtrimin  nëpërmjet  ballafaqimit me të vërtetën e hidhur si: - Një trup femëror i skalitur fizikisht me bukuri, e ngurtësuar si statujë dhe i mbështjell me akull, në atë çast mund të këputej e të rrëzohej, si një gjethe vjeshtake e zverdhur në degë. U kap në befasi, u mpak në çast.

     E hidhura, e shëmtuara përulet përballë të vërtetës, por të vërtetën kërkon ta  nxjerrin në pah vetëm njerëz të përkushtuar, të ndershëm e të pa korruptuar që e duan dhe e respektojnë të vërtetën si Arlinda.

     Tragjedia e Erinës është kulminante. Ajo akuzon hartuesit e zbatuesit e ligjeve që përkrahin e i bëhen mbrojtje Zdravkos e që shfrytëzojnë pozitën shtetërore për të përfituar favore seksuale nga viktimat. Libëri, me një gjuhë të ashpër, trajton skena të tmerrshme të krimit seksual nga njerëz të çmendur, të dehur, të droguar që pasojnë njëri – tetrin në aktet makabre, çnjerëzore të pa imagjinueshme që i  bëjnë ata që ne  ende i mbajmë për njerëz. Janë skena që tmerrojnë, që nxjerrin në pah kafshërinë, subkoshiencën frojdjane e, megjithatë edhe në këto raste punonjësit e drejtësisë e tolerojnë për interesat e tyre personale gjoja për “ mungesë provash”  KËto veprime më kujtuan PLatonin që na mëson se: - Të jeshë i padrejtë është shumë më e rëndë se sa t’i bësh një padrejtësi dikujt.

     Është një libër interesant ku grumbullohen të gjitha mëkatet e shoqërisë. Duket se autori tregon, rrëfen gjithçka të shëmtuar për të vënë gishtin në plagë  për të  denoncuar e dënuar gjithçka jo vetëm nëpërmjet ngjarjeve por edhe me opinionin e tij. Mendoj se kjo i kufizon hapsirën lexuesit për të gjykuar ngjarjet duke jetuar me rrëfimet e autorit.

     Në libër ashtu si dhe në jetë e bukura dhe e shëmtuara jetojnë bashkarisht, përbri njëra – tjetrës, madje si një trup i vetëm ashtu si tek Erina që gjenë Kreshnikun. Thonë se në jetë nuk ka mrekulli të pa merituara, por për Erinën autori apo fati e  ka gatuar mrekullinë që ia fal një djalosh shqipëtarë që, duke jetuar në Europë mua më duket se është bërë më european se vetë europjanët. Dhe jeta vazhdon. siç thotë Xhon Gollsuothi te “Saga e Forsajtëve”: “ … vriste mendjen,…se si mund të rronte e pastër një grua në këtë botë burrash që bëjnë çmos për të mos e lënë bukurinë që tu shpëtojë nga dora.”

     Ky libër është një prurje e guximshme që guxon e lufton për të drejtat e njeriut, të femrës e të të miturve, të kujtdo që nuk arrinë të përballet me padrejtësinë. Është detyrë e shoqërisë, e institucioneve që të luftojnë për të bukurën e të dënojnë të shëmtuarën njerëzore!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page