Myzafer ramazoti: BIG-BENGU I NJË SHKRIMTARI
- Mar 12
- 6 min read

( Mendime rreth librit “ Shtëpia në rrugicë “ të shkrimtarit Fatmir MINGULI )
Me shumë vonesë më ra ndër duar libri me tregime “ Shtëpia në rrugicë” me autor Z. Fatmir MINGULI dhe, si më lodhi parathënia që ( më falni) fliste më shumë për kulturën e parathënësit se sa për metaforat e mrekullueshme të tregimeve në libër, atëherë, disi me përtesë , nisa të lexoj tregimet e trajtuara thjeshtë e bukur, me penelata të kursyera apo me dorë të lirë, bardhë e zi ngjarje e ndodhi të qytetit tim.
Stefan CVAJG kur analizon veprat e Hinderlinit shkruan: “ Unë nuk kërkoj formula për karaktere shpirtërore, vetëm u jap formë atyre.Nëse në librat e mi bashkoj përherë me vetëdije individualitete të tilla, e bëj ashtu sikurse piktori në veprat e tij kërkon të gjej këndshikimin më të përshtatshëm, në të cilin drita dhe dritëhija gërshetohen në mënyrë të ndërsjellë dhe, nëpërmjet kontrasteve, realizohet ngjashmëria e tipit, më parë e fshehur, ndërsa më pas, e qartësuar.”
Nga leximi u befasova, u befasova sepse më dukej se po ecja nëpër ato rrugë e rrugica ku edhe unë kisha bërë hapat e mija të para në jetë; u befasova se po takoja njerëz që i njihja , që i kisha hasur, takuar e folur çdo ditë në ato rrugë e rrugica që, atëherë, ishin të shtruara me kalldrëm. Për mua ata ishin njerëz të zakonshëm e, për shkrimtarin vëzhgues i vëmendshëm, personazhe me karakteret e tyre individuale që unë nuk i kisha vënë re.
E lexova librin me qetësi dhe, si e mbarova, iu riktheva përsëri e gjeta jo vetëm rininë time , por edhe projektplanin e më vonshëm të krijimtarisë së Mingulit që, si një vëzhgues i spikatur rrëmon thellësitë, thelbin e ngjarjeve që kanë qenë gjatë gjithë kohës pranë nesh pa u vënë re nga ne. Janë pikërisht këto dukuri që autori i sjellë para nesh fare thjeshtë, në mënyrë lakonike duke vënë theksin në vlerat e tyre.
Libri “ Shtëpia në rrugicë” mua më gjasoi me një arë apo me një lulishte të vogël të punuar mirë, thellë, qelizëm, e plehëruar dhe e mbjellë me bimë të shëndetëshme me bindjen se do të japë prodhim të bollshëm. Në këtë libër të thjeshtë me tregime të shkurtëra Fatmiri ka derdhur krijimtarinë e tij gurgulluese të mbrujtur me tharmin, me majanë e ëmbël të fjalës shqipe për të na trasmetuar mesazhe të ëmbla e të tharta që janë të pranishme në jetën tonë.
Në këndvështrimin tim, me siguri me vetëdije, këtë punë e ka bërë dhe miku im Fatmir Minguli në të gjitha librat e tij, që pasojnë njëri- tjetrit, duke u zgjeruar e thelluar nga “ Shtëpia në rrugicë” e, deri tek më i fundit “ Durrësi i humbur”.
Krahasimi e vazhdimësia, për mua, janë elemente favorizues, apo më saktë, përcaktues në proçesin krijues duke lartësuar vlerat shpirtërore e duke zgjeruar hapsirën e vëzhgimit. Ndoshta befasisht, duke lexuar librin “ Shtëpia në rrugicë”, tregimet e përfshira në të si dhe librat e njëpasnjëshëm të më vonshëm të Mingulit, mu duk se gjeta thellësinë e mrekullueshme të ideve e të mesazheve që zgjerojnë horizontet e autorit e të lexuesit.
Nga një vështrim i tillë i realitetit Minguli, nga pasioni, si një psikolog, vëren gjithçka me vullnet e dashuri frymëzohet për ti dhënë jetë krijimit lidhur shpirtërisht me atë që e tërheq e i bën përshtypje. Ai nuk pretendon të përshkruaj tërë botën shpirtërore të personazheve sepse e ka të qartë se edhe ai( personazhi ) ashtu si natyra ndryshon duke u bërë më i pjekur por, edhe se ajo është e pafundme. Fatmiri, në tërësinë e veprave të tij duket se kërkon pikërisht këtë pafundësi pa vendosur barriera, caqe e kufij. Kështu, gradualisht, i pasionuar me të njejtën kohë në të cilën gjallon, ndërton gjithnjë me kurreshtje në rritje ecurinë e veprimtarisë së tij që, siç thotë Cvajgu “ vështron përherë e më lart hapsirën e vogël qiellore e kohore në të cilën qëndron pezull dhe e pa sigurtë jeta jonë”!
Kam përshtypjen se ky libër me tregime paraflet, është gjenaza apo Big –Bengu që vjen si një pikë shpërthyese që me kohë nis të thellohet e të zgjerohet. Mendoj se ky libër në tregimet e tij mbart qelizat fillestare të librave të më vonshëm.
Në këtë libër gjejmë në përmbajtje e në ide embrionin, zanafillën e librave të më tejshëm. Pikënisje është një klub i thjeshtë buz detit që shtrihet në disa tregime si “ Heshtja dhe shkrimtari, “ Shkrimtari dhe fytyrëzbehti”, “Në barakën ku prodhohen poetë”, “ Tre poetë dhe i katërti”, “Një gazetarë në koktej” etj. S’është çudi që këta njerëz ecin çdo ditë pranë nesh duke u shtirë, të heshtur që i servilosen më të mirëve, më të arrirëve, që presin ti përshëndesim e ne i përcjellim me indiferentizmin durrsak që sheh gjithçka e nuk përgoj asnjë sepse e din se pas përshëndetjes servile fshihen “ zgërllihjet” pas krahëve kur përpiqen të fundosin më të mirët.
Fatmiri këto dukuri jo vetëm i sheh e i evidenton e, për të na tërhequr vëmendjen, i kthen në personazhe për të na thënë se është shumë e vështirë të mbetesh i pastër, orgjinal e njeri i vërtetë sepse ata të pikturojnë “ Pa sy”…
Mua më duket se këta njerëz personazhe gjejnë shtrirje më të gjërë, me realiste, më të bukur e më të vërtetë te librat e mëdha pasardhës “ Peligrinazh në Durrës”, ” E shtuna Durrsake” që, bashkë me “ 2M-n” shërbejnë si një klub i mrekullueshëm që propagandon realisht vlerat e artistëve dhe të krijuesve durrsakë.
Tregimet “ Refleksione në shi”, “ Klubi i Llaqit”, “Delfinët durrsakë”, “ Dy peshkatarë!, “ Shtëpia në rrugicë” etj më duken si pararendës, si parathënës, si zanafilla apo Big – Bengu i librave “ Njerëz të Durrsit”,apo “ Durrësi i humbur”.
Fatmiri gjuan atë që ne nuk arrijmë ta vëmë re, të mistershmen. Këtë mistikë e shohim në tregime si “ Macat”, “ Valixhja që lëviz”, “Sixhadet e mistershme” që dizenjon Edvini, piktori, jo kryeministri që dizenjon atdheun, qytetin, plazhin në vizatimet e tij shkresa.
Në jetën e përditëshme krizat politike, ekonomike e financiare i përjetojnë njerëzit ndërsa në këtë libër përmes një aliteracioni të mrekulluashëm, i përjetojnë kafshët, sidomos qent. Një dukuri të tillë të habitëshme e gjejmë te tregimet “ Qeni i Sabinës”, “ Rritësi i çuditshëm i qenve” , “ Qeni dhe lypsi” që janë tregime që të tërheqin vëmendjen. Personazhe janë kryesisht qentë të cilët, flasin e qajnë jo duke lehur, por duke vepruar në përshtatje me rrethanat. Jan qen që përcjellin mesazhe kulture që ka kohë që u mungon njerëzve të cilët jan bërë më të pamëshirshëm, më të egër e egoistë ndaj njëri – tjetrit sesa kafshët. Të bie në sy se kafshët, qen e mace, kanë individualitet e solidaritet, cilësi këto që njerëzit kanë kohë që i kanë humbur.
Kam përshtypjen se tregimi “ Në klubin Makabe Zaharia” Është si Big – Bengu që shpërthen ndër vite te Fatmiri me librat e tij kushtuat të ndjerit Mojkom Zeqo. Minguli synon majat edhe njëri prej tyre është mikui tij Mojkomi që, për mua ishte një vullkan krijimtarinë e të cilit Fatmiri e eksploron dhe në këtë tregim hulumtues e enigmatik ashtu siç ishte vetë Zeqo një meteor që herë dukej e herë zhdukej duke mbijetuar, kurdoherë verbues e më i shndritshëm. Kjo është pikënisja që zgjerohet në hapsirën hulumtuese të Mingulit në librin “ Tatuazhe të shpirtit” i cili, bashkë me “ Durrësin e humbur” përbëjnë kulminacionin eksplorues e shpërthyes të prozatorit inxhinjer e artist. Duke krahasuar prurjet e Fatmirit në vite, vë re se atë e kënaq ngjitja, eksplorimi i lartësive dhe, kur merret me trajtesa të thjeshta si tregime , ese, parathënie librash, monografi etj, që nuk kanë forcën shprehëse, vëzhguese e refraktare të Zeqos me siguri është duke pushuar, duke grumbulluar energji për të ngjitur të tjera maja të larta.
Pa e zgjatur më tej dua të them se : - Në çdo kohë, në çdo situatë, edhe në format më kaotike e më të rrezikshme, dhimbja krijuese e Fatmir Mingulit mbetet vlerae tij më e lartë e, mbi të gjithë të tjerat është aftësia vëzhguese e operuese në thellësi për të na prezantuar në narrativën e tij të bukurën, të madhërishmen e njerëzoren.
Myzafer RAMZOTI
10 mars 2026








Comments