top of page

Merita Kuçi Thartori: NJERIU ZGJEDH KOHËN E VET.

  • 2 days ago
  • 5 min read

Merita Kuçi Thartori: NJERIU ZGJEDH KOHËN E VET.

      Udhëtim përmes prozës me tregime ”Zgjim i Përlotur” të poetit dhe shkrimtarit Sherif Gashi.

Asnjë shrimtar nuk do të qe i plotë i parrëfyer. Kështu më ngjau ndërsa përfundova së lexuari prozën e poetit  Sherif Gashi. Do t’i emërtoja këto tregime, proza të thelluara poetike, përshkrime të brendshme të ndjera, monologë a filozofi sociale dhe shoqërore për njerinë në jetë dhe njerinë në atë të përtejmen, në amshim. Lexova këtu për njerinë hyjnor, por edhe atë tokësorë.

Jemi mësuar t’i takojmë zanat në legjendat e Mujit dhe të Halilit, në orët e Lahutës së Gjergj Fishtës. Ato na kanë ushqyer më gjendjet e dhembshura apo të ndjera, me luftë, me përpjekje dhe krenari. Kështu bën të në të ngjashmen e tij prozatori ynë Gashi, duke na përcjellë në hyrje të librit ( duke lënë mënjanë qartësinë e tij, qëllimin pse i shkroi këto tregimë, për ta ofruar lexuesin në optikën e retinë së tij të dritës) vargjet tek “ Udhëtim drejtë vetëdijesimit” tek Zgjim i Përlotur dhe në epilogun “ Kthim në kujtesë, në origjinë, në plagë” tek Përlotja e Zgjimit.

Në hyrje kemi një profil krijuesi, i cili përjeton dhembjen sikur ati I tij më tej prozës, atë të Odisesë, kthimin në tokën plot histori të të parëve, për të shpirtëzuar shpresën e palodhur ( thotë poeti,) shkon gjërësisë së ngjarjeve, shpirtrave që kërkojnë paqen, sikur lumi që gjallon, gjëllin dhe në mbyllje njeriu drejtë përjetësisë, vjen më i qartë, misioni i tij historik, pra i vetë poetit,i cili nuk mbetet vegim ndër mite apo legjenda, por është një histori e jetuar po dhembshur, por tashmë jo vetëm lumi, por edhe guri, mbase murana e autorit gjëmon, gjëllin.

Nënkresa e autorit, ati i tij, i cili e ka mbrujtur birin me guxim, me shpresë , me qenësinë e burrit, në të mirë e në të keq. Ngjarjet tragjike të Tivarit 1945, si një varr brenda shpirtit të atit të autorit dhe një plagë e historisë shqiptare, janë zanafilla e fatit të shqiptarit. Kjo masakër barbare, e sjellë këtu jo në mënyrë të rastësishme, është pikërisht mënyra e kujtesës, nderimit dhe respektit për historinë, për të vërtetat që nuk duhen harruar, por gjithnjë duhen dëshmuar.

Në dimë për verbërinë e Homerit, për themelin e historisë antike “Odisenë”, por homerët me histori shqiptare janë gjallë, rrëfejnë ato të parat, të prekurat, të jetuarat, sikur babai i autorit, i cili do t’i shfaqet autorit si fatbardhësi edhe në udhëtimin e tij të dëbimit, atë natë të ftohtë Marsi më 1999, pikërisht drejtë tokës amë, aty ku takoheshin dy Drinat, ku do t’u mungonte Gjallica madhështore, djepi që u kishte përkundur jetën, në vetvete vende në zemër të Europës, por që për lakmitë e makinerisë Serbe, duhej të provonin sërish atë udhëtim barbar, ku udha e kthimit krah Prizrenit e shtëpive të tymosura, ditëlindja e vajzës Xona pa torte e pa festë, do të ngrinin ëndrra të reja për autorin e të dashurit, familjarët e tij.

Simbolika e Lahutarit është gjithnjë në funksion të rrëfimit të autorit, vëzhgimet e të cilit shkojnë përtej kohës, ku autori shtegtar ka zënë vendin, dëshmia e nënës si vetësakrifikim, zenë vend në faqet e kësaj proze me tregime, jo thjeshtë si histori personale, por është historia e një populli. Ky është edhe qëllimi i autorit, ku nëpërmjet ngjarjeve të jetuara të dëshmojë.

Vend të veçantë në këto tregime ze figura e shkrimtari, bashkëqytetarit, mikut të tij të dritës Ragip Sylaj. Filozofia  e të ndjerit, përcillet nga autori përkundrejtë fjalëve trup dhe turp. Ky dualizëm ardhur nga autori edhe si monolog i brendshëm, herë si dialog i drejtëpërdrejtë, është dyzimi i të kuptuarit nga realiteti ku jetojnë bashkëqytetarët. Mendimet e të ndjerit, shprehja e ballit të tij, mollëzat e ngritura, mjekrra paksa vezake, i gjatë e ashtu thatanik, ia bëjnë shpesh ligjërimin e tij të pa aftë për t’ia kuptuar, por ai qe vullkan mendimi, ai dinte të kërkonte të falur për ato që nuk mund të bënte, boshti trup – për t’u ndjerë mes të tërëve i vlerë dhe turp- për të mos qenë si shumë të tjerë, ndërsa autori ynë i kundërpërgjigjet se dhembjen e kanë provuar plot të tjerë, e ka patur pjesë të vetes dhe se të dy zgjedhin të jetojnë mes diellit dhe tokës, se për të diturit dielli është udhëtim i shpirtit kurse toka t’i jepesh përjetësisë edhe me dashuri.

Më tej shkrimtari udhëton përmes përballjes me mungesën dhe dhembjen. Udhëtimi i tij nëpër Shtegun e Zanës, Prillin e mjegullt, për të arritur tek mirazhi, Guri i Diellit dhe si në mitologji mes elementëve të jashtëzakonshëm, do të ndihmohet nga Zana e Malit,( për t’i ikur atij shtegu përndjekës kalimtarësh), nga Syri i Zanës për të arritur në Gji të saj dhe në fund të pasqyrohej aty ku pasqyrohej vetë Zana.

Njësimi i njerut Zanë, njësimi i gjetjes së paqes tek e fundit, kjo e bën të jashtëzakonshme gjenialitetin e një krijimi sa në retrospektivë edhe në aktualitet.

Duke prekur tri magjitë e Zanës, syrin, gjirin dhe udhën e saj, autori, ai pra udhëtari shtegtar, nëse Zana shpërndante dashuri të djeshme, të tashme , të ardhme, autori ynë arrin të shikojë më tej. Ai sheh lindjen, dëshirat, dashurinë, forcën, gjykimin, sheh copëzat e shpërndara të mbledhura, për të shkuar në sinkronë me Gurin e Diellit, pra me dritën, dritë këtu si symbol i jetës, i vazhdimsise për të mbetur, për të mos u harruar.

Në pjesën e tretë të udhëtimit, tipizimi i dy shtretërve, shtrati ku pushojnë vetëm dhembjet dhe shtrati ku pushojnë edhe edhe dhembjet, edhe vuajtjet është pikërisht tipikja e dy botëve, ajo e të gjallëve dhe Hadi, ajo e të vdekurve. Ecuria e përshkrimit të gjendjes së brendshme, torturat në ketë udhëtim, marrin plotësinë e kuptimit vetëm me një frazë të autorit ...lufta e njeriut me vetveten. Etiketimi i njeriut me cilësitë e së djeshmes, të sotmes dhe të ardhmes, në fakt janë vetëm nocione, sepse autori fukusohet në fund tek e sotmja, ndaj i drejtohet vetes me forcë dhe i thote:- Mendo!

Koka identifikohet me mendimet dhe sikur shprehet i shqetësuar autori rrëfimtar...askush s’don t’ia dijë për to. Ai e vendos veten në tri kohë, dje, sot dhe nesër, si një shtegtar i ndërgjegjshëm, i përbotshëm dhe i dhembur, sepse i vetëm nuk e bën dot ndryshimin e madh.

Vetëdija e tij edhe pse në dhembje dhe në drejtim të pasigurt, nuk zgjedh të magjepset, pra të përfitojë udhë të lehta, privilegje sikur u themi sot. Majtas unë, djathtas unë... përshfaqet ai, por zgjedh të bëhet qëndrestarë, sepse në udhë është vetëm ai. -Unë mbeta unë,- thotë autori.

Dhe unë shtegtoj pa u tunduar, pa ndryshuar normave dhe vlerave të trashëguara. Edhe Brenda kaosit të shoqërisë në kohë, ai e bart atë si përditësi, nuk hesht, por guxon të reflektojë. Kjo bëhet e dukshme edhe në këngën përmbyllëse të prozës ku pa harruar dhembjet, dhiatën, mitin apo shpirtrat pa varr, ai i drejtohet tashmë hënës së plotë, për jetën me fjalë dhe besë!

Kështu zgjedh të gjëmojë epizmi i autorit tonë, gjëllin brenda lumit të tij, ndërgjegjes së tij, që vjen prej  rrënjëve deri në ditët tona.

Diku mes kësaj proze të ndjerë, sikur thashë më lart, herë epike, filozofike, herë lirikë me frymë metaforike, do të gjeni të citohet se: “... Kjo nuk është një histori personale, është historia e një populli!”

Urime të përzemërta miku im.    

Merita Thartori  Kuçi.                               

16.02.2026.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page