Maxhun Osmanaj: Mbresa leximi
- Feb 25
- 7 min read
Mbresa leximi
“Macja me një sy”, roman me tharmin psiko-filozofik dhe obsesionin e vdekjes
Shkruan Maxhun Osmanaj
(Biser Mehmeti, “Macja me një sy”, roman, SHB “Buzuku”, Prishtinë, 2025)
( Prolog në vend të biografisë)
“E mora librin tënd...dhe me qëllim që ta lexoj në mënyrë komode, unë e hapa dhe desha t’i hedh vetëm një sy të sipërfaqshëm: mirëpo atëherë ai më tërhoqi aq shumë, sa e lexova edhe më tutje.(Seneka, “Letra Lucilit”, Rilindja, Prishtinë, 1983.f, 59), marrë nga “Modelime kuptimi”-studime letrare, Lumnie Thaçi Halili, botimet URA, Prishtinë, 2025, fq.105.
Biser Mehmeti (1962), është njëri nga prozatorët më të suksesshëm të brezit të vet në gjininë e prozës, talentin e tij e dëshmoi në dhjetë romane, disa të shpërblyer në konkurset letrare në Kosovë dhe në Shqipëri, tri libra me tregime, si dhe dy vëllime poetike. Mehmeti është përfshirë në librin me tregime “Nus vers l’indipendance” (Lakuriq drejt pavarësisë, botuar në Paris nga L’Hartman (2020).
“Roman për tranzicionin i një mjedisi sa urban, po aq me mendësi provinciale.Nxitim drejt paradokseve të theksuara.Shkrimtari në mes, me vizionin e ndërgjegjes së një realiteti, i cili do ndryshim”(po aty, në ballinë të romanit).
Heroi intelektual përballë obsesionit të frikës-vdekjes
Romani “Macja me një sy” na ofron një rrëfim të larmishëm me kthesa të mëdha, i cili mban pezull lexuesin me një hartë ngjarjesh të pasluftës në Kosovë, kur lexuesi heton: kërcënime, vrasje, ankth, frikë, trishtim, ndarje, kaos, nepotizëm, mito, korrupcion.Pra, skena të një klime jo fort të sigurt nga klanet dhe rrjetet mafioze. Libri ndërtohet nga 27 pjesë apo kapituj, ku protagonisti apo heroi kryesor, një gazetar intelektual,familjar rrëfen në vetën e parë si përjetues i skenave në Kosovën e pasluftës, ku mungon ligji, mungon drejtësia, mungon mendimi-fjala e lirë e intelektualit.Protagonisti është i mbërthyer në kurthin emocional të frikës, lufton me betejën për shpëtim në çdo rast, pra kemi atë obsesionin e frikës, vdekjes, atë betejën psikologjike.
Kujt t’i tregojë, çfarë do të bëjë, si të dalë nga ky rreth vicioz i mërimangës së mendimeve të frikës i një kohe që mund ta “hajë furra”, atë që shfaq një të vërtetë me fakte.Heroi kryesor është një gazetar intelektual që raporton –shkruan ngjarje, kronika, vrasje..., si p.sh. , vrasjen e kryetarit Kron Matit.Shpesh gazetarit i trokasin në mendje dy mendime diametralisht të kundërta: një zë i huaj i thotë t’i tregojë shoqërisë, të vërtetën me fakte, ndërsa zëri tjetër ia tërhjek vëmendjen, mos e dërgo artikulin për botim, sepse do të ndeshesh me pasoja të rënda, pra e gërryen një betëjë e brendshme psikologjike..Si pasojë e kësaj gjendjeje, lind pyetja hamletiane:Të jesh apo të mos jesh?!Këtu qëndron absurdi i jetës.Brenda këtij eruzioni të brendshëm apo kësaj furtune të dyshimeve të frikës, autori përmes Maces me një sy, arrin të mbajë pezull frikën, obsesionin e vdekjes dhe fatkeqësisë si fantazmë gllabëruese.Macja me një sy na shfaqet në çdo kapitull si agjente, si ndjellakeqe, si kob, si fatkeqësi.Prerja e rrugës nga ajo mace krijon një dimension narracioni ku bestytnia vihet në shprehje. Heroi, herë e mbyt macen, herë e plagos pafajshëm, herë i ikën asaj, herë i shfaqet në çdo mes si simbolikë e djallit dhe fatit të ligë.Largimi i tij, pra dëbimi nga puna si gazetar, nga shefi i gazetës, Fred Krosi, ndarja e tij me Annikën, bashkëshortja e dy fëmijëve (Mona dhe Loni),ikja e saj në Angli, e vë në kulmin ideor të fatit të kryeheroit.Pra, si pasojë e shantazheve që i bëjnë gazetarit, Annika nuk përballon këtë shantazh dhe ndahet nga ai.Autori shpalos fuqinë e korrupcionit dhe njerëzve mafioz, të cilët nuk njohin pushtet, nder as drejtësi.Atyre u mungon morali, dinjiteti, ndërsa arma shkatërruese, shantazhi, është tepër e rrezikshme. Portreti i kryepersonazhit na del i dinjitetshëm, i cili provon dinjitetshëm ta kryejë punën e vet, por atij i shfaqen shpesh tre-katër njerëz të grupit mafioz që e kërcënojnë, e përcjellin dhe e plagosin.Tani papunësia ia kërcënon të ardhmen dhe shpesh i duket se po bie në humnerën e keqe të fatit të jetës.Atë e bren se s’ka kush ta mbrojë, meqë ligji nuk kthe kryet nga viktima: në një rast shpërthen :”Shkaku i atij shkrimi jeta ime u përmbys...”(fq.42).Ai dehet nganjëherë si ngushëllim ta mundë fatin, kohën, meqë fati sikur ia ka kthye shpinën dhe e ka harruar.Gazetari, narratori kryesor nuk është i vetëm, i cili përjeton fatin e keq në shoqëri.Një fat i tillë përjeton edhe Rambo, emri i vërtetë Sadik, një djalosh i tridhjetë e pesave, i cili është kthye në një lypës, pa grua, pa fëmijë.”Dikur e kam pasur edhe një grua...Emrin e ka Sadie...jo, jo Sadie, po Sevdie.Nuk di ç’dodhi me të.Kur shkova një ditë në shtëpi nuk e gjeta...Nuk lashë vend pa e kërkuar, por nuk e gjeta askund”(fq.44).Zhgënjimi i madh i Sadikut në njerëz dhe në shoqëri, për faktin se ai nuk gëzon lirinë e mendimit dhe veprimit të dinjitetshëm, ngase nuk e lënë të qetë.Mllefin e ti e shpalos në rrëfim “E kam kryer fakultetin teknik në afat rekord, madje me nota të larta!U pata shpallur edhe “Student i dalluar”.Tri vjet kam punuar arkitekt në komunë, madje kam qenë tepër i suksesshëm.Fatkeqësia ime filloi një ditë kur në zyrë më thirri vetë kryetari i komunës, Saqipi.A je me ne a je me ata, më pyeti me një zë të ngadalshëm duke i zgurdulluar sytë.I thashë; Nuk jam as me ju, as me ata..., nuk dua të përzihem në politikë”(fq.45).Kështu i rrëfen Sadiku, gazetarit dhe vazhdon:”Më thanë: “Bëhu pjesëtar i shërbimit tonë të intelegjencës”(fq.46).Një ditë më braktisi edhe gruaja , ngase s’dëshironte të jetonte me një të marrë”(fq.47).Pra këtu arrijnë njerëzit e pushtetit dhe të partisë, t’u dhurojnë njerëzve fate të dhimbshme dhe t’ua prishin jetën, familjen.Ky përjeton dhunë, goditje, largim nga puna dhe jeta e tij mbaron si lypës drejt humnerës.Edhe ky personazh shpalos një revoltë dhe protestë shpirtërore kundër njerëzve që shkatërrojnë njerëz që s’janë në anën e tyre.
Fati i gazetarit që lufton për të vërtetën e informimit

Obsesioni i vdekjes, kërcënimit e përcjellin hap pas hapi gazetarin si ata tre- katër njerëz enigmatikë, ashtu macja me një sy kobndjellëse.Autori Mehmeti ka arritur të përcjellë mesazhin e një kohe të ndjekjes së njerëzve: intelektualë, gazetarë, që provojnë të shkruajnë një të vërtetë, por që nuk i pëlqen partisë apo mafiozëve të partisë.Atëherë, kuptohet edhe fati i tyre. Autori bë një lidhje narrative lineare që krahas këtyre fenomeneve, heroin kryesor e shoqëron gjithmonë frika nga macja: “Të gjitha fatkeqësitë në jetë po m’i sjell kjo mace e mallkuar, thashë me zërin që më dridhej nga frika se macja në çdo çast do të më hidhej në fytyrë e do të më shkaktonte plagë të rënda”(fq.77).Narratori përjeton edhe tentimvrasje, plagosjen e tij nga njerëzit që ia kishin vrarë vëllanë e tij, Konin 25 vjeç. Plagosjen e vëllait e përjeton rëndë e motra Rita, e cila e këshillon që vëllai të kërkon ndihmë te psikiatri.Heroin narrator e përcjellin kthina të errta të mendimeve.Atë e viziton në mendje, në ëndrra bashkëshortja, Annika dhe fëmijët:Mona dhe Lona.E kaplon zhgënjimi i thellë për jetë... I drejtohet motrës :”Në këtë vend edhe njëqind vjet nuk do të bëhet mirë...Nuk ka njeri në këtë vend që e lufton krimin dhe korrupsionin, aq më pak prokurorët e gjykatësit, të cilët janë vënë në shërbim të grupeve kriminale...Është tragjedi kur shteti udhëhiqet nga kriminelët”(fq.15). Deri këtu arrin zhgënjimi, protesta dhe revolta e heroit narrator.Ai ka humbur besimin për një ndryshim tërësor, për një jetë të qetë.Edhe motra e gazetarit pëson, nuk pranohet në punë. “Aha, mos je motra e Apolonit, atij gazetarit të marrë që shkruan zi e terr për partinë tonë?!(fq.151). Ndjekësit shantazhistë të gazetarit mundohen ta kritikojnë, t’ia veshin shumë dobësi, por ai ka ideal, nuk pendohet për punën që e bë. Ai shpërthen, ka guxim, meqë dinjiteti i tij prapë reagon, nuk hesht”Jam i lumtur për çdo gjë që kam bërë në jetë...Nuk pendohem pse e kam sfiduar të keqen e të shëmtuarën.Nuk do të heq dorë nga idealet e mia derisa të më rrah damari i fundit”(fq.155).Pra, autori na gdhend mirë portretin shpirtëror të gazetarit, i cili na del një zë i guximshëm që shkruan për dukuritë e liga të njerëzve, p.sh. të profesorit Miroli që i kushtëzonte vajzat për nota apo Sara që nuk pranoi një gjë të tillë, e ruajti nderin, por e humbi bashkëshortin për keqkuptim.Gazetarin e ndjekin njerëzit shantazhistë, siç është Sahiti, një ish polic në organët e okupatorit, tash një shpifës polic.Pra, në sistemin zingjiror të keqpërdoruesve të detyrës na dalin njerëz pa dinjitet, njerëz që shkatërrojnë jetën e njerëzve.Dhunon profesori, dhunon drejtori i shkollës, dhunon polici, shunon prokurori .”Ndoshta nuk ke guxim të shkruash për rastin tim që më ka shkatërruar jetën...”(fq.170)., -i drejtohet një e dhunuar, gazetarit.Pra, në çdo rast ku ka nevojë për ndonjë shërbim, gazetari është në shënjestër nga ndjekësit, kërcënuesit, shantazhuesit. Prozatori Mehmeti, përmes narracionit të kryepersonazhit Apollon Karadaku, që në fund na e zbulon autori me emër dhe mbiemër, ka arritur të na ofrojë një roman me një pasqyrë të hijeve të errta të disa njerëzve, që i japin një pasqyrë të zymtë kohës dhe shoqërisë, të cilët nuk njohin ligj, drejtësi, moral, por shkatërrojnë shpirtra të pafajshëm, themelin e një jete të dinjitetshme.Shprehjet figurative që përshkruajnë njerëz në situata të caktuara, e fuqizojnë stilin dhe intrigën narrative si estetikë dhe mesazh. Autori përdor shprehje të fuqishme si dhe metaforën, krahasimin dhe epitetin, që forcojnë gjuhën figurative dhe stilin artistik të veprës.Një roman modern ku realja dhe koha gërshëtojnë dhe nxjerrin njerëz dhe sistem ku vritet mendimi i lirë i intelektualit.Çdo kohë bart mbi supe të veta thyerjet dhe çarjet shpirtërore me kthesa të ndryshme,por ky roman përcjell të lexuesi, një kohë traumatike të pasluftës në Kosovë, një revoltë dhe zhgënjim tejmase.Ndërsa grupet kriminale mafioze përpiqen ta lidhin në pranga dhe ta kryqëzojnë të vërtetën e fjalës dhe mendimit të lirë, ta dënojnë, pra ta vrasin të vërtetën e kohës.Por zëri i së vërtetës shpërthen edhe nga kthinat e humnerave të errta, sado me pasoja, siç është rasti i gazetarit narrator.
Është roman modern që bart përshkrim, bart rrëfim, po edhe mesazh në çdo faqe.Nuk përcakton ndonjë lokalitet, por fryma urbane qytetare , aty-këtu rurale është pjesë e ambientit ku ndërtohet narracioni.Zëri i gazetarit, është zëri i ndërgjegjes, është zë e intelektualit, është zë i dinjitetit, është zë i vërtetës.Në këtë roman fiton arti i shpirtit guximtar, përballë frikës, ndjekjes, dënimit, shantazhit, sado që arratisja nga atdheu dhe përpjekja për t’u bashkuar me bashkëshortën dhe fëmijët është epilog tjetër.
Autorit i dëshirojmë suksese të radhës!









Comments