top of page

Lindita Gera Rushiti: FËMIJËT DURRSAK NË MANASTIR

  • May 10
  • 4 min read

 

 

 

Qyteti i shenjtë i shqiptarëve

Në mes të pranverës, më saktë, më, 19 prill, 2026, një grup fëmijësh nga Durrësi, të shoqëruar nga prindërit e tyre, u nisëm drejt Manastirit, “Qytet i shkronjave shqip”, që unë e quaj “Qytet i shenjtë” i shqiptarëve. E meriton këtë emër, pasi ky qytet mban vulën e arsimit shqip, si pararendës i shkollës së Mesme, “Noramle të Elbasanit” dhe më tej, i kryengritjeve të mëdha të shqiptarëve, që u kurorëzuan me shpalljen e Mëvetësisë. Pavarësish se problemi ynë mbeti jo i zgjidhur plotësisht.

Ky udhëtim në Manastir, u organizua dhe u krye me nismën e njërit prej prindërve, Dashamir Bogdanit, babait të Dajzës, që e shfaq me krenari atdhedashurinë e saj. Ai organizoi prindërit, gjeti një mjet udhëtimi dhe në mëngjes herët, u nisëm drejt Manastirit. Pjesëmarrës në këtë udhëtim të bukur ishin Gearla, Esjona dhe Laerti me mamatë e tyre, Santi me babanë e saj, Antonjo, Dajza dhe Ajseli ishin me të dy prindërit e tyre.

Udhëtimi ishte i bukur, veçanërisht për fëmijët kureshtar, që pyesnin për gjithçka që u binte në sy. Gjatë udhëtimit u bë një ndalesë e shkurtër. Më tej udhëtimi shkoi i qetë, duke kaluar Qafëthanën, pamjet magjike të liqenit të Ohrit, qytetin e Strugës buzë liqenit, pyjet që stolisnin të dy anët e rrugës. Në mes-dreke arritëm tek Biblioteka e Manastirit, ku na pritën me shumë dashuri Emira dhe Molosi.

Ky udhëtim kaq simbolik, ishte si përgjigje e një veprimtarie të organizuar në shkollën 9-vjeçare “Abedin Dino”, në Durrës, nga mësuesja Lindit Gera Rushiti, në prill të vitit të kaluar, 2025. Ishte një orë projekti me nxënësit e klasës, me temë: “Gjuha shqipe, e ëmbël si fllad i verës”. Në këtë veprimtari ishte e ftuar Emira Selimi, nismëtarja e krijimit të Bibliotekës të librit shqip në Manastirit. Ishte Ermira, ajo i ftoi fëmijët që të vizitonin Bibliotekën e Manastirit, kur të mundeshin.

 

Fëmijët vizituan Bibliotekën, panë librat e saj, dhuruan libra e dhurata për fëmijët që mësojnë gjuhën shqipe në Bibliotekë. Emira na tregoi se si e kishte nisur këtë rrugëtim me shumë vështirësi dhe se më në fund ia kishte dalë të realizonte ëndrrën e saj më të madhe. Fëmijët kishin mësuar vjersha për gjuhën shqipe nga Gjergj Fishta, Ndre Mjeda dhe Naim Frashëri dhe i recituan bukur ato. Spikati Dajza Bogdani, që ju dha mundësia ta shprehë atdhedashurinë, me poezinë: ”Sofra e diellit“.

Emira na shoqëroi të vizitonim qytetin e shenjtë të Manastirit, qytetin e shenjtë të shqiptarëve, qytetin e alfabetit shqip, qytet që mban mbi shpinë, në ndërtesa, rrugë e burime, një pjesë madhore të jetës dhe historisë shqiptare.

Në një moment kaq delikat për shqiptarët e Manastirit, Shkupit, Dibrës, Tetovës, Gostivarit, Kumanovës, Ohrit, Strugës, etj, kjo vizitë merr peshë më të madhe, sepse siç e thonë vargjet e këngës “Shqip”: Shqipja është gjuha e të parëve, është besa e burrit, shqipja është drita në mes të flamurit.

Sot rinia shqiptare e këtyre trevave dëshiron që t’u thuhet shqip: - “Gjuha shqipe është zjarr që s’ka për t’u ndalë dhe se shqip do të flasin në shkolla e në shtëpi, gjuhën e nënës me dashuri!“.

Shpresa për të ardhmen është tek të rinjtë e qyteteve shqiptare, sepse për gjuhën e shpirtit, bashkohen në një fjalë, në një mëndim, në një ide, në një qëllim.

 

U ndalëm tek shtëpia e vjetër, pikërisht ku u mbajt Kongresi i Manastirit, nga ata burra të mençur, trima dhe të guximshëm. Nuk di si të përshkruaj ndjesitë e krenarisë të fëmijëve, që i shikonin nga afër, i preknin dhe përkëdhelnin ata gurë të vjetër me aq dashuri, sikur prisnin të zgjoheshin nga gjumi i një shekulli. Emocione dhe përjetime të papërsëritshme, që do kujtohen gjatë, nga të gjithë ne pjesëmarrësit.

Unë kam qenë edhe herë të tjera në manastir, madje edhe në ditën që u përurua “Biblioteka e librit shqip”, por të tillë përjetim nuk e kisha provuar më parë. Mbase ishin fëmijët ata që na afruan më shumë me qytetin historinë dhe magjinë!

Në qytet, fëmijët blenë diçka si kujtim nga qyteti i Alfabetit, shenjë kënaqësie dhe krenarie nga Manastiri.

Më pas, morëm rrugën drejt kthimit. Ndaluam në Ohër e në Strugë, dy qytetet shqiptare, ku bëmë një shëtitje buzë liqenit dhe pamë derdhjen madhështore të lumit Drin. Është bukur për fëmijët të mësojnë  dhe të prekin gjeografinë e trojeve Arbërore.

Nuk munguan fotot me mjellmat e bardha që notonin në liqen.

Rrugën e kthimit nuk e ndjemë aspak, sepse fëmijët u organizuan nga mamaja e Laertit, që të këndonin këngët që ata kanë mësuar në shkollë, nga gurra jonë e çmuar popullore. Fugoni ishte i pajisur me mikrofon dhe fëmijët u bënë “artistë” në këndimin e këngëve : ”Çoban ç’ta dëgjova zënë”, “Grurë dhe këngë”, “Potpuri krutane”, “Potpuri durrsake”, “Lule moj”, .....etj.

Atë ditë u kënaqëm me këta fëmijë të çiltër e të gëzuar, të edukuar dhe në harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Për të gjithë ne, qe një udhëtim mjaft i bukur, me vlera qytetarie, atdhetarie, miqësie dhe bashkëpunimi.

Udhëtime të tilla mbesin gjatë në memorien e çdokujt. Dashuria për gjuhën shqipe mori një tjetër vlerë në sytë dhe zemrat e fëmijëve, sepse u rrënjos më tepër në zemrat e tyre të lira dhe të dlira. Historia nuk mund të shbëhet, ajo mbetet e shkruan në gur, por edhe në gjakun e çdo shqiptari.

Jam e bindur se në të ardhmen, këta fëmijë dhe shumë të tjerë, do të vijnë përsëri në këtë qytet, që na tërheq me historinë e tij të trazuar, të mohuar, por të lavdëruar.

Urime dhe përjetime kaq të bukura në udhëtime të tjerë, për të njohur historinë dhe gjeografinë e trojeve shqiptare.

Mirënjohje prindërve dhe fëmijëve!

E dua një fjale sot, që flet për atdhedashurinë,

se sa nesër një fjalë që flet për parajsën dhe gjithësinë. 

Agim Desku. Poet

 

Lindita Gera Rushiti

Durrës, më, 07. 05. 2026.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page