Laureta Petoshati: Emily Dickinson një prani që duket sikur lindi më shumë pas vdekjes
- May 17
- 15 min read

(Me rastin e 140 vjetorit të ikjes nga jeta)
Nga Laureta Petoshati
Në Vlorë me poezitë e Emily Dickinson
Në një kohë kur bota po bëhet gjithnjë e më e zhurmshme, poezia e Emily Dickinson mbetet një nga ata zëra të rrallë që na mëson të dëgjojmë heshtjen. Pikërisht për këtë arsye, njohja e saj është e rëndësishme jo vetëm për letërsinë botërore, por edhe për kulturën shqiptare. Ne, si popull që kemi kaluar dhimbje, mall, vetmi dhe shpresë, e kuptojmë mirë poezinë që lind nga thellësia e shpirtit. Emily Dickinson nuk shkroi për lavdi apo duartrokitje. Ajo shkroi për njeriun, për frikën, shpresën, vetminë dhe dritën që mbijeton edhe në errësirë.
Këtë vit, më 15 maj, mbushen 140 vjet nga ndarja e saj nga jeta, por poezia e saj vazhdon të jetojë me një forcë të jashtëzakonshme shpirtërore. Ka edhe një simbolikë historike domethënëse. Emily Dickinson u nda nga jeta në vitin 1886, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës përjetonin jubileun e 110-vjetorit të Pavarësisë së tyre. Sivjet Amerika feston 250-vjetorin e saj, dhe për shqiptarët kjo datë ka një kuptim të veçantë, pasi ky shtet e ka ndihmuar Shqipërinë në momente të rëndësishme historike.
Unë si vlonjate bëj pyetjen: Po a kishte dëgjuar ndonjëherë Emily Dickinson për Vlorën? Jo. Por për Shqipërinë natyrisht që po. Nga letrat e saj dihet se ajo e njihte mirë poezinë e Henry Longfellow, i cili kishte shkruar edhe për Skanderbeun tonë, shqipëruar në mënyrë të magjishme nga Noli. Kështu, në mënyrë të tërthortë, emri i Shqipërisë mund të ketë hyrë edhe në universin kulturor të Emily Dickinson- it.
Dhe ndoshta nuk është rastësi që aktiviteti poetik në Vlorë mban titullin “Më sill perëndimin në një kupë”. Ka qytete ku perëndimi thjesht shihet, por në Vlorë ai duket sikur jeton mbi det, si një poezi e heshtur mes dritës, qiellit dhe ujit. Pikërisht këtij peizazhi i shkon natyrshëm atmosfera meditative dhe misterioze e poezisë së Emily Dickinson-it.
Në letërsinë moderne botërore, Emily Dickinson konsiderohet një nga poetet më të mëdha amerikane të shekullit XIX. Ajo krijoi një poezi krejt të ndryshme nga tradita e kohës. të shkurtër në formë, por të thellë në kuptim. Në pak vargje arrinte të përmblidhte ankthin, dashurinë, përjetësinë dhe misterin e jetës njerëzore. Poezia e saj nuk lexohet vetëm me mendje, por ajo ndihet si një përjetim i brendshëm shpirtëror dhe emocional.
Emily Dickinson një shpirt krejt i lirë dhe i pazakontë
Emily Dickinson lindi më 10 dhjetor 1830 në Amherst të Masaçusetsit, në një familje të njohur dhe të kulturuar. Babai i saj, Eduard Dickinson, ishte jurist, kongresmen dhe pjesë e Partisë Whig. Brenda asaj atmosfere të disiplinuar protestante po formohej një shpirt krejt i lirë dhe i pazakontë. Që herët ajo tregoi prirje për letërsinë, natyrën dhe jetën shpirtërore. Kishte dhe një vëlla Austin jurist, por dhe që shkruante dhe ai, ndërsa motra e saj Lavinia ashtu si Emily, edhe pse kishin shërbëtore, merreshin me mbarëvajtjen e shtëpisë, ku hynin e dilnin njerëz të sërës së lartë, ku Lavinia i priste, ndërsa Emily luante në piano dhe kujdesej për nënën e sëmurë.
Kur nisi të shkruante, nuk kishte ende një formim klasik të plotë. Fillimisht admiroi Elizabeth Barrett Browning, motrat Brontë, prozën e Charles Dickens, më pas filozofinë e Ralph Waldo Emerson, dhe poezinë e Henry Langfello-t. Nga të gjitha këto ndikime, Emily krijoi një zë krejt individual, intim dhe misterioz.
Ajo studioi vetëm një vit në seminarin femëror Mount Holyoke dhe iku prej andej për të studiuar në dhomën e saj plot me libra. Kjo sepse institucionet dhe rregullat e ngurta nuk mund ta kufizonin shpirtin e saj të lirë. Erdhi një moment që ajo u tërhoq nga jeta publike dhe pëlqente vetminë, jo si një zbrazëti, përkundrazi, vetmia e saj rezultoi të ishte një institucion shpirtëror që po hidhte në letër talentin e një prej poeteve më të mëdha të njerëzimit. Kjo nga mënyra se si ajo e ndjente dhe e përjetont poezinë. Një nga mendimet më të famshme të saj për poezinë është shkruar në një letër drejtuar Thomas Wentworth Higginson (1870) kur thotë se “Nëse lexoj një libër dhe ai e bën të gjithë trupin tim aq të ftohtë sa asnjë zjarr nuk mund ta ngrohë, unë e kuptoj se kjo është poezi. Nëse fizikisht ndihem sikur më kanë hequr tepelekun e kokës, unë e kuptoj që kjo është poezi. Këto janë të vetmet mënyra që unë e njoh atë. A ka ndonjë mënyrë tjetër? "Kjo thënie shpjegon më mirë se çdo kritikë se çfarë ishte poezia për Emily Dickinson-in. Poezia, për të, nuk ishin ca metafora për të zbukuruar vargun, por një tronditje e shpirtit dhe e qenies njerëzore, një vullkan i heshtur.
Poezitë e saj janë zakonisht të shkurtra, por me një shtresëzim të paparë emocional, metafora konceptuale dhe evangjeliko-biblike. Vargjet vijnë si një ortek që nisin si nga një flok bore dhe bëhen aq madhështore derisa të plandosin. Ajo shkruante për gjëra shumë të vogla, madje dhe për skufjen që vinte gjatë natës për të fjetur, për shallin e hollë, apo fustanin prej tyli, por brenda atyre gjërave të vogla ajo të fuste shpirtin e gjithë grave të njerëzimit, madje një univers të tërë.
Poezi si “Jeta ime ka qenë - një armë e mbushur”, “Thuaje të vërtetën, por thuaje përanshëm”, “Shpresa është krijesë me pupla”, “Dëgjova një zukatje mize - kur vdiqa”, “Era - si Njeri i lodhur trokiti”, “Këndoj të mbush kohën e pritjes”, “Kjo është letra ime drejtuar asaj Bote”, “Unë banoj në mundësi”, “Ndjeva një funeral në trurin tim”, “Meqë s’po reshtja së kërkuari vdekjen”, “Shpirti zgjedh shoqërinë që i përket”, “Unë vdiqa për të bukurën”, “Piva një Gllënjkë Jetë”, “Titulli hyjnore - është për mua prore!”, etj., ndërtojnë një botë poetike të brendshme ku ndërthuren në mënyrë të pandashme mendimi filozofik, ndjeshmëria shpirtërore dhe reflektimi mbi ekzistencën njerëzore, duke e kthyer përvojën individuale në një univers të gjerë simbolesh mbi jetën, vdekjen, shpresën dhe pafundësinë e mendjes. Ajo jetoi larg botës së jashtme, por brenda vetes ndërtoi një univers të pafund poetik.
Emily Dickinson dhe ligji i mohimit të mohimit
Emily Dickinson mbetet një nga figurat më mitike të poezisë botërore, një prani që duket sikur lindi më shumë pas vdekjes sesa gjatë jetës. Ajo jetoi e tërhequr në Amherst, larg shoqërisë dhe zhurmës publike, duke krijuar një univers të brendshëm poetik që nuk u shfaq hapur për bashkëkohësit e saj. Ky izolim, i shoqëruar me heshtjen e botimit të poezive, e ktheu figurën e saj në një mit të gjallë të vetmisë dhe misterit. Në vitet e fundit të jetës, ajo vishej pothuajse gjithmonë me të bardha, duke krijuar imazhin e një figure thuajse eterike, mes botës reale dhe asaj shpirtërore. Për shumëkënd, ajo u perceptua si një prani e largët, pothuajse legjendare, si një zë që fliste nga një hapësirë e padukshme.
Por miti i saj u përmbyll dhe njëkohësisht u përmbys pas vdekjes. Në frymën e një dialektike të heshtur, mund të thuhet se vdekja e saj “mohoi” heshtjen e poezisë së mbyllur, dhe zbulimi i dorëshkrimeve “mohoi mohimin”, duke e nxjerrë në dritë një nga korpuset poetike më të fuqishme të letërsisë moderne. Kështu, nga një jetë e padukshme lindi një prani e përjetshme: miti u bë vepër, dhe heshtja u kthye në zë universal. Kjo ndodhi sepse gjatë jetës së saj, Emily Dickinson pothuajse nuk u njoh publikisht. Vetëm disa poezi iu botuan. Në vitin 1886, kur ajo shkoi në përmasën tjetër, atë të përjetësisë, motra e saj Lavinia gjeti në sirtar afërsisht 1800 dorëshkrime të quajtura “fashikuj”, që treguan se Emily Dickinson kishte ndërtuar në heshtje një kështjellë madhështore poetike.
Poezia e Emily Dickinson- it nuk i përket vetëm Amerikës
Sot, Emily Dikenson konsiderohet një nga themelueset e zërit autentik amerikan në poezi, ajo së bashku Ralph Waldo Emerson, Walt Whitman janë figura kyçe të rinovimit të mendimit dhe poezisë amerikane, ku Emerson frymëzoi vizionin transcendentalist, Whitman hapi vargun e lirë dhe zërin kolektiv, ndërsa Dickinson solli një poezi introspektive dhe moderne, që i flet pavetëdijes dhe e zgjon në qetësi me një zë të brendshëm, por kumbues.
Madhështia e Emily Dickinson -it kuptohet edhe nga fakti se vargjet e saj kanë prekur jo vetëm kritikët letrarë, por edhe figura të mëdha shpirtërore të botës. Në meshën e Pashkëve të vitit 2019, Papa Francesku gjatë predikimit të tij i nxiti besimtarët të kapërcejnë frikën e tyre dhe të ngrihen. Për të inkurajuar këtë zgjim, ai citoi vargun e famshëm të Emily Dickinson: "Nuk e dimë kurrë lartësinë tonë derisa të thirremi që të ngrihemi", duke shtuar se "Zoti na thërret të ngrihemi". Ishte një moment simbolik: një poete e heshtur amerikane e shekullit XIX fliste para miliona njerëzve në botë.
Kjo tregon se poezia e Emily Dickinson- it nuk i përket vetëm Amerikës. Ajo i përket njerëzimit. Dhe ndoshta madhështia e saj qëndron pikërisht këtu: ajo jetoi larg zhurmës së botës, por krijoi një poezi që vazhdon të dëgjohet në të gjithë botën.

Poezi nga Emily Dickinson
Shqipëroi nga anglishtja Laureta Petoshati
1. Më sill perëndimin e diellit në një tas
Nga Emily Dickinson
Më sill perëndimin e diellit në një tas,
Shtambat e mëngjesit numëro më pas
Thuaj me sa pika Vesë gjithashtu,
Më trego sa larg shtrihet mëngjesi,
Më trego në ç’orë fle endësi
Që tjerr hapësirën e qiellit blu!
Më shkruaj sa nota muzike ka atje,
Ku Gushëkuqi nis dalldisjen e re,
Mes degëve që u ngjall çudi
Sa udhëtime bën Breshka –
Sa kupa Vese rrëkëllin Bleta,
Pijedashëse me tepri!
Po ashtu, harqet e Ylberit kush i ka caktuar
Po ashtu, sferat e urta kush i drejton shtruar
Me fijet e kaltërsisë që ndriçon?
Gishtat e kujt lidhin stalaktitet si rruaza–
Kush i numëron stolitë që nxjerr nata
Për t'u siguruar që asnjë s‘mungon?
Këtë Shtëpizë të bardhë kush e ngriti
Dhe dritaren kaq ngushtë kush e puthiti
Shpirti im s’ mund të shikojë?
Kush do më nxjerrë ndonjë ditë të bekuar
Me krahë a mjete për tu larguar
Që madhështinë boshe ta tejkaloj?
2. Jeta ime ka qenë - një armë e mbushur
Jeta ime ka qenë - një armë e mbushur
në qoshe- derisa një ditë vjen
I Zoti kalon- më njëjtëson
dhe me vete më rrëmben.
E tashmë Ne endemi në Pyjet Sovranë
E tashmë shkojmë Kaprollen të gjejmë
E çdo herë që për Të unë flas
Malet menjëherë përgjigjen e kthejnë.
E unë buzëqesh, një dritë kaq e fortë
Flakëron përmbi Luginë
Është sikur një pamje Vezuviane
Ka çliruar tërë kënaqësinë.
E kur natën- Dita për bukuri ka shkuar
Te Koka e Mjeshtrit tim sytë i mbaj
Është më mirë se nënkresa e thellë
Me pupla Rosash - Deti -që me të e ndaj.
Ndaj armikut të tij - jam armike për vdekje
Asgjë për herë të dytë s'lëviz
Mbi atë unë hedh një sy të verdhë
O bëj të zhdërvjellët të madhin Gisht.
E pse unë se Ai - mund të jetoj më shumë
Ai duhet më gjatë - të jetojë se Unë.
3. Thuaje të vërtetën, por thuaje përanshëm
Thuaje të vërtetën, por thuaje përanshëm -
Suksesin te rrethi i plotë e gjen
Fort e shndritshme për gëzimin tonë të luhatshëm
Madhështore befasia e të vërtetës vjen
Si një rrufe që fëmijëve u thjeshtohet me fjalë
Me shpjegime plot butësi
E vërteta duhet të na vrasë sytë dalëngadalë
Ndryshe do të mbetet qorr çdo njeri -
4. ʺShpresa" është krijesë me pupla
ʺShpresa" është krijesë me pupla -
Që brenda shpirtit rri-
Këndon melodi pa fjalë -
E s’ndalon fare - kurrsesi -
Dhe mjaft ëmbël –në Puhi-dëgjohet-
Dhe e egër stuhia duhet të jetë -
Që Zogu i vockël nga ajo të hutohet
Ai që mbajti ngrohtë kaq vetë -
Në vendin më të akullt e kam dëgjuar -
Dhe në detin ku mendja s’më ka shkuar -
Prapë, kurrë, në skaj qoftë dhe një thua,
Ajo s’kërkoi një thërrime- nga mua.
5. Dëgjova një zukatje mize - kur vdiqa
Dëgjova një zukatje Mize - kur vdiqa-
Në Dhomë gjendja e Qetësisë
Ishte si Qetësia që mbretëron-
Ndërmjet Vrulleve të Stuhisë-
Sytë përreth- u shtrydhën deri në tharje-
Dhe Fryma u mbajt shumë fort
Për atë Sulm të fundit - kur Mbreti
Të shfaqej vetë- në Dhomë -
Thashë ҫʾlija për Kujtim - Firmosa
Se hiqja dorë nga e imja pjesë
Që mund të jepej- dhe pastaj
u fut aty një Mizë në mes-
Me një Zukatje Blu - të paqartë- të çalë -
Ndërmjet dritës – e meje në shtroja-
Dhe Dritaret sʾpo dukeshin më - e më pas
Nuk mundesha të shikoja që të shikoja-
6. Era- si Njeri i lodhur trokiti-
Era - si Njeri i lodhur trokiti-
Dhe si Zonjë Shtëpie- ʺEja, urdhëroʺ
Përgjigjem me guxim – pastaj hyri
Në Banesën time domosdo
Një Mik i Shpejtë- pa këmbë fare-
Një Karrige po tʹi jepje mʹu atje
Aq e pamundur ishte sikur ti zgjasje
Vetë Ajrit një Kanape-
Sʹkish Kocka që Trupin ta mbante të bashkuar-
E folura e tij ishte një Nxitje prore
E një morie Zogjsh në Kor duke kënduar
Nga një Shkurre e epërme, hyjnore-
Pamja e tij - një Dallgë në zenit-
Gishtat e tij kur qe duke kaluar
Lëshonin një muzikë – si nga meloditë
Që frynin brenda Xhamit duke fërgëlluar-
Bëri vizitë – duke ardhur rrotull në çdo cep -
Pastaj si një njeri i frikësuar
Prapë, Ai trokiti, -me shkulme i paqetë-
Dhe unë vetëm kam qëndruar-
7. Këndoj të mbush kohën e pritjes
Këndoj që të mbush kohën e pritjes
Veçse të lidh skufjen për gjumë,
Të mbyll derën e shtëpisë sime
Sʹkam çʹtë bëj gjë tjetër unë.
Kur hapi i tij i pashoq është afruar
Drejt ditës bashkë udhëtojmë ne,
I themi njëri-tjetrit si kemi kënduar
Për të mos e qasur errësirën atje.
8. Kjo është letra ime drejtuar asaj Bote
Kjo është letra ime drejtuar asaj Bote
Që kurrë sʹmë shkroi një gisht -
Lajme të thjeshta që Natyra tregonte -
Me Madhështi të brishtë.
Dhe i besohet Mesazhi i saj
Duarve që sʹmund ti shoh -
Për dashurinë e Saj – të ëmbël - bashkatdhetarë -
Gjykoni butë - mbi Mua, përse jo.
9. Unë banoj në mundësi
Unë banoj në mundësi–
Një Shtëpi më e këndshme se Proza–
Më e pasur me Dritare –
Më e shkëlqyer – për nga Portat –
Me Dhoma njësoj si Qitrot –
Të papushtueshme nga asnjë sy–
Dhe për një Çati të përjetshme
Drejt Qiellit me dy Pjerrësi –
Me Miq – më të bukurit-
Për Detyrë ku banoj – Këtë -
Hapjen gjerësisht të Duarve të ngushta
Për të mbledhur Parajsën sa sʹka më –
10. Truri -është më i gjerë se qielli-
Truri - është më i gjerë se qielli-
Se- ti vendosësh ata- krah për krah-
Do të ndërfuten te njëri tjetri
Me lehtësi -dhe ti- përkrah-
Truri është më i thellë se deti-
Se - ti shtrëngosh ata- blu më blu-
Do të përthithin njëri tjetrin-
Si sfungjerët -kovat- bëjnë kështu-
Truri është thjesht pesha e Zotit-
Se -ti peshosh ata- njësi më njësi-
Ata do të ndryshonin- nëse kjo ndodh-
Si rrokja me tingullin aty-
11. Nëse do tʹia ndal një Zemre lëndimin
Nëse do tʹia ndal një Zemre lëndimin,
Unë kot nuk do të jetoj;
Nëse do tʹia lehtësoj një Jete mundimin,
Ose një Dhembje do të qetësoj,
ose një Gushëkuq të rrëzuar do të ndihmoj
Brenda Folesë së tij përsëri ta çoj,
Unë kot nuk do të jetoj.
12. Ndjeva një funeral në trurin tim
Ndjeva një funeral në trurin tim
Dhe ngushëlluesit venin shkonin
Po më shkelnin-shkelnin - sa m’u duk sesi
ma dhanë ndjesinë që po depërtonin-
Dhe kur të gjithë kishin zënë vend
Një shërbesë si një trumbetë-
Po binte -binte - sa më shkoi në mend
Mendja ime po mpihej vërtetë-
Pastaj dëgjoj, ngritën një kuti
Dhe kërcitjen tejpërtej shpirtit tim
Me të njëjtat çizme plumbi përsëri,
Pastaj hapësira – nis një kumbim.
Sikur krejt qielli të qe një kambanë
Dhe qenia, veç një vesh, po ashtu,
Dhe unë, vetmia, ca paraardhës tanë,
Të ngecur, të vetmuar, këtu -
Dhe një dërrasë brenda arsyes thyhet
Dhe poshtë e më poshtë unë rrëshqas-
Dhe godas një botë e çdo skutë që shtrihet
Dhe e mbaroj së njohuri –më pas-
13. Meqë s’po reshtja së kërkuari vdekjen
Meqë s’po reshtja së kërkuari vdekjen –
Ai për mua ndaloi me njerëzi –
Karroca s’kishte gjë veç nesh –
Dhe ç’quhej pavdekësi.
Ne ngamë ngadalë – Ai s’pati nxitim
Unë lashë pas dore gjithsesi
Punët dhe kohën e lirë, pa pendim
Për sjelljen e tij plot mirësi –
Kaluam shkollën ku fëmijët rropateshin
Në pushim të madh- gjatë rreshtimit –
Kaluam fushën ku kallinjtë na zgjateshin –
Kaluam dhe diellin e perëndimit –
Ose më mirë – Ai te ne kaloi–
Me ethe të ftohta dilnin bulëza –
Nga e vetmja cipë e hollë e imja, bluza –
Vetëm prej tyli – shalli që më mbuloi –
Ndaluan para një shtëpie që ngjante
Një gungë e ngritur e tokës atje –
Çatia veç me zor nga syri kapej –
Trari i kulmit – futur në dhè –
Që atëherë, – ishin shekuj – dhe akoma
Ndihet më e shkurtër se vetë dita përsëri
Për kokat e kuajve që në fillim kuptova
Se shkonin drejt e në përjetësi –
14. Shpirti zgjedh shoqërinë që i përket
Shpirti zgjedh shoqërinë që i përket—
Pastaj—e mbyll të vetën derë —
Në shumicën e saj të shenjtë —
S’pranon të tjerë —
Mospërfillëse—vëren karrocën —të ndalojë në udhë—
Te postblloku i poshtëm në skaj —
Pa e çarë kokën —një Perandor bie në gjunjë
Mbi rrugicën e shtruar të saj—
E kam njohur atë – nga një popull i madh –
Zgjodhi vetëm një—
Pastaj – mbyll kllapat e vëmendjes me radhë—
Si gur përgjithnjë—
15. Netë pafre - Netë pafre!
Netë pafre - Netë pafre!
Po të isha unë me ty
Netët pafre do të ishin atje
E jona kënaqësi!
Të kota - erërat me furi-
Për një Zemër në mol-
Bërë me një cak si kufi-
Bërë me grafik të hollë!
Duke vozitur potershëm në Eden-
Ah – deti aty!
Duhej veç të ankorohesha – sonte-
Brenda te ty!
16. Unë vdiqa për të bukurën
Unë vdiqa për të bukurën, por ish vështirë
Të zija vend brenda në varr,
Kur një që vdiq për të vërtetën shtrirë
Prehej në dhomën pranë.
Ai pyeti butë pse jetën dhashë?
“Për të bukurën,” ia ktheva aty.
“Unë për të vërtetën- e njëjta gjë janë bashkë;
Jemi të një barku,” më tha ai.
Dhe, kur të afërmit u takuan një – natë,
Ne midis dhomave ca fjalë i thamë,
Derisa myshku te buzët shkoi larg,
Dhe mbuloi tërësisht emrat tanë.
17. Unë jam Askushi! Kush jeni ju?
Unë jam Askushi! Kush jeni ju?
Mos je - Askushi – ti, gjithashtu?
Atëherë këtu ne bëhemi dy!
Mos trego! Lajmi merr dhenë – ti e di!
Sa zymti - të jesh – Dikush në sërë!
Sa i hapur për tu dukur - si një bretkosë -
Që ia thotë emrin e vet - një Qershor të tërë -
Një moçali admirues, doemos!
18. Piva një Gllënjkë Jetë
Piva një Gllënjkë Jetë -
Do t'ju tregoj sa kam paguar -
Saktësisht një jetë të tërë -
Çmimin e tregut, kanë pohuar.
Më peshuan, Grimcë më Grimcë -
Më vunë në kandar Fije më Fije,
Pastaj ma dhanë sa vlente Qenia ime-
Një pikël e vetme Parajse, kaq bie!
19. Të papërfytyrueshme hijerënda!
Të papërfytyrueshme hijerënda!
Gjërat plot shkëlqim
Depërtojnë - me Goditjen e parë
Me Pamje e shëmbëllim –
Paradat e tyre të skajshme – godasin mbi sy
Me një Bujë të heshtur
Madhështi plot shfajësim -
Flamujt, janë pamje guximtare –
Por asnjë Sy i mësuar
Ndonjërit pranë s’ i ka kaluar
Ngultas me vështrim -
Muzika është Ngadhënjimtare -
Por një Vesh i stërholluar
ç'po u dridhka pa u mbajtur fare
Daullet shumë janë afruar –
20. Qielli është në atë pikë të Mendjes
Qielli është në atë pikë të Mendjes
Që nëse Mendja do çmontohej
Vendi - i tij - nga Arkitekti
Prapë s'do mund të tregohej.
Është i pafund - si Aftësia jonë,
I kthjellët - si idea jonë, po ashtu.
Për atë që ka dëshirën e duhur,
Nuk është më larg, se Këtu.
21. Unë fshihem brenda lules sime
Unë fshihem brenda lules sime
Që duke e mbajtur mbi tëndin gji -
Ti- drejtedrejt, më mban dhe mua -
Engjëjt e dinë ç’vjen më pas aty.
Unë fshihem brenda lules sime,
Kur thahet në vazon që e vë ti -
Ti –afërmendsh - për mua ndjen -
Pothuajse -një vetmi -
22. Të luftosh hapur, do shumë guxim-
Të luftosh hapur, do shumë guxim-
Por trimat fisnikë, i njoh unë
Ata që brenda zemrës mësyjnë
Kalorësinë e Vuajtjeve lumë -
Ata që fitojnë dhe kombet s’i shohin
Ata që bien - e askush s’vë re fare -
Sytë e kujt po vdes, asnjë Vend
S’i sheh me dashuri atdhetare -
Ne besojmë, në procesionin me pendë
Për këtë gjë, Engjëjt shkojnë prore-
Rresht pas Rreshti, me hap të njëjtë -
Dhe Uniformat prej Dëbore.
23. Askush s’e njeh këtë Trëndafil të vogël –
Askush s’e njeh këtë Trëndafil të vogël -
një udhëtar mund të jetë
A nuk e mora unë nga rrugët
Dhe deri te ti e ngrita vetë.
Veç një bletë do ndjejë përmallim -
Veç një fluture s’do ti rrihet
kur vjen nga larg me nxitim-
Në gjoksin e tij të shtrihet -
Veç një zog do të pyesë veten -
Veç nga një fllad do të psherëtihet.
Ah Trëndafili i Vogël - sa e lehtë
Që ca si ty të mos kenë më jetë!
24. Margarita ndjek diellin me butësi-
Margarita ndjek diellin me butësi -
Dhe kur ecjen e artë përfundon ai -
I ulet me turp atij mu te këmbët -
Ai - duke u zgjuar - gjen lulen atje -
Për ç’arsye – moj Grabitqare – këtu je?
Sepse, zotëri, dashuria është e ëmbël!
Ne jemi Lulja - Ti Dielli je!
Nëse ditët perëndojnë, falna ne -
Që më nga afër të zhvatim Ty!
Të dashuruar me perëndimin ikanak -
Me paqen - fluturimin – vjollcën në kuac -
Me të natës mundësi!
25. Zemër, ne do ta harrojmë!
Zemër, ne do ta harrojmë!
Ti dhe unë, pa kaluar natën!
Ti mund të harrosh ngrohtësinë që ai dha,
Unë do të harroj flakën.
Kur të kesh mbaruar, lutu më thuaj,
Se unë mendimet mund ti turbulloj;
Nxito! druaj se ndërsa ti vonohesh,
Unë atë mund ta kujtoj!
26. Titulli hyjnore - është për mua prore!
Titulli hyjnore - është për mua prore!
Bashkëshorte - pa një unazë dore!
Diplomë e thekshme - më është dhënë -
Perandoreshë Kalvari!
Mbretërore – kokë e këmbë, por pa Kurorë!
Të fejuar - pa zali, a plasje së qari
Zoti na dërgon ne Grave me dorë -
Kur ju - mbani - Xhevahir kundrejt xhevahirit -
Flori - kundrejt floririt -
Lindur - martuar - me qefin mbuluar -
Në një ditë ritet bashkuar-
"Burri im" - gratë thonë -
Të njëjtin refren gjithmonë -
A s’e kemi kështu - zakon?
27. E kaluara
E kaluara është një krijesë kureshtare,
në fytyrë i hedh një shikim
mund të na çojë në qiell të shtatë
ose në dëshpërim.
Nëse i paarmatosur, dikush e takon
Të iki me vrap, unë i bërtas!
se municioni i ndryshkur i saj
ende mund të vrasë!








Comments