Kadri Tarelli: VIVRA......
- May 15
- 2 min read

Princesha e Kaninës tek yjet bëri vend
Princeshë e Kaninës, Pse ike, e s’na pyete?
Nxitove të shkosh te yjet, gur i çmuar.
Mbi krahë të erës, kalove stuhi dhe dete,
Vepra jote vetëtimë, për botën e trazuar.
Koha me plagë, shkundet nga zëri i poetit,
Ashtu e ashpër, e egër, si krismë gjëmimi,
Kambanë kushtrimi, vjen fjala e profetit,
Popuj të trembur, të humbur, pa dritë agimi.
Jeta të goditi, të cfiliti, por nuk të theu,
Ulli Kanine mbirë, me rrënjë thellë në gur.
Zjarr lirie shpërndave si Prometeu,
Shqiponjë lirie qëndisur në flamur.

Nektar mblodhe, në kohën lule hidhura,
Mjaltë gatove, kur fjala u bë frymë lirie.
Margaritarë derdhe me duar të dridhura,
Komb bashkuar, ëndërr në besë shqiptarie.
Dridhet Kanina, Sazani rënkon në vaj,
Dhe deti vajton, me lot e ligje si qëmoti.
Vlora zgjohet trishtuar, kërkon bijën e saj,
Vivra nuk iku, Ajo shkoi, aty ku e thirri Zoti.
I lumtur je, kur të quajnë shkrimtar e poet,
Guximi yt, botës i flet me fjalën vetëtimë...!
Të mirën nuk shkel, të keqen përbuz, e vret,
Me vepra, atdheut e kombit i japim lavdinë.
Në libra shpalose, fjalë e mendim plot magji,
Askënd nuk godite për të marrë hak.
Ja ku jam, the, nuk fshihem, më kini karshi.....!
Mbeta fisnike me shpirt, frymë, rrënjë e gjak.
Jeta është roman, që duhet kënduar më nge,
Piedestalin, në gur ndërton pa pyetur askënd,
Bota s’mban me hatër, kë ul dhe kë ngre,
Monumentin brezat e vendosin në kryevend.
Fisnike fjalë bukur, koha emrin ta gdhend,
Qindra vjet ngulur, s’të shkuli dimri acar.
Gur i rëndë mbete, lart tek yjet bëre vend,
Princeshë në libra. Kurrë nuk shuhet një Vranar.
Kadri Tarelli
Mes maji. 2026.








Përshëndetje dhe falënderim për kujdesin dhe gatishmërinë në publikimin e këtij krijjimi letrar.nderimet për këtë zonjë të madhe në letrat shqipe, nuk do të reshtin, edhe pse vitet do kalojnë.
Mirënjohje!
Kadriu.