JONUZ HALLAÇI: Rexhep Shahu është simbol i një rezistence intelektuale, patriotike e njerzore.
- Mar 12
- 3 min read

JONUZ HALLAÇI
Drejtori i Radiotelevizionit të Kukësit – RTVSH Kukës
Rexhep Shahu është simbol i një rezistence intelektuale, patriotike e njerzore.
Fjale në promovimin e librit “Lufta ime për Kosovën” të Rexhep Shahut. Drejtori që më ka marrë në punë në Radio Kukësi është Izet Duraku dhe pata fatin që ta nxjerr në pension. Është kënaqësi që ka kaq vlera intelektuale në këtë sallë në kryeqytet që i mbledhë Kukësi. Me gjithë larminë e vlerave që ka dhe me Rexhep Shahun, një prej njerëzve më të shquar, më me vlera që ka nxjerrë Kukësi. Unë jam i bindur që Rexhepi do të donte që këtë libër ta promovonte në ditën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por edhe Dita e Pavarësisë së Kosovës është mjaftueshëm. Rexhep Shahun, unë e njoh nga afër dhe unë nuk do ia lexoj librin, sepse librin e Rexhepit e di, ia kam prekë të gjitha ngjarjet, kam qenë afër me të. Rexhepi është njeriu më kurajoz që ka shkelë dhe ka dalë nga Radio Kukësi. Rexhep Shahu i ka thyer të gjitha kufijtë, të gjitha limitet, të gjitha burokracitë shtetërore. Po të isha drejtor, do ta kisha pushuar nga puna. Por duke qenë koleg me të, ky mua më ka udhëhequr dhe shumë të tjerëve që ne të punojmë fort për Kosovën. Në librin e parë që ka botuar Rexhepi, e ka botuar në Kosovën e lire, vitin e parë të çlirimit, me titull “Misioni për paqen”, ai djali i Rexhepit, atje që po fotografon, Blendi, e ka foton në kopertinë të librit, është fare bebe i vogël. Dhe sot është burrë dhe po na fotografon. Zoti i dha Rexhepit penën në dorë, por po t’i kishte dhënë pushkën do kishte bërë namin. Themi lufta ime… Lufta nuk është vetëm të kapësh armën, se nuk jemi të gjithë ushtarakë dhe luftëtarë. Unë kam intervistuar Mirush Kabashin, një ndër korifejtë e artit shqiptar, dhe Mirushi më tregoi në intervistën për BBC që vazhdimisht në shtëpi u thoshte se do ikte në turne dhe ishte betuar që do shkonte në luftë në UÇK. Dhe rrente në shtëpi se ato komandantët e mashtronin për ditë, jo sot, jo nesër, sepse Mirushi s’kish takat me luftu. Dhe i thashë me çfarë deshte ti me luftue. Unë do luftoja me zërin tim, me poezitë e mia, me deklarimet e mia, t’i mobilizoja ata njerëz që të luftonin më shumë. Dhe Kosova u çlirua dhe Mirushi priste çdo ditë që të shkonte në luftë. Unë e mbaj mend që i kam thënë në një rast Rexhepit, a hyjmë në luftë… Tashi është mbas lufte, jemi të gjithë trima, por i kam thënë. Fatkeqësisht Rexhepi, kaloi një gjendje shëndetësore jo të mirë në kulmin e luftës. Por ky e ka mposhtë veten dhe shëndetin e vet. Rexhep Shahu ka punue në radio, në gazeta, duke pasë një shëndet tepër të dobët dhe e ka mund vetveten, e ka vu për fundi sëmundjen që ka pasë. Rexhepi është një njeri që ka qenë i lidhur fort me familjen e tij. Dhe ajo thënie që atdheu nis nga familja më së miri nis te Rexhep Shahu. Që i donte fort nënën dhe babën e tij, familjen e tij. Edhe pse ua u ka pru në majë të hundës me ato lazdriat e veta, me ato tekat e veta. Shpesh, vonë më merrte në telefon, thoshte: hajde, jam zënë me ato të shtëpisë, hajde pimë kafe. Domethënë, Rexhep Shahu është simbol i një rezistence intelektuale, patriotike dhe njerëzore. Është fat që Radio Kukësi e ka pasur dhe unë jam me fat që këtë njeri e kam shoqëruar edhe pas ngjarjeve të Kosovës. Në Kosovë ne kemi shkuar bashkë në të gjitha këto vatra të shkrimeve dhe unë i thoja, Rexhep je i vetmi gazetar i Radio Kukësit, që ke shofer korrespondentin e BBC-së. Unë isha edhe shofer i Rexhepit dhe sot, sinqerisht, më bëhet zemra mal që Rexhepi është i fortë, është dinjitoz, është shembulli se si mund të shkruhet, si mund të punohet për kombin, për vendlindjen, për familjen dhe për atdheun. Rexhep, të falenderoj që na ke mbledhur dhe do na mbledhësh prapë. Uroj shëndet dhe çdo të mire në shëndetin dhe familjen tënde. Tiranë, me 17 shkurt 2025








Comments