Ilir Mborja: Shuhet “qershia” Myslim Maska
- Mar 2
- 2 min read

Ilir Mborja: Shuhet “qershia” Myslim Maska
Shuhet “qershia” Myslim Maska
Nga Ilir Mborja
Sot, më 2 mars 2026, me pikëllim të thellë mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tonë të shtrenjtë, poetit dhe shkrimtarit Myslim Maska. Lindur më 25 janar 1948 në Drobonik të Beratit, ku kreu arsimin e ulët dhe të mesëm, pas studimeve në Fakultetin e Gjeologji–Minierave, dega e Naftës, ai shërbeu për rreth njëzetë vjet si inxhinier gjeologo–gjeofizik, duke u dekoruar me “Medaljen e Punës” për kontributin e tij të shquar në sektorin ku punoi .
Myslim Maska është përzgjedhur në Antologjinë e Poetëve të Rinj: “Këngët e para” nga Shtëpia Botuese “NAIM FRASHËRI”, 1975. Pas këtij botimi, ai pranohet Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë.
Gjithashtu, Myslim Maska ka botuar:
· Balada e Ringjalljes, roman, “Manka” (2000).
· MIQ ME PERËNDINË, POEZI, “Toena” (2002)
· Zërat e hijeve, novela (2002)
· BUKUROSHJA E ËNDRRËS (2006)
· Ishte e bukur ISABELA, POEZI, “TOENA”, (20O9).
· Dhimbje Perëndie, poezi, (2013)
· “DRITË DHE HIJE”, tregime dhe novela, botuar në greqisht, nga shtëpia botuese e mirënjohur

“VERGJINA” (2018), me përkthim të Niko Kacalidhës.
Në vitin 2023 botoi te “Toena” vëllimin poetik “100 lirika dhe një qershi”, ndërsa la pa botuar në dorëshkrim një vëllim me tregime me titull “Njeriu me rroba jeshile”.
Kritikët e kanë cilësuar krijimtarinë e tij si një pasuri të veçantë të letrave shqipe. Alush Avduli shkruante: “Kur lexojmë librat e Myslim Maskës… jetojmë dimrin në parajsë dhe pranverën në ferr, dy stinët e tjera në purgator. Ai mediton si engjëll i butësisë… krijimtaria e tij është diferencë cilësore e mbetur nga veprimi zbritës i dritës me terrin.” Ndërsa Prof. Dr. Nasho Jorgaqi theksonte: “Poezia e tij merr fytyrën e vuajtjes dhe të qëndresës së vërtetë njerëzore, mbi të gjitha të njeriut me dinjitet kombëtar. Vargje si ‘Endem rrugëve të Athinës’ flasin më shumë se disa artikuj e ligjërime politikanësh.”
VETËM VIJMË
Vetëm vijmë,
Vetëm shkojmë…
E tmerrshme kjo botë…
Dhe po të donim
Unë dhe Ti
Nuk e ndryshojmë dot.
Ndaj po iki,
Lamtumirë!
Me jetë nuk u ngopa.
Këtë e dinë
Shenjtët më mirë.
Autori i këtyre vargjeve, Myslim Maska mbetet një figurë e rrallë që ndërthurte shpirtin lirik me racionalen... Ai la pas një trashëgimi të çmuar letrare që do të mbetet e gjallë në kujtesën e lexuesve… Me mirësinë që transmetonte, personalitetin e tij letrar dhe jo vetëm, Myslim Maska, do të kujtohet gjithnjë si qershia e brishtë e krijuesve shqiptarë që e mbyllën jetën duke punuar e krijuar larg atdheut që aq shumë e deshën… I përjetshëm si vargjet e poezisë që na la pas, qoftë kujtimi i tij!
QERSHIA
Qershia dridhej në avlli
Me vello dëbore.
M’u dhimbs aq shumë
Sa hoqa këpucët dhe ja vesha
I hodha xhaketën supeve
Dhe pallton e madhe
Dhe kapelën…
U habita kur lëvizi
Më përshëndeti dhe iku.
Ngriva në vend të saj…
S’di pse më morën pastaj
Me arkivol
Më futën thellë.
Para se lopatat të hidhnin dhe
Pashë qershinë,
Të përkulur mbi mua
Dhe ca lot dëbore më zgjuan:
U mrekulluam,
Më tej
S’mbaj mend ku shkuam…









Comments