Hasan M. Shahinaj: Libri studimoro – publicistik dhe analitiko – sintetik “Divorci: plagë apo shërim?"
- Apr 29
- 5 min read

Hasan M. Shahinaj: Refleksion studimor: Durrës, më 30.10.2025
Libri studimoro – publicistik dhe analitiko – sintetik “Divorci: plagë apo shërim? “ i autores së mirënjohur, Znj. së nderuar Alma Gjeloshi, jo vetëm na ka surprizuar këndshëm me materialin e bollshëm faktik; por mbi gjithçka na ka frymëzuar e plotësuar maksimalisht dijet tona rreth divorcit (ndarjes çiftore); këtij fenomeni real sa plagosës aq edhe shëronjës që përjeton familja e sotme globale, evropiane dhe veçmas jona shqiptare; madje po aq dhimbshëm e dramatikisht gjinia femërore; burimi ynë i vetëm i riprodhimit specifik gjenetik njerëzor.
Ja disa pika kyçe të refleksionit tonë, shprehur në trajtën sa më koncize (të shkurtër) të mundshme për këtë auditor të vëmendshëm:
Së pari, përmes 13 kapitujve bazë të këtij libri të mirëfilltë studimor po edhe nënkapitujve të gjetur e të goditur ,që na befasojnë nga faqja në faqe; madje krenarisht duhet pohuar qysh në krye të herës nga paragrafi në paragraf; ne gjejmë sheshit analizën e plotë shkencore e shkrimore psiko-pedagogjike, meditative – shpirtërore dhe sidomos rrugëzgjidhjet e mundshme se si lind dramaciteti i dhimbshëm i divorcit famëkeq (ndarjes) në një marrëdhënie çiftore; sa e si përballohet dhimbja e tij tragjike e traumatike, por edhe (e përsërisim): rrugët e mundshme të zgjidhjes sa më pozitive, të rikthimit në folenë e papërsëritshme familjare; kujdesi maksimal për trajtimin psiko – mental e shpirtëror të fëmijëve, krahas teknikaliteteve gjyqësoro – financiare e pikësepari të kujdesit sa më të detajuar në kohën e hapësirën e duhur për prindërimin sa më komod të krijesave të çiftit; dhënies së dashurisë së dyfishtë ndaj tyre në çdo rrethanë, pa asnjë kushtëzim apo privacion; përballimi kryekëput i opinionit tonë familjar, farefisnor, shoqëror e demografik në tërësi pa harruar asnjë detaj, opsion, qartazi në çdo situatë sado të koklavitur etj etj.
Së dyti, autorja e aftë dhe e kulturuar, Znj. Alma Gjeloshi, me një erudicion të thekur e të spikatur dukshëm, kuptohet fare mirëfilli prej nesh, se sa literaturë të bollshme ka studiuar e ka reflektuar me fakte e argumente kokëforta e të pakundërshtueshme në këtë libër studimor; i cili për ne, me modesti e sinqeritet prej shkrimtarësh e studiuesish kolegë të autores, tashmë meritore në fjalë; do ta quanim libër manual, traktat mental, shpirtëror e filozofik. Thjesht e bukur, është pa mëdyshje një doracak apo fjalor bashkëbisedues shpirtëror për çdo lexues/e dhe veçmas për botën delikate dhe tejet sensuale e intelekte të motrave, grave, nënave tona; të cilat i ka bekuar Perëndia për të na sjellë në jetë veçse njëherë. Mirëpo, befas në rrugëtimin e tyre aq e aq sakrifikues për të na sjellë në jetë e në dritën pajësore sa më të dëshiruar, shfaqet thënë metaforikisht, si një rrufe zemrake Zeusiane e befasishme në qiellin e pastër e të kaltër çiftor ; ai, ai faqeziu divorci, ndarja, thyerja e bukës së ardhur. Vallë përse? Studiuesja, autorja e talentuar Alma, na jep shkaqet objektive e subjektive, d.m.th se si shfaqet befas, kjo rrufe epidemike e divorcit neveritës, duke prishur balancën çiftore në rrugëtimin paqësor e harmonik të jetës në të tërë dimensionet e saja ylberiane ngjyrashumë.
Ky është thelbi substancial i këtij libri të realizuar kaq bukur, thjesht, kuptueshëm, eseikisht, qartësisht për çdo lexues/e me mendje të kthjellët e shpirt të pastër, që e merr ndër duar për ta lexuar, kuptuar, medituar, përvetësuar sa më detajshëm e me paanësi, me objektivitet shkencor; ndaj, o lexues/e të dashur e të respektuar, lexojeni vëmendshëm e do na jepni të drejtë!
Së treti, vetë titulli i këtij libri të veçantë e të mirëpritur qysh në zanafillën botuese të v. 2023, me titullin e gjetur në formën e figurës letrare stilistikore të pyetjes retorike “Divorci: plagë apo shërim?” , na qartëson edhe njëherë detajshëm e objektivisht të dy anët e medaljes së fenomenit, dukurisë shoqërore të divorcit; këtij vrastari të vrazhdë rrufejan që vjen edhe “realisht”, po më së shumti tinëzisht porsi gjarpri nën gur, nga papjekuria e njerit /ëres partner/e të çiftit në fjalë. Pra, divorci është e do jetë plagë fort e dhimbshme e padëshiruar nga askush; por ja që vjen për plot arsye objektive e më fort subjektive çiftore.
Dhe... dhe kur kjo plagë përsëritet e bëhet mbase masive shkakton dhimbje të gjata, drobitëse, shkatërruese ndër breza. Mirëpo e megjithatë, divorci është edhe shërim, balsam, ribashkim, kur dy partnerët apo njëri/a bëhen sa më të pjekur, të guximshëm, të duruar, largpamës që, për hir të krijesave – ëngjëj të pafajshëm në çdo familje e fole çiftore, të mos vuajnë asnjë grimë... atëherë bëhet ribashkimi fatlum. Për rrjedhojë, bazamenti çiftor piramidal i kësaj marrëdhënie, bëhet shumë më solid se sa më parë; gjithashtu, kryesorja, bëhet një model e shembull konkret imitimi për një shumësi çiftore që ta ndjekin hap pas hapi rrugën e mundshme e fitimtare të ribashkimit, unitetit familjar, farefisnor e social.
Së katërti, Kujdesshëm dhe tejet me maturitet, autorja e talentuar Alma Gjeloshi, nuk bie kurrsesi në një lëvizje feminile të tipit katarsis (vetëpastrues a korrigjues); d.m.th ta trajtojë e drejtojë varkën studimore (siç pohon dukshëm ajo vetë në libër) të këtij manuali libror vetëm e vetëm në mbrojtje me të drejtë të seksit femër si më delikati tradicionalisht... përkundrazi, me detaje e shembuj të shumtë na bind plotësisht për atë brutalitetin hera-herës pa takt të partnerit burrë, i cili ndonjëherë hedh gurin e fsheh dorën; ende reagon, mendon, tregon, kërcënon e devijon me atavizmat si metoda të së kaluarës pa kthim e me kohë të perënduar! Dmth, të atij maskilitetit të tij tashmë dalunboje duke denigruar, depersonalizuar, në shfaqje aq të neveritshme, kokëfortësie, fryrjes porsi gjelkokosh majë plehut; pra bën të fortin shpesh edhe në sy të fëmijëve – ëngjëj, duke harruar se ata/ato janë fare, fare të pafajshëm për çdo rast dhe në çdo çift janë e do jenë objekt e subjekt imitativ i atij dramacitetit divorcial (ndarjes), që bartin e bartin pasojat mbi kurrizin e tyre të brishtë. Autorja nënvizon metaforikisht se: “o burrë e burracak, unë e di që ti devijon e më tradhton” gjyshkur; por ama, unë me zemër të hapur e shikim zhbirues në sy, po ta përsëris se: tani e tutje, unë me koshience do të marr mbase edhe një “gur”, do ta vesh e stolis, e ledhatoj porsi burrë, por ty, o devijator e o “tradhtar”, s’të honeps e s’të marr më kurrë!
Kjo aktakuzë metaforike që na del porsi kryemesazh i librit apo thënë letrarisht porsi ai ylberi shtatëngjyrësh pas një shiu pranveror çiftor, le të na shpresojë për një diell të vërtetë ndjellës, real të ribashkimit e të konsolidimit çiftor si më parë, sepse veçse familja dhe askush tjetër ka qenë, është e do jetë qeliza bazë, më e shëndetshme e kësaj jete sa të shkurtër aq edhe të gjatë; sa sakrifikuese aq edhe të bukur e romantike që na është dhënë për ta jetuar veçse njëherë. Po, po... veçse njëherë, ama me e jetue me dinjitet e me kryelartësi, me personalitet, pa të neveritshmen, metamorfozën malinje të divorcit të mallkuar fatal!
Kështu definon me finesë e mjeshtëri e sens mase talentore, autorja jonë e nderuar Alma Gjeloshi, të cilën e përgëzojmë nga zemra: – të lumtë dora, mendja e kthjellët dhe shpirti i pasur human i cili na diellon kaq lumturisht sot e mot!








Comments