Halil RAMA: Festa jubilare e 40-vjetorit të Radios Jehona e Shqipes në Bruksel
- May 13
- 5 min read

400 personalitete diplomatike, akademike, te letrave e publicistikës në festën jubilare
RADIO "JEHONA E SHQIPES",
40 VJET ZË I SHQIPTARIZMËS
NË BRUKSEL
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
"Jehona e Shqipes" e themeluar dhe drejtuar për 40 vjet nga patrioti Sakip Skepi, ishte dhe është jo thjeshtë një program radiofonik. Në 40 vjet ajo transmetoi 250 mijë minuta në gjuhën shqipe, duke u bërë zëdhënëse reale e diasporës shqiptare të Belgjikës
Salla moderne e RENAISSANCE BRUSSELS HOTEL, fare pranë selisë së BE, asnjëherë nuk ka qenë më e mbushur sesa të dielën e 10 Majit 2026, ku u organizua me tërë madhështinë e saj Festa jubilare e 40-vjetorit të Radios Jehona e Shqipes në Bruksel.
Ftesës së themeluesit dhe drejtuesit aktual të kësaj radioje prestigjioze, Z.Sakip Skepi ju përgjigjën katërqind personalitete diplomatike, akademike, të letrave e publicistikës shqiptare, të cilët përjetuan momente nga më mbresëlënëset.
Që në nisje të këtij manifestimi të shkëlqyer, moderatori Defrim Methasani-ikonë e moderimit dhe dokumentarit televiziv, jo më kot e quajti këtë "Festa e gjuhës shqiptare". Sepse, nëse më 1909, Faik Konica krijoi këtu gazetën "ALBANIA", 77 vjet më pas, më 1986, Sakip Skepi,një tjetër patriot i madh shqiptar bëri që të jehoi këtu në zemër të Europës zëri i shqiptarizmës, duke themeluar radion "Jehona e Shqipes".
I edukuar me ndjenjat e flakta të atdhetarizmit nga babai i tij Lam Skepi, një personalitet emërndritur i Dibrës e gjithë Shqipërisë, Sakipi mundësoi, jo thjeshtë përhapjen në valët radiofonike, por nëpërmjet radios "Jehona e Shqipes", mbajti gjallë rrënjët e fisit e të familjeve të para të Dibrës e gjithë Shqipërisë, si dhe të diasporës shqiptare.
Për katër orë të asaj mbrëmjeje të paharruar kjo radio jehoi si 40 vjet më parë.
PAK HISTORI...
Dyzet vjet më parë, më 23 shkurt 1986 Sakip Skepi do të njoftonte të gjithë bashkatdhetarët për nisjen e emisionit të parë...

Sigurisht që çështja kombëtare shqiptare zinte vendin kryesor në emisionet javore të radios. Po ashtu Festa e flamurit kombëtar shqiptar ishte një përparësi për radion...Kur diktatura komuniste po dridhej dhe për protagonistët e radios "Jehona e Shqipes " ishte një shpresë. Me rënien e Murit të Berlinit më 1 Nëntor 1988 lindi shpresa e madhe...E kështu radioja frymëzonte organizimin e manifestimeve gjigande para institucioneve evropiane duke u bërë promotore e ndryshimeve që pasuan në Shqipëri dhe në Kosovë. Ajo ju bëri jehonë zhvillimeve demokratike të pas '90-tës në Shqipëri dhe luftës ngadhnjimtare të UÇK e ndërhyrjes së NATO-kundër bandës së kasapit të Ballkanit Millosheviç.
"Radio Jehona e Shqipes lindi për një kauzë dhe për një identitet ku dëshmoj se rruga e promovuar në tërë këto vite ishte e drejtë dhe e shenjtë. Lufta jonë ka qenë e pastër dhe hyjnore. E mbushur me shpresë për një jetë më të mirë dhe një dritë për kombin tonë në familjen perëndimore", thotë ndër të tjera Sakip Skepi.
PROGRAM SPECIAL PËR 40 VJETORIN E RADIOS
Fillimisht një program special, ku nën drejtimin me kompetencë e profesionalizëm të Drejtorit Skepi, sollën mesazhet falenderuese pena të mirënjohura të publicistikës shqiptare, si: Aleksandër Çipa (president i Unionit të gazetarëve shqiptarë); Jordan e Alban Daci, Mentor Nazarko, Ergys Mertiri, Agim Baçi, Basir Çollaku, Muharrem Gjoka (Mjeshtër i Madh& President i Ansamblit Artistik "Hazis Ndreu" - "Nderi i Kombit); Everest Beqiri, Halil Rama, Mina Hysa, mësuesja shembullore Dashurie Daci, etj.
Fjalë zemre për drejtorin Sakip Skepi, edhe bashkëmoderatorët, gazetarë profesionistë të kësaj radioje: Enida Rrapaj, Spartak Fikaj e Flavia Kuqi.
Flavia që prej një viti ka patur privilegjin të flasë në mikrofonin e radios "Jehona e shqipes", duke përcjellë tek dëgjuesit bukurinë e fjalës shqipe, ndihet vërtet e privilegjuar dhe e përkëdhelur nga fati për të folur nga kjo skenë në emër të stafit të kësaj radioje, për të vlerësuar disa prej protagonistëve të medias shqiptare, të cilët me kontributin dhe praninë e tyre kanë lënë gjurmë edhe në mikrofonin e "Jehona e Shqipes ". Prania dhe zëri i tyre kanë pasuruar jo vetëm programet, por edhe lidhjet shpirtërore me publikun shqiptar në diasporë.
Madhështia e kësaj radioje ka një emër të spikatur. Ai është Sakip Skepi që i ka dhënë asaj dimensionet e një media me vizion bashkëkohorë perëndimor, njeriu që i dha jetë këtij zëri për 40 vite, duke e bërë zëdhënësen më reale të protestave të studentëve kosovarë në vitet ''80 dhe UÇK - në pas 1998; e rezistencës së patriotëve shqiptarë kundër diktaturës komuniste dhe frymëzuese e shndrrimeve epokale në Shqipërinë e pas 1990-s dhe e rrugëtimit të saj të suksesshëm drejt Europës së Bashkuar, drejt perëndimit.
Ndaj dhe Ministri për Evropën e Punët e Jashtme i Shqipërisë Ferit Hoxha, deklaroi në këtë mbrëmje festive unike se nuk do të lënë gjë pa bërë që Shqipëria të bëhet pjesë e BE.
Ai vlerësoi kontributin e kësaj radioje e veçanërisht të Drejtorit të saj Sakip Skepi, sepse ajo ka jehuar shqip në Bruksel për 40 vjet, ka zhbërë kufijtë duke ruajtur identitetin shqiptar. Dhe kjo sipas tij nuk ndodh vetiu, ajo kërkon përkushtim.
Sakip Skepi me miqtë e tij idealistë shqiptarë si: Idriz Basha, Durak Duraku, Gani Sheta, Naim Lika e Musa Ukaj që janë historia e gjallë e kësaj radioje këtu në Bruksel, guxuan në atë kohë dhe ruajtën kujtesën.
250 MIJË MINUTA EMISIONE NË GJUHËN SHQIPE...
"Jehona e Shqipes" ishte dhe është jo thjeshtë një program radiofonik. Në 40 vjet ajo transmetoi 250 mijë minuta në gjuhën shqipe, duke u bërë zëdhënëse reale e diasporës shqiptare, të cilën ministri Hoxha e konsideron "atdheu jashtë atdheut".
Kështu edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës GLAUF KONJUFCA, ndërsa uroi mikpritësit në këtë festë jubilare, i shprehu mirënjohje të thellë artistit famoz Arif Vladi si zëri i gjeniut që nuk plaket kurrë. Sepse Arif Vladi sipas tij, në kohën më të errët të diktaturës komuniste u bë ura lidhëse mes mërgimtarëve dhe atdheut të tyre dhe frymëzuesi i luftëtarëve të UÇK.
Edhe në këtë event Arifi u duartrokit gjatë interpretimit mjeshtëror të Hymnit kombëtar shqiptar dhe këngës që ai vetë kishte krijuar e kompozuar, kushtuar radios "Jehona e Shqipes".
Të pranishmit mirëpritën dhe u emocionuan nga falënderimet specifike të: Philippe Close-Bourgmestre de la Ville de Bruxelles dhe Bertin Mampaka-President du Parlament de la Region de Bruxelles - Capitale, si dhe të deputetes shqiptare në parlamentin belg Kristela Butyçi.
Më të larmishme e bënë këtë mbrëmjeje festive edhe vallarët e grupit të valleve "Shqiponjat e Brukselit" nën drejtimin e Emin e Diana Hasanit, që performuan valle karakteristike shqiptare.
Qoftë dhe për organizimin në mënyrë perfekte të këtij eventi, Sakip Skepi meriton mirënjohjen e thellë, jo vetëm të 400 pjesëmarrësve në këtë ngjarje të rëndësishme festive, por të gjithë shqiptarëve të hapësirës mbarëshqiptare në botë, ashtu siç mirëpriti edhe titullin "Ambasador i Paqes" që iu dha në mbyllje të këtij eventi nga Federata e Paqes Universale Shqipëri.




















Comments