top of page

Halil RAMA: BUJANA MALAJ – PROFILI I SHKRIMTARES, HUMANISTES DHE MISIONARES SË PAQES

  • Mar 9
  • 8 min read

 

FËMIJËRIA DHE RINIA E NJË VAJZE QË NUK E GJETI KURRË

LUMTURINË, NË ROMANIN “HISTORIA IME, POR J0 FUNDI IM”

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

               

Dhjetra episodet e këtij libri volumioz me 545 faqe janë në të vërtetë një përmbajtje e pasur lëndore me një tematike mjaft të larmishme. Duke dëshmuar për jetën, autorja Bujana Malaj nxjerr nga pluhuri i harresës, momente, histori jetësore, detaje, njerëz, ngjarje, vende e hapësira, të cilat së bashku shpalosin botën tonë të brendshme dhe të jashtme

 

Tre muaj më parë, në një veprimtari mbresëlënëse, Federata e Paqes Universale Shqipëri do të vlerësonte humanisten dhe misionaren e paqes Bujana Malaj me titullin “NJERIU I VITIT 2025”. Dhe jo vetëm kaq, shkrimtarja e mirënjohur, po atë ditë do të prezantonte kolanën me 11 librat e saj, nëntë vëllime me poezi, një roman dhe monografinë kushtuar ikonës së kinematografisë shqiptare, të papërsëritshmes Margarita Xhepa – kolanë kjo që do t’i surprizonte dhjetra personalitete akademike e të letrave, që kishin mbushur sallën “Alfred Mosiu” te këtij institucioni ndër më prestigjozët në Shqipëri e rajonin e Ballkanit.

Befasia konsiston kryesisht te romani autentik i kësaj autoreje tashmë të sprovuar me titullin intrigues “HISTORIA IME, POR JO FUNDI IM”. Nuk është rrëfim imagjinar por libri i jetës së bijës së një famileje me tradita atdhetare, që vajzërinë ia vodhi regjimi dikatorial i para ’90-tës. Siç shkruan në parathënie (fq.11) “ky është një libër i gjallë, i të vërtetave të pamohueshme, ku vetë protagonistja rrëfen jetën e saj, duke shkruar për episode të vështira, aq edhe të rrezikshme”. Një libër ku rrëfehet jeta e gjashtëdhjetëpesë vjeçares, që ka kaluar një kalvar tejet të mundimshëm.

Romani ka një histori të vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse në 545 faqe me dhjetra episode, ku rrëfehen mjeshtërisht ngjarje njerëzore me personazhe dhe situata reale, jo të trilluara Është një vepër e gjatë dhe komplekse që tregon për ngjarje njerëzore të personazheve jetësore, kryesisht të një familjeje.

Lexuesi ka kështu në dorë librin e jetës së një vajze të ëndërrave të mëdha, që do të shndrrohej në një “vajzë paksa rebele” (fq.25). Rebelizimin e saj ajo e përshkruan në mënyrë të letrarizuar kur rrëfen peripecitë e mosdhënies së një të drejte studimi, ngaqë vëllai i saj dënohet dhe vuan 10 vite burg politik.

Është ky, një rrëfim i çiltër i fëmijërisë së një personazhi që përmes vështirësish të shumta do të ecte e sigurtë në jetë, nga bankat e shkollës, në martesën në Bellovë të Dibrës, Tiranë e gjer në vitet e mërgimit në Britaninë e Madhe.

           

DRAMACITETI LIRIKO-TRAGJIK NË LIBRIN E JETËS

SË SHKRIMTARES BUJANA MALAJ

 

Bujana ishte vetëm 10 vjeçe kur gjithshka ndryshon rrjedhën e jetës së saj me burgosjen politike të vëllait të madh i cili në moshën e tij më të bukur dënohet dhe vuan 10 vite burg në burgun famë keq të Spaçit të Mirditës, kur ishte vetëm 22 vjeçar (sepse kërkoi demokraci të parakohëshme). 

Teksa ajo kohë duhet të ishte pjesa më e lumtur e jetës se saj ajo kthehet në ferr, “sepse ishte fëmijëria dhe rinia e një vajze që nuk e gjeti kurrë lumturinë”, (fq.9). Gjithsesi, ajo nuk do t’i dorëzohej fatit, por ndoshta si askush tjetër i moshës së saj fëmijërore, nuk do të mposhtej, por do ta tregonte me forcën e dinjitetit rebelizimin e saj.

Dimensionin metaforik ajo e shfaq qoftë dhe në përshkrimin e takimit me ish sekretarin e Komitetit të Partisë të Tropojës, kur shkon ta takojë për të përfituar të drejtën e studimit. Dukshëm shfaqet ky në perifrazimin e mëposhtëm: “Unë nuk i tregova për momentin se e kujt isha, sepse e dija që do më nxirrnin direkt nga zyra, por e zgjata duke i shtruar kërkesat e mia. Atij i bëri përshtypje se si një vajzë e mitur 14 vjeçe kishte ardhur vetëm. Sa mbaroi së shkruari përsëri më pyeti: - E kujt je? Atëhere u detyrova me sy të përlotur, por plot krenar i thashë:- jam vajza e filanit..Ai menjëherë më bërtiti e ofendoi me fjalët: Si guxon, ti vajza e një të deklasuari, të vish në Komitetin e Partisë?!...”

Dhe sërish ajo, edhe pse e demoralizuar skajshëm vazhdon me rebelizmin e saj si shpërthim i bredshëm. Kështu ajo përshkruan në librin e saj të jetës mes një antraksioni të një dramaciteti liriko-tragjik, rastin e e aventurës për të shkuar të takojë vëllanë në burgun e Spaçit, një rrgugëtim i vështirë me një palë sandale që ja kishte blerë babai kur punonte në Fierzë.

Ai vëlla vdiq shumë shpejt, pasi doli nga burgu. Por ende në veshët e mi tingëllon zëri çiftelisë në dhomën e burgut, kur e takova me lotët e një fëmije 15 vjeçare dhe më detyroi të kërceja nën ritmet e çiftelisë, siç kërrceja kur isha e vogël (“O kce moj çike” që e kondonte nëpër dasma me zërin e tij prej bilbili. Dhe regjimi i dogji gjithçka kishte të inçizuar, në radio Kukësi e radio Tirana të asaj kohe, por zërin nuk ja dogjën dot, duke kënduar në burgun e Spaçit”, shkruan autorja. (fq.23).

Rrëfimin romanor, duke shtjelluar po përmes dramacitetit liriko-tragjik, ajo e përshfaq këndshëm edhe në aventurat për të vazhduar domosdoshmërisht shkollën e mesme, duke qëndruar te njerëzit e saj të afërt, në Tropojën e vjetër, me veshjen e saj ekstravagante, siç përshkruan dhe arrestimin e babait Avdi Rexha – misionar i pajtimit kombëtar, për ndërtimin e një shtëpie gjigante, kur ajo ishte në vitin e tretë..

 

MARTESA ‘MODERNE” BUJANËS

 

Ne romanim “Historia ime, por jo fundi im”, Bujana Malaj pasqyron me përpikmëri jetën dhe zakonet e Malësisë duke sjell një tablo të gjallë të një shoqërie tradicionale, ku nderi, besa dhe mikpritja janë parime themelore. Përmes zhvillimit të ngjarjeve, romani nxjerr në pah vlerat shoqërore dhe e pasqyron realitetin e trishtë të asaj kohe, kur me synimin për t’i shpëtuar përndjekjes “mërgon” brenda vendit, duke pranuar martesën me një djalë me biografi të mirë në Bellovë të Dibrës, 200 kilometra larg vendlindjes.

Këtu dallohet stili i thjeshtë, emocional dhe realist, shpesh me përdorim të folmes autoktone të Malësisë, që i jep veprës afërsi me jetën e njerëzve të këtyre trevave. Me gjuhë të thjeshtë, por figurshëm autorja përshkruan rrugëtimin rraskapitës të asaj kohe kur do të shkonte nuse me autobusin e linjës, nga “Bajram Curri” për në Milot e nga andej për në Peshkopi, ku “dasmorët” prisnin nusen e “bukur” që vinte nga Tropoja e largët.

U ndërrova me një fustan tjetër, që e kisha dizenjuar vetë. Më hodhën një copë tyli të bardhë, që më shumë dukej si një perde dritaresh e asgjë tjetër…Asgjë nuk desha të dija, më rrinte parasysh fytyra e mërzitur e nanës time, që më përcolli duke më larë me lotët e saj..”, shkruan aurorja, fq.34).  Gjithsesi ajo rrëfen se si e ndërtoi me mund e sakrifica jetën familjare në fshatin e bukur Bellovë, një fshat i bukur, i mbledhur, me shumë traditë e mikpritje, që veçohej për rritjen e pjekjen e mollëve në sobat me dru, ku aroma e mollëve përhapej anë e kënd lagjjes.

 

KALVARI I VITEVE TË MËRGIMIT,

BRENDA E JASHTË VENDIT

 

Dhjetra episodet e këtij libri volumioz me 545 faqe janë në të vërtetë një përmbajtje e pasur lëndore me një tematike mjaft të larmishme. Duke dëshmuar për jetën, autorja Bujana Malaj nxjerr nga pluhuri i harresës, momente, histori jetësore, detaje, njerëz, ngjarje, vende e hapësira, të cilat së bashku shpalosin botën tonë të brendshme dhe të jashtme. Kështu ajo rrëfen se si në vitin 1990 me ardhjen e pluralizmit në Shqipëri, meqë ishin tregtarë të “fshehtë “të kohës, hapën bizneset e para të vogla në Peshkopi.

Ajo përshkruan shumë ngjarje të dhimshme, por lexuesit do t’i mbetet në mendje data 1 dhjetor 1993, kur mori rrugën e gjatë me taksi e traget, në pikun e dimrit të acartë për të vajtur në funeralin e kobshëm të nënës së saj.

Brenda këtyre episodeve dallojmë stilin e një shkrimtareje me frazë të zgjedhur e gjuhë të pasur, duke e bërë kështu mjaftë tërheqës librin e saj. Në “fronin e shkrimit”, Bujana Malaj ka arritur kësisoj ta skalitë fjalën e shkruar dhe ta vendosë atë në piedestalin e afirmimit të vlerave ideoartistike, si shkruese, ndër më të mirat të një monografie letrare. E ndeshim këtë sidomos në episodet me titujt: “Pas katër vitesh martese”, “Vitet ’90-të”, “Ishte marsi i atij viti”, “Nisja e katërmbëdhjetë me traget, në portin e Durrësit”,  “Kthimi i detyruar në Vlorë”, “Dita e tretë e gatitjes për nisje”, “Udhëtimet e atij prilli vazhduan gjatë”, “Maji 1999, Cërtejll, Paris”… “Vera e vitit 2008 në Londër” dhe në ditarët sipas viteve deri në fundin e vitit 2024 dhe nisjen e vitit 2025 të çerekshekullit të XXI-të.

Qoftë dhe nga vetë titujt e këtyre episdove, lexuesi kupton rrugëtimin e gjatë e të mundimshëm të një gruaje të fortë për të mbritur nga Dibra në Tiranë e nga andej me gomone nëpër detëra për të siguruar një jetë më të mirë për familjen e saj.

Ka në këtë roman autentik momente tronditëse që zbulojnë anët e errëta të rrugëve të mërgimit, pasigurinë, rezikun dhe dhimbjen që fshihet pas ëndrrës për një jetë më të mirë. Autorja sjell kësisoj një reflektim të thellë mbi fatin e rinisë shqiptare që e ka kërkuar shpëtimin jashtë kufijve, por shpesh është ndeshur me tragjedi e zhgënjim. Përshkruan ajo trajektoren e rrezikshme të jetës së saj deri në qershor të vitit 1999 kur arritën në Londër bashkë me dy fëmijët dhe të tretin fëmijë e lë “peng” në Ostendë të Belgjikës për 1mijë dollarë që nuk i kishte për të plotësuar pagesën e udhëtimit në maune, të fshehur nëpërmes bandave trafikante të kohës që trafikonin qenie njerzore.

Po ashtu edhe faktin se si mbas tre javësh arrin dhe djali 14 vjeçar “pengu i mërgimit” dhe bashkohet me tre fëmijët. Dhe sesi mbas tre muajsh të tjerë vjen dhe bashkëshorti i saj që nuk ishte i mundur për arësye të ndryshme të ishte pranë familjes në udhëtimin e gjatë tre mujor, e kësisoj familja bashkohet në Britaninë e Madhe.

Gjithsesi ky kalvar i tejmundimshëm që kaloi gjatë këtij udhëtimi të gjatë është i pamundur të harrohet.  Janë ngjarje dhe episode që kanë lënë gjurmë në jetën e saj, sidomos fillimi i një jete të re, kur në vitin 2000 ju shtua familjes së saj edhe një fëmijë tjetër, i cili do të ishte vendimtar për tu paisur me dokumente angleze nëpërmes një amnistie të vitit 2005.  Dhe që nga ai vit i largët, ajo është qytetare e dy shtetësive, ku një pjesë të mirë të kohës e kalon në Tiranë e vendlindje, si frymëzuese të krijimtarisë së saj poetike e prozaike mjaftë produtive e cilësore, e konkretizuar kjo në botimin e 11 librave me poezi e prozë.  Ndërkohë me veprimtari intensive, Bujana Malaj ka fituar edhe statusin e një veprimtareje te shquar shoqërore, si aktiviste e Shoqërisë Civile, ajo është anëtare dhe drejtuese e disa shoqatave dhe agjencive: Ambasadore e Paqes,, Misionare dhje kalorëse e paqes botërore; Nënkryetare e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, etj. Gjithsesi, ajo që e dallon atë është krijimtaria letrare e artistike. Veçanërisht, romani autentik “Historia ime, por jo fundi im” (botim i “Arte- Graphic”) është një rrëfim i çiltër i një personazhi që përmes vështirësish të shumta do të ecte e sigurtë në jetë.. Në episodet e tij dallojmë stilin e një shkrimtareje me frazë të zgjedhur e gjuhë të pasur, duke e bërë kështu mjaftë tërheqës librin e saj. Brendia e librit përshkohet me pasqyrimin e mendimit e të vlerave krijuese, për çfarë dëshmon edhe thënia latine “Fjala ikën, e shkrimi mbetet”. Këtë domosdoshmëri autorja B.Malaj e ka spikatur në fillim të librit, si moto filozofike dhe këshillë për ata që pretendojnë krijimtari të kësaj lëmie, duke na lënë si testament fjale se: “Harresa, për këdo është shpërblimi më vrastar për mundin e kaq shumë viteve dhe sakrificat e sfidat e përditshme, të cilat ikin e vijnë në valët e jetës sonë”.

 respekt e mirënjohje.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page