Hajri Shehu: Themelues i Qendrës së Parë Islame Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të amerikës
- May 18
- 7 min read

Prof. dr. Hajri Shehu
Imam Vehbi Ismaili
Themelues i Qendrës së Parë Islame Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të amerikës
Imam Vehbi Ismailin e kam njohur së largu, në vitin 1993, kur punoja në Organizatën Islamike Botërore të Ndihmave, Zyra e Shqipërisë. Më ra në dorë adresa e tij postare dhe i dërgova një letër. U entuziazmova nga ato që mësova për Imamin në atë Zyrën e Shqipërisë dhe në letër thashë diçka. Entuziazmi im ishte që në Amerikë, San Diego, Harper Woods, ku ishte Qendra Islamike e Shqiptarëve flitej shqip: Hytbet, vazet, bisedat fetare etj. bëheshin në gjuhën shqipe. Merita ishte e Imamit. Siç do ta them edhe më poshtë, themelues i vetë Qendrës ishte imam Vehbi Ismaili. Duke menduar se mund të jepja njëfarë ndihmese në punë të botimeve të atjeshme në gjuhën shqipe, thashë në letër fjalën e dytë. Fjala e dytë qe: Kam dëshirë t’ju ndihmoj te librat tuaj (e dija që kishte botuar disa libra), meqë jam i gjuhës. Erdhi një përgjigje e shpejtë, me falënderime. Pas 2-3 javësh më erdhi me postë libri “Ç’është islamizmi”. E redaktova dhe e nisa me postë. Pas 2-3 muajsh më erdhi libri tjetër: “52 hytbe”. Hytbja është fjala që mban hoxha në minber (foltore) për xhuma ditën e premte. 52 hytbe janë për 52 të premte që ka viti. E redaktova. Por që të mos më rëndonte postimi, më thotë Imami që t’ia jepja zotit Ekrem Bardha, personalitet shqiptar në Amerikë. 52 hytbet, bashkë me një deng librash Tirane i çova te një restorant i madh pas Muzeut Historik Kombëtar (ishte i zotit Ekrem). Qysh nga viti 2005 korrespondenca ka vijuar e rregullt. Dhe ajo puna e librave. Në vitin 1994 e kam takuar Imamin në hotelin “Arbëria”. Qe i ftuar nga Presidenti për 50-vjetorin e Çlirimit. Pata rastin të përjetoj fjalën e tij prekatare, jo vetëm si njeri i fesë, por edhe si atdhetar e dashatar i përparimit të të gjithë shqiptarëve kudo ku janë. Pata rastin të shoh modelin e njeriut të përpiktë e fisnik: Mu në minutën e caktuar, Imami ishte te shkallët e jashtme të hotelit; jo në dhomë; as në sallon, por te shkallët. Veshja karakteristike si mësues i fesë ia shtonte edhe më fisnikërinë.
Kush është imam Vehbi Ismaili?
Imam Vehbi Ismaili ka lindur në Shkodër më 25 nëntor 1919 në gjirin e një familjeje fetare. Filloi shkollën fillore në vendlindje dhe e përfundoi në Krujë. Në Krujë, i ati, myderriz Ismail Hakiu, shërbente si myfti. Në vitin 1933 u regjistrua në Medresenë e Naltë në Tiranë. U diplomua më 1937. Që në medrese ka shkruar në revistën “Zani i Naltë”, organ i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Bashkëpunoi, gjithashtu me të përjavshmen rinore “Vatra e rinisë”, me tregime të shkurtra. Studimet e larta i bëri në Universitetin e madh shumëshekullor “El-Az’her” në Kajro. U diplomua për teologji në vitin 1943 (mundet, edhe më 1945).
Më 1948 u ftua nga Shoqëria Myslimane Shqiptaro-Amerikane, me qendër në Detroit si imam. Mbërriti në Detroit më 22 prill 1949. Siç e ka dëshmuar edhe vetë, shumica e shqiptarëve myslimanë në Detroit ishin nga Korça e Gjirokastra, që kishin ardhur para Luftës së Dytë Botërore për arsye ekonomike. Në tetor 1949, Shoqëria filloi botimin e një reviste fetare kulturore me titull “Jeta myslimane shqiptare”. Botohej katër herë në vit, në 64 faqe: gjysma në gjuhën shqipe dhe gjysma tjetër në gjuhën angleze. Revista vijoi tetë vjet dhe u botuan gjithsej 32 numra. Pjesa më e madhe e artikujve ishin fetarë. Kishte edhe artikuj letrarë e publicistikë. Në revistë jepeshin edhe njoftime për bashkësinë islame shqiptare.
Më 1951, Shoqëria mundi të blinte një kishë armene. E përshtati për xhami. Dhe u quajt Qendra Islame Shqiptare. Më 6 qershor 1951 u hap zyrtarisht: U fal xhumaja e parë në të. Në të gjitha këto momente ka udhëhequr imam Vehbi Ismaili. Një moment tjetër i veprës dhe i veprimtarisë së imam Vehbi Ismailit ka qenë teksti për t’u mësuar fëmijëve fenë në gjuhën shqipe. Dhe u përgatit dhe u botua libri “Islamizmi dhe lutjet”. Disa vjet më vonë u botua edhe libri tjetër “Muhamedi, profeti islam”. Botimin e vitit 2001, “Muhamedi, profeti islam” e kam në bibliotekën time në anglisht. Edhe më pas Imami boton e boton në gjuhën shqipe. Edhe mban gjithnjë hytbe e vaze në gjuhën shqipe. Dhe flet shqip në të gjitha ceremonitë fetare. Një shembull për shqiptarët që jetojnë e punojnë larg Shqipërisë.

Në vitet ’60, Qendra Islame Shqiptare u transferua në një ndërtesë më të madhe. Derisa ndërroi jetë, më 20 maj 2008, aty punoi Imami, aty mbajti hytbe në gjuhën shqipe, aty shkroi libra në gjuhën shqipe. Aty, në Harper Woods, në San Diego.
Në 70-vjetorin e ditëlindjes së tij, më 1989, e ka uruar Imamin Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Regan dhe gazeta e madhe shqiptare në Amerikë, “Illyria” botoi një artikull të gjatë prej dy faqesh për Imamin. Gazeta fliste për Imamin, siç flet vetë veprimtaria e tij e madhe fetare e atdhetare. Në vitin 1996, Imami është dekoruar me dekoratën e lartë “Pishtar i Demokracisë” nga presidenti Sali Berisha; kurse më 2009 iu dha titulli i lartë “Nderi i Kombit” nga presidenti Bamir Topi. Ai e meriton nderimin e Shqipërisë.
Imam Vehbi Ismaili qe mik e bashkëpunëtor i Fan Nolit. Prof. dr. Rahim Ombashi ka shkruar një libër, me titull “Po vjen Noli ...” (Shtëpia botuese “Kotti”, Korçë, 2002). Në libër është fjala e imam Vehbi Ismailit, mbajtur në ceremoninë mortore për Fan Nolin (20 mars 1965, Boston, Mass., ShBA). Ajo është një himn për njeriun e madh të Kombit.
Ja fjala e madhe e Imamit:
U këput dhe Ylli më i shkëlqyer i Parnasit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ra dhe kolosi i fundit i epokës së përpjekjeve kombëtare për Atdhe të lirë, për Shqipëri me gjithë shqiptarët. Ja, këtu përpara jush të gjithëve, prehet sot në paqe të përjetshme njeriu i dy shekujve, princi i Kishës Ortodokse, apostulli i popullit shqiptar. Hirësia e tij, Kryepeshkop Fan S.Noli, nuk është më. Ai u shkëput prej gjirit tonë për t`u përkitur kohëve, për t`u bërë histori. Vdekja e Imzot Fan Nolit nuk është një vdekje e thjeshtë. Ajo varfëron tërë komunitetin shqiptar të Amerikës. Nuk është vetëm Primati i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë ai që varroset sot. Varroset prijësi i shqiptarëve të Amerikës, njeriu më përfaqësues i gjakut shqiptar në mërgim, autori i lartë që nderon letërsinë shqipe, shkollari shqiptaro-amerikan më i shkëlqyer i ditëve tona, i fundmi kampion i Rilindjes Shqiptare, ai që merr me vete në varr trashëgiminë e asaj epoke të ndritur të historisë kombëtare. Me Fan Nolin nuk zhduket vetëm një person, zhduket një simbol i nacionalizmit shqiptar, një flamur i demokracisë shqiptare, një vlerë eprore e botës së kulturës.
Të gjithë e njohim, prandaj është e tepërt t`i përmendim këtu veprat e bëra nga Fan Noli gjatë më shumë se një gjysmë shekulli në dobi të çështjes shqiptare, në përgjithësi dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, në veçanti. Nga themelimi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, tek themelimi i Kishës Autoqefale Ortodokse në Shqipëri, nga drejtimi politik i dhënë shqiptarëve të Amerikës, tek udhëheqja politike e Shtetit Shqiptar në një nga periudhat më të vështira të tij, nga përkthimet e autorëve të mëdhenj të letërsisë botërore, te momenti shkencor që përjetëson fytyrën historike të fatosit kombëtar Skënderbe, veprat e Fan Nolit janë një sërë e lavdishme pune ndërtuese. Janë vepra njëkohësisht kombëtare, fetare, politike, letrare dhe kulturore, të cilat nuk kanë shembuj në analet e historisë kombëtare, vepra që zhvillohen në fusha të ndryshme të kulturës shqiptare, duke i lëruar ato në thellësi dhe me fryte të mëdha. Jemi këtu të bashkuar për të përcjellë në banesën e fundit kufomën e Tij, njerëz të dalë nga Shqipëria qëkur ose sërish, të tjerë të lindur dhe të rritur në këtë vend, pleq dhe të rinj, të ditur dhe të thjeshtë, qytetarë dhe fshatarë, njerëz nga të gjitha besimet fetare, nga të gjitha partitë dhe grupet politike shqiptare.
Ç’është ajo që na mbledh rreth kësaj kufome? Një flamur i shqiptarizmës është zhdukur, duke lënë një vend të zbrazur në mes nesh, që s`ka tjetër kush ta zërë. Është sikur të ishte shkulur nga gjiri ynë një shkëmb, që mbante në drejtpeshim dy anët e binomit themelor të jetës shqiptare atdhe dhe fe. Në personin e Nolit këto dy anë të jetës shqiptare përputheshin plotësisht, duke përbërë një njësi granitike. Fan Noli ishte ”Atdhetar me dinjitetin e një prelati”.
Hirësi! O shenjtor i kombit, veteran i letrave shqip, drita e bashkatdhetarëve të mërgimit! Jemi mbledhur këtu rreth e rrotull trupit tuaj prej të gjitha anëve të kontinentit, për t`ju paraqitur përshëndetjet e fundit, për të shprehur me zemër të ndrydhur dashurinë e respektin që kemi për Ju. Dhe unë, për veten time, një venerues i apostullës suaj, një admirues i veprave tuaja që prej bankave të shkollës, e ndiej veten jashtëzakonisht të privilegjuar që në këtë rast vaji kombëtar, të jap një ligjëratë përcjellëse. Por më shumë se fjalë lavdie, më shumë se lotët e mi, më shumë se kurorë me dafina, do të dëshiroja t`ju jepja, do të desha të vija në trupin tuaj, një dorë me dhe, prej dheut të Mëmës Shqipëri, që ju e deshët aq shumë e për të cilën punuat gjer në frymën e fundit.
Hirësi! Më lejo në këtë rast të marr hua nga ju pak fjalë të ligjëratës, që mbajtët me rastin e vdekjes së presidentit Uillson, fjalë të cilat janë plotësisht të përshtatshme për ju në këtë çast dhe në këtë vend: “I mundur? Bah! I vdekur? Kush e tha! Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë. Ah, prehu o shpirt i martirizuar! Lufta jote s`ka qenë e kotë. Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë dhe ngjallje.”
Hirësi ! Si fetar, unë i lutem Perëndisë që t`ju falë parajsën e merituar dhe neve shqiptarëve, të gjithëve, të na japë durim për humbjen tuaj të pazëvendësueshme e të na bëjë trashëgimtarë të denjë të amaneteve tuaja e pasues të zellshëm të jetës suaj. Jetë e një fetari, kushtuar çështjes dhe kulturës shqiptare.








Comments