top of page

Gladiola Jorbus: Unë jam… korifeu i grave që nuk u dëgjua kurrë

  • Mar 6
  • 3 min read

Nga Gladiola  Jorbus


      Unë jam… korifeu i grave që nuk u dëgjua kurrë

 

Unë jam Eva – më quajtën fillimi i mëkatit, arsyeja e dëbimit, fajtorja e botës. Por unë isha vetëm një grua që kërkoi të dijë, që zgjodhi të mos jetojë në errësirë. Më gjykuan për kurajën që burrat e quajtën rënie.

Unë jam Lilith – gruaja që nuk pranoi të gjunjëzohej. Për këtë më demonizuan, sepse barazia ime i trembi.

Unë jam Medea – më quajtën të çmendur, por askush nuk foli për tradhtinë që më dogji shpirtin.

Unë jam Andromaka – nuk iu përkula mbretit, as fatit që më mori gjithçka. Më lanë pa shtëpi, por jo pa dinjitet.

Unë jam Shën Mëria – më nderuan si të shenjtë, por më harruan si nënë. Më vranë djalin dhe më lanë të hesht në ikonë.

Unë jam Hypatia – më vranë sepse dija shumë. Sepse mendoja shumë. Sepse isha grua në një botë që donte errësirë.

Unë jam Hera – më panë si xheloze, por nuk panë perandorinë që mbaja mbi supe, as burrin që më tradhtonte botërisht.

Unë jam Helena – më fajësuan për një luftë që burrat e dëshironin. Bukuria ime u bë pretekst për gjakun e tyre.

Unë jam Afërdita – më panë si trup, jo si forcë. Dashuria ime lëvizte perandori, por ata panë vetëm lëkurën e shndritshme.

Unë jam Inanna – zbrita në botën e nëndheshme dhe u ngrita sërish. Më quajtën perëndeshë të epshit, por unë isha cikli i jetës, vdekjes dhe rilindjes.

Unë jam Kali – më panë si shkatërrim, por unë isha rilindje. Gratë më thërrisnin për forcë, burrat më frikësoheshin.

Unë jam Jeanne d’Arc – më dogjën si heretike, pastaj më shpallën shenjtore. Burrat më përdorën, pastaj më gjykuan.

Unë jam Frida Kahlo – e ktheva dhimbjen në ngjyrë, por më panë vetëm si ikonë, jo si grua që mbante botën në brushë.

Unë jam shtriga e Salemit – një grua që e dogjën nga frika, nga padituria, nga pushteti i burrave që dridheshin para grave të forta.

Unë jam Rozafa – më murosën të gjallë që të qëndronte në këmbë kalaja. Trupi im u bë themel, kurse zëri im nuk u varros kurrë.

Unë jam Argjiroja – u hodha nga kështjella me fëmijën në gji, që të mos më poshtëronin. Më quajtën legjendë, por unë isha nënë që zgjodhi dinjitetin.

Unë jam Shote Galica – luftova me pushkë në dorë për tokën time. Më quajtën të egër, por unë isha liria që nuk pranoi pranga.

Unë jam mbretëresha Teutë – sundova detin dhe burrat më shpallën kërcënim. Më quajtën arrogante, por unë isha sovrane.

Unë jam Anne Boleyn – më prenë kokën sepse isha shumë e zgjuar, shumë e fortë, shumë e rrezikshme për një mbret të dobët.

Unë jam Lady Diana – më përndoqën kamerat deri në vdekje. Më quajtën princeshë, por isha veç një grua që kërkonte dashuri.

Unë jam Soraya Manutchehri – më gurëzuan në emër të nderit. Më vranë trupin, por jo të vërtetën time. Historia ime u bë britmë.

Unë jam Franca Viola - jam ajo që tha Jo kur gjithë fshati më kërkoi të heshtja.

Unë jam Artemisia Gentileschi – piktorja gjeniale, e përdhunuar, e gjykuar, e turpëruar publikisht, edhe pse më quajtën një nga artistet më të mëdha të historisë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page