Gladiola Jorbus: DY SHKRIME
- Apr 4
- 10 min read

FRIEND REQUEST
Genti ishte 48 vjeç, me një jetë të rregullt, profesionist i afirmuar dhe një rutinë që e njihte përmendësh. Një mbrëmje, ndërsa pinte çajin e tij të zakonshëm, dëgjoi sinjalin e një njoftimi në telefon.
“Kleitia Lako ju ka dërguar një kërkesë për miqësi.”
Ai ngriti vetullën. Nuk jam më për këto gjëra… por pse jo? – mendoi. Pa fotografinë me kujdes dhe njohu shoqen e vjetër të gjimnazit. Kleitia kishte qenë një vajzë e drejtpërdrejtë, me natyrë çapkëne dhe një lloj elegance që me sa dukej e ruante akoma. Kishin kaluar dekada të tëra pa kontaktuar me njëri-tjetrin. Dikur kishin pasur një lloj flirti, por më shumë bëhej fjalë për ndjenja latente, ndaj respekti për ’’gocën e klasës’’ kishte mbizotëruar mbi simpatinë rinore. Filluan të shkruanin. Fillimisht një përshëndetje, ndonjë frazë mirësjelljeje. Pastaj nisën të shkruanin çdo ditë, pastaj çdo natë.
Kleitia: Po ç’bën kështu kaq vonë, s’të zë gjumi?
Genti: Gjumi më zë, por s’po më lë telefoni rehat.
Kleitia: Mos e fajëso telefonin, fajëso veten që përgjigjesh.
Genti: Atëherë po që do të ishte një ditë e humbur, pa u shijuar.
Kleitia: Ajo buzëqeshi si adoleshente. Në këtë moshë, si mund të buzëqeshësh kështu? Je e marrë, i thoshte vetes.
Genti thoshte me vete: ‘’Kam kaluar gjysmën e jetës duke u marrë me të tjerët. Fëmijët tashmë u rritën, puna më përmbush, shtëpia është e qetë… ndoshta shumë e qetë. Dhe tani vjen kjo grua, me humorin e saj, me pyetjet e saj, me mënyrën si më bën të ndihem gjallë. Po a është e vërtetë? Apo është thjesht interneti që mashtron?’’
Kleitia bluante së brendshmi frikërat e saj. ‘’Kam frikë. Kam frikë se mos e idealizoj. Kam frikë se mos zhgënjehem. Por kur flas me të, ndihem e dëgjuar më në fund. Dikush që më sheh pa paragjykime. A ia vlen të rrezikoj?’’
Një ditë, Kleitia u zhduk. Nuk shkroi. Nuk lexoi. Nuk u përgjigj.
Genti priti me durim. Në fund vendosi të reagonte.
Genti: Gjithçka në rregull?
Asnjë përgjigjje.
Ai filloi të dyshonte. Ndoshta jam bërë shumë i pranishëm. Ndoshta ajo u mërzit. Ndoshta jam qesharak në këtë moshë.
Ndërkohë, Kleitia luftonte me veten: ‘’Po sikur të mos jem gati? Po sikur ai të kërkojë më shumë se sa mund të jap? Po sikur të mos jem ashtu si ai mendon?!’’
Pas një jave, Genti mori një njoftim në celular.
Kleitia: Më fal që u zhduka. U tremba. Më mungon mënyra si më bën të ndihem, të qesh, të debatoj.
Genti e lexoi disa herë. Pastaj shkroi:
Genti: Edhe unë u tremba. As unë nuk dua të humbas dikë që më bën të ndihem, siç më bën ti.
Kleitia: Atëherë, mos më lër të iki.
Genti: Vetëm, nëse më premton që nuk zhdukesh pa arsye.
Kleitia: Premtoj. Por jam njeri, jo Wi-Fi. Mund të kem ndërprerje.
Genti: Edhe unë jam router i vjetër, mos harro.
Kleitia: Po router që punon mirë ama.
Genti: Vetëm kur më ndez ti.
Ata qeshën. Dhe diçka u zhbllokua. Pas disa javësh, Genti mori guximin.
Genti: Dua të të shoh nga afër. Jo në foto. Jo në video. Dua të të shoh duke ecur, duke qeshur, duke folur, si dikur.
Kleitia: Edhe unë dua. Por kam emocione. Pas kaq shumë vitesh, thinjash e rrudhash.
Genti: Në këtë moshë, emocionet janë luks. Hajde t’i shijojmë! Nuk kemi ç’presim më.
U takuan në një kafene të qetë. Genti po e priste. U ngrit në këmbë. Ajo buzëqeshi dhe faqet iu përskuqën lehtë si atëherë, kur vështrimet e tyre ndesheshin.
Genti: Je më e bukur se ç’të mbaja mend.
Kleitia: Kurse ti, më i gjatë se ç’të mbaja mend, dhe qeshi si gurgullimë kroi.
Genti: Ti më bëre të drejtohem, në fakt, - u duk se u shfajësua ai.
Kleitia: Mos u mëso keq, se s’jam fizioterapiste.
Genti: Mjafton që i bën terapi shpirtit tim.
Ajo u skuq sërish. Atij i pëlqeu. Gjithmonë i kishte pëlqyer të ushtronte një lloj efekti mbi të. Pas takimit, gjithçka u bë më e thjeshtë. Më pak frikë. Më shumë sinqeritet. Më pak keqkuptime. Më shumë të vërteta. Ata nuk ishin adoleshentë. Nuk kishin kohë për lojëra. Por kishin kohë për njëri-tjetrin. Dhe lidhja që nisi me një klik, mund të shndërrohej në një histori që ia vlente të jetohej. Ata nuk ishin më dy njerëz që flisnin pas ekranit. Gjërat po shkonin mirë… shumë mirë madje. Aq mirë sa Genti filloi të frikësohej. Në moshën e tij, gjërat që shkojnë shumë mirë, mund të fshehin një faturë të kripur. Një mbrëmje, ndërsa po pinin nga një gotë Martini në të njëjtën kafene, ku u takuan për herë të parë, Kleitia mori një telefonatë. U zbeh në fytyrë. Më pas u ngrit.
Genti: Gjithçka në rregull?
Kleitia: Duhet të iki. Më fal.
Ajo u largua pa shpjegime. Genti mbeti ulur, duke parë gotën e saj të lënë përgjysmë.
Genti mendonte: ’’Ja ku filloi. Kjo është ajo pjesa aq e urryer, kur njerëzit largohen. Ndoshta ka dikë tjetër. Ndoshta jam thjesht një pushim emocional. Ndoshta jam një partner i përkohshëm. Në këtë moshë, askush nuk investon pa arsye.’’
Ditët kaluan. Kleitia nuk shkroi. Ai nuk priste më asgjë.
Pas dy javësh, ajo më në fund u bë e gjallë:
Kleitia: Mund të flasim?
Genti: Nëse do të më thuash që ishte gabim, thuaje direkt.
Kleitia: Nuk është gabim. Përkundrazi. Është motiv zgjimi, gjallërie, alegrie.
U takuan në vendin e tyre të zakonshëm. Aty ku e lanë bisedën në mes. Ajo dukej e lodhur, me sy të skuqur.
Kleitia: Telefonata… ishte nga ish-bashkëshorti. Djali ynë i vogël pati një krizë ankthi. Duhej të shkoja. Nuk kisha mendjen të të shpjegoja.
Genti: Pse nuk më the asgjë më vonë?
Kleitia: Sepse u ndjeva keq. Mendova se po të fusja në një situatë që mund të të rëndonte.
Genti: E dashur, unë jam 48 vjeç! I rritur, i vaksinuar dhe nuk më tremb aspak jeta jote.
Kleitia: Po unë u tremba. Më tmerron fakti të jepem shumë pas teje, e më pas të të humb. Nuk mund të dështoj përsëri, të zgjedh gabim sërish, të përfshij fëmijët sërish. Nuk do të më mbetej më asnjë copëz e pathyer zemre. Dhe u skuq. Uli sytë e përlotur. Ai e pa me një butësi që nuk e kishte ndjerë prej vitesh. I erdhi ta përqafonte dhe ta strukte në kraharorin e tij.
Genti: Mos më largo, kur ke nevojë për dikë. Unë nuk jam këtu, vetëm për ditët me diell.
Kleitia: Po sikur të lodhesh?
Genti: Në këtë moshë, lodhemi vetëm nga njerëzit e gabuar. Jo nga sfidat e jetës. Me drama jemi mësuar. Vuajmë për pakëz sinqeritet, çiltërsi, emocione.
Ajo qeshi lehtë, me lotët që i shkëlqenin ndër qerpikë. Por nuk mbaroi aty. Pas disa muajsh, Kleitia nisi të tërhiqej përsëri. Shkruante më rrallë, përgjigjej më shkurt.
Genti: Çfarë po ndodh prapë?
Kleitia: Asgjë. Mirë jam.
Genti: Mos më bëj copy-paste të frazave të femrave që s’kanë guxim.
Kleitia: Nuk dua të të bëhem barrë.
Genti: Ti? Barrë? Ti je njeriu që më ka mbajtur në këmbë këto muaj. Falë teje jam ndjerë sërish ai djaloshi i hedhur e hokatar që të ngacmonte.
Kleitia: Po jeta ime është kaq e komplikuar.
Genti: Të dy jemi të komplikuar. Kjo është arsyeja pse funksionojmë mirë së bashku. Të lutem, mos më shty larg! Nuk dua të të humbas.
Kleitia: Kam frikë.
Genti: Edhe unë. Por frika nuk është arsye për të humbur dikë që të bën të ndihesh gjallë.
Pas asaj bisede, gjërat ndryshuan. Nuk ishin më dy të rritur që fshiheshin pas frikërave. Ishin dy njerëz që po e zgjidhnin me bindje, njëri-tjetrin. Një mbrëmje, ai e mori për dore, ndërsa shëtisnin buzë detit.
Genti: E di çfarë kam kuptuar së fundmi?
Kleitia: Që jam e mrekullueshme?
Genti: Edhe atë. Por mbi të gjitha që që nuk dua të jetoj asnjë ditë, pa ty, në këtë jetë.
Kleitia: Mos më thuaj të tilla gjëra se më prish make-up-in. Le që më rritet tensioni. Nuk na mban zemra kaq shumë. Dhe nisi të qeshte, me atë të qeshurën karakteristike si gurgullimë kroi.
Genti: Në këtë moshë, make-up-i rregullohet. Zemra jo. Dhe unë dua të kujdesem për të.
Kleitia: Atëherë, e ke zemrën time. Pa filtra.
Genti: Edhe ti timen. Me gjithë rrudhat, thinjat, tensionin e lartë, frikërat dhe dashurinë që më ka mbetur.
Ajo e përqafoi fort. Ai e mbajti ndër krahë si një gjë të rrallë, të vyer, të shenjtë. Dhe për herë të parë, pas shumë vitesh, të dy ndjenë se ishin në vendin e duhur.
2.
LIBRI I PASHFLETUAR
Hera ishte 45 vjeçe dhe kishte mësuar t’i mbante ndjenjat si librat e vjetër në raft: të mbyllura, të sistemuara, të padukshme. Punonte si arkitekte, një profesion që e kishte mësuar të ndërtonte struktura të forta, edhe brenda vetes.
Aldo ishte 50 vjeç. Një burrë që dukej sikur e kishte kaluar jetën duke u përpjekur të mos e humbiste veten. Ishte i qetë, i matur, me një buzëqeshje që i ravijëzohej në buzë, pa u kuptuar pse. Ata u njohën në një seminar pune, një nga ato takime ku njerëzit flasin për projekte, por sytë flasin një gjuhë krejt tjetër.
Në momentin e parë që sytë e tyre u ndeshën, Hera ndjeu një dridhje, jo të fortë, por të mjaftueshme për t’i kujtuar se zemra e saj nuk ishte aq e heshtur, sa mendonte ajo. Aldo e përshëndeti me një zë të ulët, të ngrohtë, dhe Hera e kuptoi menjëherë se ai ishte rrezik. Jo sepse ishte i gabuar, por sepse ishte i duhuri.
Ata filluan të flisnin shpesh. Fillimisht për punën. Pastaj për jetën. Pastaj për ëndrrat. Pastaj… për asgjë, por që tingëllonte si gjithçka. Pas çdo takimi, Hera e ndiente që po afroheshin gjithnjë e më shumë. Në çdo bisedë, Aldo e shihte Herën me një vështrim që zgjaste disa sekonda më tepër. Dhe megjithatë, të dy e dinin: kjo ishte një ndjenjë që nuk duhej kurrsesi të merrte formë. Të dy kishin ndërtuar jetët plot përgjegjësi e prestigj, dhe morali i mbante të lidhur pas realitetit. Mirëpo zemra nuk njeh rregulla. Ajo rreh sipas ritmit të saj.
Një mbrëmje, pas një takimi të gjatë pune, ata mbetën vetëm në sallën bosh. Dritat ishin të zbehta. Jashtë binte shi. Hera po mblidhte dokumentet, kur Aldo iu afrua për ta ndihmuar. Duart e tyre u prekën lehtë. Hera e tërhoqi dorën menjëherë, kurse Aldo nuk lëvizi. Ai vetëm e pa, me atë vështrimin që thoshte më shumë se çdo fjalë.
- Hera… - tha ai, me një zë që i dridhej pak.
Ajo ngriti sytë. Në atë moment, të dy e kishin të qartë se çfarë donin dhe se çfarë nuk duhej të bënin. Aldo iu afrua pak më shumë, aq sa Hera mund të ndiente aromën e tij, ngrohtësinë e tij, praninë e tij. Nuk kishte asgjë të pahijshme në atë afërsi, vetëm një dëshirë të thellë, të pastër, të ndaluar.
- Nuk duhet… - pëshpëriti ajo.
- E di, - tha ai. - Por kjo nuk e bën më të lehtë.
Ata qëndruan ashtu, për disa sekonda. Befas, Hera u largua një hap pas. Dhe Aldo bëri të njëjtën gjë. Heshtja ra mes tyre, si një mur i padukshëm.
Pas asaj nate, ata filluan të shmangnin njëri tjetrin. Jo sepse nuk donin të shiheshin, por sepse e dinin që çdo takim i afronte drejt një pike, ku morali nuk do t’i ndalte dot më. Hera e ndiente mungesën e tij çdo mëngjes. Aldo e kërkonte praninë e saj, në çdo email që nuk vinte. Dhe megjithatë, të dy e dinin se kjo ishte mënyra e vetme, për të mos e thyer veten. Një ditë, pas një heshtjeje disa mujore, Aldo i dërgoi një mesazh të shkurtër:
“Shpresoj të jesh mirë. Disa çaste nuk mund të harrohen kurrë”.
Hera e lexoi disa herë. Nuk u përgjigj. Por zemra e saj u mbush me një ngrohtësi therëse. Ajo e dinte: dashuria e tyre nuk do të merrte kurrë formë. Thjesht do të mbetej aty; e qetë, e bukur, e paprekur, si një libër me kopertinë ndjellëse, që për mijëra arsye nuk e lexon dot. Por që gjithsesi, të dhimbset ta flakësh tutje. Përndryshe, kjo ndjenjë amorfe që i jepte kuptim lumturisë dhe trishtimit, mund të shndërrohej në një timonier të rrezikshëm. Madje aq të rrezikshëm, sa të përmbyste jetë të tëra. Ndaj Hera e quante libër i paprekur dhe s’guxonte as ta shfletonte.
Një ditë, pas një takimi pune, ajo po dilte nga ndërtesa, kur pa Aldon duke e pritur jashtë. Ai nuk e kishte paralajmëruar. Nuk kishte arsye të ishte aty.
- Sa po ikja, - tha ai, - por mendova të të pyes si je.
Hera u hutua. Askush nuk e pyeste zakonisht “si je” me atë ton. Me atë sinqeritet.
- Mirë jam. Faleminderit! - tha ajo, por sytë e tradhtuan.
Aldo e pa drejt e në sy.
- Jo, nuk je mirë. Sot ishe krejtësisht e shpërqendruar. Çfarë të shqetëson?
Ajo u step. Ishte e rrezikshme të hapej. Por aq edhe e vështirë, të mos hapej.
- Ndonjëherë… - tha ajo me zë mërmëritës, - më duket sikur jam duke jetuar një jetë që nuk është e imja.
Aldo nuk foli. Vetëm iu afrua një hap më shumë. Jo aq sa ta prekte, por aq sa ta ndiente.
- E kuptoj, - tha ai. - Më shumë se sa mendon.
Ajo u largua me nxitim. Sepse ai e kishte parë shumë thellë.
Në një tjetër rast, gjatë një udhëtimi pune, ata u ulën pranë në autobus. Hera po lexonte, por nuk po kuptonte asnjë fjalë. Aldo ishte pranë saj, i qetë, i heshtur, por prania e tij ishte si një rrymë e ngrohtë që i përshkonte krahun. Në një kthesë të fortë, autobusi u drodh dhe Hera u mbështet pa dashje tek ai. Aldo vuri dorën në shpinën e saj, thjesht për ta mbajtur në ekuilibër. Një prekje e thjeshtë që Herës i theri deri në palcë. Aldo e hoqi dorën menjëherë, me një lloj respekti të dhimbshëm.
- Më fal, - tha ai.
- S’ka gjë, - pëshpëriti ajo, por zëri i dridhej.
Të dy e dinin se ajo prekje nuk ishte thjesht fizike. Ishte një çarje e vogël, në murin që i ndante. Sa më shumë afroheshin, aq më shumë frikësoheshin nga vetvetja. Hera filloi të shmangte takimet. Aldo filloi të fliste më pak. Të dy e ndjenin se po shkonin drejt një pike, ku morali dhe parimet nuk do të mund të frenonin të pashmangshmen. Një mbrëmje, Aldo i dërgoi një mesazh:
“Nuk dua të të vë në vështirësi. Por dua të dish që prania jote më ka ndryshuar”.
Hera e lexoi dhe sytë iu mbushën me lot. Jo nga dhembja, por nga e vërteta. Ajo nuk u përgjigj, sepse po të përgjigjej, do të hapej një derë që nuk do të mbyllej më. Fshiu lotët. Më pas fshiu numrin e tij nga lista e kontakteve.








Comments