top of page

Frank Shkreli: JË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NËMBROJTJE TË SHQIPËS

  • 5 days ago
  • 5 min read

 “Jemi brezi që mbron dhe flet shqip”

 Nga Frank Shkreli

Studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë dalë ditët

e fundit në protestë, për të kundërshtuar kufizimet ndaj përdorimit të gjuhës shqipe

në provimin e jurisprudencës. Me sloganin e fortë “Gjuha nuk negociohet”, ata

kërkojnë respektimin e të drejtave të garantuara me ligj dhe kushtetutë. Protesta u

zhvillua në Shkup, ku të rinjtë u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë ndaj një

qëndrimi institucional që, sipas tyre, pamundëson dhënien e provimit profesional

në gjuhën shqipe. Studentët e konsiderojnë këtë një shkelje të drejtpërdrejtë të të

drejtave gjuhësore dhe një hap prapa në zbatimin e barazisë në institucionet

shtetërore. Studentët shqiptarë të jurisprudencës në universitetet shqiptare po

përballen me një realitet absurd: në vend që të përgatiten për të mbrojtur ligjin, ata

detyrohen të përballen me shkeljen e tij. E drejta për përdorimin e gjuhës shqipe

nuk është as kërkesë politike dhe as çështje interpretimi – është e drejtë themelore.

Dhe çdo pengesë ndaj saj është shkelje e drejtpërdrejtë. Por problemi nuk qëndron

vetëm te shkelja. Problemi më i madh është heshtja.

“Gjuha shqipe nuk është çështje kompromisi. Ajo është identiteti ynë dhe e drejtë

themelore,” u shprehën protestuesit, sipas ajencisë INA, duke theksuar se kërkesa e

tyre nuk lidhet me privilegje, por me zbatimin e ligjeve ekzistuese që garantojnë

përdorimin e gjuhëve në vend. Në thelb të reagimit është kërkesa që provimi i

jurisprudencës të mund të jepet edhe në shqip, në përputhje me legjislacionin në

fuqi. Studentët kërkuan gjithashtu reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe

reflektim zyrtar nga të gjithë mbi vendimin që ka nxitur pakënaqësi, jo vetëm në

radhët e studentëve të prekur drejtë për së drejti nga ky vendim.

Kjo protestë rikthen në vëmendje debatet e kahershme për statusin dhe përdorimin

praktik të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse ligji për përdorimin e

gjuhëve parashikon të drejta të zgjëruara për komunitetet etnike, zbatimi i tij në

praktikë vazhdon të jetë sfidë. Protesta e studentëve shihet si një sinjal i qartë se

çështjet e identitetit dhe barazisë mbeten të ndjeshme në Maqedoninë e Veriut dhe

se rinia atje është e gatshme të reagojë kur ato vihen në pikëpyetje. Njëri nga

organizatorët e protestës, Mevlan Ademi, para protestuesve parashtroi kërkesat e

studentëve, duke theksuar se një situatë e tillë nuk do të duhej të ndodhte në vitin

2026. Sipas tij, është e papranueshme që studentët të detyrohen të dalin në rrugë

për të mbrojtur gjuhën e tyre, raporton agencia e lajmeve, INA. “Po ja ku jemi.

Para se të jemi studentë apo profesionistë, ne jemi shqiptarë. Dhe kur preket gjuha,

preket vetë themeli ynë. Gjuha shqipe është mënyra se si jetojmë, si flasim dhe si

kemi ardhur deri këtu”, deklaroi Ademi. “Shqipja assesi nuk negociohet. Ky

është minimumi i dinjitetit. Nuk kërkojmë favore, kërkojmë barazi. Nuk jemi

kundër askujt – jemi këtu për veten tonë, për gjuhën tonë dhe për të ardhmen

tonë”, u shpreh ai. Në fjalën e tij, Ademi shtoi se studentët nuk do të lejojnë

që gjuha shqipe të trajtohet si opsion, por si pjesë e pandashme e identitetit.

“Ne po themi qartë: nuk ka shtet të së drejtës pa barazi gjuhësore. Jemi brezi

që mbron dhe flet shqip”, deklaroi ai mes duartrokitjeve të protestuesve, raportoi

INA.

Në një shtet si Maqedonia e Veriut që synon të ndërtojë standarde të mirëfillta

demokratike dhe të forcojë sundimin e ligjit, të drejtat themelore nuk mund të

vihen në diskutim, e aq më pak të relativizohen. Një ndër këto të drejta të

panegociueshme është përdorimi i gjuhës amtare. Studentët shqiptarë të

jurisprudencës në universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut përballen me

sfida që nuk duhet të ekzistojnë në një shoqëri

evropiane që pretendon barazi dhe respekt për diversitetin. E drejta për të studiuar

dhe për t’u shprehur në gjuhën shqipe nuk është privilegj, por një e drejtë

themelore e garantuar nga parimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe nga

vetë korniza ligjore e vendit. Është e papranueshme që në institucionet e arsimit të

lartë, ku formohen juristët e së ardhmes, të ketë paqartësi apo pengesa në

përdorimin e gjuhës shqipe. Kjo, jo vetëm cenon dinjitetin e studentëve shqiptarë

por dëmton edhe vetë cilësinë e edukimit juridik dhe besimin në sistemin e

drejtësisë të atij vendi. Respektimi i gjuhës nuk është çështje teknike apo

administrative; është çështje identiteti, barazie dhe drejtësie. Një shtet i së drejtës

matet pikërisht nga mënyra se si i mbron të drejtat e qytetarëve të tij, pa dallim.

Prandaj, kërkohet angazhim i menjëhershëm dhe i qartë nga institucionet e shtetit

të Maqedonisë së Veriut, përgjegjëse për të garantuar zbatimin e plotë të së drejtës

për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e arsimit juridik.

Mospërmbushja e këtij detyrimi nuk është vetëm padrejtësi ndaj studentëve

shqiptarë; është njollë mbi vetë kredibilitetin e sistemit arsimor dhe juridik në

vend. Një shtet që dështon të garantojë të drejtat elementare në auditoret

universitare, vështirë se mund të pretendojë drejtësi në gjykata. Çdo devijim

nga ky standard përbën një hap prapa në rrugën drejt një shoqërie të barabartë dhe

demokratike. Gjuha nuk negociohet. Ajo mbrohet!

Dështimi institucional ka emër. Në një shtet që pretendon se ka ndërtuar

stabilitetin e tij politik dhe shoqëror mbi balancën ndëretnike dhe mbi parimet

e Marrëveshjes së Ohrit, çdo cenim i të drejtave gjuhësore nuk është më, thjesht,

shkelje ligjore – është shkelje e vetë themelit mbi të cilin qëndron shteti. Sot,

studentët shqiptarë të jurisprudencës në Universitetin e Tetovës, në Universitetin e

Evropës Juglindore dhe në Universitetin Nënë Terez, përballen me pengesa që nuk

duhet të ekzistojnë: kufizime, paqartësi dhe standarde të dyfishta në përdorimin e

gjuhës shqipe në procesin mësimor dhe vlerësues. Kjo nuk është më çështje

interpretimi. Është shkelje e drejtpërdrejtë. Dhe kur kjo ndodh në fakultetet

juridike – aty ku duhet të mbrohet ligji – atëherë kemi të bëjmë me një

paradoks të rrezikshëm: juristët e së ardhmes po edukohen në një sistem që

vetë nuk respekton normat që pretendon të mësojë. Institucionet përgjegjëse –

nga universitare deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut,

por as përfaqësitë diplomatike ndërkombëtare në Shkup, nuk mund të vazhdojnë të

heshtin për këtë çeshtje. Heshtja në këtë rast është bashkëfajësi. Duhet theksuar e

ritheksuar se zvarritja e zgjidhjeve të kësaj çesthjeje është refuzim për të vepruar

dhe mosveprimi është shkelje. Sa herë që e drejta për gjuhën shqipe relativizohet,

dërgohet një mesazh i qartë: se ligji zbatohet sipas dëshirës, jo sipas detyrimit. Ky

është një standard që nuk mund të tolerohet në një shtet që pretendon integrim

evropian dhe sundim të ligjit. Nëse Marrëveshja e Ohrit ishte kompromis për paqe,

ajo nuk ishte kompromis për të drejtat bazë të njeriut. Ajo i garanton ato! Dhe çdo

shmangie nga këto garanci është hap prapa – politik, juridik dhe moral. Prandaj,

disa pyetje janë të drejtpërdrejta dhe kërkojnë përgjigje: Kush po e pengon

zbatimin e plotë të gjuhës shqipe në universitetet shqiptare? Kush do të mbajë

përgjegjësi për këtë situatë? Dhe deri kur do të vazhdojë kjo heshtje e qëllimshme,

qoftë edhe nga faktori politik shqiptar, të pakën deri tani? Në interes të kujt është

kjo heshtje zyrtare?

Institucionet dhe entet qeveritare duhet të përgjigjen – qartë dhe konkretisht. Nuk

ka më vend për fjalë boshe dhe as për deklarata protokollare. Kërkohen masa

konkrete, të menjëhershme dhe të verifikueshme. Sepse e vërteta është e thjeshtë:

një shtet që dështon të mbrojë gjuhën, dështon të mbrojë qytetarin. Gjuha nuk

negociohet. Por as dinjiteti nuk pret. Dhe ky nuk është apel – por është kërkesë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page