Fejzulla BERISHA: Në Qendër të Arkitekturës së Re Ndërkombëtare
- Feb 23
- 4 min read

Kosova nga Administrimi Kolektiv Ndërkombëtar në Pol të Sigurisë Globale: Në Qendër të Arkitekturës së Re Ndërkombëtare
Shkruan:Prof.Dr.Fejzulla BERISHA
I. Nga legjitimiteti deklarativ në legjitimitet funksional në arkitekturën e rendit të ri botëror
Në kontekstin e transformimeve strukturore të sistemit ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë, si dhe në fazën aktuale të rikonfigurimit të balancave globale të fuqisë, përfshirja e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes përbën një zhvillim me rëndësi të shumëfishtë normative, strategjike dhe sistemike.
Rendi i ri ndërkombëtar, i karakterizuar nga ndërvarësia strategjike, multilateralizmi selektiv, konkurrenca e rikthyer midis fuqive të mëdha dhe sfidat hibride të sigurisë, ka rishkruar parametrat e legjitimitetit shtetëror. Në këtë arkitekturë të re, subjektiviteti ndërkombëtar nuk matet më vetëm me aktin formal të njohjes, por me kapacitetin real për të kontribuar në prodhimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes ndërkombëtare.
Në këtë prizëm, përfshirja e Kosovës materializon kalimin:nga legjitimiteti deklarativ (njohja formale e shtetësisë),në legjitimitet funksional (ushtrimi konkret dhe i verifikueshëm i rolit ndërkombëtar).
Sipas doktrinës klasike të së drejtës ndërkombëtare dhe praktikës bashkëkohore, subjektiviteti ndërkombëtar përfshin:zotësinë për të qenë bartës i të drejtave dhe detyrimeve ndërkombëtare;kapacitetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare;pjesëmarrjen në organizata dhe mekanizma shumëpalësh;ushtrimin e përfaqësimit diplomatik me autonomi vendimmarrëse.
Pjesëmarrja në Bordin e Paqes përfaqëson pikërisht dimensionin e avancuar të këtij subjektiviteti: Kosova nuk trajtohet më si objekt menaxhimi ndërkombëtar, por si kontribuese në formulimin e agjendës së paqes dhe sigurisë globale.
II. Dimensioni normativ: Vendosja në boshtin e parimeve themelore të rendit ndërkombëtar
Në planin juridik, kjo përfshirje duhet analizuar në dritën e tri shtyllave themelore normative të rendit ndërkombëtar.
1. Parimi i barazisë sovrane të shteteve
I sanksionuar në nenin 2 të Kartës së OKB-së, ky parim përbën gurthemelin e arkitekturës juridike ndërkombëtare. Edhe në mungesë të anëtarësimit formal në OKB, pjesëmarrja aktive e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë përbën manifestim praktik të barazisë sovrane.
Barazia sovrane nuk është vetëm atribut formal; ajo realizohet përmes ndërveprimit institucional dhe kapacitetit për të ndikuar në vendimmarrje.
2. Parimi i vetëvendosjes së popujve
Vetëvendosja, si normë me karakter erga omnes dhe si burim legjitimiteti shtetëror, përbën themelin juridik të shtetësisë së Kosovës. Në arkitekturën e rendit të ri ndërkombëtar, ku legjitimiteti demokratik është faktor kyç i pranueshmërisë ndërkombëtare, ushtrimi efektiv i sovranitetit përbën kriter themelor vlerësimi.
3. Parimi i efektivitetit – sipas standardeve të Konventës së Montevideos (1933)
Shtetësia vlerësohet përmes katër elementeve klasike:popullsi e përhershme;territor i përcaktuar;qeveri efektive;kapacitet për marrëdhënie ndërkombëtare.
Përfshirja në Bordin e Paqes demonstron qartësisht elementin e katërt — kapacitetin për të ndërtuar, menaxhuar dhe institucionalizuar marrëdhënie ndërkombëtare në nivel strategjik.
Në këtë kuptim, Kosova operon brenda parametrave të plotë të shtetësisë funksionale.
III. Transformimi sistemik: Nga administrim ndërkombëtar në aktor të sigurisë kolektive
Pas vitit 1999, Kosova ishte objekt i administrimit ndërkombëtar dhe subjekt i një rendi të ndërmjetëm të mbikqyrjés ndërkombëtare. Vendimmarrja mbi çështjet themelore zhvillohej kryesisht jashtë sovranitetit të saj efektiv.
Sot, përmes pjesëmarrjes në Bordin e Paqes, kemi një transformim paradigmatik:nga entitet nën mbikëqyrje → në shtet kontribues në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare;nga çështje stabilizimi → në faktor stabiliteti;nga objekt i diplomacisë ndërkombëtare → në subjekt me kapacitet ndikimi strategjik.
Ky transformim ka domethënie të thellë juridike. Sipas nenit 38 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, praktika shtetërore përbën burim të së drejtës ndërkombëtare. Ushtrimi i vazhdueshëm dhe konsistent i rolit ndërkombëtar prodhon konsolidim normativ të statusit.
Sa më shumë Kosova vepron si shtet në arenën ndërkombëtare, aq më i pakthyeshëm bëhet konsolidimi i subjektivitetit të saj.
IV. Dimensioni diplomatik: Partneriteti strategjik dhe arkitektura euroatlantike
Në arkitekturën aktuale të sigurisë globale, partneritetet strategjike përbëjnë mekanizëm kyç të legjitimitetit dhe integrimit ndërkombëtar.
Angazhimi institucional i Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti në forume të tilla:materializon ushtrimin e përfaqësimit të jashtëm sovran;konsolidon kredibilitetin demokratik të shtetit;pozicionon Kosovën brenda boshtit euroatlantik të sigurisë.
Në doktrinën diplomatike bashkëkohore, pjesëmarrja aktive në mekanizma të sigurisë kolektive konsiderohet formë e njohjes de facto të kapacitetit shtetëror, përtej debatit formal mbi universalitetin e njohjeve.
V. Impaktet në rendin euroatlantik dhe global
Në kontekstin e polarizimit në rritje dhe të sfidave të reja të sigurisë, përfshirja e Kosovës në struktura të paqes prodhon implikime të qarta strategjike:konsolidon argumentin për integrim në NATO si vazhdimësi logjike e rolit në sigurinë kolektive;thellon harmonizimin me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian;rrit besueshmërinë ndërkombëtare si shtet që kontribuon në stabilitet dhe jo vetëm përfiton prej tij.
Në praktikën ndërkombëtare, shtetet që marrin përgjegjësi për arkitekturën e sigurisë konsiderohen “responsible stakeholders”. Përmes këtij angazhimi, Kosova pozicionohet si aktor i përgjegjshëm dhe konstruktiv në sistemin ndërkombëtar.
VI. Subjektiviteti si ushtrim sovraniteti në rendin e ri ndërkombëtar
Subjektiviteti ndërkombëtar nuk është akt statik juridik; ai është proces dinamik konsolidimi përmes veprimit të vazhdueshëm.
Përfshirja në Bordin e Paqes:materializon kapacitetin për veprim ndërkombëtar;forcon sovranitetin funksional;e vendos Kosovën në qendër të dialogut strategjik për paqe dhe siguri.
Në arkitekturën e rendit të ri botëror, ku legjitimiteti ndërtohet përmes kontributit, përgjegjësisë dhe partneritetit strategjik, kjo përfshirje përfaqëson jo vetëm afirmim politik, por ushtrim konkret të sovranitetit dhe konsolidim praktik të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Nëse kjo dinamikë mbështetet nga sundimi i pakompromis i ligjit, konsensusi institucional dhe diplomacia strategjike e koordinuar, ajo shndërrohet në hap të pakthyeshëm drejt integrimit të plotë në rendin euroatlantik dhe global.








Comments