top of page

Fatmir Terziu: Pse kjo hipokrizi “zyrtare” ndaj vlerave?

  • May 18
  • 3 min read

Updated: May 19


 

Ikja në amshim e shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj nuk është vetëm largimi fizik i një autoreje të rëndësishme të letrave shqipe. Ajo është edhe një provë e hidhur se sa e sëmurë mbetet ende marrëdhënia e institucioneve shqiptare me kulturën, kujtesën dhe meritën. Një shoqëri që hesht përballë ikjes së një krijueseje të përmasave të saj, në fakt hesht përballë vetes. Dhe kjo heshtje nuk është rastësi. Është kulturë hipokrizie institucionale. Një shtet që dikur e dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh”, përmes Presidentit Bamir Topi, nuk gjeti dot as forcën morale minimale për një reagim dinjitoz institucional pas vdekjes së saj. As Ministria e Kulturës, as Bashkia e qytetit ku ajo jetoi e krijoi, nuk dhanë atë që në çdo vend normal do të ishte detyrim etik, një nderim publik, një fjalë respekti, një kujtesë zyrtare. Kjo nuk është harresë administrative. Është degradim kulturor.

Në vendet serioze, institucionet nuk presin që historia të bëhet modë për të nderuar krijuesit. Kur vdiq Toni Morrison, Shtetet e Bashkuara reaguan në nivel presidencial, universitar dhe kulturor. Kur u nda nga jeta Umberto Eco, Italia organizoi homazhe kombëtare, mediat publike ndërprenë programet, universitetet mbajtën konferenca për trashëgiminë e tij. Kur vdiq Milan Kundera, shteti çek dhe institucionet franceze e trajtuan si humbje të kujtesës europiane. Edhe në Ballkan, shtete me histori të vështira kanë ditur të tregojnë respekt institucional. Serbia nderoi Dobrica Ćosić me ceremoni shtetërore. Kroacia bëri të njëjtën gjë për Predrag Matvejević. Ndërsa Shqipëria vazhdon të heshtë edhe përballë emrave që vetë i ka dekoruar.

Vilhelme Vranari Haxhiraj "Mjeshtër i Madh"      1944-2026
Vilhelme Vranari Haxhiraj "Mjeshtër i Madh" 1944-2026

Kjo hipokrizi ka rrënjë të thella. Në Shqipëri, kultura zyrtare ende funksionon me logjikën e klaneve, servilizmit dhe interesit politik të ditës. Shkrimtari vlerësohet jo për veprën, por për afërsinë. Jo për ndikimin kulturor, por për përdorshmërinë propagandistike. Ndaj ndodh paradoksi tragjik, autorë mediokër marrin tribuna, financime dhe dekorata, ndërsa krijues që kanë sakrifikuar jetën për letërsinë trajtohen si të padukshëm.

Rasti i Vilhelme Vranari Haxhiraj është edhe më dramatik, sepse kemi të bëjmë me një autore që u përball me tri forma persekutimi, nga diktatura, nga tranzicioni dhe nga indiferenca institucionale. Asaj iu mohua diploma, profesioni, e drejta për të botuar dhe për të jetuar normalisht. Megjithatë ajo arriti të krijojë një univers të tërë letrar, me dhjetëra romane, novela, poezi, publicistikë dhe studime. Në shumë vende të botës, vetëm ky fakt do të mjaftonte për ta kthyer në simbol kombëtar të rezistencës intelektuale. Por Shqipëria ka një problem të madh me figurat që nuk i kontrollon dot. Sistemi ynë kulturor ende ka frikë nga autorët autentikë. Sepse autorët autentikë prishin hierarkitë false. Ata zbulojnë mediokritetin e ngritur në institucion. Pikërisht këtë bëri Vranari. Ajo e sfidoi letërsinë e fabrikuar nga kritika politike dhe solli në prozën shqipe një dimension të vuajtjes njerëzore që nuk mund të fshihej pas retorikës së realizmit socialist apo pas modave të tranzicionit.

Në Gjermani, Herta Müller u kthye në simbol kombëtar sepse denoncoi diktaturën komuniste rumune përmes letërsisë. Ajo u mbështet nga shteti, universitetet, akademitë dhe institucionet kulturore gjermane. Shqipëria, përkundrazi, shpesh i lë në vetmi ata që dëshmojnë tragjedinë shqiptare. Dhe ky është turp kombëtar. Sepse një komb që nuk mbron kujtesën e vet kulturore, është i destinuar të prodhojë harresë dhe provincializëm. Edhe më ironik bëhet fakti se vlerësimet më të ndjera për Vilhelme Vranarin erdhën nga jashtë Shqipërisë. Kjo është një sëmundje e vjetër shqiptare: talentin e kuptojnë të huajt, ndërsa vendi i vet e hesht. Ndodhi me shumë artistë, studiues e krijues shqiptarë që u desh të legjitimoheshin jashtë për t’u pranuar brenda. Është kompleksi provincial i institucioneve që nuk prodhojnë dot vlera, por përpiqen t’i administrojnë ato si pronë politike.

Në thelb, problemi nuk është vetëm mungesa e një nekrologjie zyrtare. Problemi është më i rëndë, mungesa e ndërgjegjes shtetërore ndaj kulturës. Shqipëria vazhdon ta trajtojë kulturën si dekor ceremonial, jo si themel identiteti kombëtar. Ministritë merren me evente fasadë, me festivale fotografie për rrjete sociale, me propagandë vizuale, ndërsa krijuesit realë lihen në harresë. Një vend që nuk nderon shkrimtarët e vet, në të vërtetë nuk nderon historinë e vet shpirtërore. Sepse shkrimtarët janë arkiva morale të një kombi. Ata ruajnë dhimbjen, kujtesën, rezistencën dhe gjuhën. Kur institucionet heshtin përballë tyre, ato shpallin falimentimin e tyre moral. Dhe kjo është arsyeja pse heshtja ndaj Vilhelme Vranari Haxhiraj nuk është një incident. Është diagnozë. Një diagnozë e rëndë për një shtet që ende nuk ka mësuar të dallojë propagandën nga vlera, zhurmën nga krijimtaria dhe dekoratën nga respekti i vërtetë.

3 Comments


Agim L Bajrami
May 19

Eshte pikërisht ajo qe thoni ju i dashur Fatmir. Heshtja e inditucioneve ndaj ikjes në amshim të figurave të nivelit të Vilhelme Vranarit , është një falimentim moral Shtetet e tjere të qyteteruar i vendosin flamujt në gjysmë shtize , në raste të tilla , por një. shteti dhe shoqerie të. sëmurë si kjo e jona , as që i bën përshtypje fare. Megjithatë Vlhelme Vranari edhe përkundër këtyre lloj qëndrimeve është dhe do të mbetet një intelektuale dhe shkrimtare e nderuar dhe e paharruar nga lexonjësit e sajPudhtet ndërrohen emri i shkrimtares mbetet në majë. Respekte për këtë shkrim homazh

Like

Merita Kuci
May 19

Te falenderoj nga zemra te sjellesh ne vemendje figuren jo vetem njerezore, por intelektuale e formesuar ne sfidat e kohes, historive shqiptare. Po ajo e lartesoi veten me punen, urtesine dhe thjeshtesine qe i buronte nga zemra. Trashegimia e saj e pafund, na mbush se sa shume duhen çmuar momentet e jetes, ato shkrimet e vogla qe marrin hapesire ne vazhdim, sa mire te ruash lidhjet njerezore. Ajo dinte te donte, te njihte, te çmonte. Me ngaterrohem shume fjalet e zemres per Vilin e paharruar, ajo ç’ka ju ngrini eshte dhembje kombetare… Perqafime te sinqerta!

Like

kadri tarelli
May 18

Përshëndetje dhe falënderim që më dërguat këtë shkrim kaq të bukur në formë dhe kaq të fortë në përmbajtje.

Ju ngrini me të drjetë një problem të mprehtë, politk, shtetëror dhe moral.

Unë shtoj, se kjo që po ndodh tek ne, nuk është rastësi, por një strategji dhe program i ndërtuar për të prishur kombin. Kështu po vajtojmë qëndrimin ndaj letërsisë dhe autorëve të saj të ndritur. Më thuaj, cili institucion punon seriozisht........? Të gjith ankohemi, po nuk dëgjon njeri. ne jemi këtu dhe e ndjejmë trishtimin që ka kapluar qytetin, si qytet i vdekur.

Mendoj......! Nuk është se nuk dinë apo nuk ndjejnë përgjegjësi. Nuk duan......!

Faleminderit!

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page