Fatmir Terziu: Opozita pa fat?!
- 2 days ago
- 3 min read

Është e lehtë të japësh mend nga jashtë. Të kritikosh, të analizosh, të nxjerrësh përfundime mbi opozitën, mbi Partinë Demokratike dhe mbi liderin e saj, Sali Berisha. Por thelbi i debatit nuk qëndron tek kjo sipërfaqe. Pyetja reale është më e thellë dhe më shqetësuese: a është opozita shqiptare vërtet e pafat, apo është peng i vetvetes? Në një kohë kur Europa dhe bota përjetojnë lëkundje politike, rritje të populizmit, kriza ekonomike dhe transformime të mëdha gjeopolitike, në Shqipëri duket sikur gjithçka mbetet e ngrirë në një ekuilibër të çuditshëm. Përballë një mazhorance të konsoliduar, të drejtuar nga Edi Rama, opozita ka zgjedhur prej vitesh një strategji që në teori tingëllon e fortë: denoncime të përditshme, akuza për korrupsion, konferenca shtypi, retorikë e ashpër.
Por në praktikë, kjo është kthyer në një rutinë pa efekt.
Problemi nuk është mungesa e zërit. Përkundrazi, opozita flet shumë. Aq shumë, sa fjala ka humbur peshën. Kur çdo javë shpallet një “skandal i madh”, asnjë nuk mbetet më i tillë. Publiku është imunizuar. Indinjata është zëvendësuar nga indiferenca. Ky është banalizimi i korrupsionit, paradoksi më i madh i një opozite që synon ta luftojë atë. Ndërkohë, në arenën parlamentare, edhe kur dalin në pah figura të kontestuara si Belinda Balluku, opozita shpesh dështon të ndërtojë një narrativë të qëndrueshme. Çështjet shpërqendrohen, debati devijon, aksioni humbet fokusin. Në vend që një skandal të kthehet në krizë politike të vazhdueshme, ai konsumohet si një episod i radhës në ciklin e pafund të akuzave.
Pra problemi nuk është mungesa e kauzave, por mungesa e strategjisë.
Është bërë klishe të thuhet se Edi Rama fiton sepse kontrollon pushtetin, sepse ka shumicën e mandateve. Kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Gjysma tjetër është më e dhimbshme për opozitën: ai fiton sepse përballë ka një alternativë që nuk bind. Editoriali i prestigjiozes Ballkanweb citon se „Një lider me peshën historike si Sali Berisha vazhdon të mbajë një bazë të fortë militante, por kjo nuk përkthehet në shumicë.“ Protestat e vogla, me pjesëmarrje të kufizuar, nuk janë më tregues force, janë tregues kufiri. Qytetarët nuk janë të verbër ndaj problemeve. Ata i shohin, i ndjejnë, i përjetojnë. Por nuk besojnë se ndryshimi do të vijë nga kjo opozitë. Ata dëgjojnë akuzat, por nuk ndihen të përfaqësuar nga ata që i artikulojnë.
Dhe këtu qëndron kriza e vërtetë: kriza e besimit.
Protestat janë ilustrimi më i qartë i kësaj krize. Ato organizohen, por nuk frymëzojnë. Duken të thirrura, jo të lindura. Kur pjesëmarrja vjen nga struktura dhe jo nga zemërimi qytetar, protesta shndërrohet në miting. Dhe mitingjet, historia e ka treguar, nuk rrëzojnë qeveri. Në një opozitë funksionale, një skandal i madh do të ndiqej me përshkallëzim: aksion parlamentar të pandërprerë, presion publik, mobilizim qytetar, ndërkombëtarizim të çështjes. Në Shqipëri ndodh e kundërta: shumë zhurmë për pak kohë dhe më pas heshtje.
Shpërndarja në dhjetëra tema është një tjetër simptomë e kësaj dobësie. Në vend që energjia të përqendrohet në një kauzë të vetme dhe të ndiqet deri në fund, ajo tretet në një mori akuzash pa vijimësi. Kjo e bën opozitën të duket aktive, por jo efektive. Ndërkohë, qytetarët kanë kaluar në një fazë tjetër. Ata nuk kërkojnë më vetëm denoncime. Kërkojnë alternativë. Kërkojnë ide, vizion, besueshmëri. Kërkojnë garanci se ndryshimi nuk do të jetë një rikthim në të shkuarën, por një hap përpara.
Kur përballë shohin të njëjtat figura, të njëjtën gjuhë, të njëjtën mënyrë të të bërit politikë, zgjedhin të mos zgjedhin fare. Jo sepse janë dakord me qeverinë, por sepse nuk shohin arsye për të besuar te opozita. Në këtë kuptim, opozita nuk është e pafat. Ajo është e papërgatitur për të fituar besimin e një shoqërie që ka ndryshuar më shpejt se ajo vetë. Në fund të fundit, Edi Rama nuk fiton vetëm nga forca e tij, por nga dobësia e kundërshtarëve. Dhe për sa kohë kjo dobësi mbetet e pandryshuar, rezultati nuk është surprizë, është parashikim. Editoriali i Ballkaweb, ndër më të lexuarit, shton se „Rreziku më i madh për opozitën nuk është humbja e radhës. Është shndërrimi në një strukturë që ekziston vetëm për të folur, por jo për të ndryshuar.“ Dhe kjo nuk është çështje fati. Është çështje zgjedhjeje.








Comments