Fatmir Terziu: Debatet publike janë të natyrshme
- Feb 25
- 2 min read
Updated: Mar 2

Fatmir Terziu: Debatet publike janë të natyrshme
Ka një tundim të heshtur që shfaqet sa herë përkujtojmë figura të mëdha, tundimin për ta vendosur veten pranë tyre, si për të marrë pak nga drita që ata lëshojnë. Por drita e një shkrimtari si Ismail Kadare nuk shpërndahet me polemika, as me matje afërsish. Debati mes Dr. Skënder Brataj dhe botuesit të mirënjohur Bujar Hudhri, i lindur në ditë përkujtimore, është në thelb një keqkuptim i madhësisë. Sepse asnjë polemikë nuk e rrit figurën e Kadaresë. Asnjë replikë nuk e bën më të thellë veprën e tij. Asnjë akuzë nuk e shton peshën e emrit të tij. Nëse diçka rritet në këto raste, është vetëm zhurma. Zhurma nuk ka ardhur, nuk erdhi dhe nuk do të vij nga Bujar Hudhri, se ai e ka treguar herët.
Kadareja është tashmë përtej nevojës për mbrojtje. Ai nuk është një territor që duhet ruajtur me gardhe. Nuk është një pronë morale që duhet administruar nga miq, bashkëpunëtorë apo familjarë. Ai është një vepër e hapur, një univers që i përket lexuesit dhe kohës. Dashuria për një figurë të tillë nuk provohet duke ulur tjetrin. Nuk provohet me etiketime, as me theksim të rolit personal. Ajo provohet me maturi. Me përmbajtje. Me dinjitet. Sepse në momentin që përplasemi për të, ne e zhvendosim qendrën nga ai tek vetja. Dhe kjo është padrejtësia më e madhe që mund t’i bëhet një të madhi: ta përdorim si sfond për konfliktet tona.
Kadareja nuk ka nevojë për garanci nga askush. Emri i tij është më i fortë se çdo debat. Vepra e tij është më e gjatë se çdo reagim. Kujtesa për të është më e thellë se çdo polemikë e përkohshme. Ndaj, ndoshta mënyra më e drejtë për ta nderuar është kjo, të pranojmë se asnjë prej nesh nuk bëhet më i madh duke debatuar për të. Përkundrazi, madhështia e tij na fton të jemi më të përmbajtur, më të kthjellët, më të denjë në fjalë. Sepse në fund, ai mbetet Kadare. Ndërsa ne mbetemi thjesht zërat kalimtarë rreth një emri që nuk ka nevojë për zhurmë.








Comments