top of page

Fatmir Terziu: Asonanca si diskurs më vete tek poezia e Demir Rusit

  • Mar 1
  • 3 min read

Asonanca si diskurs më vete tek poezia e Demir Rusi: ZGJIMI PO TROKET

 

Poezia “Zgjimi po troket” e poetit Demir Rusi paraqet një tekst me prirje të qartë profetike dhe transformuese, ku ligjërimi poetik mbështetet fuqishëm mbi asonancën si strukturë tingullore dhe si mekanizëm diskursiv. Në këtë poezi, asonanca nuk është thjesht një element stilistik që zbukuron vargun. Ajo shndërrohet në një diskurs më vete. Transformohet në një mënyrë organizimi të mendimit dhe të vizionit poetik mbi zgjimin kolektiv. Po si shfaqet ajo?

Së pari ajo shfaqet si strukturë e brendshme ritmike.  Që në vargjet e para vihet re një përsëritje e theksuar e zanoreve të hapura, sidomos “i” dhe “e”, që krijojnë një jehonë të brendshme:

“Jemi në fazën e purifikimit

Dhe afër krejt kohës së zgjimit”

Përsëritja e tingullit -imit (“purifikimit”, “zgjimit”) ndërton një paralele semantike dhe fonetike: procesi i purifikimit barazohet me procesin e zgjimit. Kjo asonancë funksionon si lidhje ideore. Tingulli bëhet urë mes dy koncepteve kyçe të poezisë. Në këtë mënyrë, zëri poetik krijon një harmoni që përforcon mesazhin e transformimit gradual dhe të domosdoshëm.

Po kështu, në vargjet:

“Strukturat e rreme thërmohen

Egot filluan të kontrollohen”

përsëritja e -ohen krijon një kadencë që nënvizon aktin e shpërbërjes dhe të vetëkontrollit. Asonanca këtu shërben si shenjë e një procesi të përbashkët: rrënimi i strukturave të rreme dhe disiplinimi i egos janë dy faza të së njëjtës lëvizje transformuese.

Së dyti ajo vjen si diskurs i kolektivitetit. Poezia karakterizohet nga përdorimi i vazhdueshëm i formës shumës: “Jemi”, “Njerëzit”, “Shpresojmë”. Ky kolektivizim i subjektit përforcohet nga asonanca, e cila krijon ndjesinë e një kori të përbashkët. Tingujt e përsëritur krijojnë një efekt incantator, pothuaj ritual, duke e bërë tekstin të ngjajë me një manifest shpirtëror.

Vargjet:

“Këto s’jan stresë, sëmundje e rastësi

Po ndryshime që sjellin mrekulli”

përmes rimës së brendshme -ësi / -ulli krijojnë një kontrast të butë, por të ndjeshëm mes negativitetit të perceptuar (“stresë”, “sëmundje”) dhe pozitivitetit të premtuar (“mrekulli”). Asonanca në këtë rast është mjet bindës: ajo e zhvendos lexuesin nga frika tek shpresa.

Duke shkuar më tej së treti, vjen nga dimensioni energjetik i tingulli. Një element i veçantë është lidhja që poezia ndërton mes trupit, shpirtit dhe tokës:

“Toka po rrit ndjeshëm frekuencën

Trupi dhe shpirti, po përshtaten”

Këtu kemi një zhvendosje drejt një diskursi energjetik, ku termat “frekuencë”, “energjetik”, “proces”, “sinjale” krijojnë një fushë leksikore të vibrimit dhe rezonancës. Asonanca, si përsëritje tingullore, bëhet analogji e kësaj frekuence. Tingulli i përsëritur në tekst imiton metaforikisht ngritjen e frekuencës së tokës. Pra, forma fonetike e poezisë pasqyron përmbajtjen e saj tematike.

Në këtë kuptim, asonanca nuk është dekor; ajo është performative. Teksti nuk flet vetëm për zgjimin, por e realizon atë përmes ritmit dhe përsëritjes.

Së katërti, paraqitet Asonanca si shenjë e ankthit dhe e pritjes. Në vargun:

“Zgjim në 3 të mëngjesit, mos vallë vetëm unë…”

zanorja e mbyllur “u” në “unë”, e paraprirë nga përsëritja e “ë”-së, krijon një ndalesë të lehtë, një pezullim. Kjo ndjesi fonetike pasqyron ankthin e papritur dhe vetminë e momentit. Asonanca këtu nuk është harmonizuese, por tensionuese. Ajo shënjon pikën ku përvoja kolektive përjetohet si dyshim individual.

Së pesti e shoh edhe tek diskursi profetik dhe kadenca e shpresës. Në fund të poezisë:

“Dhe luftërat në prag, ndezur fitili

Shpresojmë në mrekullit, zgjimi të ndodhi”,

tingulli “i” dominon vargjet. Kjo zanore e hollë dhe e mprehtë krijon një efekt ngritës, si një vijë që shkon lart. Asonanca përforcon dimensionin profetik të poezisë, duke e përmbyllur me një thirrje shprese.

Si përfundim tek poezia e poetit Demir Rusi, asonanca funksionon si një strukturë e thellë diskursive. Ajo ndërton ritmin, lidh konceptet, përforcon kolektivitetin dhe materializon idenë e frekuencës dhe të transformimit. Përmes përsëritjes së zanoreve, poezia krijon një hapësirë rezonance ku zgjimi nuk është vetëm temë, por përjetim estetik. Kështu, tek poezia “Zgjimi po troket”, asonanca shndërrohet në një gjuhë të dytë brenda gjuhës: një diskurs tingullor që mbart dhe thellon kuptimin, duke e bërë poezinë jo vetëm tekst për t’u lexuar, por vibrim për t’u ndier.

 

 Demir Rusi: ZGJIMI PO TROKET

Jemi në fazën e purifikimit

Dhe afër krejt kohës së zgjimit

Toka po rrit ndieshëm frekuecën

Trupi dhe shpirti,po pështaten

 

Të gjithë jemi futur në proces pastrimi

Njerzit po lirojnë gjithçarë emocioni

Strukturat e rreme thërmohen

Egot filluan të kontrollohen

 

Njerzit po ndiejnë lodhje ekstreme

Intensivisht mbytur në emocione

Akth i papritur,ndryshim dhe në gjumë

Zgjim ne 3 të mëngjesit,mos vallë vetem unë...

 

Po izolohen mardhëniet e shkuara

Dhe po ndahemi nga e kaluara

Këto s'jan strese, sëmundje e rastësi

Po ndryshime që sjellin mrekulli

 

Ky proces nuk është thjesht shpirtëror

Por fizik,energjik,social e madhor

Sinjalet që vijn në tokë reflektohen

Lëvizje dhe të natyres açik po ndihen

 

Paralelisht dhe njerzit pastrohen

Mendërisht kan filluar të evolohen

Dhe luftrat në prag,ndezur fitili

Shpresojm në mrekullit,zgjimi të ndodhi

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page