top of page

Fatmir Terziu: Arif Çereni nuk kërkon më shumë se aq…

  • Mar 21
  • 2 min read

Fatmir Terziu: Arif Çereni nuk kërkon më shumë se aq…

 

E quajnë Arif Çereni. Një emër i thjeshtë, si vetë jeta e tij. Nga Trebishti i Gollobordës, në Bulqizë, ai ka jetuar si shumë burra të atyre anëve: me djersë në ballë, me duar që nuk pushonin, me shpirt të qetë dhe të fortë njëkohësisht.

Gjithë jetën ka punuar. Pa zhurmë. Pa kërkuar duartrokitje. I urtë në fjalë, i drejtë në rrugë, i respektuar në familje dhe mes njerëzve. Ai është nga ata burra që nuk flasin shumë për veten, por që historia e tyre lexohet në rrudhat e fytyrës dhe në heshtjen dinjitoze.

Sot, jeta i ka vënë një provë tjetër. Arifi është në një karrocë. Lëvizja e tij është kufizuar, por jo dinjiteti. Jo shpirti. Jo dëshira për të qenë pjesë e jetës, për të dalë nga shtëpia e tij në Trebisht Muçinë, për të shkuar deri në qendër, për të parë njerëzit, për të ndjerë ajrin e vendlindjes së tij që e ka dashur aq shumë.

Kërkesa e tij është e thjeshtë. Një karrocë me bateri. Një ndihmë që për dikë mund të duket e vogël, por për të është një dritare e hapur drejt jetës, drejt lirisë së munguar.

Me mirënjohje dhe respekt, ai i drejtohet Kryetares Festime Mjeshtri. E falënderon për vëmendjen dhe interesimin, për atë ndjenjë njerëzore që nuk matet me poste apo tituj, por me zemër. Sepse ndonjëherë mjafton që dikush të dëgjojë, të kuptojë, dhe të zgjasë dorën.

Arif Çereni nuk kërkon më shumë se aq. Ai kërkon mundësinë për të lëvizur, për të jetuar pak më lehtë, për të mos e ndjerë veten të mbyllur në kufijtë e një dhome.

Dhe ndoshta, në këtë kërkesë të tij të heshtur, ka një thirrje më të madhe për të gjithë ne: të mos harrojmë njerëzit e thjeshtë, ata që kanë dhënë gjithçka pa kërkuar asgjë, dhe që sot kanë nevojë vetëm për pak dritë në rrugën e tyre.

Me bashkëshorten, që i gjendet në çdo sekondë
Me bashkëshorten, që i gjendet në çdo sekondë

Pra, Arif Çereni nuk kërkon më shumë se aq. Ai kërkon mundësinë për të lëvizur, për të jetuar pak më lehtë, për të mos e ndjerë veten të mbyllur në kufijtë e një dhome. Dhe rrugët nuk janë aq të gjata sa duken. Dibra e Madhe nuk është larg. Ajo është një afërsi që matet jo vetëm me kilometra, por me dëshirë dhe mundësi. Me një karrocë me bateri, rruga nga Trebishti mund të mos jetë më një pengesë, por një udhëtim i vogël, një dalje drejt jetës që e pret.

Edhe drejtimi Trebisht–Zhepishte mund të bëhet një vijë shprese për të. Një rrugë që lidh jo vetëm fshatra, por edhe kujtime, njerëz, biseda të humbura në kohë. Me atë karrocë, ai mund të shkojë deri në “dyqanet” e zonës, të ulet mes njerëzve, të shkëmbejë një fjalë, të ndiejë se ende është pjesë e përditshmërisë që dikur e ndërtonte me duart e tij. Sepse ndonjëherë, nuk kërkohet shumë për ta kthyer jetën në lëvizje. Mjafton një mjet i vogël, një ndihmë e sinqertë, dhe një zemër që nuk dorëzohet. Dhe Arif Çereni është pikërisht kjo, një zemër që, edhe në heshtje, vazhdon të ecë përpara.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page