top of page
Search

Caush Kullafi: Arianit Dobra, djali nga Gizaveshi që na bën krenar

  • May 20
  • 3 min read

Arianit Dobra, djali nga Gizaveshi që na bën krenar

Nga Caush Kullafi

Në zemrën e Londrës, atje ku qyteti gumëzhin si një lumë i pafund njerëzish, dritash dhe ëndrrash, emri i një djali nga Gizaveshi i Librazhdit ndriçon si një yll që nuk e harron kurrë vendlindjen. Ai është Arianit Dobra, djali që mori me vete aromën e maleve, pastërtinë e shpirtit shqiptar dhe forcën e gurit të vendlindjes për t’i kthyer në sukses në tokën angleze.

Që në moshë të re, Arianiti la Gizaveshin e tij, atë fshat të mbështetur mbi shpatet si një shqiponjë mbi folenë e vet, dhe mori rrugën drejt Londrës. Si shumë të rinj shqiptarë, edhe ai u nis me një valixhe plot shpresa dhe me zemrën që i rrihte fort për familjen dhe të ardhmen. Londra  ishte një qytet i madh, por  dhe një det i trazuar ku duhej të mësonte të notonte me forcën e punës dhe karakterit.

Qëllimi i Arianitit ishte i qartë si drita e diellit mbi Shkumbin: të ndërtonte jetën me punë të ndershme, me djersë balli dhe me dinjitet. Ai nuk kërkoi rrugë të shkurtra, por eci hap pas hapi, si mali që ngrihet ngadalë drejt qiellit. Çdo ditë pune për të ishte një tullë më shumë në kalanë e suksesit që po ndërtonte larg atdheut.

Bashkë me bashkëshorten e tij, Arianiti ngriti biznesin e tyre me lule natyrale në zemër të Londrës. Dyqani i tyre vërtet  ishte  një vend ku shiteshin lule; por ai dukej si një pranverë e përhershme mes betonit londinez. Lulet shumëngjyrëshe shpërndanin aromë e bukuri, ndërsa puna dhe përkushtimi i çiftit shqiptar lulëzonin si trëndafilat në mëngjesin e vesuar.

Te Arianiti, për arritjet e tij, nuk të bën përshtypje vetëm biznesi, por edhe thjeshtësia. Ai mbetet po ai djali i Gizaveshit, me zemër të bardhë dhe me shpirt mikpritës. Suksesi nuk e ka larguar nga njerëzit; përkundrazi, e ka bërë edhe më pranë tyre, si një pemë që sa më shumë rritet, aq më shumë hije u fal të tjerëve.


Eventi “Sofra e Librazhdit”, organizuar nga dy vajzat e mrekullueshme të Librazhdit, Entela Terziu dhe Juliana Shalla, na bashkoi me Arianitin në Londër. Takimi me të në dyqanin e luleve ishte si të takoje një copëz Shqipërie në mes të Anglisë. Emocioni bëhej edhe më i veçantë kur mëson se rrugës së privatizuar ku ndodhet biznesi i tij, Arianiti i kishte vendosur emrin e vajzës së tij, Elisana. Ishte një gjest që fliste më shumë se mijëra fjalë: dashuria për familjen e kthyer në simbol përjetësie.

Por Arianiti shkon edhe më tej. Një lule të bukur ai e kishte personalizuar me emrin Elisana, sikur të donte që emri i së bijës të lulëzonte përgjithmonë mes aromës dhe bukurisë. Ishte një detaj që të prekte shpirtin, sepse tregonte se njeriu që di të ndërtojë sukses, di edhe të ruajë ndjenjat më të pastra njerëzore.

Ato ditë në Londër ishin për mua shumë emocionuese mes shqiptarëve të mirë, njerëzve që, edhe pse larg atdheut, e mbajnë Shqipërinë ndezur në zemër si një zjarr që nuk shuhet kurrë. Në çdo bisedë, në çdo buzëqeshje dhe në çdo përqafim ndjeje mallin për vendlindjen dhe krenarinë për rrënjët tona.

Suksesi i biznesmenit Arianit Dobra në Londër është si një urë që lidh Gizaveshin me botën. Ai është shembulli se shqiptari, kur punon me ndershmëri dhe zemër, mund të ngrejë emrin e tij kudo. Mikpritja që ai na ofroi ishte e ngrohtë si buka e sapodalë nga furra e shtëpisë shqiptare. Në sytë e tij shihje mirësinë, ndërsa në fjalët e tij ndjeje respektin për njerëzit dhe vendin nga kishte ardhur.

Arianit Dobra mbetet një lule krenarie për Gizaveshin, në për Librazhdin dhe për gjithë shqiptarët në Londër. Një djalë që e mori ëndrrën përdore dhe e bëri realitet, pa harruar kurrë rrënjët e tij.

 
 

Shkrimet e fundit

bottom of page